VIA MARGUTTA (II)

Prejardhja e emrit të rrugës Margutta nuk është e sigurt. Megjithëse guidat turistike dhe vulgata thonë se toponimi i rrugës vjen nga shtrembërimi “Marisgutia”, domethënë “Goccia di Mare” (Pikë ujë deti), që shënonte jo pa ironi një rrjedhë uji, që zbriste nga Villa Pinci e që shkonte drejt lumit Tevere. Megjithatë, dëshmi të vërtetuara rrëfejnë tjetër origjinë. Sipas këtyre, emrin rruga e paska marrë nga familja Marguti, që rezultonte atje nga censusi i vitit 1526. Në atë rrugë paska banuar një berber me emrin Luigi Marguti[1].

Këtë rrethanë e vërteton edhe një botim serioz për rrugët e Romës[2]. Megjithatë, etimologjinë nga latinishtja maris gutta autori Picino e konsideron si fantazi. Gjithashtu të gabuar e quan lidhjen e supozuar me familjen Marguti. Fakti është, thotë autori, se atje kishte një berber me emrin Giovannino, i mbiquajtur Margutto, në kuptimin përçmues të fjalës, si për të treguar një person të shëmtuar ose ngalakaq (Margutta). Kjo nofkë u bë aq e famshme, sa i dha emrin rrugës.

Sidoqoftë, rruga ka rrënjë modeste. Fillimisht ajo nuk ishte gjë tjetër veçse pjesa e pasme e rrugës Babuino[3], në rrëzë të kodrës, ku parkonin karrocat me kuaj dhe ku gjendeshin stallat dhe magazinat. Atje banonin në shtëpi të vogla edhe stallierë, marmistë, muratorë, artizanë, etj.

via-margutta-romaSot via Margutta është sinonim i artistëve, ndonëse nuk njihet ende emri i piktorit ose i skulptorit të parë, që hapi studion e vet në atë rrugë. Gjatë viteve, në këtë rrugë, erdhën e u strehuan artistë nga e gjithë bota, të cilët ndërtuan shtëpi, vila e kopshte të bukura, pikërisht atje ku gjendeshin më parë stallat e kuajve.

Rruga u sistemua në vitet tetëqind, nga nisma e imzotit Saverio de Merode, me origjinë belge, i cili në kohën e Papës Pio IX bëri punime të rëndësishme, përshirë kanalet e ujërave të zeza. Pamja e sotme e rrugës i detyrohet në një masë të madhe pikërisht atyre ndërhyrjeve urbanistike.

Lumi i turistëve, që përmbyt çdo ditë rrugët e sheshet e Romës, tërhiqet në mënyrë të natyrshme nga rrugët qendrore. Nga Piazza di Spagna turistët përshkojnë zakonisht rrugën e shopping-ut, Via Condotti, që të shpie direkt tek Via del Corso, që lidh dy sheshet e njohura: Piazza Venezia dhe Piazza del Popolo. Sipas itinerarit, rrjedha gati instiktive shkon në këto dy drejtime.

Alternativa tjetër, për ata që vijnë nga qendra, që kanë dalë nga metroja, ose që kanë zbritur nga shkallët e mahnitshme të Trinità dei Monti, është përshkimi i Via del Babuino, e cila të çon tek Piazza del Popolo. Ka edhe kalime të tjera, që varen nga itineraret e ndryshme, siç është drejtimi i kundërt, andej nga via del Tritone, ose vetë ngjitja e shkallëve të Trinità dei Monti. Megjithatë, por këto kalimet kryesore që respektohen zakonisht nga turistët.

Ngado që ta shohësh hartën e lëvizjes së rrjedhës njerëzore, asnjë prej tyre nuk kalon nga Via Margutta. Madje nuk ka se si të kalojë andej, për sa kohë ajo është e futur, madje e shtypur do të thosha midis kodrës Pincio dhe rrugës së njohur të Babuinit. Rruga jonë është paralele e Via del Babuino, por nuk lidh sheshe qendrore. Në fakt, për t’u futur në Via Margutta, nëse je tek Piazza di Spagna, duhet të kalosh fillimisht nga via Alibert (e cila është pa dalje).

Kush mendon se në Via Margutta nuk kalojnë turistë, pa dyshim gabon. Por janë turistë ndryshe, ata që i kërkojnë diçka më shumë qytetit, ose vetes në procesin e njohjes. Gjithsesi larg shopping-ut kompulsiv. Në fakt, rruga nuk është tregtare, në kuptimin që nuk ka dyqane njëri pas tjetrit siç ndodh në rrugët përreth.

Pavarësisht se është disi e futur, via Margutta ka qenë shumë e pranishme në letërsi, në kinematografi dhe në art. Megjithatë, nuk ma ndjen zemra ta quaj snobe, sepse e tillë nuk është. Mjafton të kalosh një ditë të zakonshme, ose gjatë ekspozitës së piktorëve. Atje, në rrugë, populli takon artin dhe flet me artistët.

Porse veçoria e Via Margutta-s nuk kalon vetëm nga artistët e studiot e tyre. Të kalosh një të diel të zakonshme, të duket sikur je në një përmasë tjetër të Romës, larg kaosit, zhurmës, rrëmujës së zakonshme. Megjithatë, e ndjen që je në zemër të saj, pavarësisht se kalon mes kopshteve, luleve, pemëve, bimëve që u kacavirren hijshëm mureve të vjetra…

[vijon]

 


[1] Shih për këtë faqet internet https://it.wikipedia.org/wiki/Via_Margutta, por edhe http://www.romasegreta.it/campo-marzio/via-margutta.html
[2] Willi Pocino, Dizionario delle strade curiose di Roma,  Edilazio, Roma 2012.
[3] Shih shkrimin Rruga e Babuinit, Peizazhe të fjalës, 3 tetor 2014. Nuk mund të fshihet këtu një analogji midis Via Margutta dhe Via del Babuino, të cilat në histori e kanë marrë emrin nga një konotacion negativ.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin