GRAMATIKA E RRËFIMIT HISTORIK

Lexoj nga Ardian Muhaj, sot në “Panorama,” një qasje të pazakontë, por për mua shumë premtuese, ndaj diskursit historiografik për Luftën Nacional-Çlirimtare – qasje që ai e quan “semantike.”

Muhaj ka vënë re se, “në të gjitha studimet e kryera nga cilado palë” […] “kufta kundër armikut pushtues, qoftë atij italian qoftë atij gjerman, jepet në trajtën pësore, dhe jo në atë veprore.”

Përkundrazi, “trajta veprore përdoret kryesisht në përshkrimin e përplasjeve mes grupimeve të ndryshme shqiptare, veçanërisht mes Ballit e komunistëve.”

Kështu, thotë autori, praktikisht të gjithë ata që e kanë rrëfyer Luftën e pranojnë se fashistët italianë “u larguan” në vjeshtë të vitit 1943, dhe askush nuk thotë se “forcat tona… i shporrën pushtuesit italianë.” Përshkrimi i ngjarjeve, thotë ai, “është tërësisht pësor” dhe “thjesht në rolin e spektatorit.”

Këtë Muhaj e krahason me diskursin historiografik për Luftën e Vlorës, ku thuhet se “e hodhëm italianin në det”, ose me një ndërtim vepror.

Edhe kur vjen puna për ditën e Çlirimit të Shqipërisë, i njëjti diskurs pyet se “kur u largua gjermani i fundit” dhe jo “kur e shporrëm gjermanin e fundit,” vëren autori.

Nga ana tjetër, kronikat e përplasjeve të Frontit dhe të UNÇSh me Ballin Kombëtar ndërtohen, nga historiografia e regjimit të Tiranës, me folje të tipit “shpartalloj” dhe “asgjësoj”, të cilat kanë natyrë “veprore”; në një kohë që pala e kundërt flet për partizanë që “masakrojnë” të pafajshmit, “vrasin pa gjyq”, “persekutojnë,” etj.

Duket sikur historianët e të gjitha palëve e kanë pranuar, me pavetëdije, se – edhe pse luftë në Shqipërinë e asaj kohe është bërë edhe kundër italianëve, edhe kundër gjermanëve – lufta e vërtetë, ku tanët patën agjenci, u zhvillua në trajtën e një përleshjeje vëllavrasëse.

Këtu nuk mund të diskutoj gjatë natyrën e Luftës, si antifashiste ose civile; por vetëm të vë në dukje se analiza e Muhajt, nga ana metodologjike, mund të shërbejë për t’i nxjerrë studimet historike nga ngërçi i tanishëm, duke zbatuar një përftesë analitike të ngjashme me psikanalizën.

Nuk ka dyshim se, për të dhënë fundin e pushtimit italian në Shqipëri, shtihen në punë folje të tipit “u larguan” ose “u tërhoqën” “kapitulloi” ose “u dorëzuan”; sikurse thuhet edhe për gjermanët se “u larguan” nga Shqipëria.

Kjo mund të duket e çuditshme, po të kemi parasysh se lufta, si lloj veprimtarie njerëzore, ka vetvetiu natyrë agjentive, nga pikëpamja e formës së brendshme semantike.

Nuk është se folje të tipit “mposht” ose “mund” ose “vras” mungojnë krejt nga diskursi historiografik për Luftën; por fakt është që, për të përshkruar momentet e kurorëzimit të saj, këto duket se u lënë vend foljeve të tjera, si “largohem,” “tërhiqem,” ose “kapitulloj.”

Qasja e Muhajt është origjinale, produktive dhe e nevojshme, por instrumentet e tij të analizës mund të duhet të rafinohen, duke filluar që nga kundërvënia e supozuar “veprore/pësore” në foljet (predikatet), nga e cila ai niset.

Ndoshta autori nuk ka dashur të rëndojë lexuesin e “Panoramës” dhe e ka thjeshtuar qëllimisht analizën duke lënë krejt jashtë nocionin e agjencisë; sepse përndryshe, unë aty gjej një farë pështjellimi midis kundërvënieve veprore/joveprore dhe kundërvënieve të tjera, kalimtare/jokalimtare, në analizën e foljeve.

Kështu, folja “largohem”, që përdoret për të përshkruar fundin e gjermanëve në Shqipëri, nuk është në trajtën pësore, por në trajtën mesore. Shqipja ka disa lloj foljesh mesore, mes të cilave edhe folje që tregojnë “vetë-lëvizje”, si kthehem, nisem, tërhiqem, zbythem, hidhem, zvarritem, ngjitem, rrotullohem, sulem, vërtitem, ndalem, etj. Nga ana tipologjike, foljet mesore afrohen me foljet vetvetore (refleksive) si lahem, të cilat tregojnë një veprim që subjekti e kryen ndaj vetes. Ndryshe nga ç’ndodh me pësoren, në këto forma të mesores dhe të  vetvetores agjenti dhe pësuesi (agens dhe patiens) përkojnë.

Njëlloj mund të ishte thënë “gjermanët ikën nga Shqipëria” ose “dolën” etj., duke përdorur folje në trajtën veprore; meqë rëndësi në këto kontekste nuk ka aq forma joveprore e foljeve, por natyra e tyre jokalimtare.

Të krahasohet kjo me një ndërtim kalimtar, të tillë si “forcat partizane i shpartalluan ballistët ndaj të gdhirë”, ku folja shpartalloj është jo vetëm veprore, por edhe kalimtare, meqë veprimi njëfarësoj “kalon” nga partizanët te ballistët.

Kalimtarësia, të paktën në kuptim, do të mbetej edhe po ta shndërronim fjalinë e mësipërme në: “ballistët u shpartalluan prej partizanëve ndaj të gdhirë”, ku folja “u shpartalluan” del në trajtën pësore, gjithë duke mbetur kalimtare – meqë kuptimi i saj nuk ndryshon dhe as qasja narrative ndaj ngjarjes.

Prandaj mua më duket se, në analizën që kërkon të ndërmarrë Muhaj, nuk janë format veprore dhe pësore që ngrenë peshë, por kalimtarësia (transitiviteti) i foljeve: në një kohë që ardhja dhe largimi i pushtuesve italianë dhe gjermanë trajtohet si të ishte një dukuri natyrore, e ngjashme me motin e keq, lufta mes partizanëve dhe ballistëve ose forcave të Legalitetit përshkruhet me folje kalimtare, të cilat shënjojnë veprime që kanë gjithnjë një agens dhe një patiens.

Historiografët e kësaj periudhe ndoshta nuk kanë qenë deri në fund të vetëdijshëm se, duke folur rregullisht për “largim” të pushtuesve ose “ikje” ose “dorëzim” janë duke pranuar – sado në mënyrë implicite – se Lufta Na-Çl nuk luajti ndonjë rol vendimtar në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit; në kuptimin që këta të fundit u larguan atëherë kur e panë të udhës, ose kur u detyruan nga faktorë strategjikë madhorë, pa lidhje me çfarë po ndodhte në Shqipëri.

Për të njëjtën arsye, përdorimi i foljeve kalimtare që përmend Muhaj, në përshkrimet e përplasjeve me “armikun e brendshëm” dhe “të shiturit dhe tradhtarët”, ose edhe “të gënjyerit”, tregon se edhe ata janë gati të pranojnë, gjithnjë me pavetëdije, se fitorja e 29 nëntorit 1944 lidhej, në analizë të fundit, me marrjen e pushtetit, jo me “çlirimin”.

5 Komente

  1. Shume interesante vertet. Historiografia eshte e bukur edhe per faktin se perdor ose i pranon edhe shkencat e tjera. Megjithate duhet pare gjithmone me shume rezerva kur ne ndihme i vjen gjuhesia. Sado interesante te jete eshte edhe qartazi me subjektive gjuhesia se cdo shkence tjeter

  2. Duke lexuar kete shkrim po thosha me vehte, e perse duhet t’i biem kaq gjate e ta sofistikojme kaq shume diçka qe eshte teper e thjeshte dhe dihet mire, pavaresisht se per arsye po qe dihen mire, palet jane te interesuara te marrin qendrime konfrontuese ndaj njera tjetres, njelloj si atehere kur edhe qelloheshin me arme mes njera tjetres. E po thurrja nje koment qe pak a shume do te tingellonte njelloj si paragrafi i parafundit i shkrimit. Po, zoti Vehbiu “you nailed it” kaq mjafton!

    Ne ate paragraf me shume pak fjale thuhet nje e vertete e madhe: ” Pushtuesit……u larguan kur e pane te udhes, ose kur u detyruan nga faktore strategjike madhore, PA LIDHJE ME CFARE PO NDODHTE NE SHQIPERI”.

    Thjesht, paster, bukur!

  3. Me pelqeu korrigjimi, z. Vehbiu, ca me shume se vete shkrimi i z. Muhaj. Me beri pershtypje i njejti fakt si ky qe permendni ju, kalimtaresia.

    Nga ana tjeter, teksa jam dakord me metodologjine, m’u desh te marr te mireqene faktin se tekstet ne thonjeza jane vertete ashtu sic citohen. Te pakten nje titull libri a teksti per cdo grup te permendur, komunist / ballist / zogist, do te kishte saktesuar subjektin e metodes.

    Nderkohe, teme me vete eshte dhe pyetja: sa i konsoliduar eshte shkrimi akademik ne fushe te historise ne Shqiperi? Sa te stervitur jane shqipshkruesit me ate stil te shkruari qe e paraqet historianin si ze sa mundet me neutral kur ben histori, pa marre ane, qofte edhe pa dashje? Nga kendi im, te vlefshem te dy artikujt.

  4. Duke u pajtuar plotesisht me perfundimet e autorit, dua te shenoj diçka mbi “objektin e vertete te shkrimit, pra “gramatiken e rrefimit historik”.

    Predikativiteti i historiografise mendoj se varet nga kendveshtimi dhe objekti i studimit.
    Ne kete lloj narrative objekti historiografik shnderrohet ne subjekt gramatikor. Keshtu p.sh. kur historianet flasin per betejen e Waterloo-se pergjithesisht e bejne kete ne funksion te objektit te vertete historiografik, Napoleonit, protagonistit, strumbullarit te zhvillimeve historike te Europes ne kapercyell te shek. XVIII-XIX. Prandaj ky objekt historiografik shnderrohet ne subjekt gramatikor, ne kryefjale:

    Betejen e Waterloo-se nuk “e fitoi” Wellingtoni, por e humbi Napoleoni, i cili “u mund”, “u mposht”, “u thye”.

    Po kjo vlen, besoj, edhe per çdo lloj diskursi tjeter. P.sh. ne nje emision televiziv qe ka per objekt luanet e Afrikes, narratori thote se luani “e hengri” sorkadhen, dhe po ai luan “mbrohet” nga ligji si specie ne zhdukje e siper qe te mos “vritret” nga gjahtaret.

    Ndersa ne nje roman me aventura gjahtaresh objekti i rrefimit jane bemat e gjahtareve, te cilet behen kryefjale gramatikore: prandaj gjahtaret “e vrane” luanin, jo luani “u vra” nga gjahtaret.

    Per t’u kthyer te shkrimi i Muhajt, objekti i nje rrefimi propagandistik dhe mitizues si vellimet “Yje te pashuar” eshte heroizmi i partizaneve, te cilet “e shartalluan”, “e shporren” armikun dhe “e çliruan” atdheun.

    Ndersa per nje historian qe ka dy fije mend ne koke gjermanet nuk i “deboi” kush, por “u larguan” vete.

  5. Nderkohe qe gjermaneve nuk u kishte mbetur gje tjeter veçse te “largoheshin” nga Shqiperia,sepse ishin thyer ne beteja te tjera strategjike te L2B, ku qe vendosur fati i Evropes, “veproresia” e Luftes se Vlores ne menyre formale shpjegohet sepse shqiptaret ishin vetem per vetem perballe italianeve. Jemi jashte L1B. U perleshen dhe i hodhen ne det. Ky eshte versioni zyrtar, se versioni me pak zyrtar thote se edhe kjo lufte nuk u vendos ne Vlore por ne Itali. Edhe nga Vlora italianet u detyruan te “largohen”. Askush nuk thote se ne ate kohe ne te gjithe Italine u zhvilluan protesta te fuqishme kunder vazhdimit te pranise italiane ne anen tjeter te Adriatikut. Militatante e partise socialiste (gjerat duhet thene ashtu siç kane ndodhur) bllokuan te gjitha portet italiane. Pati raste kur tanket kaluan e shtypen protestuesit, por perfunimisht asnje anije nuk u nis nga ato porte per te furnizuar me arme garnizonin e izoluar italian ne Vlore. Ashtu siç erdhen punet, per Piaçentinin nuk qe e veshtire te kuptonte se çfare po luhej ne skenen politike. Dhe u muar vendimi te “largohet”, duke u lene banoreve te atyre aneve shijen e fitores “veprore”.
    Por rendesia e trajtave te foljeve ne historine “strategjike” te Shqiperise, duhet kapur edhe nje çike me siper, kur garnizonet turke kishin bere gati valixhet per te ikur dhe kur I. Qemalit, i mjaftonte te paraqiste ndonje çope shkrese per te zbritur deri ne Vlore…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin