NJERËZIT QË

Njerëz që heqin këpucët para se të hyjnë në punë, i lënë te pragu i derës, te pragu i kafenesë, te pragu i dhomës së motelit ku nuk ishin,

Njerëz që u numërojnë maceve thithkat e cicave, habiten që numri u del gjithnjë çift,

Njerëz që nuk rruhen po të mos i rritet mjekra të fortit, ua ka ënda që briskun ta përdorin në shenjë solidariteti kolektiv,

Njerëz që i mjekojnë dhëmbët tek argjendari, se ashtu nuk do t’ju duhet të çojnë atje ar ose edhe dhëmbë floriri të vdekurish,

Njerëz që edhe dorën kujtojnë se po ta japin borxh, ato pak herë kur begenisin të ta japin,

Njerëz që rebelohen në kohën e kryer të thjeshtë, duke përfituar nga gramatika e gjuhës amtare,

Njerëz që e dënojnë pulën me vdekje, para se ta therin dhe ia lexojnë dënimin të shkruar si me këmbët e pulës,

Njerëz që i fitojnë ndeshjet në tavolinë, njerëz që i fitojnë ndeshjet nën tavolinë, njerëz që i fitojnë ndeshjet duke goditur me tavolinë,

Njerëz që i dhurojnë lule suflerit, heroit jo krejtësisht të heshtur të shfaqjes që dështoi,

Njerëz që të heqin të drejtën e heshtjes, të thonë fol se nuk ta kemi dhuruar kot mikrofonin, megafonin, megalofonin,

Njerëz që të thonë të rrinë shumë bukur dorashkat,

Njerëz që s’e kanë lënë pijen, njerëz që s’e kanë lënë duhanin,

Njerëz që mbajnë radhën për t’u bërë të famshëm,

Njerëz që i bien maces me lugë këpucësh, edhe pasi janë rritur, edhe pasi janë currufjepsur,

Njerëz që i kanë zënë me farë kosi, ua dëgjon florën bakteriale t’u gumëzhijë si zgjua fermentesh intelektuale hiperaktive,

Njerëz që e zënë kos qumështin e Rozafës,

Njerëz që u ecën në shah, njerëz që u del dhe u tepron,

Njerëz që u ka rrjedhur dhe tani u pikon,

Njerëz që i tregojnë barceleta dacit, njerëz që të vrasin me suxhuk në gojë,

Njerëz që riatdhesojnë valixhet, pasi u ka ndërruar mendja në çastin e fundit në aeroport,

Njerëz që të mbajnë pishën, njerëz që të mbajnë anën, njerëz që të mbajnë bishtukun,

Njerëz që nuk mbajnë mend t’i kenë lobotomizuar,

Njerëz që mbrehin arushën në parmendë, ia prishin mendjen me përralla agrare plot bereqet,

Njerëz që lexojnë me njërin sy hapur, njerëz që lexojnë vetëm faqet majtas, njerëz që lexojnë vetëm dialogjet, njerëz që parapëlqejnë monologjet,

Njerëz që i hapen berberit, me shpresën e vakët se ky mund t’i spiunojë gjëkundi,

Njerëz nuk rruhen vetë por që rruajnë berberin e fshatit,

Njerëz që i druhen pikëpresjes,

Njerëz që e dinë se kur do të lindin, por nuk i beson kush, prandaj edhe lindin,

Njerëz që e parkojnë makinën nën fustanin e nuses, njerëz që s’të vijnë në dasmë edhe po t’i lusësh,

Njerëz që duartrokasin kur parkohet makina, të ngeshmit e fundit, spektatorë të çlirët të një fushe me mina,

Njerëz që e përkthejnë sorrën në pulë, para se ta pjekin,

Njerëz që harrojnë të kurdisin orët, njerëz të orëve të para,

Njerëz që të lëvdojnë bidenë, me shpresë se nuk do t’u duhet ta përdorin kurrë; njerëz që kanë frikë nga njerëz që kanë bide,

Njerëz që besojnë se ka një lidhje midis Platonit dhe Plutonit,

Njerëz që ngatërrojnë ndarjen e pushteteve me ndarjen e pushtetit,

Njerëz që të thonë se Shekspiri është dramaturg i madh,

Njerëz që kujtojnë se grekët e vjetër janë grekë të vjetruar,

Njerëz që të kërkojnë t’ua ndash shapin nga sheqeri,

Njerëz që pyesin pemën se si i duket parku,

Njerëz që i dhurojnë teleskop astrologut, për ta konvertuar ose ngaqë i ngatërron etimologjia,

Njerëz që futin macen në kurth, njerëz që futin macen në kllapa,

Njerëz që u dhimbsen yjeve,

Njerëz që kujtojnë se Beatles-at kanë qenë vëllezër, kushedi ngaqë visheshin të katërt njëlloj për ditë festash,

Njerëz që kujtojnë se Beatles-at kanë qenë motra,

Njerëz që mbyllin syrin e keq në shishe, njerëz që kanë frikë nga hija e mëngjesit,

Njerëz që e lënë mëndafshin t’u zërë krimba,

Njerëz që dhjesin në këmbë,

Njerëz që e pinë rakinë me pipëz, brezi i humbur i Coca-Cola-s dhe i fiksimit oral,

Njerëz që hanë inat me derën, jo aq për ta hapur sesa për ta mbyllur,

Njerëz që ta mbërthejnë arkivolin që pa vdekur, ecin rrugëve me çekiç me vete, duke qëmtuar me sy afishet mortore si të ndërkryer,

Njerëz që propozojnë në ashensor, që bëjnë mbledhje të shkurtra në ashensor, njerëz që hipin në ashensor edhe kur ky nuk punon,

Njerëz që hedhin pare kallpe në Fontana di Trevi,

Njerëz që të shajnë Lacan-in, njerëz që luftojnë për një botë pa Lacan,

Njerëz që i mësojnë bukurshkrim makinës së shkrimit,

Njerëz që e shkruajnë testamentin me dhjetërrokësh, madje edhe kur nuk e shkruajnë në gegnishte,

Njerëz që shkojnë në kishë për t’iu afruar Europës, njerëz që shkojnë në Europë për t’iu afruar kishës,

Njerëz që e praktikojnë kanibalizmin, por vetëm brenda farefisit; pa e kuptuar se ashtu megjithatë ndihmojnë në kontrollin e popullsisë së planetit,

Njerëz që duan të dinë se në ç’gjuhë e shkroi Leka kanunin, njerëz që mendojnë se Pal Engjëlli kish shkrim të bukur,

Njerëz që i pastrojnë peliçet te veterineri, njerëz që ua ka fajin kunati, njerëz që të godasin,

Njerëz që e mbajnë një sy nga Vezuvi, kur vizitojnë Pompein,

Njerëz që harrojnë të harrojnë, e paketojnë ngjeshur kungullin e kafkës me gjithfarë bëzhdilesh, njerëz që harrojnë të shprazin plehrat derisa ëndrra u shpërthen një natë vere dhe ashtu i vjen edhe fundi botës,

Njerëz që përfytyrojnë bakllava madhështore,

Njerëz që i marrin erë sqetullës së tjetrit,

Njerëz që të thonë se shqipja me pak përpjekje mund ta kish hequr qafe tingullin dhe shkronjën x,

Njerëz që i kanë të gjithë vëllezër, përfshi edhe motrat,

Njerëz që tjerrin lesh, njerëz që krehin lesh, njerëz që i bëjnë punët lesh e li,

Njerëz që i nxijnë faqet paraprakisht, të librave dhe të grave të tyre ose të grave të rrugës,

Njerëz që i mbushin humnerat me plehra,

Njerëz që i shohin ëndrrat me gabime, që nuk u punon më sintaksa; njerëz që i shohin ëndrrat në kah të kundërt, njerëz që u ka humbur pusulla onirike,

Njerëz që u dalin ëndrrat e të tjerëve,

Njerëz që lëvizin në formë L-je, për t’iu shmangur rrugës më të shkurtër e cila shpie detyrimisht në ferr,

Njerëz që e mbajnë ombrellën në krevat, njerëz që ngrysen piperka dhe gdhihen patëllxhane,

Njerëz që u pjell mushka, njerëz që u pjell mendja mushka, njerëz që u pjell pushka, njerëz që e festojnë mushkën që u ka pjellë mendja me të shtëna pushke, në diell,

Njerëz që kërkojnë për horizonte të reja,

Njerëz që do t’u kishin kënduar oxhaqeve të nalta,

Njerëz që ndërtojnë gërmadha, me porosi të autoriteteve; njerëz i ngrenë pallatet gjysmë të rrënuara; njerëz që operojnë me mermer të vjedhur,

Njerëz që fshehin qimen në vezë,

Njerëz që të kanë zënë vendin në arkivol, njerëz që ia kanë varur tashmë arkivolit tënd shenjën “i xanun”, njerëz që e kanë dhënë tashmë arkivolin tënd me qira,

Njerëz që u shkrep arma në dorë mu para se të vrasin veten,

Njerëz që bëjnë fëmijë me shekullin e ri,

Njerëz që vrasin mendjen të dinë se çfarë ka brenda në granit,

Njerëz që të shtypin me gabime drejtshkrimore, të lënë pastaj shakull përdhe, të paidentifikueshëm nga organet e rendit, për shkak të gabimeve tashmë të pakorrigjueshme; njerëz që ta fshijnë emrin nga kjo botë thjesht ngaqë kurrë nuk mësuan të shkruajnë si duhet,

Njerëz që pështyjnë mbi simbolet ndërkombëtare,

Njerëz që e përdorin shpatën si bastun, njerëz që e përdorin shpatën si plug, njerëz që e përdorin shpatën për të ndarë bakllavanë, njerëz që e mprehin shpatën për situatën,

Njerëz që të bëjnë t’i thuash shpatës jatagan,

Njerëz që nuk i qasin në ferr, i lënë të presin te kangjellat përjashta, aq sa të krijojnë një ferr paralel, me institucione paralele; dhe pastaj ta zgjedhin Luciferin nga gjiri i tyre, me votë të lirë dhe demokratike,

Njerëz që s’ua shpreh dot goja dashurinë, por dora, veç dora,

Njerëz që e shkruajnë testamentin në rërë,

Njerëz që ua zë rrota bishtin dhe mallkojnë pastaj jo rrotën, por bishtin,

Njerëz që të ngjitin diabetin,

Njerëz që të dhurojnë baktere, njerëz që ta ndajnë buzëqeshjen më dysh,

Njerëz që e djegin fjalën në çibuk, në vend që ta japin; njerëz që të mbulojnë me tymin e fjalëve që djegin, njerëz që therin djalën, por fjalën s’e japin,

Njerëz që të vrasin me sherbet,

Njerëz që shkurtojnë maratonën, thjesht sepse munden,

Njerëz që e kapin patën nga gryka, me duart gjithë graso kollodoku,

Njerëz që nuk ua hapin rrugën budallenjve, i përgjigjen budallallëkut me budallallëk,

Njerëz që i ruajnë shtambat se mos u lagen, njerëz që ia kursejnë ujit shtambat,

Njerëz që e hanë qingjin me lugë, që pa e pjekur akoma; njerëz që e hanë qingjin me sy, që para se të vijnë Pashkët,

Njerëz që e mbajnë kosin në xhep, sepse duan ta lavdërojnë,

Njerëz që e kurdisin orën mbrapsht, për të trembur kohën që ikën,

Njerëz që lëshojnë lëng,

Njerëz që e refuzojnë shiun, njerëz që refuzojnë parashikimin e motit, njerëz që refuzojnë të hapin ombrellën,

Njerëz që u ka humbur prognoza, njerëz që nuk u hapet Facebook-u, njerëz që nuk u hapet parashuta,

Njerëz që i kanë humbur lidhjet me parashutën,

Njerëz që nxjerrin mermer nga statujat, sikurse nxjerr bleta mjaltin nga lulet,

Njerëz që u nxjerr bleta lule nga mjalti,

Njerëz që kërkojnë naftë në varreza, njerëz që i mahnit origjina e hidrokarbureve,

Njerëz që falen në drejtim të kundërt me Mekën; njerëz që falen, por që nuk falin,

Njerëz që i flasin rusisht mështeknës, njerëz që e dëgjojnë veten plot admirim tek i flasin rusisht mështeknës,

Njerëz që ua kanë marrë macen më sysh, njerëz që të balsamosin me sy, njerëz që e mbajnë njërin sy të mbyllur,

Njerëz që e ngjyejnë kafshatën në zift,

Njerëz që e bluajnë kafenë me dhëmbë, njerëz që e shtrydhin rrushin me shputat e këmbëve, njerëz që ende kafshojnë monedhat, njerëz që kafshojnë monedhat në xhep të tjetrit,

Njerëz që e mobilojnë shtëpinë me metafora,

Njerëz që vjellin vrer përpara pasqyrës,

Njerëz që u zë pleshta flamuri, njerëz që ua ha flamurin pamëshirshëm mola, njerëz që e fshehin flamurin e vjetër në pajën e virgjëreshës,

Njerëz që e mbajnë barutin të lagur,

Njerëz që e therin pulën pasi e pjekin, për t’ia ruajtur të paprekur lafshën,

Njerëz që dremisin në gjumë,

Njerëz që ua taksuan duart, sepse i kishin të arta,

Njerëz që zënë muhabet me të dashurin e gruas, për t’u çliruar nga komplekset,

Njerëz që i lënë bakshish makinës së kafesë, njerëz që vajosin rrobaqepësen,

Njerëz që i ngjiten minaresë nga jashtë, si milingona,

Njerëz që bëjnë sikur të njohin, të hedhin duart në fyt kinse për të përqafuar, të ngjethin me krisjen e ligë që u feks midis dhëmbëve, njerëz të hurit dhe të litarit,

Njerëz që u oksidohet luga në gojë, njerëz që u prodhon goja elektricitet,

Njerëz që i kthejnë mbrapsht ëndrrat, njerëz që e kthejnë mbrapsht kafenë të pakënaqur me fallxhoren,

Njerëz që flenë kur fle edhe hasmi, në shenjë mirëkuptimi dhe armëpushimi,

Njerëz që i ruajnë dhëmballët për më vonë, njerëz që i mbivlerësojnë dhëmbët e parë,

Njerëz që ta vjedhin paskajoren,

Njerëz që e jetojnë jetën në rend alfabetik,

Njerëz që nuk ia thonë, njerëz që nuk ua pret, njerëz që s’duan t’ia dijnë,

Njerëz që të lënë në baltë edhe në shkretëtirë,

Njerëz që, jo pa të drejtë, kujtojnë se mjalta është më e ëmbël se balta,

Njerëz që kujtojnë se Çajupi çmendej pas çajit të malit,

Njerëz që u qajnë hallin mushkonjave, njerëz që u lëvdojnë mushkonjave elegancën dhe hijeshinë e lëvizjes,

Njerëz që i bien shkurt jetës, pse i presin me ngut në anën tjetër,

Njerëz që të thonë ‘të më kishe thënë para një jave’,

Njerëz që nuk lënë bakshish, sepse është fjalë turqisht,

Njerëz që ua ka fajin lokomotiva, njerëz që votojnë njëzëri për ta ndërruar lokomotivën, njerëz që dalin vullnetarë për ta drejtuar lokomotivën në kohë me erë dhe suferinë,

Njerëz që e bëjnë macen e zezë të kthejë rrugë, të zgurdulluar nga makthi,

Njerëz që i ka yshtur fokisti i Titanikut, me qymyr të shuar në ujin e njelmët të Atlantikut,

Njerëz që e mbajnë korbin me djathë, njerëz që ia ngrenë korbit kolesterolin, njerëz që i shesin korbit sapunin për djathë,

Njerëz që dremisin gjatë Gjyqit të Fundit,

Njerëz që i mbërthejnë brekët me kopsa, para se të nisen për luftë,

Njerëz që ëndërrojnë të drejtojnë një ditë trafikun, me bilbil krenarisht në buzë,

Njerëz që ta marrin çamçakëzin nga goja,

Njerëz që nuk e dinë se kanë veshur tuta, njerëz që u ka humbur kërthiza, njerëz që pas 1990-ës u është zhvendosur kërthiza djathtas,

Njerëz që të dalin nga mendja,

Njerëz që nuk gjejnë dot shtizën e flamurit, njerëz që ia kanë harruar fjalët himnit kombëtar, njerëz që ua kanë vjedhur dekoratat,

Njerëz që çuditen me pikëçuditëset, njerëz që të arrestojnë për një shenjë pikësimi, njerëz që t’i ngulin thonjëzat në mish,

Njerëz që kallafatojnë, njerëz që kallaisin, njerëz që mbahen si virtuozë të tutkallit,

Njerëz që nuk dinë të martohen, njerëz që flenë përdhé si qeni, njerëz që masturbohen për t’u ngrohur,

Njerëz që u bien vathët prej veshëve para se të vdesin,

Njerëz që të shajnë nga bualli,

Njerëz që u intereson jo flutura më e bukur, por flutura më e fortë,

Njerëz që financohen nga lypësit, njerëz që e nisin garën nga fundi,

Njerëz që ngjitin veshin në mur të kalasë, për të dëgjuar çfarë ka thënë Vrana Konti,

Njerëz që indoktrinojnë patën, njerëz që bëjnë zap iriqin,

Njerëz që ia falin mëlçinë cirrotike shtetit,

Njerëz që i shtrojnë plehrat me pllaka, njerëz që i shtrojnë rrugët me letra bixhozi, njerëz që i shtrojnë rrugët drejt Ferrit me qëllime të mira,

Njerëz që nënshkruajnë fëmijët e vet, njerëz që i duan fëmijët e vet firmato, njerëz që pranojnë kartë krediti për fëmijët e vet,

Njerëz që ta pinë gjakun me dolli, drejt e nga gishti prej vëllami,

njerëz që ia vjedhin pushkën jevgut,

Njerëz që e mbajnë veten në sirtar, e ruajnë dorëshkrim të vyer, u pëlqen ta soditin tek zverdhet nga vitet,

Njerëz që (ri)themelojnë Partinë,

Njerëz që u zgjat nata me vite, njerëz që i shndërron drita e diellit në vampirë,

Njerëz që e mbjellin florën bakteriale në kopësht, ndajnë me lulet kutërbimet e thella të trupit,

Njerëz që e ndiejnë trurin kur u llokoçitet, në rast konflikti mendimesh ose monologu të brendshëm, ose edhe kur tundet anija nga valët,

Njerëz që e vizatojnë testamentin,

Njerëz që e kanë ende në gojë shijen e lëngut amniotik, pa çka se e ngatërrojnë me shijen e dheut,

Njerëz që dinë t’i bien orkestrës, njerëz që dinë t’i bien publikut,

Njerëz që kanë gjithmonë të vogla,

Njerëz që agjërojnë kur s’kanë ç’të hanë, njerëz që hanë kur ua ndalojnë të agjërojnë,

Njerëz që librat i shesin, por raftet i ruajnë; pse s’ka kuptim të blesh rafte të reja me lekët e librave të shitur,

Njerëz që të vjedhin piedestalin, të lënë pezull në ajër, si të ishe shenjt jo hero,

Njerëz që pyesin se kush i mbolli fëmijët në kopësht,

Njerëz që lakmojnë macen e tjetrit, në kundërshtim me çfarë u porosit Bibla; njerëz që i japin musht maces së tjetrit, njerëz që rekrutojnë macen e tjetrit,

Njerëz që e ujitin kaktusin me lot,

Njerëz që i numërojnë vrimat djathit, njerëz që ia mbushin vrimat djathit,

Njerëz që heqin këpucët te doktori, njerëz që duan të zhvishen bashkë me doktorin, njerëz që duan të zhveshin doktorin,

Njerëz që kanë ereksion spontan në tryezën e operacionit,

Njerëz që besojnë se vegjetarianët vegjetojnë, njerëz që kontrabandojnë karrota, njerëz që shpien bulmet në stan,

Njerëz që i hapin telashe qenit, njerëz që i japin qenit dhimbje koke,

Njerëz që u hanë karrotave vetëm ngjyrën, njerëz që i përdorin karrotat si suposte, njerëz që i japin hakun mjekësisë popullore,

Njerëz që të marrin borxh edhe portofolin, në shenjë kujdesi ndaj kartëmonedhave,

Njerëz që i bëjnë rreshtore orkestrës,

Njerëz që i mbajnë valixhet gati, një me rroba të dimrit dhe një me rroba të verës,

Njerëz që u del vaska e banjës për të notuar, njerëz që thellojnë vaskën e banjës,

Njerëz që ia shajnë divanin psikanalistit, pasi i ka zënë aty gjumi për një copë herë; njerëz që e ftojnë psikanalistin të shtrihet me ta në divan; njerëz që e ftojnë psikanalistin t’u hapet,

Njerëz që nuk kanë asnjë shok gay, që nuk kanë asnjë shok zezak, që nuk kanë asnjë shok pikë,

Njerëz që i bën dielli për të qeshur, njerëz që gajasen me brekët e fryra të reve, njerëz që u heqin reve pantallonat,

Njerëz që të pyesin se çfarë bleve kur del nga dyqani,

Njerëz që lyejnë gurin me gjalpë, njerëz që përtypin kripë,

Njerëz që të kronometrojnë seksin, njerëz që e përdorin metronomin për seks,

Njerëz që falsifikojnë kalendarin, për ta shtyrë pak sezonin e festave,

Njerëz që e kripin gjellën me ujë deti, pse u pëlqen shumë supa,

Njerëz që ua kanë ngrënë sytë me sy,

Njerëz që ndezin cigaren në bark të balenës, e shpërfillin tabelën Rauchen verboten,

Njerëz që besojnë se rregullat duhen formuluar gjithnjë në gjermanishte,

Njerëz që lypin megjithë këshillat e priftit, njerëz që lypin për llogari të priftit, njerëz që ia lypin priftit,

Njerëz që e mbajnë Biblën në freezer, njerëz që e përziejnë Biblën me pije të ëmbla,

Njerëz që i pengon dora e majtë, njerëz që nuk u ka mbetur respekt për simetrinë trupore,

Njerëz që e shkojnë perin në vrimë të spaghetti-t, njerëz që e shkojnë perin në vrimën e zezë,

Njerëz që magjepsen pas krahëve të mizës, njerëz që habiten pse ylli i detit ka formë ylli,

Njerëz që ngujohen në Kullën e Babelit, ashtu mësojnë edhe ndonjë gjuhë të huaj,

Njerëz që e blejnë sobën të ndezur, për t’u ngrohur gjatë rrugës për shtëpi,

Njerëz që kanë kontrabasin nën kësulë,

Njerëz që përsosin qiellin, ia prekin gjeometritë dhe ndriçimin, ia ri-ekzekutojnë fraktalet e reve,

Njerëz që e pinë kafen në hale, për t’i shpëtuar mallkimit të telefonit,

Njerëz që bëjnë seks në dialekt, njerëz që bëjnë seks labiovelar, në shqipen e vjetër,

Njerëz që i mësojnë qenit të gënjejë,

Njerëz që janë pjesë e muzeut, njerëz që paguajnë për të qenë pjesë e muzeut, njerëz që nxjerrin bukën me ekzibicionizëm,

Njerëz që i kanë ngritur në gjysmë-shtizë; njerëz që i kanë ngulur në gjysmë-shtizë,

Njerëz që shkruajnë mbi lëkurën e dajres, njerëz që shpojnë dajren me fëndyell,

Njerëz që i këputin lulet me paramendim,

Njerëz që nuk e dinë ç’i bën paratë kazinoja, njerëz që nuk i zënë besë lotarisë,

Njerëz që hidhen e kërcejnë me ritmin e tërmetit, njerëz që kremtojnë ditën e Kijametit,

Njerëz që i tregojnë gjoksin shtetit,

Njerëz që u ka mbetur pishtari në dorë, si Statujës së Lirisë; njerëz që detyrohen të udhëheqin,

Njerëz që të përmendin lapsin kopjativ,

Njerëz që nuk i zënë besë Mendelejevit, njerëz që nuk i zënë besë Lomonosovit, njerëz që të thonë se rusi na e ka me të pabesë,

Njerëz që i kafshojnë dorën dentistit,

Njerëz që vënë në dyshim synetin e mbretit,

Njerëz që i kruajnë bishtin krokodilit, njerëz që i fshehin dollarët nën bishtin e krokodilit,

Njerëz që i ndjek historia nga mbrapa, për t’i kapur për bythe; njerëz që u del emri në histori, njerëz që u ngec emri në histori,

Njerëz që e deshifrojnë kodin gjenetik me anë të shqipes; njerëz që e deshifrojnë deri edhe shqipen me anë të shqipes,

Njerëz që ta sjellin operën në shtëpi, njerëz që e kyçin sopranon në kafaz,

Njerëz që i bëjnë mbledhjet në kasolle, me dritën e kandilit, mos t’ua prishin festën atyre të pallatit,

Njerëz që kanë shpikur teneqen nga e para, e kanë ripagëzuar llamarinë,

Njerëz që ndezin dritën jeshile, njerëz që koleksionojnë libra të verdhë, njerëz që kanë carta bianca,

Njerëz që e therin dhëndrrin në dasmë, ia fshehin kufomën nën fustanin e nuses,

Njerëz që marrin frymë me leje, njerëz që kanë mbetur në tentativë,

Njerëz që mundin Serbinë në shah, njerëz që e kanë huq të fitojnë,

Njerëz që e mbajnë veten për këmbanarë të alarmit, njerëz që i bien burisë, njerëz që japin sinjalin,

Njerëz që të rrahin me harkun e violinës, njerëz që e quajnë veten harkëtarë,

Njerëz që u japin deleve lirinë, njerëz që u thonë deleve lirinë nuk ua solla unë; njerëz që citojnë Barletin në vathë,

Njerëz që u lustrojnë këpucët të vdekurve, ofrojnë shërbim edhe në varreza,

Njerëz që i qërojnë mollën Adamit,

Njerëz që i dërgojnë së dashurës lulelakra, njerëz të apasionuar pas squfurit,

Njerëz që i dekonspiron fënda, njerëz që e paguajnë me kokë një pjatë fasule,

Njerëz që godasin mjegullën, e ndajnë më dysh, e shumëzojnë me zero,

Njerëz që e pjekin zogun pa e nxjerrë nga veza,

Njerëz që futin gishtin në hundën e tjetrit,

Njerëz që i ngjiten malit me ashensor, sapo dëgjojnë për njerëz që ende i ngjiten malit me shkallë,

Njerëz që mbrojnë zhavorrin,

Njerëz që mbajnë të vdekurit me bukë, ua shpien pensionet te koka e varrit; njerëz që mirëmbajnë eshtrat e tjetrit,

Njerëz që e ushqejnë cjapin me trëndafila,

Njerëz që dinë t’i japin rimorkios, të thonë është kushërira e rimorkiatorit, njerëz që e lënë autobusin në batak,

Njerëz që u ka rrjedhur majmuni për hundësh, u ka marrë rrugët; njerëz që u ka dalë majmuni nga kontrolli live në TV,

Njerëz që e blejnë shalqiun që të vogël,

Njerëz që nuk i lidh dot nga kravata, njerëz që ua lidh nyjen e kravatës marinari,

Njerëz që vënë naftalinë në arkivol, nuk kanë ndërmend t’i ndërrojnë rrobat shpesh pasi të vdesin,

Njerëz që shohin në ëndërr sikur flenë, njerëz që shohin në ëndërr sikur flenë të madhen, njerëz që flenë gjumin e tjetrit,

Njerëz që e zënë kosin me pështymë,

Njerëz që paketojnë kuti, obsesivisht, në kuvertën e tragetit,

Njerëz që i shtien fall të paudhit, njerëz që e rrasin shishen në bythë të djallit,

Njerëz që mbajnë anën e Polifemit,

Njerëz që e trajtojnë Polifemin si pakicë, njerëz që e trajtojnë Polifemin si invalid, njerëz që fabrikojnë për Polifemin syze,

Njerëz që e ndajnë veten në grupe,

Njerëz që e kalojnë lumin atje ku është më i turbullt, njerëz që ngatërrojnë drynin me patkoin, njerëz që kanë humbur çelësat e kalit,

Njerëz që të hedhin hekurat,

Njerëz që kanë lindur me këmishë nate, njerëz që kanë lindur me fustanellë, njerëz që ua kanë vjedhur këmishën sapo kanë lindur,

Njerëz që të inkuadrojnë, njerëz që të kooptojnë, njerëz që të regjistrojnë mendimet,

Njerëz që i mësojnë peshkut biçikletën,

Njerëz që i thonë Uliksit se Penelopa ia ka dredhur,

Njerëz që të vjedhin astarin e mëndafshtë të xhepit, njerëz që të vjedhin teserën e Partisë,

Njerëz që hekurosin velat, njerëz që i kanë fetish të mbathurat e varkës,

Njerëz që e hanë bukën veç,

Njerëz që s’ua pranon dorëshkrimet arkivi, njerëz që i kanë fshirë nga defteri, njerëz që nuk njihen më publikisht,

Njerëz që nuk ia falin tradhtinë Moisi Golemit, njerëz që do ta mbanin Hamzain akoma në burg,

Njerëz që ende s’ia kanë paguar hakun mamisë,

Njerëz që korrektojnë mbishkrimet e varreve, me daltë dhe çekan, tmerrojnë hajdutët e luleve funerare me çak-çuket në terr,

Njerëz që e shohin makinën larëse nga shalët,

Njerëz që ngatërrojnë Nastradinin me Nostradamus-in, në të dy kahet,

Njerëz që u hapin rrugë pseudonimeve, njerëz që janë me ariun,

Njerëz që lënë pacemaker-in në bixhoz, njerëz që ikin nga kazinoja zemërthyer,

Njerëz që i lëvdojnë bletës thumbin, njerëz që të thonë Hitleri nuk i donte serbët,

Njerëz që e shohin botën me syzet e tua, njerëz që të shajnë optometristin,

Njerëz që i godet rrufeja në hale, u mbetet pa lexuar deri në fund gazeta e ditës, ashtu ndiejnë botën t’i lëvizë aksi nga vendi,

Njerëz që e zhbllokojnë halenë me bajonetë,

Njerëz që e ushtrojnë frëngjishten duke pirë shampanjë,

Njerëz që rruhen për t’u dalë qimja, njerëz që u kruhen organet e brendshme, njerëz që i druhen leshit publik,

Njerëz që u djersit leku në xhep, njerëz që flenë në kasafortë, njerëz që kanë gisht,

Njerëz që i vënë malet varg, njerëz që i bëjnë malet zap pa i lënë të mendohen,

Njerëz që flirtojnë me nusen e lalës, njerëz që i vardisen nuses së pashkës,

Njerëz që të sodomizojnë me shtizën e flamurit,

Njerëz që i dalin krah malit, njerëz që i dalin zot qiellit,

Njerëz që pyesin prostitutën si i ke nga shtëpia,

Njerëz që i shpjegojnë gjeldetit kalendarin, me fokus drejt festave të fundvitit,

Njerëz që lyejnë mjellmën me bojë këpucësh para se ta fotografojnë, njerëz që i druhen së bardhës,

Njerëz që kanë turp nga gjërat që kanë qejf,

Njerëz që i shpallin luftë kolesterolit, që ashtu t’u ketë më kuptim ateroskleroza,

Njerëz që bëjnë supë me breshër,

Njerëz që të rrasin në dorë oturakun, të thonë ky ishte fati yt, nuk pranojnë kundërshtime,

Njerëz që shkojnë ku të shkojë delja, njerëz që besojnë se dhia merr frymë me veshë,

Njerëz që kërcejnë me litar në shtëpinë e të varurit,

Njerëz që e hanë supën me pirun, njerëz që e ndajnë kokrrën e bizeles me thikë, njerëz që nuk i hedhin sheqer sherbetit,

Njerëz që s’dinë të nusërojnë,

Njerëz që kapërcejnë Lanën me not,

Njerëz që e kapin pleshtin për brirësh, nuk e njohin kompromisin, ose bëjnë sikur nuk e njohin,

Njerëz që i nxjerrin heronjtë në shitje, njerëz që s’të japin kusur për heronjtë që u blen,

Njerëz që për një presje djegin jorganin,

Njerëz që nuk u pëlqen bota që gjetën, kërkojnë që spitali t’i kthejë sërish në koma,

Njerëz që e shtrojnë krevatin me pllaka, ngasin makinën mbi të, e parkojnë te jastëku,

Njerëz që kanë urinuar në truallin e madh, të pastër të Hënës, njerëz që nuk urinojnë të hënave,

Njerëz që mbushin ujë në dasmë, njerëz që disiplinojnë funeralet, njerëz që drejtojnë pemët në pyll,

Njerëz që i nxjerr shkenca në selamet, njerëz që s’e heqin makinën llogaritëse nga goja,

Njerëz që shpojnë devenë me gjilpërë,

Njerëz që i kapin duke përgjuar në nevojtoret e grave, njerëz që joshin me karamele fëmijë të panjohur,

Njerëz që e porositin dopjo-gjashtën për gur varri,

Njerëz që e hanë meteoritin me dhëmbë, njerëz që u ka lezet plumbi ballit,

Njerëz që të thonë ne kujtonim se kishe ikur, ne kujtonim se ti e kishe shkëputur telefonin, ne kujtonim se ty s’të kish mbetur më fytyrë,

Njerëz që torturojnë metodën e bindjes,

Njerëz që shkëmbejnë unazat me Saturnin, njerëz që duan të reformojnë numrin shtatë,

Njerëz që lëshojnë pe,

Njerëz që i telefonojnë shtëpisë së tyre, për t’u siguruar se nuk është rrafshuar nga zjarri,

Njerëz që u është mërzitur tashmë hija, njerëz që nuk u rri macja në prehër,

Njerëz që përkthejnë borën, pa çka se u shkrihet në duar; njerëz që e recitojnë borën me hekzametër,

Njerëz që i pengon graviteti të bëjnë karrierë,

Njerëz që ndajnë fjalët në rrokje duke i copëtuar me sëpatë,

Njerëz që e hanë supën me lugë këpucësh, njerëz që e mbajnë veten për muzhikë, njerëz që pështyjnë në birrën e shefit,

Njerëz që nuk u del emri, njerëz që nuk u vjen letra në poker, njerëz që nuk u buzëqesh fati,

Njerëz që heshtin në kor, njerëz që presin në kor, njerëz që dhjesin në kor,

Njerëz që i dërgojnë e-mail postierit,

Njerëz që duan t’ia japin një shans bajlozit, njerëz që duan ta fejojnë bajlozin me motrën e Gjergjit,

Njerëz që të dalin në shteg,

Njerëz që fshijnë hundët me shaminë e beqarit, ua ka djegur flegrat parfumi francez i nuses,

Njerëz që filmojnë kinemanë bosh,

Njerëz që i kanë derdhur në bronz, por u kanë lënë jashtë bishtin,

Njerëz që të mburrin fenë, të thonë se u pëlqen Bibla kur e lexojnë,

Njerëz që e mbajnë gati gjethen e fikut, njerëz që flenë të mbuluar me dafina, njerëz që të rrahin me degë ulliri,

Njerëz që ta heqin gjethen e fikut,

Njerëz që i flasin Ezopit me gjuhën e Ezopit, njerëz që therin sorkadhen kur u vjen Ezopi për darkë,

Njerëz që mbajnë shënim ylberin, i shkruajnë letër solsticit të dimrit, dalin të presin në aeroport Anticiklonin e Azoreve,

Njerëz që e shohin me dyshim të ardhmen, preferojnë të parashikojnë të shkuarën,

Njerëz që kthejnë lëvizjen në shah, njerëz që e marrin mbrapsht metaforën, njerëz që të thonë s’e kisha me atë kuptim,

Njerëz që e dinë shqipen përmendësh, njerëz që e kapin shqipen për bythe,

Njerëz që ta përtojnë, njerëz që e bëjnë qejfin qeder, njerëz që ua ha qeni shkopin,

Njerëz që e ngjitin muhabetin me pështymë, njerëz që e hedhin muhabetin në postë, njerëz që ta lënë muhabetin te dera,

Njerëz që s’u del fjala nga goja, njerëz që u del fjala,

Njerëz që nxjerrin derrin nga thesi, habiten që u rezulton cjap, njerëz që i thonë derrit dajë,

Njerëz që e këputin yllin nga dega, edhe kur ende aguridhe,

Njerëz që spekulojnë me florën dhe faunën,

Njerëz që të portretizojnë, njerz që të stigmatizojnë, njerëz që të satirizojnë,

Njerëz që ia ndezin cigaren Prometeut,

Njerëz që lëvizin fijet, që të lyejnë rrotën, që të marrin anën,

Njerëz që psikanalizojnë kapsllëkun, njerëz që t’i relaksojnë sfinkterët,

Njerëz që hipnotizojnë statujat,

Njerëz që të rrahin me ikona, njerëz që të lenë stigma në trup,

Njerëz që të përqafojnë ngaqë nuk të mbytin dot, njerëz që të ngushin, njerëz që të mbysin, po të mos i lësh të të përqafojnë,

Njerëz që preferojnë si mjet transporti katapultën, mundësisht nga poshtë lart,

Njerëz që kujtojnë se fjala gjak ka ngjyrë të kuqe, njerëz që kujtojnë se që gjaku ka ngjyrë gjaku është koincidencë e bukur, njerëz që koincidencat i vënë në mendime,

Njerëz që ia mbledhin qimet ujkut, njerëz që ia mbledhin ujkut, njerëz që i mbledh ujku,

Njerëz që mbushin shqipen dykrenare me kashtë, për t’ua shitur turistëve,

Njerëz që të shkulin qimet e vetullave,

Njerëz që e shkruajnë poemën në gur, njerëz që e shkruajnë poemën me gisht në mur, njerëz që lexojnë vetëm pllakat e varreve,

Njerëz që privilegjiojnë rastësinë, njerëz që mbivlerësojnë probabilitetin,

Njerëz që e kërkojnë prostitutën të virgjër, njerëz që dinamitojnë piçka,

Njerëz që amendojnë ligjin e xhunglës, njerëz që censurojnë librin e xhunglës,

Njerëz që i eksiton e vërteta lakuriqe,

Njerëz që i lënë fjalitë përgj…

Njerëz që i ngjiten malit me shkallë, njerëz që i ngjiten majës së ajsbergut,

Njerëz që i kanë mbledhur dhëmbët e qumështit,

Njerëz që i lëpihen qenit, njerëz që të kruajnë bishtin,

Njerëz që nisen nga e mira, njerëz që e bëjnë të mirën dhe mbyten në det,

Njerëz që pyesin se nëna e kujt ka qenë Tereza,

Njerëz që lëvizin fijet,

Njerëz që e shtrojnë gojën me kalldrëm, njerëz që janë krenarë për aknen,

Njerëz që të korrigjojnë me laps gabimet që ke në ADN,

Njerëz që të marrin në telefon dhe duan që t’u dalë posta zanore,

Njerëz që nuk dallojnë dot një do diezis nga një re bemol,

Njerëz që vijnë shumë herët në takim dhe të shohin pastaj me inat, kur ti vjen në kohë,

Njerëz që mendojnë se të gjitha feministet janë lesbike, por jo të gjitha lesbiket janë feministe,

Njerëz që kujtojnë se ekziston vetëm një kopje e Kanunit,

Njerëz që kujtojnë se çizmja i ngjan hartës së Italisë,

Njerëz që janë me vetëkurdisje: duhet të vijnë rrotull, që të mbeten gjallë,

Njerëz që ia numërojnë vrimat kaçkavallit,

Njerëz që mbjellin vezë në kopsht,

Njerëz që nuk presin fundin e botës, por fillimin e botës,

Njerëz që besojnë se nuk ka Zot, njerëz që nuk besojnë se nuk ka Zot,

Njerëz që flenë me qenin dhe zgjohen me macen,

Njerëz që u hanë vetëm salcën makaronave,

Njerëz që kanë frikë nga çorapet, njerëz që janë të bindur se të mbathurat janë gjithmonë të gjera,

Njerëz që vajtojnë për episodet e humbura të Tom & Jerry,

Njerëz që besojnë se fjala e parë ka qenë “Jo”,

Njerëz që besojnë se fjala e parë ka qenë “Ja”,

Njerëz që besojnë se fjala e parë ka qenë “Ja”, por në gjermanishte,

Njerëz që duan të të bëjnë të gjallëve autopsinë, njerëz që ua kanë bërë tashmë autopsinë,

Njerëz që i shpjegojnë ëndrrat duke të parë filxhanin,

Njerëz që s’e pinë kafen, sepse nuk duan t’ua shohë kush filxhanin,

Njerëz që, kur i pyet sa bëjnë 1 + 1, të thonë ‘kjo varet’ nga ai që bën pyetjen,

Njerëz që nuk u bie kurrë telefoni,

Njerëz që u thonë ‘pllaka’ disqeve të gramafonit,

Njerëz që koleksionojnë mbathjet e tyre të përdorura,

Njerëz që ngjitin shkallët me karrige me rrota,

Njerëz që kujtojnë se Shopenhaueri ishte haueri i Shopenit,

Njerëz që i kundërshtojnë të parët dhe u thonë se Shopeni nuk dihet të ketë pasur hauer,

Njerëz që kujtojnë se logaritmi është një lloj ritmi, njerëz që kujtojnë se algoritmi është një lloj tjetër logaritmi,

Njerëz që kanë frikë nga pasqyra e shtypit, ngaqë kanë frikë se shtypi i kqyr nga pas,

Njerëz që nuk e përdorin kurrë dëshiroren, ngaqë janë supersticiozë,

Njerëz që i ujitin lulet me qumësht, njerëz që i ujitin lulet me qumësht të skremuar, njerëz që i mbjellin lulet në qumësht pluhur,

Njerëz që ta pinë gjakun me pipëz,

Njerëz që kujtojnë se vagabond është kush ecën me këpucë të zgjidhura,

Njerëz që e mbajnë gjithnjë një cigare me vete, për ta pirë në rast se qëllon t’i ekzekutojnë,

Njerëz që duan të vizitojnë Francën për të parë revolucionin francez,

Njerëz që kujtojnë se 18 brymeri është një ditë kur ra brymë e madhe,

Njerëz që i qajnë hallin Marksit për Zhenin që i kacavarej në mjekër,

Njerëz që nxjerrin selfie me telefonin e tjetrit,

Njerëz që shkojnë në teatër sepse u pëlqen sipari,

Njerëz që u sëmbojnë plagët e luftërave imagjinare, njerëz që hijeshojnë trupin me gjymtyrë fantazma,

Njerëz që duan të vënë rregull në kalendar,

Njerëz që kur s’e bëjnë dot flamurin këmishë, e bëjnë këmishën flamur,

Njerëz që japin jetën për diasporën,

Njerëz që bëjnë vrap për të provuar atletet e reja,

Njerëz që kur vdes kush, përdorin foljen “shuhet”

Njerëz që të presin rriskun, njerëz që nuk e ndërrojnë briskun,

Njerëz që kujtojnë se Ciceroni e kishte zyrën në Foro Romano,

Njerëz që i rrëzojnë statujat nga piedestalet, për t’ua kthyer pronarëve të ligjshëm,

Njerëz që të thonë se je hequr, njerëz që të thonë se je kequr,

Njerëz që të thonë se shahu është gjimnastika e mendjes,

Njerëz që futen në det veç kur u vjen për të urinuar,

Njerëz që e gënjejnë peshkun me lajka,

Njerëz që i vënë të plotësojnë një formular, para ekzekutimit,

Njerëz që mendojnë se karrikja elektrike nuk është se përdoret vetëm për të vrarë njerëz,

Njerëz që kanë frikë se mos nuk u shkojnë shumë vetë në funeral,

Njerëz e pinë ilaçin e gjumit në mëngjes, po të kenë harruar ta pinë në mbrëmje,

Njerëz që ankohen pse nuk gjejnë gjëkundi orare për trenat e mallrave,

Njerëz që të thonë se, në kohën e Mussolinit, trenat arrinin dhe niseshin gjithnjë në orar,

Njerëz që i rishkruajnë oraret sipas nevojave të trenave,

Njerëz që mrekullohen pas orarit të trenave,

Njerëz që kontrollojnë xhepat e kostumit, para se t’ia veshin të vdekurit,

Njerëz që debatojnë nëse shkon që ta veshësh të vdekurin me poliester ose akrilik,

Njerëz që besojnë se sorkadhja është gruaja e drerit,

Njerëz që kafen e sotme e lënë për nesër,

Njerëz që kur u thua se ke botuar një libër, të pyesin ’sa faqe është?’

Njerëz që merakosen si e kryen nevojën astronauti,

Njerëz që çlirohen nga komplekset, njerëz që e marrin veten seriozisht,

Njerëz që shkojnë në pazar për të blerë dhe që habiten me ata që kanë shkuar në pazar për të shitur,

Njerëz që rebelohen ndaj antikonformizmit,

Njerëz që mendojnë se mazohistët nuk duhen torturuar,

Njerëz që nuk mbajnë pará me vete, ngaqë prishin shumë,

Njerëz që kujtojnë se Galileu e ka ndërtuar me duart e veta kullën e Pizës,

Njerëz që të vrasin ditën dhe pastaj të vrasin edhe një herë tjetër natën,

Njerëz që nuk shkojnë në funerale sepse u bëjnë alergji lulet,

Njerëz që nuk janë të sigurt nëse duhet t’i luten apo t’i falen Zotit, njerëz që u luten dhe/ose u falen klerikëve, njerëz që ua falin klerikëve,

Njerëz që janë aq kurrnacë, sa nuk bien dot në peshë,

Njerëz që u shkruajnë letër anonimëve,

Njerëz që arratisen prej fotografive,

Njerëz që të çojnë deri te çezma dhe pastaj të japin edhe ujë,

Njerëz që të urdhërojnë t’i futësh arrat e qëruara në lëvozhgë,

Njerëz që nuk u kanë rënë akoma dhëmbët e qumështit,

Njerëz që e kruajnë veshin me turjelë,

Njerëz që shkruajnë njerëz që.

[2013-2016]

 

3 Komente

  1. Veshtire te zgjedhesh, por une po veçoj kete: Njerez qe e perkthejnë sorren pule, para se ta pjekin.

  2. Te bukura, terheqese! Por une nuk arrita ta tejkaloj gjysmen e tyre, sepse u lodha! Besoj se nje here tjeter do te merrem me gjysmen e dyte te eseve!

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: