PËRGJIME DHE LUBRIFIKIME

Telefoni celular ia ka shndërruar natyrën pushtetit, edhe më thellë se telefoni i zakonshëm: tani një kryeministër mund t’ia ndryshojë që nga krevati, po të dojë, deri edhe ngjyrën e kravatës ambasadorit të tij në Suedi, mu para se ky të takohet me mbretin përkatës. Nëpërmjet telefonit celular, edhe komunikime deri dje protokollare, me shkresa vula dhe firma, tani konsumohen në mënyrë radiovalore, duke u shkëmbyer mes mikroprocesorëve dhe antenave rele, çfarë ia ka hapur një sfidë të pashembullt burokracisë. Komunikime të tilla, ku i madhi e urdhëron të voglin të ftojë për drekë një eksponent të biznesit, t’i japë dum një tenderi kokëçarës a t’i gjejë një langua të mirë për gjahun e së dielës, nuk janë as tamam publike, as tamam private a konfidenciale, pse kryhen në një hapësirë gati private, por të krijuar nëpërmjet një akti arbitrar të pushtetit. Dikur për këto punë përdoreshin të dërguarit korrierët përfaqësuesit bajlozët sekserët agjentët legatët, të cilëve tani pushteti duhet t’u gjejë detyra të tjera që të mos fillojnë të pakënaqen dhe të llapin; gjë që, gjithsesi, e redukton edhe më numrin e atyre që janë në dijeni për çfarë po komunikohet pikërisht rishtas dhe që, në rrethana të tjera, mund të jepnin dëshmitë përkatëse. Por ky farë thjeshtimi i skenës së komunikimit nuk kalon krejt pa pasoja; meqë kanali, ose radiovalët, mund të përgjohen dhe do të përgjohen detyrimisht nga palë të treta. Larg syve kureshtarë të publikut zhvillohet prej vitesh lufta kacafytëse mes enkriptuesve dhe dekriptuesve të komunikimit, e cila mobilizon mendje nga më të ndriturat; siç kemi parë nga Wikileaks, këtë luftë ndonjëherë edhe e fitojnë dekriptuesit, të cilët hedhin në dorë mullarë me dokumente, brenda të cilëve gazetarët spiunët dhe aparatçikët kërkojnë pastaj gjilpërën. Pa çka se askush nuk di se çfarë Wikileaks dhe organizata të tjera të ngjashme nuk kanë dekriptuar dot, ose nuk dinë as që ekziston për t’u dekriptuar. Revolucioni në komunikim ka ndihmuar të shtohen e të shumohen jo vetëm rrjedhjet, por edhe përpjekjet e suksesshme për t’i shmangur rrjedhjet; në kuptimin që, si edhe më parë, pushteti nuk mund të funksionojë veçse në sekret, por tani ruajtja e sekretit kushton më shumë, madje aq shumë sa të arrijë statusin e misionit të vërtetë të administratës. Dhe gjithsesi, nevojën për t’i mbajtur gjërat e rëndësishme të fshehta e konfirmon rishtazi çdo leak, çdo përgjim që u dorëzohet mediave, çdo publicizim i një momenti privat a gjysmë privat; sikurse konfirmon rishtazi edhe dyshimin se, për çdo leak që bëhet publik, për çdo zbardhje a përgjim, ka me dhjetëra që mbahen edhe ato të fshehta, po aq sekrete sa sekretet që kanë zbuluar e zbërthyer; meqë në politikë shantazhi, i njohur edhe si blackmail, vë në lëvizje si me magji mekanizma që përndryshe nuk do të lëviznin kurrë dhe lejon të shpjegohen sjelljet e çuditshme të cave, që as një personazhi të një romani të keq nuk do t’i lejoheshin. Ky lloj pushteti, ku bashkëpunimi mes pushtetarëve diktohet nga shantazhet përkatëse, ku çdo lloj komunikimi i mirëfilltë dhe domethënës kryhet në sekret, dhe ku çdo lloj transparence detyrimisht do të përdoret për të mbuluar më shumë se për të zbuluar, nuk bashkëndan më të njëjtin univers me publikun; meqë sekreti do përfytyruar tani si një përmasë e shtuar ose si një lloj aneurizmi i hapësirës private, i cili me përkufizim nuk perceptohet dot nga jashtë. Në këtë rast, çdo leak, çdo përgjim, çdo filmim, çdo hack-im i serverëve i ndjekur nga publicizimi i rezultateve veç sa ia shton motivimin shtysës institucionale për sekret total, duke ia dhënë edhe pretekstin ose alibinë morale; dhe kjo ndodh jo aq për faj të çka mëson publiku, as për shkak të skandaleve që kanë efektin e granatës tymuese, por ngaqë ashtu ushqehet dyshimi paranoid në lidhje me çfarë ende nuk është publicizuar, por vetëm ka ndërruar status, duke kaluar nga një lloj sekreti në një lloj tjetër, për t’u përdorur pastaj si metoda më e përsosur e bindjes. Mënjanimi i kanibalizmit mes elitave dhe dhunës politike do të vinte, në këto rrethana, si një efekt anësor pozitiv i papritur, por jo i pamirëpritur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin