FYELLTARI MAGJIK I HAMELIN-IT

Shumë do ta mbajnë mend, nga fëmijëria, përrallën e fyelltarit magjik, që ia rrëmbeu fëmijët qytetit Hamelin, në Gjermani.

Qytetit po ia zinin frymën minjtë, kur një ditë prej ditësh u shfaq atje ky fyelltar, i veshur me rrobe shumëngjyrëshe për t’u premtuar që mund t’ua largonte të keqen, përkundrejt një pagese.

Qytetarët pranuan, fyelltari filloi të luajë me fyell, minjtë e ndjellë nga muzika dolën nga vrimat dhe e ndoqën magjepsësin e tyre nga pas, derisa u larguan nga qyteti.

Hamelin-i shpëtoi kështu prej minjve, por banorët refuzuan që t’ia paguajnë hakun fyelltarit. Atëherë ai u kthye një ditë tjetër, filloi t’i binte fyellit sërish dhe këtë herë ishin fëmijët e qytetit që e ndoqën nga pas, për të mos u parë më.

Në anglishte, fyelltari magjik i kësaj përralle njihet si Pied Piper.

Del tani se kjo figurë gjysmë mitike, gjysmë djallëzore të Mesjetës i paska frymëzuar edhe strategët e fushatës presidenciale të Hillary Clinton-it në hartimin e planit të fitores.

Një nga e-mailet “e rrjedhura” prej Wikileaks, i datës 7 prill 2015, artikulon disa pika kryesore të strategjisë që staff-i i Hillary-t ia propozon Komitetit Kombëtar Demokrat, në lidhje me qëndrimin që duhet mbajtur në publik dhe në media ndaj kandidatëve të Partisë Republikane.

Siç e shpjegon edhe një analizë e Ben Norton në Salon.com, ku jam mbështetur gjerësisht për këtë shënim timin, dokumenti në fjalë është pjesë e një komunikimi të dendur me John Podesta-n, shefin e fushatës presidenciale të Hillary-t.

Thuhet mes të tjerash në memo (anglisht këtu):

“Të detyrohen të gjithë kandidatët Republikanë që të kyçen në pozicione konservatore të skajshme, të cilat do t’i dëmtojnë kur të vijë koha e zgjedhjeve të përgjithshme.”

Kjo strategji do të “operacionalizohej” nëpërmjet kandidatëve flautistë magjikë (Pied Piper Candidates) dhe pikërisht duke i ndihmuar kandidatët “më të skajshëm” të shndërroheshin në magjistarë të turmave, deri atje sa të përfaqësonin realisht mainstream-in e Partisë Republikane.

Në anglishten e sotme, sipas fjalorit Merriam-Webster, Pied Piper ka kuptimet (1) dikush që ofron ngashënjime të forta, por deluzionale; (2) një udhëheqës që bën premtime të papërgjegjshme; (3) një person karismatik, që tërheq ndjekës.

Ideja gjeniale e Podesta-s & Co., pra, ishte që të mbështeteshin pikërisht ata kandidatë, mes Republikanëve, që premtonin më shumë si demagogë, ose ngashënjyes karismatikë të turmës.

Dhe cilët ishin këta Pied Pipers, që do të përkraheshin fshehurazi prej strategëve të Hillary-t?

Memoja i përmend me emër: Ted Cruz, Donald Trump dhe Ben Carson.

Ne duhet t’i lartësojmë këta kandidatë Flautistë Magjikë, thuhet në memo; në mënyrë të tillë që ata të udhëheqin grigjën; dhe t’i themi shtypit që t’i marrë seriozisht.

[“We need to be elevating the Pied Piper candidates so that they are leaders of the pack and tell the press to [take] them seriously.”]

Lexojini me vëmendje rreshtat më lart; sepse kaq e suksesshme rezultoi strategjia e hollë e hillarianëve, sa njëri prej flautistëve të identifikuar prej tyre, Donald Trump, sapo i fitoi zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Për arsyet e kësaj fitoreje do të diskutohet shumë; por le të mos harrojmë ç’paska përfituar Trump-i prej makinacioneve bizantine të ekipit të rivales së vet – të cilët e pompuan me shpresën se pastaj do të ishin në gjendje ta shembnin lehtësisht përdhé, si diletant, jo të besueshëm dhe përçarës; për shkak të pozicioneve të tij të skajshme.

Kësisoj Trump-i jo vetëm u përkrah tinëzisht prej Demokratëve së paku në fillim të fushatës, por edhe – në një farë mase – u krijua prej tyre, duke u përzgjedhur sipas kritereve të përvijuara në memo.

Mesazhe të tjera të bëra publike nga Wikileaks, thuhet në artikullin e Salon-it, dëshmojnë si, teksa Clintonistat po ia bënin më të lehtë ngjitjen Trump-it, ata njëkohësisht po i vinin shkopinj në rrota fushatës së Bernie Sanders-it, deri atëherë mjaft e suksesshme, sidomos në nivelin grassroots.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin