MOS E DËGJO TË LIGUN

Kur vjen puna për korrektesën politike, gjithnjë marrim si pushka e jevgut, thashë unë.

Ky yti është proverb racist, tha jevgu egjiptiani I.

Po mirë, ja, ta bëjmë pushka e evgjitit, thashë unë.

Jevg, evgjit, janë e njëjta fjalë, tha leksikologu.

Tamam, tha jevgu II. Dhe të dyja tregojnë origjinën tonë, nga Egjipti. Prandaj edhe ne kemi kërkuar që të na quajnë egjiptianë.

Pushka e egjiptianit sikur nuk tingëllon mirë, thashë unë.

Ju egjiptianë s’mund të jeni, sepse egjiptianët janë arabë, tha arabi.

Nga e nxjerr ti këtë? – tha egjiptiani safí, nga Kajroja. Jo të gjithë egjiptianët janë arabë! Egjiptianët janë thjesht egjiptianë! Dhe nuk kanë lidhje me magjypët e urbanizuar të Ballkanit.

Po ç’na ngatërron ne me magjypët, tha jevgu egjiptiani I.

Magjyp është fjalë raciste, tha magjypi romi I.

Vërtet, thashë unë. Prandaj edhe ju keni kërkuar që të quheni rom.

Kemi kërkuar të quhemi rom, sepse ashtu jemi, rom, tha magjypi romi II.

Tamam, rom, tha jevgu egjiptiani II, sepse ju me siguri e keni origjinën nga Roma.

Po të paktën nuk kemi zbritur nga piramidat e Egjiptit, tha magjypi romi I.

Ju vini nga India, tha arabi. Njëlloj si këta të tjerët, që e kanë parë Egjiptin në ëndërr.

Të paktën ne jemi indo-europianë, tha magjypi romi II, dhe nuk jemi dyndur me deve nga shkretëtirat e Arabisë, si ju arapët.

Arabët mbase vërtet vijnë nga shkretëtirat e Arabisë, por jo ne arapët, tha arapi I.

Ju arapët duhet të jeni nordikë nga origjina, tha jevgu egjiptiani II.

Nordikë nuk jemi, por të paktën e dimë se vijmë nga Afrika, djepi i qytetërimeve, tha arapi II.

Keni dëgjuar ndonjëherë për Otellon, arapin e Venedikut? – tha arapi I. Ja, këta jemi ne.

Otelloja nuk ishte arab, tha arabi.

Otelloja ishte maur, thashë unë. Me theks tek ú-ja.

Dhe me siguri nuk ishte magjyp, tha jevgu egjiptiani I. Sepse magjypët janë ciganë dhe vijnë nga Spanja.

Arab dhe arap janë dy gjëra të ndryshme, tha arapi II.

Por janë në thelb e njëjta fjalë, tha leksikologu.

Arapët nuk duhen ngatërruar me egjiptianët, tha egjiptiani safí.

Po nuk ke si i ngatërron, xhanëm, tha arapi I, sepse ndryshe nga ju që flisni arabisht edhe pse nuk jeni arabë, ne arabisht nuk flasim.

Arapët e zinj në Shqipëri i kanë sjellë osmanët, tha magjypi romi II.

I kanë sjellë ose kanë ardhur vetë, tha arapi II.

I kanë sjellë si skllevër nga Egjipti, tha magjypi romi I. Prandaj i ngatërrojnë sot evgjitët me arapët.

Edhe pse në atë kohë Egjiptit shqiptarët i thoshin Misir, tha leksikologu.

Askush nuk i ngatërron sot evgjitët me arapët, tha jevgu egjiptiani I. E shumta mund t’i ngatërrojnë me ciganët, që vijnë nga Spanja.

Nuk ka ciganë që vijnë nga Spanja, tha magjypi romi II. Ka romë që vijnë nga India dhe që kanë shkuar deri në Spanjë.

Ne ju kemi pasë thënë gabelë juve, tha jevgu egjiptiani I.

Ose arixhinj, tha jevgu egjiptiani II.

Një gjë është e qartë, tha dermatologu: ndryshimet mes nesh nuk shkojnë më thellë se lëkura.

Ne e kemi prejardhjen nga populli i faraonëve, tha jevgu egjiptiani I. Edhe pse njihemi si popull paqësor dhe jo i pushkës, pavarësisht nga proverbat. Po ju nga e keni?

Ne vijmë nga India, të parët tanë flisnin sanskritisht, tha magjypi romi I.

Ne vijmë nga Afrika, ku gjithçka e ka origjinën, tha arapi II.

Ndërsa ne shqiptarët që s’jemi as ashtu as kështu (që më shumë jemi ata që s’jemi), veç dimë që kemi dalë nga gryka e pushkës, thashë unë.

Nga gryka e pushkës së jevgut, tha i ligu.

1 Koment

  1. E humba fillin tek arapi 2, po nuk e mora vesh nese e humba se s’po mbaja dot te qeshuren apo se vertet u be puna lesh arapi ne ate pike 🙂

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: