IKJET

Ky paskësh qenë edhe vit i humbjeve dhe ndarjeve – disa të mëdha, disa të vogla; disa për shkak të vdekjes, të tjera për shkak të hidhërimit, keqkuptimit, distancës.

Një shok yti ndahet nga jeta papritur, siç vdes një mësues yti; ikjen e të parit e merr vesh me një telefon natën, për të dytin shkruajnë të gjitha gazetat.

Të merr malli për të dy, edhe pse i ke gjithnjë njëfarësoj me vete. Ka njerëz që ikin dhe që nuk i ke takuar kurrë dhe që megjithatë ua ndien mungesën; edhe pse mund të kuvendosh me ta njëlloj si më parë.

Ka edhe të tjerë që largohen përgjithmonë dhe nuk u flet dot më, përveçse po të flasësh me vete.

Shuhen miqësi, lidhje të vjetra, iluzione dhe deluzione; skizofrenitë e djeshme zëvendësohen nga skizofreni të reja, më të pranueshme, më të besueshme, politikisht më korrekte.

Shkon t’u hedhësh një sy vëllimeve në bibliotekë: shumë prej autorëve tashmë janë kallur në dhe, aq sa raftet vijnë dhe u ngjajnë ngastrave në varreza, me kopertinat e rënda si stela.

Thonë që disa të vdekurve rishtas u mbeten faqet aktive në Facebook, në Twitter, në Instagram; sikurse vazhdojnë t’u vijnë mesazhe në e-mail, reklama dhe katalogë në kutinë e postës, oferta për karta krediti.

Ka një bankë që vazhdon t’i premtojë gjithfarë shpërblimesh tim eti në adresën time; madje para ca muaj ia ripërtëriu edhe një kartë krediti.

Pa çka se im atë ka gjashtë vjet e kusur që ka vdekur; ose, siç më pëlqen mua të mendoj, im atë i ikur tashmë e ka mbushur moshën gjashtë vjeç.

Është ende i mitur, më duhet të tregohem i kujdesshëm me të, ta mbroj nga rreziqet, t’i dal zot; dhe ta mbaj larg kartave të kreditit, ofertave për hua të majme dhe kuponëve të qendrave tregtare.

Siç kalojnë vitet, më popullohen kujtimet me të vdekur fëmijë, me të cilët më duhet njëfarësoj të merrem – ditën dhe natën, sidomos natën; një botë ku më bie barra e papërballueshme e administratorit.

Nuk ndodh kështu me të tjerë, aktorë të hershëm me të cilët ndaja si protagonist po ato skena dhe drama dhe gjeste; por që tani janë zhvendosur gjetiu – ose jam zhvendosur unë, ose janë zhvendosur teatrot.

Ideja që këta janë akoma atje, të ankoruar përtej një kthese, një stacioni, një horizonti, një fluturimi më ngushëllon; ka një farë premtimi pavdekësie, në këto ndarje për së gjalli; ose një farë iluzioni se heshtjet i kemi vendosur ne vetë.

Mbase ashtu më duhet të përfytyroj edhe mungesat e tjera, aq sa të bind veten se ky ishte viti kur u zura me Umberto Eco-n dhe Leonard Cohen-in; por jo aq sa të mos ia shfletoj librat të parit dhe të mos ia dëgjoj këngët të dytit.

Më e vështirë, shumë më e vështirë, qenka ta përfytyrosh të shkuarën si metaforë; dhe të bindësh veten se gjithçka që ka ikur nuk kthehet dot më, përveçse nëpërmjet një interpretimi; ose t’u qasesh kujtimeve si të ishin libra me vargje, në raftin e një biblioteke të çmuar.

1 Koment

  1. Midis ese-s dhe tregimit real! Ndoshta sepse ikjet perceptohen si fenomene abstrakte, per t’mos u lenduar!

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: