GËZUAR VITIN E RI 2017 

Të dashur lexues, autorë, miq dhe dashamirës të “Peizazhe të fjalës”,

Disa prej jush na lexojnë përditë, të tjerë kushedi shumë më rrallë – por ne ju jemi mirënjohës të gjithëve, për këtë vit që sapo u mbyll!

Më të shumtë se çdo vit tjetër kanë qenë autorët që iu shtuan listës tashmë të pasur të atyre që bashkëpunojnë me “Peizazhe të fjalës”.

Falë kaq shumë autorëve dhe bashkëpunëtorëve, gjatë 2016-ës arritëm të botojmë më shumë se 460 artikuj, ese dhe studime origjinale, rreth disa prej temave më të rëndësishme të kulturës, mediave, historisë, politikës, komunikimit, gjuhësisë dhe letërsisë. Urojmë t’i keni shijuar dhe të keni përfituar prej tyre po aq sa ne.

Për herë të parë, porositëm dhe botuam një seri me ese të gjata – një nismë që duam ta vazhdojmë edhe gjatë vitit të ardhshëm, për të mbështetur shkrimet eseistike më të shtjelluara dhe dialogun e një niveli më të lartë se ai që gjen në mass mediat.

Gjithashtu, këtë vit e zhvendosëm “Peizazhe të fjalës” në një format dhe sajt tërësisht të ri, që përkon më mirë me profilin tonë, si revistë kulturore online. Për këtë i jemi mirënjohës edhe Baki Goxhajt (uebsajti) dhe Inva Çotës (branding); dhe të gjithë atyre që, me dhuratat e tyre bujare, na e lehtësuan barrën e kësaj pune.

Në maj të këtij viti, “Peizazhe të fjalës” ishte një nga organizatorët e bisedës me Nein Quarterly (Eric Jarosinski) në Tiranë, ku patëm edhe mundësinë të takohemi me shumë prej jush.

2017-a do të jetë vit i rëndësishëm për ne, edhe ngaqë do të festojmë 10-vjetorin e “Peizazheve të fjalës”, këtij sajti unik në gjeografinë virtuale të diskursit publik shqip. Duam të ruajmë miqtë e vjetër dhe të fitojmë bashkudhëtarë të rinj – në një atmosferë të shkëmbimit të lirë, larg mercenarizmit politik, komercializmit dhe vulgariteteve që kanë mbytur mediat shqip gjetiu.

Shpresojmë në ndihmën tuaj, shpresojmë në simpatinë dhe përkushtimin tuaj.

Në emër të ekipit drejtues të “Peizazhe të fjalës”
Ardian Vehbiu

 

NA MBËSHTETNI QË TA VAZHDOJMË KËTË DIALOG ME JU 

 

 

Disa nga shkrimet më të ndjekura gjatë këtij viti:

HABSBURGËT E TIRANËS – Ardian Vehbiu
ROBERT NDRENIKËS TË SË ARDHMES – Sesilia Plasari
I FUNDMI I MOHIKANËVE – Teodor Gadeshi
ARTI, PROTESTA, PENA DHE PEMA – Eljan Tanini
SKENOGRAFI APO REHABILITIM? – Ardian Vehbiu
SHËRBËTORI MË BESNIK I PRONARIT – Arbër Zaimi
FAKTET PËR VALBONËN – Catherine Bohne
NJË HERO I MUNGUAR – Ardian Vehbiu
MË E KEQJA E CENSURËS ËSHTË – Eriola Pira
GUERILJE ME GOJË – Ardian Vehbiu
TALLAVAJA NË SHQIPËRI – Mikaela Minga
EKZISTOJMË DHE REZISTOJMË – Peizazhe të Fjalës
SLOGANE, REALITET, HUMOR – Rando Devole

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin