HARTAT SI EMRA TË PËRVEÇËM

Në orën e gjeografisë të thonë se Italia i ngjan një çizmeje, duke pasur parasysh, me “Italinë”, formën e këtij shteti në hartë. Sikurse të thonë edhe se Franca ka formën e një pesëkëndëshi të rregullt, ose që Laosi të një palme, etj.; gjithnjë duke e marrë për të mirëqenë identifikimin, sado instrumental, të një shteti me formën që ka ai në hartë.

Pa çka se harta e një shteti çfarëdo, ose të paktën konturi i kufijve të tij të jashtëm, është një figurë në thelb arbitrare, e parregullt, unike; ekuivalenti gjeometrik i një emri të përveçëm, dhe njëlloj e pakuptimtë jashtë marrëdhënieve referenciale (me njësinë politike që shënjon).

Nga ana tjetër, e njëjta hartë, ashtu siç është e vizatuar, riprodhon pak a shumë me saktësi formën e kufijve përkatës.

Sikur të kish ndonjë mënyrë për t’i vizatuar këta kufij në terren, harta do të mund të krijohej pastaj duke e fotografuar shtetin nga lart, për shembull nga sateliti.

Çfarë i jep hartës një element ikonik (në kuptimin semiotik), sa kohë që imazhi i parë nga lart i shtetit si territor i brendashkruar kufijve është i ngjashëm me imazhin e hartës së atij shteti.

Në hartat politike, shtetet vizatohen të paketuara ngjeshur, duke e ndarë sipërfaqen mes tyre, pa lënë as edhe një zonë të vetme bosh: kësisoj, hartat e kontinenteve me shumë shtete, për shembull Europa ose Afrika, vijnë dhe u ngjajnë puzzle-ve.

E megjithatë, shumë nga ne mësohen t’i identifikojnë shtetet nga format e hartave të tyre, në mënyrë të tillë që këto forma të përfundojnë të përdorura si simbole.

figura 1

Dhe simbolet përdoren pastaj për të përfaqësuar një shtet a një komb – duke funksionuar si ideograme.

Imazhi përbri (figura 1), i një shoqate polake të prodhuesve të vodkës, e ilustron këtë lloj përdorimi: natyra kombëtare e kësaj organizate përcillet nëpërmjet fjalës së shkruar (në dy gjuhë), hartës së Polonisë dhe ngjyrave të flamurit polak (bardhekuq).

Stema dhe flamuri i Kosovës (figura 2) e ilustrojnë dukurinë të çuar në skaj: këtu forma që ka shteti i Kosovës në hartë përdoret si simbol përfaqësues i vetë shtetit (njëlloj edhe në stemë). Ka diçka cirkulare në këtë zgjidhje, ose një lloj përpjekjeje për t’i dhënë formës së kufijve të shtetit më shumë domethënie se ç’mund të mbajë.

Mjafton një vështrim i shpejtë në stemat dhe flamujt e vendeve të tjera për të parë se edhe pak shtete të tjera e vendosin hartën e vet në stemën ose në flamurin kombëtar – për shembull Belarusi, Qiproja ose Madagaskari (vetëm se dy shtetet e fundit janë ishuj).

Në figurat dhe shenjat institucionale kombëtare, të mveshura edhe me kuptim dhe prestigj juridik, gjen imazhe dhe simbole që e marrin kuptimin nga tradita, historia ose kultura – si p.sh. shqiponja në flamurin e Shqipërisë, zebrat në stemën e Botsvanës, deveja në stemën e Eritresë, kryqi në flamujt e shumë shteteve europiane, gjysmëhëna dhe ylli në flamujt e shteteve me trashëgimi otomane ose kulturë islamike, harpa në stemën e Irlandës, ylli pesëcepësh në stemën e Italisë e kështu me radhë.

figura 2

Problemi me hartën e një shteti të përfshirë në stemën e tij nuk ka të bëjë vetëm me cirkularitetin; por edhe me atë që formës së hartës, në vetvete e parregullt, i ngarkohet “detyra” për të përfaqësuar vetë shtetin; a thua se ka ndonjë lidhje esenciale midis formës së shtetit, pak a shumë të rastësishme, dhe esencës së tij; në kuptimin që Belarusi ose edhe Kosova nuk mund të kishin veçse hartën që kanë; ose në kuptimin që qytetarëve të këtyre shteteve në thelb u kërkohet të nderojnë formën krejt rastësore dhe (ende) pa ndonjë konotacion historik a kulturor të shtetit të tyre.

Kontingjenca e kulluar paraqitet si domosdoshmëri.

E kundërta ka më shumë gjasë të ndodhë: që kulturat dhe lëvizjet kombëtariste ose irredentiste, në shumë shtete të botës, të mos e njohin formën kartografike të shtetit të tyre si përfaqësuese të shtrirjes së kombit; madje ta konsiderojnë hartën politike ekzistuese të shtetit si provë të gjallë të një padrejtësie.

Kjo nuk ndodh vetëm në Ballkan, por në çdo truall të pasur me histori. I njohim të gjithë hartat e Shqipërisë së madhe, por edhe fqinjët kanë hartat e tyre “të mëdha”; dhe ndoshta nuk do të dilte as krejt sipërfaqja e Europës, për t’i kënaqur orekset tona lokale për territor.

Prandaj kombëtaristët janë gjithnjë të apasionuar pas vizatimit të hartave, me përjashtim të hartës politike të shtetit përkatës, e cila për ta është gjithnjë reduktive, meqë lë gjithnjë jashtë territore të kombit.

Ndoshta për këtë arsye, hartën e Shqipërisë nuk e sheh shpesh të përdorur për të përfaqësuar, në mënyrë simbolike, natyrën shtetërore të entitetit të përfaqësuar.

figura 3

Kështu, edhe Qeveria, edhe Kuvendi Popullor, edhe Presidenti i Republikës përdorin – në uebsajtet e tyre – simbolin kombëtar të shqiponjës; madje Presidenti i Republikës ka sajuar edhe një shqiponjë të vetën, që ndryshon në formë nga ajo e flamurit (figura 3).

Natyrisht, shqiponjës mund t’ia ndryshosh trajtën dhe ngjyrën – askush nuk do të protestojë. Përkundrazi, ndryshimet në formën e hartës mund të çojnë në ngatërresa të mëdha me fqinjët.

Përndryshe, të gjithë ne mësohemi ta shoqërojmë mendërisht shtetin ku jetojmë me formën që ka ai shtet në hartë – jo se ajo formë ka ndonjë domethënie të caktuar, por sepse i shërben ankorimit vizual të një ideje abstrakte.

Është normale që të përfytyrosh Shqipërinë në formën e saj sa kontingjente aq edhe karakteristike madje unike, sa herë që të mendosh për Shqipërinë.

Vite të tëra shkolle na kanë kushtëzuar që të mendojmë dhe të përfytyrojmë kështu.

Në analizë të fundit, forma që ka çdo shtet i kufizuar me shtete të tjera vjen si produkt negociatash në mbarim të një lufte;[1] pa çka se askush nuk lufton dhe as mundohet për t’i dhënë shtetit të vet një formë të caktuar.

Nga kjo pikëpamje, forma është arbitrare.

Por njëlloj si emri i përveçëm, p.sh. Wolfgang Amadeus Mozart ose Titanic, edhe kjo formë vjen e mbushet me kuptim, në atë masë që shteti në fjalë përfton histori dhe kulturë; dhe deri në atë shkallë sa t’i shënjojë këto në mënyrë të domosdoshme.

Prandaj të gjithë ne e refuzojmë, të paktën aty për aty, ndryshimin e hartës; dhe e kemi të vështirë të mësohemi me hartat e reja, që vijnë si rezultat përmbysjesh të mëdha historike.

Si pasojë e një efekti psikologjik elementar, hartat ekzistuese madje na duken të bukura,[2] ndërsa versionet e tyre alternative të shëmtuara.[3]

Kjo ndoshta vjen ngaqë kur një shenjë arbitrare vjen e mbushet me kuptim, atëherë vetë natyra e saj arbitrare do të punojë në favor të perfeksionit.

Për të njëjtën arsye na duken kuptimplotë, madje të harmonishëm, numra pak a shumë arbitrarë, të tillë si numri i telefonit celular personal ose numri i sigurimeve shoqërore.

Tek e fundit, një figurë gjeometrike e rregullt nuk mund të jetë kurrë përsosmërisht e rregullt, përveçse në hapësirën platonike; ndërsa një figurë arbitrare çfarëdo, për shembull forma specifike e Republikës Moldave në hartë, është vetvetiu e përsosur, sepse është e barabartë veç me vetveten.[4]

Te kjo mënyrë si u qasemi formave arbitrare duhet të luajë një rol edhe aftësia jonë për të njohur të përveçmen dhe për t’u orientuar në një botë kaotike (fraktale), për shembull në pyll ose në mal; ose aftësia tjetër, e studiuar mirë, për të njohur dhe mbajtur mend fytyrat.

Nëse është kështu, atëherë promovimi i hartave politike të shtetit ose i imazhit të kufijve të jashtëm të këtij shteti i shërben, me rrugë subliminale, identifikimit tonë me shtetin përkatës, si njësi të qëndrueshme deri edhe në kuptimin metafizik.

 


[1] Këtu nuk po flas për disa shtete, p.sh. në Afrikë, që i kanë kufijtë vija të drejta, si të hequra me vizore; ndryshe nga fraktali, që tradhton vëmendje dhe interesim për çdo detaj të peizazhit, vija e drejtë konoton mospërfillje ose një truall të pabanuar e, me gjasë, të pabanueshëm.

[2] Gjithnjë më ka pëlqyer, estetikisht, forma e Shqipërisë; por po të ulem dhe ta vizatoj këtë formë, asnjëherë nuk jam i kënaqur me rezultatin. Kjo tregon se ka diçka që e njoh te harta “reale”, por që i mungon hartës së përafruar prej meje; e para është arbitrare, në kuptimin gjeometrik; por e dyta nuk është veçse imitim i së parës.

[3] Ja një eksperiment që mund ta bëjë kushdo: merrni lapsin dhe vizatoni hartën e një shteti imagjinar; pastaj shiheni atë hartë dhe pyesni veten nëse mund të ketë vërtet shtet që ta ketë hartën ashtu. Përgjigjja besoj se lidhet me natyrën e fraktaleve. Për të njëjtën arsye, format e ishujve kanë diçka autentike, diçka “të saktë”, diçka që nuk mund të ishte ndryshe, që kushedi lidhet edhe me atë që çdo formë gjeologjike është rezultat i një lëvizjeje, një zhvendosjeje, sipas një force a vektori të caktuar; njëlloj siç merr flamuri që valëvitet një formë që i përgjigjet forcës dhe drejtimit të erës. Por ideja se edhe format e hartave politike janë rezultat zhvendosjesh dhe lëvizjesh historike të caktuara do të tingëllonte mistifikuese, në mos mistike.

[4] Çdo katror i referohet katrorit ideal, të përkufizuar në mënyre gjeometrike; por harta e Moldavisë nuk është se i referohet ndonjë Moldavie ideale.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin