ZBARDH DITA TJETËR

Jess-i dhe unë kishim ndenjur mbyllur në ‘kasolle’ gjithë pasditen, duke u marrë me financat e TOKA-s. Andej nga ora 5, Alfredi nxori kokën te dera. “Po iki në Bajram Curri!” tha, dhe unë i thashë “Kur do të kthehesh?” sepse kemi pasur ca fërkime tani së voni për të ngrënat, mungesën e tyre, ose orën se kur janë gati, ose mungesën e atij që pritet t’i konsumojë, ose pikërisht Alfredit, prandaj thashë që ta pyesja. “Nuk e di,” më tha Alfredi hareshëm, dhe iku. M’u duk pak si e çuditshme, që nuk hyri brenda. Jess-i dhe unë u pamë në sy dhe ngritëm supet.

Kur hodha një sy përjashta më vonë, vura re se makina ishte akoma këtu. “Me çfarë dreqin ka shkuar në Bajram Curri?” mendova, dhe ngrita supet sërish.

Nja dy orë më vonë, po diskutonim nëse të vazhdonim akoma punën, apo të shkonim dhe të bënim pak darkë. “Puna është,” thashë unë, “nëse Alfredi do të mërzitet më shumë po ta gjejë ‘kasollen’ të mbuluar me një qilim faturash dhe dokumentesh, apo po të mos e gjejë darkën gati. Po i bëj një zile.” Dhe ashtu bëra.

“Alo!” më tha, gjithnjë hareshëm. “I’m in prison [jam në burg].”

“Ç’ke shkuar të bësh në Kosovë?” I thashë, se prison m’u dëgjua si Prizren.

“Jo PRIZREN,” më tha. “PRISON.” Dhe qeshi.

“Si, si?” i thashë. “Në burg? Pse ke shkuar në burg?”

Linja e telefonit po më dukej e huaj, si një flluskë. Një flluskë e madhe, plot jehona.

“Ashtu-ashtu-ashtu,” tha flluska. “Mos u bëj merak, këtu është ngrohtë. Duhet ta mbyll tani.”

“ÇFARË?” I thashë. “Prit, prit.” vazhdova. “Çfarë të bëj unë? Të vij aty, të të sjell gjë? Të bëj ndonjë gjë tjetër?”

“Jo, jo,” tha flluska. “Shiko,” tha pastaj. “Ata po presin, që të ma marrin telefonin.”

“Po mirë,” i thashë. “Por nuk të dëgjova mirë, pse je në burg?”

“DIÇKA QË LIDHET ME SAHATIN E ELEKTRIKUT,” tha, “tani po nxehen, duan të ma marrin telefonin. Mos u shqetëso.”

“Po mirë… “ I thashë, dhe me aq u mbyll.

Ç’nuk të vjen në mendje, në këto momente. Duke filluar nga një verifikim automatik për fajësi. Pastaj, reagimi i të tjerëve: “Çfarë THUA, moj: Alfredi në BURG?” Çfarë them? Burgu është për njerëz të ligj. Burgu është problem. Burgu në Shqipëri mund të jetë edhe thjesht një motel për të kaluar natën. Burgu për aktivistët? Burgu është për të bërë presion.

Burgu është absurd.

Reagimi im i menjëhershëm është që të filloj të gatuar darkën. Në qoftë se Alfredin e nxjerrin nga burgu, do të nevrikoset shumë, po të mos e gjejë gati.

Prandaj edhe vihem të gatuaj.

Darka është absurde.

Ç’dreqin po bëj, që gatuaj?

Ndal së gatuari dhe shkoj te kompjuteri. Ulem këtu, përballë ekranit, dhe mendoj. Mendoj, pastaj nis të shkruaj.

Natyrisht, gjithnjë është e mundshme, që kjo mesele të mbetet e vogël, lokale. Që Alfredi të jetë tani në burg, në prison, në Prizren, duke luajtur shah me kushërinjtë e vet. Se bëhet fjalë për një keqkuptim, një teknikalitet, dhe do ta lirojnë sakaq, dhe në mëngjes do të kthehet në shtëpi, gjithë gaz. Duke qeshur me frikën time amerikane ndaj shtetit. Por unë nuk e besoj këtë. Alfredi nuk po luan shah. Alfredi është në burg. Edhe pse në Bajram Curri. Ku të gjithë janë farefis. Si mund të ndodhë që një kushëri të rrasë tjetrin brenda?

Unë madje as di se ç’ka ndodhur. Dhe ai s’ka telefon. Nuk kam si ta marr vesh. Nuk kam si, pa filluar të bëj atë farë zhurme që ai, në fakt, mund të mos e dojë.

Më afrohet një nga kushërinjtë. Gjendej këtu, kur ndodhi. “Ishin policë nga Tirana,” më thotë.

Por kjo nuk ka kuptim. Është absurde. Ku është Alfredi?

Përdor kompjuterin, këtë kompjuter. Flas me dikë. “Shiko…“ I them. “Alfredi është në burg.” Shkëmbejmë mesazhe furishëm. Po ma përgjojnë gjë kompjuterin? Edhe kjo është absurde.

“Qetësohu,” më shkruan njëri.

“Jam e qetë,” dua të them, dhe në fakt them; ndoshta jam tepër e qetë: “Thjesht nuk di se çfarë të BËJ.”

Një person më bën ca pyetje të arsyeshme. Do të ishte çmenduri që ta akuzosh Alfredin për mashtrim me faturat e dritës. Ai i ka paguar të gjitha. Sahati është i ngulur në një pemë, buzë rrugës. A mund ta kenë trukuar? Nuk e kam idenë, por kushdo mund ta ketë bërë – një lopë, duke u fërkuar me të; një mi fushe, duke e brejtur; ndërtuesit, për të futur në kurth – kushdo! Më përhihet në sy një imazh i fantazuar: unë që i vërsulem sahatit me sëpatë. Unë jam nga New York-u, ku ne gjithnjë futim duart në këto marifete, thjesht ngaqë janë atje, për të marrë vesh si punojnë, për t’i përmirësuar. Tani më vjen keq që s’më kish shkuar mendja më parë për këtë. Që ta kisha trukuar sahatin dhe ta kisha përshpejtuar deri në atë pikë, sa faturat të më vinin aq të larta, sa ata ta kuptonin se një sahat elektriku nuk mund ta mbërthesh te një pemë – ide idiote.

E megjithatë, çfarë të BËJ?

Mos vallë po ma PËRGJOJNË gjë kompjuterin? Përkimi në kohë është kaq joshës për arsyen. Mos vallë e dinë ata se ne i kemi kaluar dy ditët e fundit duke mbledhur argumente juridike, duke kërkuar dokumentacion, duke dërguar kërkesa, duke kontrolluar fakte… a e dinë vallë?

Të na kenë përgjuar?

Çfarë të BËJ unë tani?

Vullnetarët që janë me mua hanë darkë. Luajnë shah. U rrëfej histori për të qeshur, për ditët tona të para këtu, kur ca hajvanë të dehur për pak sa nuk na qëlluan me armë; histori për të qeshur, dhe histori të tjera, gjithnjë për të qeshur, rreth ca gjërave të tjera potencialisht të llahtarshme, që gati sa nuk ndodhën por në fakt jo. Prandaj edhe janë për të qeshur. Edhe kjo kushedi është histori për të qeshur? Do të jetë, mbase? Vetëm se…

Vetëm se Alfredi është, me sa duket, vërtet në burg. Ndërsa unë nuk jam. Alfredi dhe unë zihemi shumë. Shpesh. Bëjmë shamatë. Por ndoshta kurrë nuk flemë veç. Kur isha në spital, pas asaj punës me ariun, ai më vinte çdo natë, pavarësisht sa i zënë ishte – duke e ngarë makinën një orë që nga Valbona, edhe në 1:00 të natës, për të fjetur në dhomë me mua, dhe pastaj për t’u ngritur herët, që të ikte prapë me makinë. Kjo nuk tani më besohet. Nuk më besohet dhe nuk është e drejtë.

Ja çfarë mendoj. Mendoj se, në qoftë se Alfredi është në burg, atëherë edhe unë duhej të isha atje me të. Mos po jam gjë egoiste? Dhe nëse Alfredi është diku, në një vend ku unë nuk jam, atëherë çfarë TË BËJ unë, larg tij? Si të veproj për të, për ne, pa e ditur se çfarë do të kish dashur ai që të bënim? Dhe KJO është absurde, e pamundshme edhe për t’u menduar.

Vërtet erdhi puna deri këtu? Vërtet, vërtet? Këto ndodhin në filma, në histori. Nuk është jeta jonë, jeta ime. Jeta jonë është të zihemi nëse duhet të gatuaj unë darkë apo jo. Kjo është jeta jonë. Ne as e marrim mundimin të debatojmë për probleme. Jeta jonë është e vogël dhe e papërsosur dhe shpesh e ëmbël dhe…private. Aq private, sa ne as për vete nuk bëjmë dot vend atje, ndonjëherë. Po burgu? Burgu është koncept, është publik, dhe nuk mund të jetë pjesë.

Çfarë po më bën të plas, është kur mendoj se, po të ishte për të shkuar në burg ndonjëri nga ne, kjo më takonte MUA. Unë jam ajo që nuk i rri goja rehat. Që nuk e mban dot gojën mbyllur. Ajo që dëshiron të shpëtojë gjithçka. Ajo që bën shamatë, që shan dhe që zihet. Alfredi është monument i përkorës.

Mendoj ta rishkruaj këtë të gjithën. Dhe t’ia nis nga e para: Alfredi është në burg. Ndërsa unë nuk jam. Çfarë të bëj, pra? Çfarë të BËJ?

Çfarë mund të bëj? E filloj nga fillimi. Unë nuk jam në burg dhe nesër në mëngjes, për Perëndi, më duhet të luftoj. Dhe ju që kujtuat se i kisha hapur vetes telashe më parë!

Të luftoj, por si? Me çdo mënyrë që të mundem. Duhet të tregohem e zgjuar. Duhet të mendoj. Duhet të luftoj.

Unë, unë, unë.

Darka është gati. Alfredi nuk mund të hajë me ne. Unë nuk ha dot. Më duhet të mendoj si të luftoj.


(c) i versionit shqip: Peizazhe të fjalës. Titulli është redaksional.

Shënim 1: Ata që nuk e dinë se kush është autorja e këtij shkrimi dhe që mund të duan të dinë për kontekstin e ngjarjes së rrëfyer më lart, janë të lutur të lexojnë Faktet për Valbonën.

Shënim 2: Origjinali anglisht i këtij shkrimi është pronë intelektuale e autores. Përkthimi në shqip është pronë intelektuale e “Peizazhe të fjalës.” Ndalohet rreptësisht riprodhimi i shkrimit shqip, pa i kërkuar leje një administratori të revistës. Pasi të jetë dhënë leja, çdo riprodhim duhet të përmbajë edhe një link drejt faqes ku është botuar shkrimi në “Peizazhe të fjalës.”

2 Komente

  1. Shqetesim, ankth, pasiguri! E nje gruaje ne vetmi! Aq me teper e huaj ne vend … te saj, tashme! Me sa kersheri, dashuri (te shtirur) dhe kenaqsi do te komentonin tani ne Amerike, Europe e gjetke! Do te bucisnin disi mediat! Por ketu jo, zonje e dashur! Ketu i thone Shqiperi dhe nuk pyet njeri per sentimentalizma te tilla! Eshte e qarte se faturat e dritave kane dhe ato ndonje faj te vogel! Ai dreq sahati, cdo atje i varur ne peme! Mos e kane denuar me varje!? Ne djall te veje! Problemi kryesor eshte Heci, ne shumes, Hecet, me radhe! Ato japin energji, energji paraje per investitoret, miqte e qeverise! Dhe qeveria me gjithe shtetin nderohet ne Amerike si faraoni ne Egjyptin e lashte! Ne djall vafshin edhe qeveria me gjithe qeveritaret qe mendojne per parate e tyre! Sa te shkaterrohet pak Lugina e Vjoses dhe Alfredi do ju kthehet ne shtepi, e ndoshta edhe me shpejt, i trullosur pak, qe ta largoje mendjen nga uji i kristalte i Valbones! Vrasesit e ujit jane dhe vrasesit e natyres shqiptare! Ata kane parane! Dhe kush ka parane ka dhe Ferrin me Parajsen bashke, ketu mbi toke! U rente nga nje semundje prishesve te Alpeve shqiptare dhe Bregdetit te jonit! Amin!

  2. Per ciftin CATHERINE BOHNE dhe ALFRED SELIMAJ,
    ju pershendes miqesisht dhe ju uroj shendete dhe gjitha te mirat, megjithese nuk njihemi.
    Por, kam fatin e mire qe njoh vendin tim Shqiperine ne pergjithesi, njoh edhe shume vende, krahina, qytete, fshatra ne vecanti. Pra, njoh mire edhe Luginen dhe Lumin Valbona ne vecanti. E kam shijuar si ne vere, vjeshte dhe dimer. Dicka e mrekullueshme nga ngjyrat e pejsazhit dhe nga ajri i paster.
    Nga media mesova, ALFREDIN e paskan arrestuar sepse paska “grabitur, vjedhur” energji elektrike, ne nje kohe qe aparatin (sahatin) mates te energjise elektrike e keni perjashta godines te varur ne nje peme.
    Ketu desha te ndaloj dhe te analizoj ngjarjen e paprecedent qe ka vepruar policia e shtetit shqiptar, konform nje sinjalizimi dhe nje urdheri nga lart nga “Zeusi” qe ndodhet ne Tirane.
    Ju me te drejte si individ, ALFRED dhe CATHERIN, si familja, si fis, dhe si shoqeri civile kundershtoni ndertimin e nje shumice hidrocentralesh mbi lumin Valbona, sepse me te drejte ndertimi i tyre prish dhe shkaterron mjedisin, ambjentin, ekologjine dhe natyren shqiptare ne pergjithesi dhe ne vecanti Luginen dhe Lumin e Valbones.
    Sipas disa mediave Lugina dhe Lumi i Valbones jane nder 9-te luginat me te bukura te botes.
    Por, ketu ka nje ndryshim qe politika dhe pushteti ne Shqiperi nuk e kane per gje qe per interesa personale pasurimi gangsterat dhe horrat politikan, pushtetar dhe qeveritar te Shqiperise te shkaterrojne natyren dhe pasurite kombetare shqiptare. Do te thoni ju kush jane keto politikan injorant dhe pervers, kush jane keta derdimen qe shkaterrojne dhe plackisin popullin, kombin dhe shtetin shqiptar pa ju dridhur cerpiku i syrit. Keto njihen dhe jane duke filluar nga fundi ose nga aktualet ne kohe dhe ne te kaluaren qe shkaterrojne Shqiperine, si EDI RAMA, SALI BERISHA, LULEZIM BASHA dhe FATOS NANO.
    Prej ketyre ju vjen edhe ju rreziku dhe shqetesimi. Te cilet kane shkaterruar Parkun Kombetar Natyror te Lures, ne Qarkun e Dibres sikur mos te ishte dhe etj parqe. Prene deri edhe trungun e nje peme gjigante, pishe, Monument Kombetar Natyre ne Lure, i ruajtur me ligje nga shteti.
    Prandaj CATHERINE mos u cudit se cfare ndodhe ne Shqiperi, sepse SHBA-ja vendi nga vini ju ruan, menaxhon, administron mbi 100-te parqe kombetare natyrore, sepse ja dine vleren.
    Kurse per ALFREDIN, cuditem se cfare i ka ndodhur, sepse ai eshte vendas i Valbones, Tropojes dhe i Shqiperise dhe e din se si sillen pushtetaret dhe qeveritaret, drejtesia dhe ligji me shtetasit e vet. Ku ketu tek ne, ne Shqiperi, nuk jane te bararbarte te gjithe njelloj perpara rregullave dhe ligjeve qe nxjerr qeveria dhe shteti.
    Ju si ruajtes, mbrojtes, permiresues te ambjentit, mjedisit dhe natyres rrethuese, por, edhe njekohesisht si protestues ndaj mafies politike te shkaterrimit te natyres, duhet te jeni shume te kujdeshem me ligjin, rregullat dhe normat.
    Prandaj, gjithcka qe keni kontakt me vagabondat e shtetit, pushtetit dhe qeverise duhet te ruheni sepse jeni kundershtues.
    Prandaj ne kete rast aparati (mates) i energjise elektrike, nuk duhet ta kishi lejuar te vendoset i varur ne nje peme.
    Si perfundim duhet te jeni te rregull me ligjet e shtetit dhe te sigurimit teknik ne menyre qe mos te kene ku te kapen.
    Ne te gjitha keto qe ju thashe duhet edhe diplomaci siperfaqesore me keto sharlatan te politikes dhe biznesit monopol mafioz shqiptar.
    Perfitoj nga ky rast me ju uruar shume shendete dhe urimet me te mira.
    Me te mira, nje person qe ju don te miren dhe dashamires i natyres.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin