MAGJISTARËT E MUREVE

Raportet e gazetarisë me artet dhe kulturën në dekadën e fundit. Një kod komunikimi që ruan status quo-në e izolimit dhe konformizmit

Duke hedhur shënimet për këtë tekst, mendoja për një titull. Zakonisht, kur dua të shkruaj diçka nisur nga një ide, titulli më hap një shteg orientues. Ai ia beh si bashkim imazhesh që duhet t’i lidhësh në fjalë. Më ngacmonte për titull “Një katror i zi në një mur të bardhë. Nuk është Malevich”. Mbase ngaqë ky tekst u destinua në fillim për një galeri arti. Edhe nëse do të sugjeronte një vështrim bardhë e zi, e bardha dhe e zeza mbeten dy ngjyrat e vërteta që gjenerojnë gjithë ngjyrat.

Nga shkëndija “Malevich” po ruaj fjalën mur, si çelës për atë që dua të trajtoj këtu, që buron nga një kalim në arkivin tim të shtypit.

Ndjesia se një realitet normal është vendosur, se tranzicioni politik, ekonomik është lënë pas,  – nuk mund ta them nëse artet dhe kultura kanë bërë ndonjë zhvendosje për t’u shënuar – krijon përshtypjen që muret janë rrëzuar. Muret, në fakt, janë këtu. Ka hapësirë aq sa ka mungesë të hapësirës, ka liri në atë masë që ka kontroll.

Ndryshe nga magjia, në kuptimin e diçkaje që vepron në mënyrë të mrekullueshme, mbinatyrore, që mund ta kapë shqisa e gjashtë, përdorimi i kësaj fjale në titullin tjetër që doja t’i vija këtij teksti, “magjistarët e mureve”, përmbledh si shenjë marrëdhëniet e pakapshme mes nesh, të cilat vetëdija, intelekti mund t’i perceptojë kthjellët në fund të një procesi.

Njohja në kohë reale që ofron gazeta dhe media elektronike, është njohje e ditës, e zakonshme, akute dhe e ngushtë, që prodhon më së shumti informacion. Por në distancë kohe, media, shtypi në veçanti, kthehet në një organon të njohjes dhe të dijes së mirë për vendin dhe shoqërinë ku jetojmë.

Po kaloj disa orë në arkivën time të shtypit të shkruar, që fillon në vitet 2000, për të parë gjurmët e kohës, për t’i përdorur në krijimin e një teksti për realitetin e arteve dhe kulturës në media, që rezulton të jetë pasqyrë dhe për median vetë.

1.

Do ta nisja nga subjektet. Nga temat e lëndës së parë, e realitetit. Me siguri them që kjo lëndë e parë Shqipërie e përcakton mënyrën, metodën dhe stilin e të punuarit të një gazetari dhe bashkë me temperamentin, zellin dhe interesat e tij, përbëjnë gazetarin, përbëjnë qëndrimin e tij ndaj botës.

Jam ndodhur para tri situatave në çastin kur duhej të shkruaja kronikën time të parë për gazetën “Koha Jonë”: Cirku i Tiranës i mbetur pa çadër; suksesi i një teatri privat që funksiononte në hyrjen kryesore të Teatrit Kombëtar; diplomimi i studentëve në Akademinë e Arteve.

Tri situata që me domethënien që u ka dhënë koha dhe perceptimi im në një kohë tjetër historike, shprehin diçka më shumë se realiteti adekuat i ditës:

Cirku – një shoqëri me nevoja materiale, por e dobët dhe aspak serioze në mënyrën se si i kërkon të drejtat e saj bazë; zhvatja e teatrit shtetëror nga një teatër privat i quajtur “Rubairat”, ironi për jetën pas bollëkut dhe kolapsit të 1997-’98-ës; dhe Akademia e Arteve, vendi i mbiprodhimit të disa brezave artistë me diplomë.

Zgjodha për të raportuar mbi temën e tretë. Kujtoj sallën ku bëhej mbrojtja e diplomave të studentëve të arteve pamore, kordonin e pedagogëve që krijonin një rreth. Si në një rreth ceremoniali tribal, prej të cilit bashkë me të nxehtët e korrikut çlirohej energjia e armiqësive personale, e shijeve grindavece për artin dhe politikën. Brenda këtij rrethi, diplomanti mërmëriste i zverdhur, i ndrydhur, i çorientuar, i dëshpëruar.

Ky është për mua nga imazhet më jetëgjatë – imazh pseudoezoterik – që tregon se si funksionon akoma një institucion formues arti ku qenia natyrale, pra natyra njerëzore dominon qenien kulturore, do të thotë natyrën e institucionit, rregullit, ligjit.

Të rinjtë i mbronin punët e diplomës para artistëve pa vepra, profesorë me tituj shkencorë pa patur studime dhe kërkime; dashamirës të eklektizmit për të cilët çdo formë me pamjen e eksperimentimit hahet; dhe grupi i fundit përbëhej nga disa pak me praktikë artistike dhe formim teorik të shëndetshëm, që të vetëdijshëm për rrethanat ku vepronin ishin bërë nihilistë: “Non possumus.”

2.

Besimi i profesorëve të Akademisë se një ministër kulture si Edi Rama (që kishte dalë nga Instituti i Arteve) kishte për të ndryshuar diçka, doli shpresë qorre. Me Edi Ramën, parabola e djalit plëngprishës që kthehet një ditë për t’u gjunjëzuar te pragu i Arteve, gjeti praktikë në kah të kundërt. Promovimi me bujë i kinemave-kafene dhe rrafshimi në heshtje i disa të tjerave “17 Nëntori”, “Ali Demi”, “Republika”, për të ndërtuar pallate e qendra tregtare, ishte prelud i aksioneve për betonizimin e kryeqytetit. Në krye të Bashkisë së Tiranës, në vjeshtë të vitit 2001, Rama zbulon se Teatri Kombëtar nuk plotëson kushtin minimal të mbrojtjes nga zjarri. Debati “të shembet apo jo Teatri Kombëtar”, zbriti në televizion, në transmetim të drejtpërdrejtë, e rrallë për kohën.

Kujtoj nga ai debat sfondin e elokuencës që përdorte Edi Rama si mjet manipulimi, çka gjen vazhdimësi 15 vjet më vonë në kryeministri, në Qendrën për Hapje dhe Dialog ku na përcillet një ide e shtirur për kulturën. COD, një “kal Troje” për gjithë hapësirën e centralizuar kulturore që është në kushtet e mbijetesës. COD, një realitet imagjinar në kokën e atyre që e kanë krijuar. Imazh i bovarizmit politik në sajë të cilit një kryeministër dhe një pakicë pranë tij, fabrikon tjetër mendim për veten dhe kulturën nga ç’është në të vërtetë.

Një subjekt me impakt të gjerë në publik sërish në vjeshtën e 2001-shit është Bienalja I e Tiranës (Rama shfaqet si president nderi). Reagimi i publikut dhe i opinionit publik ka qenë i ashpër sidomos me dy momente: performanca e një artisti i quajtur Tino Seghal, i cili urinon në ceremoninë e hapjes në Galerinë Kombëtare të Arteve; dhe fotot e Dimitry Bioyt me të miturat nudo. Po vinte në skenën kulturore një ekspozitë që krijonte takim shokues me kulturat e tjera, e prezantuar si sensacion i artit për Shqipërinë ku rëndësi ka të flitet për këtë vend, çfarëdo që të thuhet. Kishte artistë vendas që e quajtën “barbari” aktin e Seghalit, dhe rastin e Bioyt e interpretuan në bazë të Kodit civil dhe penal.

Po roli i gazetarit të artit dhe kulturës?

3.

Në rrethana si kjo gazetaria ngre mure spekulative. Bëhet aktive ndaj problemeve materiale dhe etike në kulturë, krijon idenë se po merret me kritikë dhe investigim, siç mund të bëjë kronika e zezë, dhe mbulon paaftësinë për të qenë skeptike dhe kritike në mënyrë të arsyetuar me vlerën cilësore të produktit artistik dhe kulturor.

Lexuesit janë mësuar ta marrin këtë natyrë informacioni për forcë zakoni. Futja në rrjedhën e forcës së zakonit i bën lexuesit pasivë dhe indiferentë. Brenda forcave të zakonit e shoh shtypin kulturor shqiptar. Në thelb, nuk e njohim lexuesin tonë.

Një gazetar që shkruan ditë pas dite, për vite me radhë, për nevojat bazike që ka kultura, e ka të pashmangshme të mos i shterojnë pretendimet për t’u marrë diçka më shumë me artin, me aspektin krijues. Kjo e ka zbritur gjuhën në nivel fillestar. Gjuha varfërohet në varësi të subjektit, në varësi të domethënies, të asaj që do të shprehësh.

Subjektet e varfra i japin përparësi raportimit me burime dhe citime. Ky është një proces fotografik i realitetit që vjen e kalon në redaksi nëpër një tjetër proces montazhi dhe retushimi të dëshmive, bisedave, fakteve. Sepse redaksia ndjen “si detyrë” të përcaktojë për gjërat krahun e vet politik. Gazetari dorëzohet para modifikimit dhe humbet kontrollin ndaj lajmit, faktit, ndaj punës së vet. Kur ky proces bëhet i përditshëm, brenda pak kohëve ndodh asimilimi i krejt praktikës.

Drejtuesit në nivel redaksional, në emër të gjoja paanshmërisë profesionale, kanë nxitur uniformitetin, krahas armiqësisë kur shihnin shprehje të individualitetit në raportimin për kulturën.

Nuk pijnë ujë parimet e Kodit Etik të Gazetarit ku thuhet se redaksia duhet të njohë të drejtën e gazetarëve për të mos pranuar detyra të caktuara, apo për të mos u identifikuar si autorë të punëve gazetareske që shkojnë kundër Kodit Etik.

Sipas kësaj mënyre të punuari, gazetari vetëm në sipërfaqe është mbrojtës i pronës publike. Një shfaqje merr rëndësi kur bëhet në hapësirën e Teatrit Kombëtar, një ekspozitë kur hapet në Galerinë Kombëtare e me radhë, duke e parë pronën publike të lidhur vetëm me shtetin.

Iniciativave private u duhej shumë mund të vinin në vëmendjen e publikut. Mediat tek ne, duke qenë biznes ngushtësisht privat, madje familjar, janë në gjendje të zhdukin nga hapësirat e tyre “produktin privat” të tjetrit, për shembull librin, sepse e shohin si ndotje që konkurrentët ua bëjnë në fole. Përvoja në të përditshmen “Shekulli”, për të ruajtur aty një rubrikë për librin, është shoqëruar me debate nga më absurdet që synonin përjashtimin jo të Lessingut, Grassit, Ecos, po të botuesit që i sillte në shqip. Kësisoj raporti për librat kthehej në një kauzë që s’i takonte më kulturës po mbijetesës së censurës që ushtronte pronari.

Janë krijuar ndërkohë grupe mediatike që mbahen në masën më të madhe nga gazetarë migratorë, do të thotë, që duke kaluar nga një media në tjetrën, janë mësuar me mekanizmin e kontrollit të informacionit dhe nuk e ndjejnë nevojën t’i rezistojnë formave të tjera gjysmë demokratike që përdor gazeta e re.

Shtypi reflekton gjerë dhe thellë statusin, formacionin kulturor, social, ekonomik, dhe jo më pak të rëndësishmin, orientimin politik të botuesve dhe të drejtuesve mediatikë. Më duket se kjo përcakton një karakteristikë tjetër të gazetarisë kulturore si gazetari profane. Drejtuesit tanë nuk kanë punuar në terren, nuk shkruajnë pothuajse kurrë, nuk frekuentojnë botë kulturore. Jo vetëm drejtuesit në nivel gazetarësh, por sistemi në tërësi ka qenë dekurajues për të krijuar një nivel cilësor raportimi dhe analize për kulturën.

Koha rrjedh. Ndodh një ditë, siç na e kujton Zygmunt Bauman, që “kompanitë ku ke punuar falimentojnë, që kërkesa për aftësitë e tua zhduket, sepse kërkohen zotësi të tjera për të cilat ti nuk di gjë, arritjet nuk akumulohen… kujtimi i suksesit tënd të fundit zgjat shumë pak. Pra nuk ke më një projekt jete”.

Atëherë çfarë ka për të përfaqësuar kjo lloj “trashëgimie” që një brez gazetarësh i lë një tjetri?

4.

Asnjë keqardhje nuk i justifikon përgjegjësitë që media i ka shpërdoruar në nivelin e aktualitetit dhe në nivelin e çfarë duhet rikuperuar, dhe çfarë duhet harruar, pra në nivelin e restaurimit të memories. “Media thellon hendekun mes shkencës dhe përfytyrimeve kolektive”, thotë Roland Barthes, në këtë mënyrë i fabrikon media mitet.

Ndryshimet e datimeve, e kufijve kohorë për hapësirën historike, përmbysja e këndshikimit të heronjve pozitivë a negative për hapësirën letrare, bëhen pjesë e restaurimit sërish mbi bazën e kontrasteve. Deformimet e kësaj natyre dhe “çuditë” që dalin prej tyre janë subjekt i preferuar për atë që do ta quaja “gazetari e mutacioneve”.

Për këto arsye kanë tërhequr vëmendjen, në planin e arteve, dhe pak më ngushtë në sferën e spektaklit të gjallë, interpretimi i ri i legjendave (sa për të përmendur një: “Utopos”, dramë e Stefan Çapalikut bazuar në legjendën e murimit, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga Rikard Ljarja në vitin 2001) apo i veprave kult të realizmit socialist që për t’i aktualizuar rivendosen në një matricë ironie (shembull: “Cuca e Maleve” e Loni Papës në versionin koreografik të Arian Sukniqit). Gazetari nuk dallon nevojën e artistit shqiptar për të dekonstruktuar, nuk ndan nëse është dështim apo mashtrim i këtij artisti me dëshirën për të provuar një praktikë krijuese e tejkaluar tashmë për Evropën e viteve ’60.

Në thelb ka një kompromis mes palëve: çfarëdo të krijojë artisti, gazetari nuk bën përpjekje për ta parë përtej raportimit dhe vlerësimeve afirmative. Antonio Gramshi konfirmon se “themeli i çdo veprimarie kritike duhet të mbështetet në aftësinë për të zbuluar ndryshimet, dallimet, përpos çdo njëtrajtshmërie e ngjasimi të përciptë dhe të rremë”.

Kur ndodhte që kjo aftësi ta tregonte veten, ngrinte kokë një agresivitet mes vetë gazetarëve, pra neutralizohej zëri kritik i kolegut.

Korruptimi i aftësive kritike të gazetarit nga mjedisi, nga artistët vendas kërkon energji më vete. Konfidenca është vdekje e ngadaltë dhe e sigurtë në këtë zanat. Vendi ynë është aq i vogël sa kudo do ndeshësh artistë për të cilët shkruan. Është e pashmangshme që në këndin e tij në gazetë apo ekran, gazetari të mos reflektojë veten si qenie natyrale që qëndron në raporte ndërpersonale me botën, grupin, klanin.  Gjë që nuk do të thotë se gjeografia përcakton distancën e gazetarit ndaj subjekteve.

Fjala shqiptar, si kryefjalë apo cilësor është nga më të përdorurat në titujt kulturorë. Edhe atëherë kur gazetari as ka mundësi ta prekë dhe verifikojë burimin, thjesht ngaqë burimi ndodhet jashtë gjeografisë së botës shqiptare. Mjafton që subjekti të ketë sado pak lidhje, qoftë dhe në mënyrë aksidentale me Shqipërinë, për të ushqyer atë fenomen, që media si pjesëmarrëse në krijimin e opinionit publik, fillon dhe e ndërton si stereotip.

Stereotipi e ka dhënë impaktin negativ në glorifikimin e një “identiteti shqiptar” të kohës së sotme. Ky stereotip i rrafshon individualitetet krijuese duke evidentuar kombësinë, etninë si shenja të veçanta të një race të veçantë tek ajo kategori artistësh që jetojnë dhe krijojnë jashtë Shqipërisë. Ka nga këta që e kanë deklaruar se shqiptaria është një përmasë që s’ka të bëjë me vlerën e artit. Territori i vogël i vendit prej nga vijnë, mund të marrë në vepër përmasën e një shqetësimi të madh, madje ky territor vetëm sa përligj një gjendje njerëzore universale. Sukseset e tyre individuale janë parë si barka të vogla shpëtimi për imazhin e komuniteteve shqiptare në emigracion.

Në të vërtetë, kjo modë gjykimi afirmative e gazetarisë po vjen duke u zbehur, sepse klisheja ka një kulm ku ndodh një ditë dhe rënia.

Stereotipet e reja mund të duket sikur krijojnë disonancë me përlavdimin e ikonave të së shkuarës. Për titujt “Mjeshtër i Madh”, “Artist i Merituar”, “Nderi i Kombit” dhe për homazhet funerale në hollet e teatrove, ministrive, akademive, punojnë me të njëjtin zell institucionet shtetërore dhe mediat.

Është i njëjti kod komunikimi që ka dashur ta ruajë të paprekur kultin për origjinat, për lashtësinë, për shqipen e shkruar – për t’i shtyrë kufijtë në shek.XIV – për Skënderbeun e Nënë Terezën, e deri tek këmbëngulja për ta patur mes nesh armën me të cilën gati sa nuk u vra Musolini. Pa harruar tek ky konfirmim i së shkuarës përsëritjen e rrënjosur “Kadareja është Kadareja”.

Restaurimi i memories u shfaq me gjithë plotësinë e vet në 100-vjetorin e Pavarësisë. Nxjerr nga arkivi artikullin “Kuaj dhe biçikleta – Një shekull Shqipëri përmes materialeve arkivore” ku flitet për një dokumentar pa standard – gjinia e dokumentarit nuk lindi kurrë tek ne – dhe nëpërmjet një interviste me regjisorin Saimir Kumbaro trajtohet çështja e shërbimit me të tepërt që shfaqin autorët shqiptarë në favor të grupit politik që është në pushtet. Materiali në fjalë, për periudhën bashkëkohore i bënte elozh anëtarësimit në NATO dhe linte jashtë përmbysjen e shtetit dhe humbjet njerëzore në vitin 1997. “Ne nuk heqim dorë nga një lloj servilizmi për të paraqitur arritjet e atij që është në pushtet”, thotë aty Kumbaro. “Dhe kjo po na dëmton shumë. Shpesh këtë lloj servilizmi e quajnë “autocensurë”.”

E njëjta gjë ka ndodhur në Muzeun Historik Kombëtar, ku pavijoni i krimeve të komunizmit është ribërë disa herë, në varësi të premtimeve elektorale për komunitetin e ish-të burgosurve e të përndjekurve politikë.

Atij bovarizmit politik të pëmendur më lart, të kishim t’i vendosnim përballë Antigona, njerëz të aftë për t’i rezistuar joshjes së pushtetit dhe për ta tronditur sa herë të jetë e nevojshme.

5.

Në arkiv janë ruajtur shkrime të autorëve me të cilët kam bashkëpunuar tek “Shekulli”, për faqet e kulturës po edhe për rubrikat e opinioneve dhe analizave, kur shkruanin Fatos Lubonja, Ardian Klosi, Ardian Vehbiu, Maks Velo, Arbën Xhaferri, Ervin Hatibi, Mustafa Nano, Pëllumb Kulla. Në thelb mendimi i tyre kritik mund të shprehej kështu: “Zoti krijoi Shqipërinë, shqiptarët e zhbënë atë.” Me sa di, të gjithë këta autorë, me një a dy përjashtime, nuk ishin fetarë. Ishin besimtarë në një kuptim laik të fjalës, në kuptimin e vetëdijes ndaj kulturës, ndaj botës shqiptare. Ishin kritikë pse nuk po aspironim dot një botë laike-demokratike. Them se ata kanë besuar që fisnikërimi i lexuesit është i mundur edhe nëpërmjet faqeve të gazetave.

Gazetari ndodhet nën presionin e humbjes së lirisë dhe kultivimit të një dijeje profane, për gjithçka dhe për asgjë. Prandaj nuk i mbetet veç puna e përditshme shpirtërore dhe mendore që do t’i siguronte atij gjykimin e pavarur mbi botën kulturore dhe për të përballuar me dinjitet margjinat e redaksive, bizneseve mediatike, pse jo vendin e papërfillshëm në shoqëri ku ndodhet  aktualisht.

Nuk ka për ta lënë në baltë temperamenti me të cilin identifikohet zjarri i brendshëm, kërkimi i emocioneve të forta të fjetura: kur ndjen vibrimin në dru e dorës së një gruaje mbi supin e Tutankamunit, 1300 vjet para Krishtit; kur lexon për sekretin e pasqyrës në “Martesën e Arnolfinit”; kur dëgjon monologun e centaurit nga “Medea” e Pasolinit; kur prek pafajësinë e një engjëlli studioje në fotografitë me film të Albes Fushës.

Tani në mbyllje, nuk gjej fjalë më të përshtatshme se të Günter Grassit për ta përshkruar këtë kalim në arkiva si një proces diskret që të ndodh kur je “duke qëruar qepën”… Kujton frikën, dobësinë, pasigurinë, pafuqinë që mund ta çojnë njeriun në përulje. Kujton kënaqësinë e mundimshme për ta dashur këtë kulturë prej elephant man-i dhe thua se ja vlen t’i kushtohesh këtij zanati për të cilin qëllimisht dhe gabimisht na është thënë që vdes çdo ditë.

 


Laboratori i diskursit kritik shqip synon t’i ofrojë lexuesit një seri esesh të përzgjedhura me temë nga fusha e kulturës, nisur nga bindja se kultura shqiptare sot ka nevojë të ngutshme për tekste që ftojnë lexuesin për reflektim dhe kritikë; për t’u shkuar më thellë disa temave kyçe të kulturës sot, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfituar nga artikulimi më i gjatë i eseve dhe nga instrumentet e diskursit kritik.

Qëllimi i këtij projekti është që të funksionojë si laborator për të praktikuar dhe zhvilluar një lloj kritike, publicistike dhe eseistike që nuk ofrohet dhe nuk mund të ofrohet në formatin ekzistues të mediave elektronike të bashkëlidhura me gazetat dhe televizionet; si dhe të shtypit të përditshëm.

E kemi quajtur laborator me idenë se mendimet dhe analizat që do të përfshihen nuk duhet të merren si autoritare (ndonëse shumë prej kontribuuesve e kanë autoritetin e duhur) por si  pikënisje për të mundësuar ndërveprimin dhe shkëmbimin e ideve mes autorëve, kritikëve, krijuesve dhe publikut. Zërat e përfshirë në këtë seri janë nga fusha të ndryshme (historianë, muzikologë, kritikë e historianë arti, gazetarë), prandaj secila ese do të reflektojë qasjet dhe stilet unike të këtyre

Kjo seri është në vazhdim të politikave editoriale që Peizazhe të Fjalës ka ndjekur që në fillim; me përjashtimin se autorët do të shpërblehen me një honorar modest.

5 Komente

  1. “Koha rrjedh. Ndodh një ditë, siç na e kujton Zygmunt Bauman, që “kompanitë ku ke punuar falimentojnë, që kërkesa për aftësitë e tua zhduket, sepse kërkohen zotësi të tjera për të cilat ti nuk di gjë, arritjet nuk akumulohen… kujtimi i suksesit tënd të fundit zgjat shumë pak. Pra nuk ke më një projekt jete”.

    Po, koha rrjedh dhe te duhet edhe te marresh nje vendim. Ndoshta te duhet te hedhesh pas, edhe me cinizem per veten, kohen kur ishe aq naiv sa te besoje se puna jote vlente, se gara per raportimin e cilesine e shkrimit ekzistonte me te vertete, e kur ajo qe thuhej ndihmonte per te zbardhur dicka. Ja qe nje dite kupton se gazetaria konsiston ne fermentimin e lojes se interesave, ku gazetari merr pjese – ne rastin me te mire – me nje rol gjysmak, ndonje bakshish, ndonje lek, ndonje trafik i vockel mjeran influence dhe ne rastin me te keq – merr pjese ashtu thjesht me besimin e vet te gazetaria. Duke bere lajmin, vlera e te cilit shkon gjetke. Ai i pari hyn te kategoria e “te zgjuarve”, i dyti…kuptohet vete.

    Sa shume do jene zgerdhire me kete gje punedhenesit, duke mbyllur pazaret tavolinave! Ndaj eshte koha te besh gati rraqet e t’i hapesh vendin nje “gazetari te ri”, atij qe punon e jeton per te blere nje telefon te ri ne fund te muajit. Ai ka per ta kapur ne ajer lojen qe behet, e befas me mundesite online, mundet qe krahas punes tek ustallaret e vjeter, te hape edhe nje blog te vetin. Ku t’i bjere me sa ka fuqi “te liges”.
    Nuk jam edhe aq dakord me humbjen e lirise. Atmosfera e intoksikuar me liri ka udhezuesit e vet: Udha e mbare!

    Puno freelance, shkruaj dhe ha inat gjithe diten. Une si lexues i shoh nje te mire kesaj. Ti stervitesh per te kapur qe ne titull se perse eshte bere nje shkrim e nje tjeter. Keshtu nuk i harxhon kohen vetes duke u ulur si dikur student, e duke lexuar thuajse cdo gje. Eshte luks te jesh kaq budalla. Dhe kete edhe budallai heret apo vone e kupton. E kam fjalen per gazetaret budallenj.

    1. Puna e gazetarit të mirë gjithnjë vlen – sepse gjithnjë ka njerëz që do ta dallojnë të mirën nga e keqja, kompetencën nga inkompetenca, të drejtën nga e shtrembra. Aq më i vyer është gazetari i mirë në kohë si këto të sotmet, ku duket sikur sundon maskarallëku – sepse u jep njerëzve shpresë. Në mos për tjetër, shpresë se nuk janë vetëm. Elsa është një nga këto. Edhe ti, n!, je gjithashtu – sepse ta njoh dorën.

      1. Falemnderit, e kisha harruar 🙂

        E risolla ne fakt sepse me duket pak e cunguar menyra (edhe pse kalimthi) si e ka prezantuar Elsa ne shkrimin e vete bienalen e pare.

        E megjithate, duhet pranuar se Rama i asaj kohe ishte shume me origjinal se ky i sotmi. Prezantimi me bienalen dhe artin kontemporan (me te mirat dhe te keqijat e veta) ishte shume me autentik dhe provokues ne ato vite sesa sot, ku duket se qellimi i vetem i COD apo brockullave te tilla eshte vaniteti dhe show prej snobi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin