VEZA PULËN APO PULA VEZËN?

Prej datës 11 nëntor deri më 23 dhjetor 2016, ekspozita Edi Rama do të jetë e hapur në galerinë e artit Marian Goodman, në Manhattan, New York. Ky lajm është përcjellë me zhurmë në Tiranë duke shkaktuar bujë në median konvencionale dhe në rrjetet sociale, ku ka patur jo pak zëra kundërshtues, sidomos pas shpërndarjes së transmetimit live të çeljes së event-it ku të pranishmit, përfshi edhe kryeministrin tonë piktor, u përballën me pyetjen kritike prej një historianeje të artit, të cilën ndërhyrje mediat shqip më shumë e përdorën, sesa e raportuan. Ja çfarë tha pikërisht Eriola Pira:

Siç doli qartë gjatë diskutimit sot pasdite, arti i Ramës është i ndërthurur ngushtë me politikën por kjo ka lidhje në radhë të parë me statusin e tij si politikan dhe jo me politikat e tij. Në fakt, siç e provon vetë arti që pamë, është statusi i tij si politikan që provon dorën me art që na ka mbledhur këtu. Politika në përgjithësi dhe veçanërisht politikat e tij, mungojnë krejt, janë të padukshme ose të shpëlara me art. Dhe meqë Rama tani së fundi po njihet edhe për mënyrën se si i shpërfill kritikët e vet dhe ata që nuk pajtohen me të, pavarësisht nëse nga opozita apo nga shoqëria civile, unë po ia drejtoj pyetjen – në mënyrë njëfarësoj retorike – publikut: Sa prej jush dinë diçka për politikën e Ramës, përtej propagandës së ‘bojatisjes së qytetit’? Dhe më lini t’iu ndihmoj me këtë sepse ka pasur…

– shkatërrim sistematik të institucioneve publike, të tilla si të arsimit të lartë që ka çuar në burgosjen dhe përndjekjen e protestuesve studentë

– korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë dhe përzierje sistematike me mafien e ndërtimit dhe të drogës

– kontroll autokratik ndaj mediave mainstream që është pasuar nga censurimi i mediave alternative dhe sociale

– përdorimi i artit si vegël propagandistike për t’i estetizuar të gjitha këto probleme e ka vënë artin në pozicionin më të vështirë, madje edhe po të përfshijmë në krahasim 8 vjetët e një qeverie të djathtë.

Dhe pyetja ime shtesë për Ramën:Si mendoni se duhet të protestojnë artistët ndaj politikave tuaja?”.

(Biseda e plotë me kryeministrin, si dhe pyetjet nga salla që pasuan, mund të ndiqet këtu)

Reagimi i kryeministrit ndaj kësaj kritike sy-më-sy ishte në thelb fyes. Pas shfryrjeve dhe grimasave që lypnin bashkëfajësi, Rama tentoi ta poshtëronte zonjën duke iu përgjigjur me arrogancë se ‘’ajo thjesht nuk merr vesh nga këto gjëra!’’ (you don’t get it) dhe pastaj e zhvendosi përgjigjen te diskursi i gatshëm propagandistik që kish sjellë me vete nga Tirana, duke përmendur ndër të tjera edhe vullnetin e mirë qeveritar ndaj hapjes së negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian. (Piktori kryeministër apo kryeministri piktor?!) Një reagim kaq fyes, kaq i dobët dhe infantil nga kryeministri im, patjetër më turbullon dhe më shkakton frustrim, sa kohë që unë si qytetare dhe zgjedhëse, jo vetëm që kam votuar që Edi Rama t’u përgjigjet kërkesave të mia dhe të më japë llogari sipas rregullave të përfaqësimit, mbi mënyrën sesi menaxhohen taksat e mia dhe politikat që ndërmerren në kurrizin tim; por edhe kërkoj të respektohem prej tij si individ, si votuese, si qytetare apo publik qoftë.

Megjithatë, dhe për t’u kthyer në temë: Edi Rama mund të jetë një artist i jashtëzakonshëm, i talentuar dhe i aftë, i cili mund ta meritojë të ekspozohet jo vetëm në Marian Goodman Gallery në New York, por kudo tjetër në botë. Ngaqë më mungon aftësia dhe ekspertiza e duhur akademike për ta gjykuar një artist apo vepër arti drejtpërdrejt, do të ishte korrekte të tërhiqesha nga çdo tentativë për ta komentuar ose kritikuar artistikisht Ramën (ose cilindo piktor). Përndryshe do të përshkruaja perceptimin tim subjektiv të artistikes dhe së bukurës, pa çka se, mbi të gjitha, pak më intereson Rama si artist (për të mos thënë asfare).

Çeta, “Vojo Kushi is Still Alive,” 2016. Sticker. Tirana, Albania.

Para se me qenë piktor, Edi Rama është kryeministër dhe ajo që më ngacmon së pari si qytetare e këtij shteti të rrëmujshëm, me institucione të korruptuara e për pasojë, disfunksionale; me një varfëri të skajshme; me të drejta dhe liri të mohuara ose të përdhosura; me të atillë sistem arsimor që të zhvat e të zhyt në injorancë në vend që të të ndihmojë të dalësh prej aty; ku profesioni dhe sidomos vokacioni i intelektualit kërkojnë medoemos të ardhura dhe kushte ekonomike të mira; ajo që më ngacmon, pra, është pikërisht: nëse Rama nuk do të ishte i veshur me pushtetin që i ofron pozita si kryeministër; nëse Rama nuk do të ishte kryetari i njërës prej partive kryesore në vend; nëse Rama pra, do të ishte një njeri i thjeshtë si ti apo unë, ndoshta me talent dhe akoma më tepër me ëndrra dhe dëshira profesionale, deri ku do të mund të çante? Kam frikë se as deri në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Sepse për artistin në Shqipëri nuk ka edukim, nuk ka motivim, nuk ka përkrahje, vlerësim apo respekt. Sepse artistët janë një nga kategoritë më të nëpërkëmbura. Sepse për të ekspozuar ‘jashtë shtetit’ si i thonë; nëse nuk ke vëmendjen e një peshe të rëndë të artit bashkëkohor si Anri Sala; nëse nuk vjen nga një familje e kamur; nëse nuk jeton e punon diku në botën e zhvilluar, gjasat që ti të marrësh vëmendje, famë dhe para janë tejet të pakta.

Artistëve në Shqipëri përpara se të mendojnë dhe të diskutojnë për artin, përpara se ta bëjnë artin, u duhet të vrasin mendjen si të nxjerrin bukën e gojës. Po, realiteti këtu është kaq banal dhe bëhet akoma më i ashpër kur kryeministri i vetëshpallur artist promovon vetveten në vend që të promovojë politika të tilla që t’ia lehtësojnë rrugën artistëve, të rinjve të vendit dhe gjithkujt tjetër; duke nisur nga politikat arsimore.

Nuk është, pra, piktori Rama ai që çel një ekspozitë vetjake në perëndim, por kryeministri Rama që vetë-promovohet si piktor, në një kohë kur vendi i tij dhe i imi është përmbytur nga reshjet; pa folur pastaj për vendimet e tij dhe të qeverisë që ai kryeson, të cilat i mëshojnë asfiksimit të mëtejshëm ekonomik, social, arsimor dhe kulturor të Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj.

Nëse Rama do të ishte vetëm një person i talentuar dhe me perspektiva artistike por në kushte si të gjithë ne, nuk do të gjendej sot i ekspozuar në Marian Goodman, por do të rrinte dhjetë orë ngjeshur pas ndonjë tryeze të qelbur Call Center-i, gjashtë ditë të javës, për të përftuar e shumta 300 mijë lekë të vjetra, mjaft sa për të zënë gojën dhe për t’i vënë ndonjë arnë shtëpisë, dhe kushedi mjaft edhe për të ftuar në kafe drejtorin e ndonjë galerie private dhe për ta bindur se ai vlen, se ai është i talentuar dhe një ditë do të mund të shkojë në Marian Goodman ose Tate Modern, se atij i duhet ofruar mundësia t’i ekspozojë krijimet e veta e nëse punëve të tij s’ia hedh kush as qyrret, do të rreket të ekspozojë falas në ndonjë zgëq fekal të qytetit, për gjithë sa ky i fundit ka mundur ta frymëzojë.

Gjithsesi problemi në këto zhvillime nuk është vetëm Rama. Problemi i parë dhe më tragjiku janë artistët e vendit, studentët dhe pedagogët e Akademisë së Arteve, së bashku me qytetarët e ndërgjegjësuar, të cilët jo vetëm që nuk ngrenë krye dhe nuk rebelohen, por nënshtrimi u shkon deri aty sa të vënë në qendër të debateve të tyre nuancat në tablotë e Ramës, jo kushtet nën të cilat u duhet të krijojnë dhe të mbijetojnë po aq. Vlen të thuhet se Akademia e Arteve, një institucion arsimor ku dora e vetme është vënë në fasadën e ndërtesës dhe askund tjetër, është një fabrikë që prodhon të papunë. Nuk mund të presim që kritika dhe kërkimi i të drejtave të vijnë vetëm nga shqiptarët e diasporës. Këta mund të jenë nxitja për reagim dhe mbështetje, por të parët që duhet të protestojnë, janë ata/o që preken drejtpërsëdrejti nga këto botëkuptime dhe këto politika të frymëzuara nga Rama.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin