ME PAK SALCË PËRSIPËR

Një studente i derdhi sot në kokë Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, gjatë një eventi publik, një sasi relativisht të madhe salce ketchup, në protestë për politikat qeveritare dhe të Ministres vetë ndaj arsimit të lartë në Shqipëri.

Ky incident po komentohet gjerësisht, ngaqë edhe “atentatorja” vetë ose organizatorët ishin kujdesur që ta filmonin: ishte një sulm simbolik ndaj autoritetit, për t’u përcjellë pastaj nga mediat elektronike.

Edhe spërkatja e një figure publike me salcë klasifikohet si ushtrim i lirisë së fjalës ose të drejtës; edhe pse si formë komunikimi është nga më primitivet, sa kohë që nuk shkëmbehen ide, as fjalë, por vetëm kërcënime simbolike. Prandaj sulme të tilla janë edhe mishërim i lirisë së fjalës, edhe prova se kjo liri e fjalës ka dështuar të përftojë komunikim.

Ata që zgjodhën pikërisht ketchup-in për spërkatje, duhet ta kenë ditur se kjo salcë simbolizon gjakun; dhe bash për këtë kërcënimi, pa dalë nga kufijtë e simbolikes, është më i rëndë se po të spërkatej ministrja e Arsimit me mustardë, e cila në të njëjtin kontekst do të simbolizonte fecet e lëngshme.

Këtë lloj kulture të protestës me gjeste në kufi të teatrit të rrugës dhe të artit performativ e ka sjellë në Shqipëri “Mjaft-i” në fillim të viteve 2000; prandaj është pak qesharake, në mos thjesht hipokrite, që t’i lexosh e t’i dëgjosh ish-eksponentët e “Mjaft-it” të dikurshëm, tani në pushtet, të deklarohen “thellësisht të tronditur” nga dhuna simbolike kundër koleges së tyre.

Sulmi i tanishëm është lëndues ndaj ministres Nikolla, por jo aq fizikisht sa psikologjikisht; dhe gjithsesi jo aq lëndues sa dhimbja që kanë shkaktuar politikat e qeverisë së tanishme në lidhje me arsimin e lartë; nëse nga pikëpamja e rendit publik sjellja në fjalë meriton të ndëshkohet dhe po ndëshkohet, nga pikëpamja psikologjike gjesti në fjalë nuk mund të interpretohet veçse si shenjë dëshpërimi.

Dëshpërim jo vetëm për gjendjen e vështirë të shumë studentëve sot në Shqipëri, por edhe për pamundësinë e vendosjes së një dialogu normal me pushtetin dhe administratën për faj të këtyre të fundit; ose për dështimin e komunikimit gjuhësor, çfarë çon pastaj në një passage à l’acte, ose në një formë komunikimi jo-gjuhësor, me konotacione të forta të dhunës simbolike.

Me dëshpërimin nuk është e lehtë të merresh vesh; edhe lepuri, kur zihet ngushtë, mund të kafshojë për vdekje; dhe jo më një brez i ri i rritur me bindjen se i përket tashmë traditës së qytetërimit europian dhe kulturës së fjalës së lirë. Politikat qeveritare në fushën e arsimit të lartë duket se kanë krijuar, në publik, përshtypjen se për subjektet kryesore të këtyre politikave, ose studentët vetë, nuk po pyet askush më ose e shumta po trajtohen si të ishin blerës të shërbimeve; dhe se vetë arsimi i lartë nuk po konceptohet aq si palestër për mendjet e së ardhmes, sa si biznes filistin për pronarët e tij publikë dhe privatë dhe trampolinë për karrierat e profesoratit gjithnjë e më mediokër.

Tani që shkruaj, studentja atentatore është në paraburgim; me siguri do të lirohet shpejt(*), sepse një pushtet që e respekton lirinë e fjalës dhe të protestës nuk mund t’ia nxjerrë inatin një gjesti performativ dhe as një viktime të politikave të tij, madje edhe sikur t’i konsiderojë këto të vetmet të mundshme. Që studentja do të lirohet, kjo nuk ka pse të konsiderohet si arsye për t’u mburrur dhe për t’u vetëkënaqur, nga ata që potencialisht mund edhe ta kishin dënuar. Çfarë ka rëndësi në këtë mes, është që të dyja palët – edhe protestuesit edhe ministrja e lënduar edhe kolegët e saj në qeveri që u thyen më dysh për t’u solidarizuar me të – mbeten të zemëruara, të frustruara dhe pa mjete për të komunikuar mes tyre.

Rifillimi i këtij komunikimi, me iniciativë të pushtetit, do të ishte ndoshta shenjë e mirë se diçka është kuptuar; dhe pikërisht që ministrja Nikolla nuk është e vetmja viktimë, dhe as e para dhe më e rënda viktimë e kësaj situate; pa çka se më e dukshmja. Teatri i ketchup-it të mos na bëjë të harrojmë se bëhet fjalë për rrezikun që një brezi të tërë t’i digjet e ardhmja për shkak politikash të imponuara nga grupet e interesit.


(*) Shkrimi ishte gati për botim tashmë, kur mësova se studenten e kishin liruar.

1 Koment

  1. Rreshtimi i menjëhershëm dhe i pazakonshëm, përkrah ministres dhe kundër studentes, i politikanëve – i “të majtëve” por dhe disa “të djathtëve” – bashkë me shumë analistë dhe opinionistë të mediave laramane të Tiranës, tregon që aksioni i studentëve kapi më në fund një nerv të sistemit, që e bëri atë të reagoj dhe të vihet në lëvizje. Çka e bën salcën mbi kokën e ministres më shumë se një incident: është akt proteste anti-sistem (“Akti anti-sistem i vitit” në Shqipëri 🙂 ).

    Embrioni i një lëvizjeje të re studentore? Kanë kaluar 25 vite nga ajo e fundit …

Lini një Përgjigje te GjilpëraAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin