NGA NJË PARTI NË TJETRËN, VAJTJE-ARDHJE

U botua këto ditë një dokument që, sipas historianit Kastriot Dervishi që e bëri publik “për njohje e ndërgjegjësim”, dëshmonte “regjistrimin në Partinë Fashiste të zonjushës Nexhmije Xhuglinit.” Dokumenti ka qenë botuar dhe më parë dhe ka qenë ruajtur në kasafortën personale të Enver Hoxhës; arsyeja e risjelljes së tij në vëmendje të publikut është “meqë tani jemi në prag të 29 nëntorit të lavdishëm.” Artan Lame, që i ka pasion këto punë, sqaroi se dokumenti është autentik, por thjesht dëshmon se personi në fjalë “është regjistruar në komandën e R.L.Sh.,” që nuk është veçse Rinia e Liktorit Shqiptar (italisht G.L.A., ose Gioventù del Littorio Albanese), çfarë thjesht e bën Nexhmije Hoxhën anëtare të Rinisë Fashiste, dhe jo të “Partisë Fashiste” sikurse vëren – me lehtësi të pashpjegueshme – historiani Dervishi. Lame shpjegon se në Rininë Fashiste bënin pjesë “praktikisht të gjithë të rinjtë e kohës, ashtu si anëtarë të rinisë komuniste kemi qenë të gjithë.” Për t’u shënuar se ky dokument ridel në dritë pak ditë pas një tjetri, edhe më të çuditshëm, që mes të tjerash “dëshmonte” se Nexhmije Hoxha vallëzonte, në vitet e Luftës, me kokën e prerë të një italiani (!).

Si në një rast ashtu edhe në tjetrin, llogaritë e logjikës nuk dalin, përveçse po të supozojmë se kemi të bëjmë me një psy-op, që si edhe shumë herë të tjera, përcillet me bashkëfajësinë totale të mediave; aq më tepër që, të paktën lajmi për Nexhmijen anëtare të Rinisë Fashiste – shndërruar, në gojën e historianit, në Parti Fashiste – nuk i referohej ndonjë zbulimi arkivor; por thjesht sillej “me rastin e festave.” Edhe sikur të kish qenë bashkëshortja e ardhshme e Hoxhës anëtare e Partisë Fashiste, ka interes të pyetet se si do ta prisnin këtë “zbulim” simpatizantët e shumë të së djathtës populiste në Shqipëri, përfshi këtu edhe entuziastët herë naivë e herë budallenj të “Duçja krijoi Shqipërinë etnike” dhe “Hitleri i ka dashur shumë shqiptarët”; në një kohë që e majta enveriste me siguri nuk ka nevojë për integritetin e një plake 90-vjeçare, për të mbijetuar dhe për të ekspozuar portretet përkatëse, kur ia lyp kandari dhe kalendari.

Psy-op-i këtu lidhet me faktin që një lajm i krijuar nga hiçi vihet të qarkullojë gjerësisht dhe për të zhvillohen deri edhe debate televizive, të cilat nuk mund të mos e rritin tensionin e pritshëm për 29 nëntorin. Natyrisht, askush nuk do t’i vinte mend kësaj shakaje të vogël, sikur të mos e amplifikonin mediat, si edhe herë tjetër krijuese të lajmeve dhe tërheqëse të klikimeve. Historianët e dinë, nga ana tjetër, se dokumente të tilla, që i hidhen publikut për t’i konsumuar, nuk kanë asnjë vlerë, të nxjerra nga konteksti dhe të pashoqëruara nga një aparat kritik, ose të paktën nga shpjegimet përkatëse. Përndryshe, në vend që të ndihmojnë për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe pse, ato e zëvendësojnë historinë me një narrativë pseudo-historike, fragmentare dhe të improvizuar, që u shërben interesave politike të caktuara. Jetojmë vërtet në epokën e lajmeve të rreme, por këto tonat janë edhe të qepura me penj të bardhë.

1 Koment

  1. Ne opinionin tim Lame e thjeshtezon pak si shume kete fakt, qe personalisht nuk e kisha degjuar. Dhe kjo natyrisht qe me shume se si fakt ne vetvete, merr rendesi nga vete personi ne fjale, Nexhmije Hoxha, si figure e linjes se pare te nje grupimi politik qe sterilitetin biografik e kishte armen e parapelqyer te masakrimit te kundershtarve (te vertete a te supozur, me shume keta te dytet).
    Po te qe nje fakt aq i paparfillshem, nje rreshtim standart ne nje organizate politike, si rinija fashiste (ka mjaft te tjera qe nuk e pranuan nje gje te tille, po qe se i mbaj mend mire kujtimet e Selfixhes) ajo atehere kishte detyrimin qe ta permendte diku (kishte njerez te thjeshte qe e permendnin dhe qe gjithe jeten u pane me dyshim), per shkak te transparences qe kerkohej, per pozicionin qe do te zere ne jeten e shqiptarve.
    Nexhmija ka shkruar gjere e gjate per ato kohera, per vitet e shkolles, fillimet e saj te para si aktiviste politike (per vitet e Institutit femeror, kur fshihte librat marksiste te hekurat e krevatit, flet per baballaret e pasur te disa prej shoqeve te saj etj, sikur ky te qe nje krim i vertete). Ka thene gjerat me te ulta per bashkemoshataret e saj qe u rreshtuan ne grupime te tjera (komuniste, se as qe behet fjale per ato fashiste), sjell thashetheme nga me te ndryshmet, ka germuar thelle per origjinen e ideve te saj, por ne asnje rast nuk e ka permendur faktin e mesiperm, nderkohe qe ne procese e ndryshme nje gje e tille (kur e kerkonte puna) ua tundnin para hundeve atyre qe ajo dhe i shoqi donin t’i eleminonin.
    Pra aderimi i saj ne rinine fashiste nuk eshte fare i paperfillshem per simboliken e tij si edhe per pasojat qe u ka sjelle te tjereve dhe jo asaj.
    Ka edhe nje rendesi tjeter jo fort e neglizhueshme per ne dhe qe ka te beje me formimin e saj. Ne organizatat e Rinise fashiste ushtrohej nje regjim i forte propagandistik qe mbeshtetj ne idene e « dell’Uomo Nuovo ». Ka te ngjare qe per Nexhmijen, e cila gjate luftes e me pas u muar shume me rinine shqiptare dhe edukimin e saj, nje propagande e tille fashiste, te mos kete kaluar fare si ujet ne kurriz te pates. As nuk kalohet tutje duke thene se ekstremet bashkohen, por shtrohet edhe nje here pyetja nese vertet nuk ka qene e njeta gje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin