KUR MARIFETI BËHET TRADITË

Një instrument i habitshëm u shpall nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shkollave nëpërmjet financimit privat dhe shlyerjes e kredisë së ndërtimit me paratë publike. Ky lloj financimi është një lloj borxhi publik (i fshehur), por me interesat e larta të bankave. Sipas Exit.al kjo sjell kosto shtesë për financat publike pasi normat e interesit janë të larta. Edhe një tjetër gazetar i njohur për fushën e ekonomisë, Zef Preçi, e ka kritikuar këtë nismë, sikur edhe taksën e re të bashkisë për arsimin, e cila do të mundësoj financimin e shkollave.

Kjo nismë e bashkëpunimit me sektorin privat nuk është e para në arsim. Më parë qeveria ka premtuar nëpërmjet një ligji (119/2013) dhurimin e truallit për ndërtimin e shkollave private. Kjo nismë u parashikua edhe në ligjin e ri të arsimit të lartë për institucionet e pavarura publike. Sidoqoftë deri tani nuk kemi dëgjuar për dhurime të tilla.

Por a ka Tirana nevojë për këto shkolla? Është e vërtetë që shumë shkolla në Tiranë janë të mbipopulluara, por numri i lindjeve në nivel kombëtar ka rënë mesatarisht 7000 në vit (INSTAT, 2016). Në shkallë kombëtare numri i prurjeve nga shkollat 9-vjeçare ka ulje të konsiderueshme prej 2013-14, rrjedhimisht edhe ai i nxënësve në shkollat e mesme që për herë të parë prej 2013 ka shënuar ulje. Numri i nxënësve në grup-moshat 15-19 ka pësuar një ulje mesatare prej 8700 që prej vitit 2008. Në Shqipëri ka një numër mesatar prej 300 nxënësish për shkollë. Një zbritje prej 1000-2000 nxënësish në vit do të thotë zbrazje e minimalisht dy shkollave. Edhe sikur të merret parasysh mbipopullimi aktual i klasave (rreth 25-30 nxënës për klasë), ndërtimi i shkollave është një zgjidhje e momentit.

Numri i nxënësve në arsimin bazë në qytetin e Tiranës është në rënie prej disa vitesh. Ne vitin 2011-12 ishte 57454, ndërsa ne vitin 2013-14 ishte 56 676. Numri i nxënësve ne arsimin e mesëm po bie gjithashtu. Në vitin 2013 ishte 25 870, prej 24 890 që ishte në 2011. Në Tiranë 400 nxënës më pak janë regjistruar në provimet e maturës ne vitin 2016 ne krahasim me 2015. Rritja e popullsisë është gjithashtu shumë e vogël për të mbajtur numrin aktual të shkollave. Për herë të parë në vitin 2015 Tirana u rrit vetëm me rreth 1100 banorë, nga 17 000 mesatarisht prej 2001. [Tabela me të dhënat]. Të dhëna mbi shpërndarjen e shkollave dhe zhvillimet demografike në zonat urbane ku ndodhen shkollat, nuk ka.

Nëse numri i nxënësve po bie, atëherë, për kë do të ndërtohen këto 15 shkolla që duan rreth 5 vjet të ndërtohen? Kush i mbart kostot për mësuesit, administrimin dhe mirëmbajtjen?

Dyshimi është se përveç që do të ndërtohen pranë qendrave të reja të banimit, ato do të jenë edhe afër komuniteteve të krijuara nga zengjinët e rinj si “charter schools”, një model amerikan shkollash në administrim privat të financuara me fonde publike. Kjo formë mund të përligjet pikërisht nga ndërtimi i këtyre shkollave nëpërmjet kësaj forme financimi.

Qeveritë e radhës i kanë shërbyer këtyre komuniteteve të krijuara në Sauk e gjetkë në një mënyrë a tjetër. P.sh. qeveria Berisha i vendosi autostradën dhe unazën e re në derë qendrës tregtare TEG, ku janë vendosur edhe vilat e shumë personave të pasur me influencë. Qeveria Rama po u ndërton parkingje në mes të Tiranës apo ka ndryshuar disa herë planin urbanistik ti hapë vend realizimit të interesave të tyre etj. Kështu që dyshimi im është se në Tiranë janë themeluar disa komunitete të rrethuara që tanimë kërkojnë infrastrukturën e tyre, ndër to edhe shkollat.

Kështu që për sa kohë E. Veliaj nuk ka treguar se ku dëshiron ti hapë këto shkolla dhe me çfarë motivacioni, është e vështirë të fashiten dyshimet se kjo është afera korruptive e radhës.

5 Komente

  1. Kjo ide qenka për medalje fare!

    Sipas informacionit të vet Bashkisë, financimi i këtyre shkollave do bëhet nëpërmjet një takse të ngritur enkas për këtë punë – taksa e arsimit – e cila ka filluar të paguhet nga qytetarët dhe bizneset e Tiranës që këtë vit. Thotë drejtori i çështjeve ekonomike në bashkinë e Tiranës:

    “Është llogaritur që kostoja totale e investimit për të gjithë projektin shkollor, po flasim për 17 shkollat përfshirë mobilimin dhe terrenet sportive, është llogaritur në 6.2 miliardë lekë”.

    Dhe vazhdon ai më tej (shikoni videon te lidhja më poshtë):

    “Partnerët privat i ndërtojnë infrastrukturën arsimore me fondet e veta dhe në momentin e dorëzimit të shkollës pranë bashkisë së Tiranës, ju paguhet një këst i parë i shumës totale të investuar dhe pastaj shlyhet vit pas viti këstet e radhës për një periudhë 7-vjeçare dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë ka një zgjatje 7-vjeçare”
    “Me paratë e mbledhura këtë vit do të financohet shpronësimi i shkollave të reja, domethënë terreneve ku do të ndërtohen shkollat”.

    Pra Bashkia e ka të siguruar financimin e shkollave me anë të taksës speciale dhe nuk ka fare nevojë, as të marrë borxh për këto shkolla, as t’ua lë privatëve për t’i ndërtuar me fondet e veta, të cilat pastaj qeveria ua paguan me këste.

    Bashkia mbledh 6.2 miliardë lekë në 7 vjet përmes taksës. Me këto lekë duhen ndërtuar 17 shkolla. Pse nuk ndërton Bashkia çdo vit nga tre shkolla, për tre vitet e para të taksës, dhe më pas nga dy shkolla në vit, për katër vitet e tjera të taksës (3×3 + 2×4 = 17), pa patur nevojë fare as për PPP, as për tu paguar këstet privatëve? Shkollat prapë privati do t’i ndërtoj (me tender), por në këtë rast paguhet vetëm fitimi i privatit, jo kostot shtesë të interesit për borxhin e tij shumëvjeçar.

    Veç nëse Bashkia e Tiranës ka ndërmend që t’i ndërtoj të 17 shkollat njëherësh; për këtë nuk do i dilte taksa e një viti dhe financimin ose do e bënte me borxh, ose me anë të PPP-ve, ku bashkisë do t’i duhet që të paguaj jo vetëm fitimin e privatit, por dhe normat e larta të interesit të privatit.

    Po a ka kuptim të ndërtohen të gjitha shkollat njëherësh, aq më tepër kur, sikurse shkruan dhe Kapedani më lart, numri i nxënësve në Tiranë ka filluar të bie dhe ku i dihet se si mund të duket situata pas 5 apo 7 vitesh?

    Pastaj, sikurse analizohet dhe në Exit.al, edhe nëse Bashkisë t’i duhej të mirrte borxh për shkollat ose sikur paratë e taksës të mos dilnin, prapë është më mirë/më lirë, që ndëtimi të mos bëhet me PPP.

    Jo llogjikë ekonomike që nuk ka kjo punë, por s’ka as bōth që të rrijë fare!

    http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=343764

  2. Kuptohet qe ketu ka edhe marifete te tjera si p.sh. shpronesimi per interes publik dhe me pas shfrytezim komercial te hapesirave publike nepermjet ppp. Keshtu u vodh toka e disa qytetareve tek Pazari i Ri nga Bashkia dhe Albanian American Enterprise Fund per t’ia lene me qira tregtareve. U shpronesua per te fituar AAEF dhe Erjon Veliaj.

    1. Nga ana ekonomike ky plan është aq absurd, sa nuk mund të shpjegohet as me inkompetencë.

      Pastaj, çfarë do me thënë “shkollë me PPP” pas përfundimit të ndërtimit? PPP do të thotë që privati ndërton një objekt publik me paratë e tij dhe më pas e shfrytëzon atë për disa kohë, për të nxjerrë paratë që hodhi dhe fitimin e tij, para se t’ia kthej objektin shtetit.

      Por në këtë rast bashkia ka për ta paguar privatin me paratë e taksës së arsimit, pra pa shfrytëzim nga privati të objekteve (nëse do të ketë edhe shfrytëzim të shkollave nga privati pas ndëtimit, përveç parave që ai ka për të marrë nga bashkia, atëherë çfarë lloj shfrytëzimi dhe pse?)

      Ministria e Financave, e cila me ligj ka fjalën e fundit për miratimin e këtij plani, duhet ta bllokoj këtë marrëzi financiare. Në të kundërt, i ngelet KLSH-së që ta kontrolloj dhe ta pengoj këtë plan që dëmton rëndshëm interesat e taksapaguesve të Tiranës.

      [Dëmi financiar nga PPP-ja, për shkak të normës më të lartë të interesit të privatëve, shkon nga 30% deri në 40% të vlerës së objekteve; kjo duke supozuar interesin e borxhit të privatit vetëm 5% në vit, për 6 apo 7 vite edhe pse, në fakt, interesi vjetor i privatëve është mbi 6%, pra dëmi mund të jetë dhe më i lartë. Mbi 2 miliardë Lek për… lesh]

  3. Nje shkrim qe nuk ke as cfar ti shtosh e as cfar ti heqesh! Sepse jane kapur faktet! Bravo!
    Erion Veliaj vertet qe po punon per Tiranen, por keto aferat me biznese te huaja nuk e di pse i ka per zemer! Ka disa te tilla!

  4. Ne fakt taksa e perkohshme e arsimit ka kohe qe eshte shtuar tek fatura e ujit.
    Nuk ma merrte mendja se nje takse e perkohshme do te zgjaste 7 vjet. Kam dyshime te forta per ligjshmerine e nje takse te perkohshme 7 vjeçare.

    Besoj se ligji duhet te jape ndonje percaktim maksimal te asaj qe mund te quhet takse e perkohshme, dmth duhet te kete diçka me racionale ne kuptimin kohor, diçka te tipit qe asnje takse e perkohshme nuk mund te vihet per me shume se 12 muaj apo 18 muaj ( xhanem edhe 24 muaj).
    Se jo per gje po nqs ligji eshte kaq i paarsyeshem sa te mos kete nje kufizim te tille, atehere çdo kryetar bashkie mund te nxjerre nje takse te perkohshme qe do mblidhet per ”vetem” 40 a 50 vjet e atehere te me falet shprehja po vari teneqen ligjit e perkohshmerise se taksave.

    Nqs ligji/legjislacioni e percakton kufizimin e perkohshmerise ne 7 apo 8 vjet, qe eshte koha e 2 mandateve atehere Veliaj eshte brenda, por ligji me duket goxha jashte arsyes, eshte si te shpallesh gjendjen e jashtezakonshme per 1 ose 2 vjet me arsyen e famshme te Henri Cilit; se me do Trampi,

    Nga ana tjeter, nuk jam dakort me argumentimin kunder te autorit, ok transparenca duhet, por edhe 17 shkolla i duhen Tiranes ne zonat e reja periferike,mjaft te populluar qe nga Fresku, Unaze e re, Misto Mame tek Selita, Kodra e Diellit etj. Nqs Veliaj ka nje projekt per keto zona atehere eshte per t’u pergezuar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin