VAGON I SHKËPUTUR

2016 ka shumë gjasa që të jetë viti kur globalizimi shkoi në indietro.

Globalizimi – intensifikimi dhe thellimi i marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike, politike, kulturore dhe komunikuese midis shteteve, korporatave dhe individëve – filloi të ngadalësohet dukshëm me krizën e viteve 2008-’09. Ngadalësimi pasoi një zhvillim të vrullshëm, që nisi tre dekada më parë me liberalizimin ekonomik në kohën e Reganit dhe Thaçerit në vitet ’80 dhe që u përshpejtua më vonë me rënien e komunizmit në Lindje dhe sidomos me hapjen dhe ngritjen ekonomike të Kinës dhe të Azisë Juglindore, në vitet ’90 dhe në fillimin e viteve 2000.

Sot duket se procesi i globalizimit jo vetëm që është frenuar, por ai ka futur ndërkohë dhe marshin e pasmë – me fitoren e Trump-it, me Brexit, me sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe anasjelltas, me të ashtuquajturat “beteja valutore”, me kufizimin në rritje të lëvizjes së lirë së njerëzve, teknologjisë dhe kapitaleve, me rikthimin e politikave nacionale proteksioniste etj.

Edhe masat e miratuara nga parlamenti italian në ditët e fundit, kundër “delokalizimit” të veprimtarive ekonomike, hyjnë në këto politika mbrojtëse të ekonomisë italiane, në kurriz të ekonomive të vendeve të tjera përreth dhe më tej. Dhe ky është vetëm fillimi, pavarësisht rezultatit të referendumit dhe të qeverisë së re aty. Proteksionizmi është prapë në modë.

Shkaqet për këtë dihen tashmë: përfitimet e njëanshme nga globalizimi për korporatat dhe për elitat financiare dhe ato politike, emigracioni masiv i lidhur me këtë proces, papunësia në rritje jo vetëm te klasa punëtore në Perëndim, pas largimit të industrive prodhuese drejt Lindjes, por ndërkohë dhe te shtresat e mesme, hendeku i zgjeruar i pabarazisë ekonomike dhe sociale etj. Protesta kundër globalizimit ka arritur tani përmasa të tilla, sa kërcënon dhe vetë sistemin politik dhe shoqëror në Perëndim; fitorja e Trump dhe Brexit nuk lenë më dyshime për këtë.

Këto zhvillime po nxjerrin zbuluar dhe modelin ekonomik shqiptar të ngritur pas ’90-ës dhe bashkë me të edhe klasën politike të vendit, që ndoqi dhe vazhdon të ndjek këtë model zhvillimi për Shqipërinë.

Shumë vende të Evropës Lindore dhe të Azisë e shfrytëzuan globalizimin – hyrjen e kapitaleve, teknologjisë  dhe të know-how-t perëndimor – si dhe hapjen e tregjeve të pasura të Perëndimit për produktet dhe shërbimet nga jashtë, për të nxitur dhe ngritur industritë e veta nacionale, të mbështetura këto mbi eksportet, si model për zhvillimin ekonomik dhe për prosperitetin shoqëror. Shteti në këtë sistem nuk është thjesht një vëzhgues pasiv i ekonomisë, por është një pjesëmarrës aktiv në organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë ekonomike. Sistemi doganor dhe ai fiskal, marrëveshjet tregtarë, kursi i këmbimit dhe politikat valutore, sigurimi i kapitaleve dhe i financimeve të volitshme për degët industriale të favorizuara për eksporte – janë vetëm disa nga mjetet në dorën e shtetit për ekonominë.

Qëllimi afatgjatë është krijimi një ekonomie kombëtare me një industri të zhvilluar, me shërbime dhe bujqësi moderne, ku rritja e ekonomisë dhe e mirëqenies të bazohet në rritjen e produktivitetit, të eficiencës dhe të cilësisë së prodhimeve dhe shërbimeve, në inovacionet teknike dhe shkencore, një ekonomi ku eksportet dhe importet me tregjet e jashtme janë intensive dhe të balancuara, dhe ku shkëmbimet tregtare janë pasojë dhe në funksion të veprimtarisë prodhuese të ekonomisë.

Shqipëria, në të kundërt, ngriti një model ekonomik parazitar mbi globalizimin, të bazuar në dy sektorë: tregtinë e mallrave të konsumit dhe aktivitetin e ndërtimit – kryesisht të pallateve, dyqaneve dhe, shumë më pak, të infrastrukturës. Financimi i këtij modeli u mundësua nga paratë e emigrantëve, nga (narko-) trafiqet ilegale dhe nga investimet nga jashtë në sektorë ekonomik me pak ose aspak added value: call centers, fasone, përpunime plehrash, kazino; me vende pune të pakualifikuara dhe të paguara keq.

Ky është një model ekonomik pa prodhim të brendshëm, që nuk kërkon industri, bujqësi moderne, investime në arsim, edukim, shkencë; ku prona publike dhe pasuritë kombëtare shihen si mall tregtie, që shiten dhe plaçkiten nga politikanët dhe oligarkët vendas dhe të huaj.

Në këtë model të liberalizmit ekonomik, të tregjeve të hapura dhe të tregtisë së lirë, roli i shtetit në ekonomi është reduktuar në minimum. Tërheqja e tij e plotë nga ekonomia – nëpërmjet privatizimit të pronës publike, koncesioneve mbi pasuritë kombëtare dhe reduktimit deri në skelet i administratës shtetërore – bashkë me lënien e lirë të tregut dhe të veprimtarisë ekonomike në duart e privatëve, u konsideruan si çelësi i suksesit dhe i prosperitetit të vendit. Ndërhyrja e shtetit në ekonomi, kontrolli dhe rregullimi i lëvizjes së kapitaleve, favorizimi apo pengimi i zhvillimit i degëve të caktuara të ekonomisë private u quajtën tabu. “Dora magjike” e tregut do të rregullonte gjithçka: do të sillte vende pune, zhvillim, mirëqenie, prosperitet social.

Rezultatet e këtij zhvillimi, pas 25 vitesh politike të tillë ekonomike, të bëjnë esëll. Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më të varfra të Evropës, me papunësi të hapur dhe të fshehur në nivele si të vendeve të dala nga ndonjë kolaps financiar (edhe pse në këtë kohë vendi ka humbur një të tretën e popullsisë në emigracion!), me borxhin publik në nivele rekord, me borxhet private nën ujë, me rritjen ekonomike aq anemike sa nuk ngre peshë fare për një ekonomi aq të vobektë sa ajo shqiptare.

Një vendi si Shqipëria i duhen rritje 5% e më tepër në vit, dhe jo për një a dy a tre vite, por për dekada të tëra, që t’i largohet fundit të listës së mirëqenies. Më shumë se 40 vite me rritje 5% çdo vit do i duheshin ekonomisë shqiptare, që Shqipëria të arrinte mesataren e të ardhurave të Evropës[1]; 60 vite do i duheshin – statistikisht – me një rritje 4% në vit për të kapur mesataren evropiane. Mesataren vetëm, se të mendosh për më tepër, është si të shohësh ëndrra me sy hapur. Me 2% apo 3% rritje në vit, si në këto 6-7 vitet e fundit, shqiptarët janë të destinuar që të ngelen gjithmonë “bisht i kavallit”.

Në rrafshin makroekonomik, një model i tillë zhvillimi – joprodhues, pa vlerë të shtuar, pa fundamente të brendshme – për të mbijetuar kërkon vazhdimisht futje kapitalesh nga jashtë, për të ruajtur nivelin modest të punësimit dhe të mirëqenies së shoqërisë, por dhe për të garantuar fitimet në vazhdimësi të neo-kapitalistëve shqiptarë. Dy miliardë Euro, ose pothuajse 20% e PBB-së, i nevojiten Shqipërisë që të futen nga jashtë vit për vit, për të mbuluar deficitin e llogarisë korrente të vendit – kryesisht në formën e deficitit tregtar – dhe për të mbajtur konstant nivelin e sotëm të zhvillimit.

Sipas këtij modeli, çdo rritje e mëtejshme ekonomike – alias rritje e PBB-së – mund të bëhet vetëm nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të infuzioneve financiare nga jashtë: më shumë investime nga të huajt, më shumë para nga emigrantët dhe trafiqet, më shumë borxhe, më shumë deficite. Mbajtja në këmbë e këtij konstrukti ekonomik kërkon vetvetiu që më tepër shqiptarë të largohen nga Shqipëria, jo vetëm për të lehtësuar tregun anemik të punës në vend, por sidomos për të siguruar të ardhura të reja nga emigracioni; kërkon dhe nxit më tepër trafiqe dhe të ardhura ilegale, kërkon më tepër borxhe, publike dhe private.

Jo vetëm kaq. Në sistemin ekonomik të instaluar në Shqipëri, raporti midis importeve dhe eksporteve është aq i zhbalancuar, sa çdo përpjekje e shtetit për të nxitur kërkesën e brendshme të tregut – si p.sh. rritja e rrogave shtetërore dhe pensioneve ose rritja e investimeve publike – jo vetëm që mund të bëhet vetëm nëpërmjet borxheve ose/dhe taksave më të larta, por efektet e këtyre masave për punësimin dhe mirëqenien në vend janë të papërfillshme ose fare minimale. Rritja e fuqisë blerëse dhe e konsumit, si efekt i këtyre masave, nuk çojnë në rritjen e punësimit në Shqipëri por – nëpërmjet deficitit në tregtinë e jashtme – çojnë në ruajtjen dhe krijimin e vendeve të punës në shtetet e tjera, prej të cilave ajo importon produktet dhe shërbimet për konsum.

Është një model pervers!

Në nivelin mikroekonomik dhe atë shoqëror, pasojat e sistemit ekonomik të ngritur janë të dukshme për të gjithë: varfëri e ulur këmbëkryq, pabarazi e frikshme në të ardhura, në pasuri dhe në shanset sociale, njëqind mijë shqiptarë të larguar në dy vitet e fundit, përhapje masive e kultivimit të drogës dhe e narkotrafikut, varfërim intelektual i shoqërisë, përhapje e injorancës dhe rritje e kriminalitetit, kapje e partive, mediave, institucioneve dhe e vetë shtetit nga oligarkët dhe mafiozët.

Për më tepër, varësia e plotë dhe e njëanshme nga kapitalet financiare që hyjnë nga jashtë vendit çoi jo vetëm krijimin e një rrjeti të mbingopur tregtar, ku të gjithë përpiqen t’i shesin njëri-tjetrit të njëjtat produkte dhe shërbime, çoi në ndërtime të egra dhe në shkatërrim të ambientit, por kjo varësi ka sjellë dhe krijimin e një mentaliteti prej rentierësh, matrapazësh dhe kopilësh, tek kapitalistët dhe te politikanët shqiptarë. Këta, fitimet dhe suksesin i kërkojnë jo te puna, jo te investimet në prodhim, jo te krijimi i vlerave të reja, por në nxjerrjen e rentave – nga shtëpitë, dyqanet, parkingjet, rrugët dhe plazhet private, koncesionet famëkeqe – i kërkojnë te shfrytëzimi i posteve politike dhe në zhvatjen e pronës publike.

Tani që “torta” është zvogëluar nga kriza dhe kur borxhi publik nuk mund të rritet më tej, oligarkët e ekonomisë u janë kthyer taksave që paguajnë qytetarët, që tashmë kërkojnë t’i vjedhin që në burim, nëpërmjet koncesioneve për shërbimet publike (që, në fakt, shteti duhet t’ua ofrojë shtetasve të vet) dhe nëpërmjet privatizimeve të monopoleve natyrale, shtetërore: koncesione për shërbimet mjekësore, për doganat, garanci çmimi nga shteti për HEC-et private, autostrada me pagesë, koncesione për aeroporte, trena, pullat fiskale, kontrollin teknik (…vazhdoni listën).

Është një sistem që, pa frikë nga ekzagjerimi, mund të quhet tregtarokraci, kleptokraci ose, duke huazuar nga Dritëro Agolli, shkërdhatokraci.

Arsyet se si dhe pse Shqipëria përfundoi te ky model ekonomik që ka sot, të shpien te mënyra e hapjes së vendit dhe sidomos në shpejtësinë e hapjes së ekonomisë në fillim të viteve ’90, me “reformat” shkatërrimtare të Terapisë së Shock-ut që pasuan izolimin absurd dhe asfiksimin e ekonomisë gjatë viteve ’80 (një diskutim të zgjeruar mbi Terapinë e Shock-ut dhe efektet e saj mbi ekonomi dhe shoqëri e kemi bërë këtu në Peizazhe të Fjalës, disa vite më parë). Arsyet duhen kërkuar te plaçkitja qe iu bë pasurisë publike të ndërmarrjeve industriale dhe të kooperativave bujqësore, te mungesa e institucioneve të nevojshme për të kryer dhe kontrolluar transformimin nga një ekonomi e centralizuar, në një ekonomi të tregut, dhe deri te piramidat dhe te rënia përfundimtare e rendit publik dhe e shtetit në 1997-ën.

Por gabimet, gafat dhe krimet ekonomike të viteve ’90, nuk mund të jenë shpjegimi i vetëm për gjendjen e sotshme të ekonomisë shqiptare. Fundja, kanë kaluar pothuajse dy dekada që nga përfundimi i asaj periudhe me 1997/98-ën, kohë kjo mëse e mjaftueshme jo vetëm për të korrigjuar gabimet e mëparshme me politikat ekonomike, por edhe për ta riorientuar ekonominë drejt një modeli të ri zhvillimi.

Aq më tepër që Shqipërisë pas 1997-ës nuk i kanë munguar aspak kapitalet e nevojshme për një ri-modelim të ekonomisë: një përllogaritje e shpejtë e të dërgesave nga emigracioni pas vitit 2000, plus kredive afatgjata të dhëna nga bankat e huaja në Shqipëri, tregon që janë të paktën 15 miliardë Euro që janë futur në ekonominë shqiptare gjatë këtyre viteve dhe po t’u shtojmë këtyre edhe ndihmat dhe kreditë e Evropës dhe institucioneve ndërkombëtare gjatë këtyre viteve, shuma i kalon lehtë 20 miliardë Euro.

Nga ana tjetër, hapja e vendit në 1991 dhe mobiliteti i jashtëzakonshëm demografik dhe shoqëror që pasuan atë, mundësuan shkollimin, edukimin dhe kualifikimin në shkollat dhe universitetet e Perëndimit të dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë, të cilët përbëjnë një rezervuar pothuajse të pashtershëm por fare të pashfrytëzuar deri më sot për ekonominë shqiptare.

Pra as kapitalet dhe as kapacitetet e kualifikuara njerëzore nuk i kanë munguar Shqipërisë për zhvillimin ekonomik: për ringritjen e industrisë, për modernizimin e bujqësisë, për një administratë shtetërore profesionale dhe për institucione të nivelit bashkëkohor.

Korruptimi dhe paaftësia e klasës politike shqiptare, që ka qenë në krye të drejtimit të vendit këto 25 vite, janë padyshim shkaqe të këtij “fiksimi” me modelin e dështuar ekonomik dhe të refuzimit për ta ndryshuar atë. Por është më shumë se kaq. Arsyeja duhet kërkuar edhe te dogmatizmi me të cilin klasa politike shqiptare i është qasur ekonomisë në këto vite.

Hapja e tregjeve dhe tregtia e lirë, liberalizimi i plotë i shkëmbimeve tregtare, mund ta ngrenë vërtet produktivitetin dhe mirëqenien e një vendi, kur këto aplikohen midis vendeve që kanë një zhvillim të njëjtë ose të përafërt ekonomik dhe social. Por kur këto politika zbatohen midis vendeve në stade të ndryshme zhvillimi, ato në fakt i pengojnë vendet më të prapambetura në zhvillimin e tyre ekonomik, duke u siguruar një avantazh të përhershëm vendeve të industrializuara.

Politikanët shqiptarë, duke ndjekur qorrazi politikat e tregjeve të hapura, të tregtisë së lirë dhe të mos-ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, duke injoruar shkallën e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, në fakt, nuk i lanë asnjë hapësirë ekonomisë kombëtare për të bërë një ringritje industriale dhe për të modernizuar bujqësinë. Pa një rol aktiv të shtetit në ekonomi, pa mbështetjen dhe mbrojtjen disavjeçare (por të përkohshme!) të industrisë dhe bujqësisë nga konkurrenca nga jashtë, prej ekonomive shumë herë më të avancuara në industri dhe në bujqësi, nuk ka asnjë shans që Shqipëria të ri-industrializohet. Pa këtë mbështetje, si kapitalet financiare ashtu dhe kapacitetet humane të Shqipërisë janë të destinuara që të shpërdorohen, siç janë shpërdoruar deri më sot.

Shqipëria, në fakt, nuk është i vetmi vend që ka ndjekur këto politika ekonomike liberale, por ka pak vende në Evropë që të kenë qenë kaq radikale sa ne, kur ka ardhur puna ta hapja e tregjeve dhe lënia e ekonomisë dhe e shoqërisë në dorë të tregjeve të lira dhe të privatëve.

Siç duket, politika shqiptare për ekonominë kaloi nga njëri ekstrem, në tjetrin: nga izolimi paranoid, komunist i viteve ’70-’80, te Terapia e Shock-ut dhe te hapja totale e viteve ’90; nga “socializëm me forcat e veta”, te “më kapitalistë dhe se FMN-ja”, nga 100% shtet, në zero shtet.

A ka të ardhme ky sistem ekonomik i ngritur në Shqipëri, apo është ai i destinuar që të fundoset? Të dyja përfundimet janë të mundshme. Një kolaps mund të ndodhë, por jo patjetër. Modeli ekonomik mund të vazhdojë të “funksionojë” edhe në kushtet e pakësimit të financimeve nga jashtë, ashtu si ka bërë dhe gjatë këtyre shtatë viteve të fundit. Më shumë emigrantë, më shumë narkotrafiqe, më shumë borxhe dhe më shumë “shtrëngo rripin” për qytetarët. Sistemi mund të vazhdojë kështu dhe për shumë vite të tjera, të paktën sa kohë që qytetarët shqiptarë janë gati të pranojnë varfërinë dhe pabarazinë që shoqërojnë këtë sistem, dhe nuk kërkojnë një ndryshim politik, për të ndryshuar sistemin ekonomik.

Ose, Shqipëria pranohet në Evropën e Bashkuar dhe kapitalet që duhen për të stabilizuar sistemin ekonomik, fillojnë të vijnë pastaj nga Brukseli. Dhe bëhemi pak a shumë siç është Italia e Jugut sot.

Po ashtu e mundshme është dhe fundosja vetvetiu e sistemit, në kushtet kur financimi i tij bëhet gjithnjë e më i vështirë. Dërgesat e emigrantëve janë në rënie prej vitesh, investimet e huaja dhe ato qeveritare me pikatore, borxhet e shtetit në nivele të rrezikshme, borxhet e kompanive private prej kohësh nën ujë (kreditë e këqija tek bankat nuk ndalojnë së rrituri), konsumi privat anemik, sistemi bankar i paralizuar. Me sprapsjen që po ndodh me globalizimin dhe me politikat proteksioniste në rritje të vendeve të tjera, efektet negative mbi ekonominë e vobektë shqiptare – mbi financat dhe punësimin – vetëm sa kanë për tu shtuar.

Barra në rritje e koncesioneve për financat shtetërore, bashkë me borxhin e shtetit mbi 70% të PBB-së sie dhe rritja e normave të interesave të borxheve, proces që ka filluar tashmë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe që pritet të përshpejtohet në muajt dhe në vitet që vijnë, mund t’i këpusin në mes financat e shtetit shqiptar dhe bashkë me to edhe sistemin kleptokratik të ngritur në këtë çerek shekulli në Shqipëri.

Sistemi, me shumë gjasa, ka për tu mbytur në grykësinë e vet. Por edhe nëse ai arrin të mbijetojë në vitet e ardhshme, një përfundim mund të nxirret padyshim nga historia e këtyre 25 viteve:

Kapitalizmi ka dështuar në Shqipëri. Më saktë, janë shqiptarët që kanë dështuar me këtë formë të kapitalizmit. Është koha për një model të ri zhvillimi ekonomik. Është koha për një kapitalizëm tjetër.


[1]  GNI per capita (PPP) për 2015: 11,900$ Shqipëria, 37,660$ Bashkimi Evropian, duke supozuar një rritje vjetore 5% ose 4% për ekonominë shqiptare dhe 2% për atë evropiane.

http://data.worldbank.org/indicator/NY.GNP.PCAP.PP.CD

9 Komente

  1. Te me fali autori, por ka mjaft kundertira ne shkrimin e tij. Ben fjale per terapi shoku ne ekonomine shq. te pas ’90-ave, por dhe e krahason kete ekonomi me globalizmin boteror, i cili ne fakt nuk ka ndonje te perbashket me terapine e shokut! (Shiko pargr. 5+ 6 dhe nga fundi). Apo po te krahasojm pargr. 13 dhe 22, ku njehere flitet se Shq. i duhen cdo vit 2 miliard euro nga jashte dhe me tej se ne Shq. jane futur gjate ketyre (rreth 15) viteve te fundit rreth 20 miliard euro, kjo tregon se ky vend i ka marre gati 1,3 deri 1,4 miliarde euro ne vit nga jashte! I paska ardhur e keqja Shq. dhe shqiptarve nga kjo mungese e pervitshme prej 0,6-0,7 miliard euro ne vit?! Ne nje kohe qe autori permend sa e sa faktore te tjere! Apo diku para fundit thote se ky sistem i hapur ekonomik i Shq. mund te kete sukses, por edhe jo, ndersa ne fund patetizon se ky lloj kapitalizmi shqiptar ka deshtuar! Etj.-etj!
    Do thoja se shkrimi -sic thote ajo shprehja shekspiriane- e ka gjithshka ne rregull dhe gjithshka jo ne rregull. Pra ato qe jep autori qendrojne ne rreth 90% te tyre. Mirpo nivelimi qe ai u ka bere te gjitha fenomeneve, i perngjan atij pastruesi te nje dhome, qe merr i fut te gjitha ne thes dhe i hedh tek plehrat, duke pretenduar se pastroi dhe rregulloi dhomen, ne nje kohe qe duhet te hiqte vetem mbeturinat. Dhe ai nuk ka si t’ia bente ndryshe, sepse Shqiperia dhe ekonomia e saj i perngjan sot vertet nje dhome teresisht te rremujshme. Nuk di nga t’ia fillosh e ku te vazhdosh! Ndaj dhe shkrimi eshte i mbushur me konstatime ne 99.99% te tij dhe stergjatur (e pambaruar) si qilimi i Penelopes. Vetem 0.01% aludon per ndonje rruge-zgjidhje aty-ketu.
    Po ta pyesesh autorin dhe kedo tjeter, c’duhet bere qe ky vend te behet ne rregull, kerkush nuk do te dije te pergjigjet, pervec se te thote te niset cdo gje nga fillimi, cfare nenkupton shkaterrimin e gjithshkaje. Por te pakten dicka me ngelet ta keshilloj autorin per shkrime te tjera ne kete fushe kaq te gjere, qe ta kapi demin nga briret, e ti tregoje shkurt e qarte problemet: 1. mos-ekzistenca e nje ligji te qarte per token dhe pronesine mbi ‘te, mungese e cila i tremb investitoret, sepse dalin 2-3 zoter te nje cope toke, 2. rivendosja e nje sistemi te forte dijesh arsimore, si dikur, 3. orientimi drejt perendimit dhe teknollogjise se saj. Por natyrisht pika e pare eshte thembra e Akilit.

    1. Shkrimi doli vërtetë më i gjatë se zakonisht (ndjesë për këtë!) por mendoj se shkrimi megjithatë ka një rrjedhë arsyetimi dhe llogjikë ekonomike.

      Qëllimi është analiza e ekonomisë shqiptare sot dhe pozicionimi i Shqipërisë, me ekonominë e saj të këtyre 25 viteve, në sistemin e ekonomisë globale, të krijuar nëpërmjet globalizimit. Po përpiqem ta përmbledh:

      1. Në këtë sistem global ka vende me ekonomi të zhvilluara që kanë përfituar prej globalizimit (p.sh Gjermania), ashtu si ka dhe vende të zhvilluara që kanë “humbur” prej tij (p.sh. Italia, USA etj).

      2. Ne këtë sistem global, vendet e prapambetura apo “vendet në zhvillim”, ky hynë dhe Shqipëria, ndoqën rrugë të ndryshme për zhvillimin ekonomik dhe për tu pozicionuar/përfituar nga globalizimi.

      3. Shumë vende të pazhvilluara, apo më pak të zhvilluara, sidomos ato të Azisë Juglindore por dhe në Evropën Lindore, ndoqën rrugën e industrializimit nëpërmjet nxitjes, mbështetjes dhe mbrojtjes nga ana e shtetit të industrive nacionale, që prodhojnë për eksport. Këto vende përfituan nga globalizimi.

      4. Shqipëria përkundrazi, ngriti një ekonomi tregëtare mbi këtë sistem, të bazuar në tregtinë mallrave të importit për konsum dhe në ndërtimi, dhe ku roli i shtetit shtetit në ekonomi ishte fare pasiv.

      5. Kjo ekonomi u financua nga emigrantët, trafiqet dhe investimet në sektorë pa added value. Por jo në industri, jo në sektorët për eksport.

      6. Ky model zhvillimi çoi në ngritjen e një ekonomie parazitare, me gjithë pasojat e saj në shoqëri që i përshkruaj më lart.

      7. Më kryesorja, ky model mund të funksionoj vetëm nëpërmjet futjes së kapitaleve nga jashtë vendit dhe borxheve, sepse brenda vendit nuk prodhohet dhe nuk krijohet asgjë.

      8. Çdo përpjekje e shtetit për të stimuluar ekonominë – si p.sh. stimuli fiskal para dy vitesh i qeverisë, me atëherë Shkëlqim Canin në MF – është pa efekt dhe i destinuar që të dështoj, pasi paraja ekstra “fluturon” menjëherë në importe dhe jep efekte në vendet e tjera, por jo në Shqipëri.

      Më tej në shkrim, u pëgjigjem dy pyetjeve:

      A. Pse perfundoi Shqipëria me këtë model ekonomik? Dhe arsyet unë i shoh te:

      * Terapia e Shock-ut e viteve ’90 që me “reformat” e saj – atëhere u bë dhe ligji famëkeq i tokës – shkatërroi bazën industriale që Shqipëria e kishte para viteve ’90, ashtu të prapambetur vërtet, por ama e kishte dhe që mund të ishte pëdorur si bazë për ngritjen e një industrie moderne, siç bën dhe shumë vende të tjera të Evropës Lindore.

      * Vjedhjet dhe shkatërimet e viteve ’90 dhe kaosin e 1997-ës.

      * Dogmatizmi ekonomik i klasës politike shqiptare, me tregjet e hapura dhe tregëtinë e lirë, që nuk kanë nevojë për rregullim dhe ndërhyrje nga shteti.

      B. Kush është e ardhmja e këtij sistemi ekonomik të Shqipërisë? Unë shoh dy mundësi:

      * Sistemi mund të mbijetoj kështu, tërhiq e mos këput, si në këto shtatë vitet e fundit. Sa kohë që hyjnë para në vend ende nga emigrantët, trafiqet etj. dhe sa kohë që shqiptarët nuk ankohen, pse të rrëzohet sistemi?! (…dhe diçka – unë nuk thashë asgjëkundi që sistemi “mund të ketë sukses”, por që mund të mbijetoj, duke u tërhequr zvarrë…)

      * Sistemi mund të fundoset – çka unë e shoh si rrugën më të mundshme – si konstrukt i kalbur ekonomik, i kapur nga oligarkët dhe politikanët; mund të fundoset nga borxhet, krizat financiare bankare, krizat politike, mungesa e pareve që hyjnë nga jashtë, aq më tepër tani që vendet e tjera kanë filluar të marrin masa për të ruajtur ekonomitë e tyre (si p.sh. ligji italan për delokalizimin), për të mbyllur tregjet e tyre të punës për emigrantët, për të tërhequr kapitalet brenda vendit të vet etj. Të gjitha këto prekin negativisht dhe Shqipërinë.

      Unë nuk mund të shoh filxhan, se si do të përfundoj ky sistem ekonomik i Shqipërisë, edhe pse mendoj se ai nuk e ka të gjatë, por ajo që dua të them është se sido që të shkoj puna e ekonomisë, shqiptarët me këtë model ekonomie apo kapitalizmi që po ndjekin, nuk kanë për të pasur kurrë as mirëqënie ekonomike, as kanë për tu bërë ndonjëherë pjesë e kombeve të zhvilluara dhe të civilizuara.

      Tek puna e 20 miliardëve më duket se jeni keqkuptuar; Shqipëria ka pasur para me bollëk këto 25 vite, shumica nga emigrantët, dhe që mund të shkonin për t’i dhënë një drejtim tjetër ekonomisë, pra kapitali ishte aty, vetëm që u bë rush e kumbulla, për importe rraqesh dhe, pardon, brekësh (ndryshe nga vende të tjera të prapambetura që edhe po të duan, u mungojnë kapitalet për të bërë industrializimin e vendit.)

      [E vërtetë që shkrimi është i pambaruar, pasi nuk kam paraqitur rrugëzgjidhje – edhe pse nga krahasimi me modelin e vendeve të tjera në zhvillim, me industrializimin dhe eksportet, ideja është e qartë, se ku dua të dal – por kjo është pjesë e një shkrimi tjetër, që dua të përgatis… veç të tjerash, kjo do e zgjaste “qilimin” edhe më shumë… 🙂 ]

      PS. Po patët kohë dhe dëshirë, hidhini një sy shkrimit “Terapia që Vret” te linku më poshtë. Aty kemi diskutuar me hollësi “reformat” e viteve ’90, Terapinë e Shock-ut, edhe ligjin famëkeq 7501 të tokës.

      https://peizazhe.com/2011/06/13/terapia-qe-vret/

  2. Nuk kishim dhe nuk kemi cbejme persa i perket sistemit ne princip, dmth nga marredheniet ekonomike me Europen ne do ishim te humburit ne tregtine e pandershme ose te lire si e quajne. Por mund dhe duhet te ish punuar ne drejtim te mireadministrimit dhe nikoqirllekut te kapitalit, ka 100 menyra per te orientuar kapitalin drejt bizneseve me leverdi duke filluar me lehtesime e favorizime nga me te ndryshmet deri tek pengesat nga me te ndryshme perfshire pezullime te perkohshme licencash. Kot per shembull edhe ne kohe te enverit eksportonim goxha duhan dhe vere, ja dy biznese ku mund te orientohej kapitali qe heret. Ose shembull pengimi, harxhoi filani 50 mije euro per barin e lagjes, pezullo lejen e nje bari tjeter ngjitur( mora lokalin po mund te merret lirisht dyqan mishi, kepucesh, farmaci e me radhe). Konkurence e madhe ulen fitimet ulen rrogat ulet produktiviteti, se papunesia ben kerdine e njerezit vene me pak leke, pra konkurenca nuk sjell leverdi. E ka mire Blushi qe thote rrisim rrogen minimale. Nejse e kam fjalen qe nikoqirlleku i kapitalit do kish evituar ato mijera e mijera falimentime biznesesh te vogla qe perkthehen ne kapital te kanalizuar keq e ore te pafundme pune te shkuara dem.

    1. Pikërisht. Sistemi ekonomik është kaq i zhbalancuar, sepse u la fare i lirë dhe nuk u ndërhy nga shteti dhe qeveritë e pas 1997-ës për të korrigjuar zhvillimet e gabuara – dyqanet dhe ndërtimet pa fund që nuk i duhen njeriu; licencat dhe leje strikte të ndërtimit do të bënin punë këtu, edhe pse burokratike dhe të prirura për korrupsion – dhe për të ndihmuar sektorët e duhur (sector targeting): duhani dhe vera, që thoni ju, ku Shqipëria kishte eksperiencë, por dhe produkte të tjera, p.sh. bimët medicinale janë edhe sot ndër eksportet kryesore që ka Shqipëria, dhe këtu ka hapësirë për shumë më tepër, që ato jo vetëm të përpunohen në Shqipëri dhe të eksportohen si esenca, siç ndodh sot, por të përdoren si bazë për ngritjen e industrisë së kozmetikës dhe pse jo, të industrisë farmaceutike, ku ato përdoren si lëndë e parë. Shteti duhet të ndihmoj me kapitale – grante dhe kredi – me vënie toke në dispozicion për punishtet dhe fabrikat, pa qera, me taksa zero për x vite, më pak burokraci etj.

      Tjetër sektor është ai i lëndëve të para – të cilat shteti nuk duhet t’i kishte privatizuar fare në këtë lloj mënyre, duke ia dhënë komplet privatit, por duhet të mbante shumicën kontrolluese të aksioneve (të paktën 50% +1) – ku shteti nëpërmjet taksave dhe tarifave duhet të nxit eksportin e lëndëve të përpunuara, produkteve të gatshme, dhe jo lëndëve bruto (value chain).

      Po ashtu brenda sistemit të sotëm ekonomik, Shqipëria ka mjete edhe më efektive se këto, për të ndihmuar industrinë e vendit (aq sa ekziston) dhe eksportet, dhe të paktën ta ekuilibroj disi disbalancën në tregëtinë e jashtme – doganat dhe kursi i këmbimit të Lekut me Euron – por këto nuk përdoren siç duhet ose, më keq akoma, përdoren në drejtim të gabuar.

      Përse është Leku kaq i fortë me Euron, valutën kryesore të importeve shqiptare? Një Lek i fortë ndihmon vetëm importuesit/tregtarët dhe importet, duke i bërë më të lira, por dëmton rëndë eksportet, industrinë, turizmin vendas, që bëhen më të shtrenjta. Leku i fortë dëmton dhe buxhetin e shtetit, duke ulur të ardhurat në Lek nga doganat – pagesat në dogana llogariten mbi çmimet në Euro, buxheti natyrisht është në Lek -, për të mos folur për ndikimet negative anësore të Lekut të fortë në sistemin bankar të kreditimit, ku Leku i fortë nxit marrjen e kredive në valutë nga sipërmarrësit, të cilat kanë vërtet kanë interesa më të ulta në kredinë në Euro, por ama kanë edhe rrezikun e plotë të kursit të këmbimit.

      Monedha kombëtare dhe kursi i këmbimit përbëjnë një mjet shumë efektiv që ka Shqipëria për të ndihmuar ekonominë e vendit. Është një mjet që p.sh. Kosova dhe Greqia nuk e kanë, pasi të dyja përdorin Euron si monedhën e tyre.

      Zhvlerësimi gradual i monedhës vendase është një nga metodat më të përhapura, është si të thuash ABC-ja e politikës industrialiste të çdo ekonomie në zhvillim, që përdoret gjerësisht në botë, madje dhe nga shumë vende të industrializuara, për të ndihmuar industritë në kohë krize (“të eksportosh krizën tënde”). Shumë vende zhvlerësuan gradualisht monedhat e tyre pas 2008, sidomos vendet eksportuese të naftës pas kolapsit të çmimeve që filloi në 2014; vetëm dy vende eksportuese të lëndëve të para e mbajtën kursin të pandryshuar: Arabia Saudite me xhepat e thellë, dhe Shqipëria!

      Madje Banka e Shqipërisë jo vetëm që pa shkak e mbajti kursin pothuajse të pandryshuar gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit – por ajo lejon tashmë dhe forcimin e Lekut (forcim që ndoshta vjen nga futja e parave të drogës në vend). Në kohë krize Shqipëria ka Lekun më të fortë me Euron që prej 6 vitesh. E pakuptueshme dhe e pafalshme! Dhe me rrezikun që, në kohë krize ose largim të kapitaleve nga vendi, Leku të zhvlerësohet shumë dhe papritur, në nivele që e dëmtojnë funksionimin e ekonomisë.

      Zhvlerësimi vërtet nuk është shkopi magjik, që zgjidh të gjitha problemet e ekonomisë, por kur ai bëhet me masë dhe gradual është pozitiv dhe ndihmon industrinë e vendit. Banka e Shqipërisë bën mirë të dal nga letargjia dhe të bëj punën e saj në këtë drejtim. Aq më tepër që Leku i lirë ndihmon dhe për të rritur inflacionin në nivelin që do të arrij BSH, tani që inflacioni është nën këtë nivel, dhe në anën tjetër ndihmon dhe qeverinë për të ardhurat në buxhet nga doganat…

      Mjeti tjetër efektiv i qeverisë janë doganat – Shqipëria mund të bëj një politik doganore më aktive dhe më fleksible, duke zbatuar tarifa më të larta për të korrigjuar importet e larta në produkte që i bëjnë konkurrencë prodhimit vendas ose në ato sektorë, ku Shqipëria do të ngre industrinë vendase. Çmimet e referencës, që Dogana Shqiptare përdor pak dhe pjesërisht sot, janë një mjet shumë efektiv për të shrenjtuar dhe ulur importet, në favor të prodhimit vendas. Sa kohë që Shqipëria ka këtë deficit të frikshëm tregtar dhe këtë prodhim vendas kaq të vogël, nuk ka asnjë arsye që këto çmime të ulen apo të hiqen fare, siç ka ndodhur në vitet e fundit. Madje çmimet e referencës duhet të shtrihen dhe në mallra të tjerë dhe të rriten në nivel, për të patur më tepër efekt mbi importet dhe deficitin tregtar.

      Ankohen tregëtarët dhe lobingjet e tyre për tarifat doganore, për çmimet e larta të referencës? Po punë e madhe fort! Tregëtarët shohin vetëm xhepin e tyre, qeveria shikon të mirën e shoqërisë dhe të ardhmen e ekonomisë dhe të vendit.

    2. Ndonjëherë lajmi vjen si me porosi… Sot te revista “Monitor”:

      “Alarmi! Ekonomia e kanabisit po dëmton eksportuesit dhe prodhuesit”
      “Eksportuesit pohojnë se forcimi i pazakontë i lekut mund të shpjegohet vetëm me paratë e pista që po qarkullojnë nga shitja e kanabisit, teksa deficiti tregtar (diferenca mes eksporteve dhe importeve) është zgjeruar me 16% për 10-mujorin…”

      http://www.monitor.al/alarmi-ekonomia-e-kanabisit-po-demton-eksportuesit-dhe-prodhuesit-3/

  3. Per Gjilperen: Edhe pa lexuar artikullin e linkut (per shkak kohe), po e marr si te mirqene dhe te trajtuar te pakten teorikisht kete “terapine e shokut”. Ne rregull. Ne koment i ke rreshtuar me sintetikisht pikat qe ke dashur te thuash ne artikull. Biles me lejo ti shkurtoj ne minimum edhe keto pika-komenti, duke thene qe Shqiperia la vetem shit-blerjen ne gjendje te lire te mallrave, ku kjo blerje e mallrave jashte ka nevoje per valuten ekuivalente, te cilen e sjellin emigrantet dhe tregu i zi (prostitucioni, droga, etj.), sepse prodhim dhe eksport mallrash nuk ka, te pakten ne ate mase qe sjell importi. Nderkohe qe shtete te tjera investuan ne modernizimin e industrise perkatse dhe arriten te kene prodhimtari dhe eksport. Me duket se ky eshte thelbi i shkrimit, sipas pikave-koment!? Pa permendur pastaj disa vogelsira, qe jane me shume pasoje, se sa shkak, qe permenden edhe ne shkrimin tuaj. Jam shume dakort.
    Dhe sidoqofte, mbetet edhe sot pyetja: perse Shqiperia nuk investon ne disa sektore industriale, si metarlugjia, fonderia dhe repartet mekanike, apo industriale-teknollogjike te industrise se lehte, si fabrika asortimentesh ushqimore, apo industriale-energjitike, si bie fjala elikat e eres per prodhimtari korrenti, apo ne punishte per prodhime panelesh diellore (voltaike), apo qofte ne sektorin e bujqesise? Me duket se thembra e Akilit qendron tek problemi i Tokes, e cila u uzurpua dhe vazhdon te uzurpohet! Une, ti, tjetri e tjetri, edhe miliardere te jemi, nuk mund te investojme ne nje vend pa ligje, ne nje vend ku te vijne 3-4 grabites me kollare e te thone: paguaj ose largoju nga toka ime, se e kam me tapi! Dhe as ti gjilpera nuk mund ta qepesh kete vend, se pervec problemit te tokes jane edhe mjaft probleme te tjera, qe po tu futemi, nuk mbarojme as pas vitit te ri! Por s.d.q., une jam kureshtar ne pritje te “profecive” mbi te ardhmen e ekonomise shqiptare dhe keshillave (shpresoj jo moralizuese) per shpetimin e kesaj ekonomie, ne shkrimet tuaja te ardhme!

    1. Jam i një mendjeje me ju, që toka dhe prona, të bëra ashtu çorap siç në Shqipërinë e këtyre 25 viteve, janë një nga problemet më kryesore që pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Zgjidhja e çështjes së tokës dhe pronës është e domosdoshme dhe primare për zhvillimin ekonomik, por vetëm kjo nuk mjafton. Po ashtu është dhe arsimimi solid dhe edukimi profesional i popullsisë, që përmendët në komentin më parë: edhe ky kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm.

      Për mendimin tim, nisur nga niveli që ka ekonomia, politika dhe shoqëria shqiptare sot, ringritja ekonomike është proces më kompleks se disa reforma të shkëputura, sado e rëndësishme që të jetë secila prej tyre.

      P.sh. problemi i tokës na nxjerrë te sistemi i drejtësisë dhe i gjykatave, komplet i korruptuar dhe bashkëshkaktar i katastrofës me pronat, bashkë me politikanët dhe ligjin 7501. Pa reformuar drejtësinë vështirë se shkel këmbë ndonjë investitor serioz në Shqipëri (si tha ambasadori gjerman – në mbi 20 vite investitorët gjerman në Shqipëri nuk kanë fituar asnjë proces gjyqësor para gjykatave shqiptare, asnjë për be!)

      Po nuk janë vetëm gjykatat. Po aq të rëndësishme për ekonominë, dhe aktualisht problematike, janë dhe institucionet e tjera shqiptare: Doganat, Tatimet, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Konkurencës dhe politikat përkatëse – sistemi doganor, ai tatimor, politikat monetare dhe ato valutore etj.

      Kjo na nxjerrë te administrata shtetërore më në përgjithësi – e politizuar, e korruptuar, e paaftë, e pamotivuar dhe që “qarkullon” çdo herë që ndërrohet qeveria. Ec pastaj e bëj industri, investim, politika ekonomike me një administratë të tillë..

      Të paktën kur mbërrijmë në këtë pikë, kemi arritur dhe te politika dhe partitë shqiptare, për mendimin tim, strumbullari i së keqes në Shqipëri, pa reformimin e të cilave – gjë që unë nuk besoj se mund të bëhet me këta politikanë që ka sot Shqipëria – vendi nuk ka për të bërë përpara ndonjëherë.

      Të gjitha këto janë kushte paraprake – ashtu si toka, pronat, arsimi – për të krijuar kornizën, që mundëson zhvillimin ekonomik.

      Pastaj vijmë te hartimi dhe zbatimi i politikave të reja ekonomike, te modeli ekonomik i industrializimit dhe i eksporteve, që është ndjekur me sukses nga vende të tjera, të cilat janë nisur nga pozita të ngjashme si Shqipëria sot, ose edhe më të pafavorshme.

      Kjo s’do të thotë, natyrisht, që duhet pritur që të plotësohen njëherë të gjitha kushtet, për të filluar me riorientimin e ekonomisë; vetëm në laborator ka kushte perfekte 🙂 ; ndryshimet e poltikave ekonomike mund (dhe duhet) të bëhen paralelisht me ndryshimet në ligje, drejtësi, arsim, administratë, sistem politik – sa më shpejt, aq më mirë, sa pa u fundosur ky sistem i mbaruar, që mezi po mbahet në këmbë.

  4. Duke te uruar gezuar festat e fund-vitit dhe nje vit te ri sa me te lumtur e me begati, te kujtoj edhe sugjestionimin (me fal) paksa qesharak qe duhet te kesh pesuar nga zhurma e madhe e muajve te fundit per vendosjen e drejtesise ne sistemin e drejtesise! Vertet me duhet te besoj se je aq naiv sa beson qe kjo reforme konsiston ne vendosjen e drejtesise dhe eleminimin e korrupsionit!? Shife pak me thelle muhabetin!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin