SEKRETET E DHURATAVE

Në një ese (Essai sur le don) që me sa duket është e famshme, por që unë e njoha vetëm tani  së voni, antropologu frëng M. Mauss thotë se të bësh një dhuratë do të thotë të japësh një pjesë të vetes tënde.

Studiuesit (Claude Lévi-Strauss, “Introduction à l’œuvre de M. Mauss”), thonë se në esenë e tij (të cilën mund të shkarkoni këtu), M. Mauss dallohet nga ideologjitë ekonomike dominuese të kohës së tij (midis dy Luftrave Botërore) duke treguar se fenomenet ekonomikë nuk mund t’i ndash nga anët e tjera të jetës shoqërore dhe nuk mund t’i katandisësh vetëm në llogari interesash që vijnë si pasojë e shkëmbimeve.

Por, duke zbritur më pranë nesh, Mauss qartëson se dhurata pasohet detyrimisht nga një kundërdhuratë sipas kodesh të paracaktuara. Dhuratat e kundërdhuratat që zhvillohen në linjën e një detyrimi të trefishtë, “jap-marr-kthej” krijojnë një lloj vartësie e cila mundëson krijimin e lidhjeve të qëndrueshme sociale.

Pra, në këtë kuptim, të bësh një dhuratë do të thotë të pranosh në mënyrë të ndërsjellët një marrëdhënie të caktuar. Por me kusht, siç thotë sociologu T. Caplow, që të mos i dhurosh një libër të çfarëdoshëm apo kuti çokollatash që të ka mbetur në dorë vjerrës apo të themi xhaxha Hulos. Dhuratat sikundër lulet kanë gjuhën e tyre, « një gjuhë që përdor objektet në vend të fjalëve », thotë sociologu në fjalë në një libër që po e citojmë tërthorazi e që titullohet « The Rules for Giving Christmas Gifts ».

Secila prej tyre përmban një mesazh për personin që i drejtohet, por edhe pë rrethin shoqëror e familjar, shoqërinë.

Duke iu referuar revistës « Books » Caplow aty nga fundi i viteve ’70 studioi ritualin e këmbimit të dhuratave në qytetin e vogël të Muncie (Indiana) dhe vërejti një sërë gjërash të ngjashme nga një familje në tjetrën  deri sa erdhi në përfundimin se përgjithësisht dhuratat e Krishtlindjeve u nënshtroheshin një numri rregullash të ngjashme. P.sh bredhin tradicional duhej ta vendosnin dhe zbukuronin vetëm çiftet e martuara me fëmijë, dhuratat duhet të vendoseshin në këmbë të bredhit dhe në çastin e caktuar ato duhej të këmbeheshin në grup e në prani të të gjithëve. Vetë zgjedhja e dhuratave është gjësendi mjaft e koduar. Natyrisht, vetë banorët e qytetit të vogël nuk ishin fort të ndërgjegjshëm për ekzistencën e këtyre rregullave, ata vetëm se tregonin në mënyrën e tyre miqësinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Në lidhje me këto zakone, shqiptarët që i shpërndau era nëpër botë, kanë ndeshur në rrethana nga më të çuditshmet, besoj. Dikur, ne nuk e kishim zakon që dhuratat që na bëheshin t’i hapnim në sytë e të tjerëve. E, pra qëllimi ishte, me sa kuptoj, që askush të mos dinte për dhuratën e tjetrit. Ai që i merrte nga ana e tij, nuk i hapte për mjaft arsye, që ajo që merrte të ishte krejtësisht e tija e të mos shkaktonte lakmi, por edhe për një lloj ruajtje të dinjitetit të atij që kishte dhuruar, nëse mjetet që kishte nuk e lejonin të bënte kushedi se çfarë dhurate. Basta il pensiero, thonim shpesh dhe ne italisht.

Në këtë pikë, nuk mund të harroj një situatë jo fort të këndshme, kur kolegët e mi vendosën që të bëjnë një dhuratë fare të veçantë për shefen dhe t’ia jepnin asaj në ditën e mbledhjes sonë të përjavshme, ku ajo, siç e do zakoni, do ta hapte atë në sy të të gjithëve. Disa ditë pasi kishim dhënë të gjithë një kontribut të vogël financiar, një sociologe që bënte stazhin te ne më pyeti nëse e kisha mësuar se çfarë dhurate i kishin blerë ajo dhe një koleg, shefes.

– Jo, i thashë

-Një canard, më tha duke nxjerrë nga çanta një penis artificial, prej silikoni a lateksi xhelatinoz.

Mbeta keq, shefja ishte disi autoritare dhe unë vetë nuk kisha shumë kohë që bëja pjesë në kolektivin e tyre.

Për të treguar se isha dorëjashtë në atë zgjedhje vullkanike, desha t’i kërkoj që të heqë emrin tim nga kontribuuesit financiarë të asaj dhurate për ditëlindjen e shefes. Aq më tepër që zakoni e deshte, siç thashë, që ajo ta hapte atë në sy të gjithë punonjësve, gjithsej nja dymbëdhjetë, me gjithë stazhierë.

Ideja nuk m’u duk fort e mirë. Më ngjau si braktisje anijeje në prag të furtunës , megjithatë nuk m’u ndejt pa i thënë se kisha frikë se me natyrën e saj autoritare, shefja nuk do të tregonte shumë mirëkuptim për atë zgjedhje. Ndërhyrja ime asaj iu duk si jo fort e qartë. Meqë është autoritare, tha së fundi, kjo dhuratë do të jetë thirrje për të qëndruar me këmbë në tokë.

-Kam frikë se simbolika ka më fort tendencë për ta dobësuar aderencën e këmbëve me tokën…

– Eshtë e lirë të mendojë si të dojë, tha ajo e kënaqur që letra e posaçme për dhurata arriti ta mbështjellë të gjithë atë “canard”, garanci kjo se sekreti do të ruhej deri në fund.

Dita e mbledhjes erdhi, dhe në fillim të saj dikush i uroj shefes ditëlindjen, por pa shumë ceremoni. Ajo falënderoi dhe nxori një kuti çokollatash të shtrenjta nga çanta e na i ofroi të gjithëve. Pikërisht atë çast stazhierja jonë u ngrit dhe vuri dhuratën e zgjedhur para shefes duke shqiptuar një dy fjalë urimi në emër të të gjithëve.

Kur shefja, duke falënderuar, nisi të heqë një e nga një letrat plot shkëlqim e xixa të ambalazhit unë u vura të kërkoj nëpër xhepa një stilolaps, të cilin së fundi u kujtova se e kisha në dorë.

Ajo që po mendoja ishte se me të hapur ambalazhin, shefja do të zbehej e gjitha, do të ulërinte me të në dorë dhe do të qëllonte ata që kishte më pranë. I kënaqur mendova se isha, mjaft larg, në fund të tavolinës së madhe ovale të mbledhjeve.

E,pra, shefja kërceu në këmbë nga entuziazmi dhe duke tundur dhuratën si një shpatë e nxjerrë nga një film i Xhorxh Lukasit nisi të qeshë si e çmendur. Tha se ndihej mjaft e prekur dhe se në jetë nuk i kishin bërë një dhuratë të tillë, e kthente gjithandej dhe na premtoi se do ta ruante në zyrë. Pastaj e fotografoi me aparatin e saj të telefonit dhe ia nisi burrit me të cilin bashkëjetonte. Për opinionin e tij nuk di shumë gjëra. As nuk e di nëse të tjerët e prisnin një reagim të tillë, por në sytë tyre nuk munda ta lexoj asgjë, nuk kapa asnjë vështrim vjedhurazi, asgjë shenjë habie apo zhgënjimi. Përqasje kulturash, që përpiqen të mos perplasen, i dhashë karar me vete.

Mbledhja që vazhdoi më pas, ka qenë më e këndshmja e të gjithë vitit. Dhe më me rezultat. Shefja dëgjoi me shumë durim shpjegimet që i jepnim për çështje të caktuara dhe ishte hera e parë që nuk na tha : mbani shënim. Komunikimi ishte krejt tjetër. Duke shpjeguar orientimet e saj ajo atë ditë e përdori shprehjen « si mendoni, ju ? » më shumë nga sa e kishte përdorur në gjithë vitin e fundit. Herë herë hapte letrën e amballazhit dhe shihte brenda saj, sikur  të kishte frikë se ajo dhuratë kishte qenë vetëm një vegim dhe ishte zhdukur

Nuk di të them se ishte roli i asaj dhurate që i nxori nga një atmosferë funerale mbledhjet tona të përjavshme, por që atë ditë ato ishin krejt të tjera, më të lira. Shpjegim për këtë mos më kërkoni se nuk kam. Gjethsesi nuk besoj se në këtë rast gjen vend ajo shprehja e Mauss-it që përmendem në fillim, pra kur bën një dhuratë “do të thotë të japësh një pjesë të vetes tënde”.

Ajo që di të them, është se këmbimi në publik i dhuratave ka një simbolikë shprehëse mjaft të fortë. Nganjëherë ajo është gati e pavetëdijshme. Një prind që i dhuron një lodër të komplikuar fëmijës së tij, diçka që për ta vënë në funksionim ai duhet të reflektojë ca, kjo shpreh diçka për të ardhmen shkencore që ai dëshiron për fëmijën e tij. E njëjta gjë edhe për atë që zgjedh një top, me nënllojet e tij, futbolli apo basketbolli…

Nëse një nënë i bën të njëjtën dhuratë të birit sikundër dhëndrit, me këtë ajo i thotë atij se e do dhe respekton po aq sa edhe i biri. Po aq shprehëse, madje ulëritëse, është edhe mungesa e dhuratës midis një çifti, të martuarish apo jo. Ajo dëshpërimisht thotë se lidhja tyre ka nisur të lodhet…

Dhe të mos harrojmë se një gjë e tillë shpallet në sy të të gjithëve.

Sot është nata e Vitit të Ri. Secili ka ende disa orë kohë që të tregojë më të mirën e vetes, duke kontribuar kështu në mirëmbajtjen e strukturës së nevojshme familjare  e shoqërore.

 

2 Komente

  1. Tregim i bukur! Nwse do te jete edhe ngjarje e vertete, do te dyshoj se mos alienet jane vendosur tek ne tokesoret dhe nje prej tyre eshte edhe kjo shefja, e cila vazhdon pershtatjen me racen njerezore, per t’mos u dalluar!

  2. E pra, i dashur r.th jo vetem qe nuk kam shtuar gje, por lexuesve te ndjeshem te ketij blogu u kam kursuer ca detaje mjaft te kripura, edhe pse me vone kam menduar se ajo e kapi fare qarte “kunjin” e kolegeve te saj (komploti u organizua nga femrat, ndryshe gjithçka do te qe nje vulgaritet machist) dhe ne menyre te shkelqyer luajti edhe ajo rolin e saj, ndryshe duhej te perplaste deren e te ikte, duke i ulur ne temperatura akullnajash mardheniet tona edhe ashtu te tendosura e problematike si dhe mosbesimin reciprok te njeri tjetri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin