DHUNA QË NUK PO NA NDAHET

Lexoj se sot një studente, e angazhuar në politikë, gjatë një takimi publik, ku merrte pjesë edhe Ministrja e arsimit e Republikës së Shqipërisë, i hodhi kësaj të fundit bojë të kuqe në shenjë proteste.

Lexoj se sot në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë një deputet goditi (a tentoi të godiste) një ministër të Republikës.

Dy vende të ndryshme, dy ministra, dy mënyra të ushtrimit të dhunës në publik. Kundër ministrave të Republikës.

Ngjarja në Parlament është shumë e rëndë: për atë që ndodhi, për imazhin që ligjvënësit i japin popullit, për imazhin që vendi u ofron të huajve, tashmë partnerë që po e tërheqin zvarrë Shqipërinë me zor drejt objektivave europiane. Parlamenti shqiptar ka pasur edhe të shtëna brenda, prandaj mendoj se kemi ecur përpara dhe niveli i mundshëm i dhunës brenda tij tashmë ka rënë dhe kjo është një gjë tejet pozitive.

Çka më ngacmon është gjesti i studentes. Mund të jetë e angazhuar në organizma politikë që janë të angazhuar kundër punës së Ministres, kundër Qeverisë ku ajo bën pjesë, kundër ligjit për arsimin e lartë, kundër ….

Edhe unë vetë përplasem, pa dashje, me problemet e arsimit në Tiranë. Bie fjala, për njohjen e dy diplomave universitare dhe të doktoratës të mbrojtur jashtë kufijve të Atdheut m’u desh plot një vit. Pa qenë specialist i fushës, edhe unë jam kundër mundësisë së financimit të universiteteve private me paratë publike (në kohën kur edhe në Tiranë shkollat shtetërore janë pa sistem ngrohjeje). Këtë mundësi thuhet se e përmban ligji për arsimin e lartë. Por nuk lidh dot këto tema me bojatisjen e Ministres. Nuk i lidh dot këto tema, dhe temat e tjera zullumqare të politikës shqiptare me mundësinë e përdorjes së dhunës.

Më ngacmon dhe më shqetëson gjesti i studentes. Ushtrimi i dhunës në shenjë proteste duke cënuar rëndë imazhin, duke ofenduar moralisht, duke cënuar fizikisht një Ministre të Republikës.

Më shqetëson gjesti i studentes. Gjesti i saj është vetëm një pjesë e dhunës që hasim kudo në Shqipëri e transferuar në një mjedis të caktuar. Është mjedisi ku dhuna përdoret si dhunë por edhe si pjesë spektakli. Një spektakël i vjetër për qëllime pseudopolitike.

Më shqetëson gjesti i studentes sepse është i dhunshëm.

Më shqetëson gjesti i studentes sepse ndoshta më vërteton se mundësia e protestës dhe e propozimit të atyre që ajo përfaqëson mbetet e kufizuar tek vezët kundër Kryeministrit dhe tek boja (a lëngu i domates) kundër Ministres.

Me shqetëson gjesti i studentes sepse cenoi jo vetëm Ministren, por sepse ishte ushtrim i pamerituar dhune edhe kundër personit të saj.

Më shqetëson thellë gjesti i studentes sepse lexoj se bën pjesë në një grupim të majtë. Në qoftë se është kështu, kjo më provon se duhet t’i drejtoj vetes një pyetje, përgjigjen e së cilës kam frikë se e kam qysh tani: kjo të jetë e majta e re shqiptare?

P.S. Nuk e njoh Ministren e Arsimit. Nuk e kam takuar ndonjëherë. Nuk kam triskë partie të asnjë prej partive qeveritare. Nuk kam triskë partie të partive të opozitës. Për sa mund të vlejë në këtë kohë thyerjeje dhëmbësh, jam edhe kundër kësaj dhune dhe i shpreh solidaritetin tim Ministres.

Rreth Autorit

Edmond Çali, lektor i gjuhës shqipe në universitetin "L'Orientale", Napoli. Ka botuar librat "Romanet e Jakov Xoxes" 2003, "Faik Konica (1876-2004)", 2004, "Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar. Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi dhe Ismail Kadare", 2015.

Author Archive Page

6 Komente

  1. Eh mor z.Edmond! Kur e lexoj që jetoni në Itali, në vendin e pasur me aktivizëm të çfarëdolloji, në vendin e Majit ’68. Duhet të ishit infomuar pak më shumë për lëvizjen “Për Universitetin”, për kalvarin 2 vjeçar që kemi kaluar e po kaliojmë ne, brezi i të ardhmes pa të ardhme! Të mos injoronit faktin se ministria e (ç)arsimit nuk lidhi asnjë urë me ata që goditen direkt nga reforma në arsimin e lartë. Të dinit se shefi i qeverisë dhe këndesi i parë i çdo reforme ka zgjedhur arrogancën, mospërfilljen dhe ironinë për çdo kritikë po thirrje për bashkëpunim.
    Në fakt, unë do të shqetësohesha për Mirelën dhe brezin që ajo përfaqëson. Ata si unë që ndihen që tani pa shpresë, që edhe pas mbarimit të universitetit, i presin call center-at si alternativë tjetër përpos asaj të marrjes së teserës së ndonjë partie e cila dobët se ku të çon.
    Dhe ju indinjoheni për ministren?? Ajo e ka siguruar të ardhmes e saj dhe të vajzës (që e ka çuar me studime jashtë).
    Gjesti është mjaft domethënës, bën të prekshëm ata që duken dhe janë kthyer bile në të paprekshëm. Nëse i dini mirë politikat e majta besoj se do ta keni më të thjeshtë për ta kuptuar se e ashtëquajtura partially socialiste lëvron, gjasme politika të majta.

    1. Abel, pershendetje. Pa u futur tek 1968-a. E njoh, edhe ne kurrizin tim gjendjen e arsimit, te pasojave te ligjit per arsimin e larte dhe perspektivat e munguara per studentet. Siç shkruaj edhe per nje njohje diplome m’u desh te prisja nje vit (me deme burokratike qe tani nuk i rregulloj dot) . I di problemet e studenteve; nje pjese te tyre te pakten. Ne 4 vitet e fundit kam qene pedagog i jashtem ne UT. Taksat, me sa di une, jane shume te larta, nuk ka nje politike orientimi te studenteve per deget e per lendet, etj, etj. Pastaj mundesia e futjes ne boten e punes ne degen e diplomimit, pothuajse 0. Dhe, sipas meje, nuk shoh asnje politike te majte, nga qeveria e qendres se majte. Ajo qe dua te ve, edhe tani, ne dukje, eshte fakti se shoqeria jone eshte shume e dhunshme: ne politike, ne komunikim, ne marredheniet e punes, ne çeshtjet e rendit; ne formen mendore te veprimit ne marredheniet midis njerezve.

      1. Për reflektimet ndaj dhunës keni të drejtë. Ai që pranon dhunën legjitimon dhe pasojat e saj. Këndvështrimi zgjerohet kur hyn në lojë tabani ynë ballkanik, e kaluara jonë (të cilën po ta shtrydhësh nxjerr vetëm luftëtarë, pra dhunë). Pa u thelluar (S. Zhizhek ka shkruar diçka mbi dhunën), nëse fillojmë e tjerrim, nuk kemi për t’ja nxjerrë fundin debatit. Meqë dhe vetë ju e keni vërejtur shtrembërimin e sistemit arsimor, mua do të më interesonte e ardhmja, ajo që kishte përmendur z. Vehbiu në shkrimin e tij, ura lidhëse midis grupimeve që u ndanë edhe më shumë pas aktit, studentëve dhe ministrisë/strukturave arsimore. Media natyrisht do ta mbajë ndezur këtë zjarr, por vetëm për spektakël në përfitimet të saj. Rilindasit nuk duket se do të lëvizin nga istikami aq më tepër kur lideri shpirtëror i frymëzon dhe i kon me supën e arrogancës dhe ku thotë se janë të paprekshëm. Opozita ka kohë që ka humbur çdo lidhje me realitetin dhe pikëllohesh kur sheh ata që mendohet se janë alternative tjetër për qeverisjen. Për sh.p.k -në e Likes më mirë nuk po shkruaj! Mbetet opinioni i mortalëve, të gjithë ne, që edhe aty ku duhet të jemi me bindje bashkë, nuk jemi. Secili ka një teori të tijën që i mëshon fort. Edhe ata që të mbështesin e bëjnè nga PC-ja me një ‘bravo’ e disa ‘ju lumtë’, kur vin puna me ‘përvesh mëngët’, secili për vete zoti për të gjithë! Ja pra, qarku qenka i djegur dhe prandaj kalohet në akte ekstreme. Nuk kemi më shpresë. Nuk kemi më çfarë të humbasim. E as çfarë të fitojmë. Kahet ndryshojnë por në fund jemi po ne që bëjmë të njëjtat llogari: të emigrojmë apo të ngulim vazhdimisht thika në parimet, vlerat morale, kompromiset me jetën e vështirë etj.
        Të gjithë duan të kenë diplomë universiteti sepse në këto themele është ngritur shoqëria jonë. Edhe vetë prindërit i shtyjnë fëmijët që ta marrin njëherë kartonin e diplomës se kështu mendohet se të paktën e kanë një mundësi. E kanë vërejtur se shteti jonë nuk prodhon gjë por vetëm ofron shërbime, kështu që ka më shumë nevojë për menaxherë, avokatë, ekonomistë (pa ekonomi) dhe jo për ata që shoqëria i karakterizon rëndom si ‘punëtorë krahu’, por që normalisht do të duhej të ishin teknikët dhe që do të zinin një vend të nderuar në piramidën socio-ekonomike. Për më tepër shkolla e lartë të jep automatikisht, sipas shumicës, statusin e intelektualit që për një shoqëri fasadash dhe të shtrirë si e jona është shumë i rëndësishëm.

  2. ajo derdhje salce eshte i vetmi shpagim qytetar qe mund te kryejne studentet, pa u ndeshkuar rende nga sistemi politik. Madje pas burgimit per disa ore do te pasoje nje kalvar i gjate me prokurorine dhe gjykaten.

    Sherri ne parlament, apo ne korridoret e kuvendit, vrasjet e sharjet, i kemi pare si spektakel, jane spektakel. I vetmi akt i vertete, i sinqerte, pa simulakra e me the e te thashe, ishte veprimi i asaj vajzes, qe nxjerr nje shishe e ja derdhe ne kaptine ministres, neper floket e verdha. Se bashku me keqardhjen, shume studente besoj se u ndihen te shpaguar.

  3. Shkrim i keq, ku ne kujtese te ngelet diploma e doktaratures tende dhe debiliteti i shkrimit.Gjesti i studentes nuk eshte dhune mor zotni, por eshte proteste, eshte rezistence. Ne europe digjen makina, perleshen me policine thyejn xhama dhe e qyuajne rezistence.

  4. Une them qe studentia pervec salces duhet te kishte marre me vete edhe nje qese me kripe. Se ajo ministre nuk pertypet kollaj ngado qe ta rrotullosh e ta gatuash…

Lini një Përgjigje te JabanxhiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin