REMITANCAT NGA ITALIA

Remitancat e migrantëve kanë hyrë në një fazë stabilizimi. Ky është konkluzioni i përgjithshëm që ka arritur Dossier Statistico Immigrazione 2016[1]. Sipas këtij studimi, pas një dhjetëvjeçari të karakterizuar nga rritje të vrullshme të remitancave dhe pas krizës ekonomike botërore, tashmë mund të thuhet se dukuria po bëhet më e qëndrueshme.

Vitet e fundit, dy kanë qenë temat kryesore në plan të parë: roli i remitancave në ekonominë e vendeve dhe ulja e kostos së transferimit të parave. Duhet pranuar se janë ende tema aktuale, për të cilat kanë folur dhe flasin specialistë të ndryshëm.

Për pikën e parë, mund të nënvizohet se, pas një sërë kërkimesh shkencore, është vënë re remitancat në fund të fundit janë “çështje private”, që veprojnë kryesisht në nivel familjar dhe përbëjnë shpëtimin e shumë familjeve, të cilat e përmirësojnë jetesën falë parave që u dërgojnë të afërmit në emigracion. Megjithatë, përpjekjet për të kuptuar se si mund të shfrytëzohen më shumë remitancat për një zhvillim të territorit nuk janë shteruar ende. Studiuesit e migracionit pranojnë gjithashtu, se remitancat kanë një rol pozitiv edhe në zhvillimin e “migracioneve qarkulluese”.

Për pikën e dytë, pra për uljen e kostove të dërgimit të parave, është bërë mjaft. Me kalimin e viteve dhe rritjen e konkurrencës kostoja e transferimit të parave është ulur. Megjithatë, një ulje më e madhe do të bënte që të kurseheshin me miliona dollarë për familjet e migrantëve. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë do të inkurajohej përdorimi i kanaleve zyrtare dhe jo ato informale (jo formale).

Regjistrimi i saktë i flukseve financiare ka qenë gjithnjë problem. Si rrjedhim, edhe statistikat në këtë sektor duhen parë si deficitare. Në Dossier citohet një studim i Bankës Botërore, sipas të cilit ndonëse kostoja e dërgimit të parave në vendlindje ka qenë në ulje, prirja mbetet që remitancat të përdorin gjithsesi kanale informale, edhe kur këto nuk janë shumë të leverdishme.

Në nivel global remitancat janë rritur, por jo shumë. Vlera e remitancave për ekonomitë në zhvillim e sipër ka qenë rreth 431,6 miliardë dollarë për vitin 2015, praktikisht 0,4% më shumë se vitin e mëparshëm. Shkaku i kësaj rritjeje të vogël shikohet tek rritja modeste e ekonomisë botërore. Parashikimet e ekspertëve botërorë thonë se remitancat do të rriten edhe për 2016-n.

Statistikat e remitancave nga Italia tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë dërguar jashtë vendit 5,3 miliardë euro. Nuk po hyjmë në hollësi, por duhet nënvizuar se kjo shifër është pak në rënie, edhe për faktin se ka pasur probleme statistikore me remitancat drejt Kinës. Në përgjithësi lëvizjet mbeten të qëndrueshme. Kanë ngritje remitancat drejt Filipineve (9,7%), Bangladeshit (20,7%), Indisë (10,1%), etj. Ndërsa për vende të tjera, si Rumania dhe Ukraina, regjistrohet një farë rënieje, për arsyet që u përmendën më sipër.

Sikurse mund të ishte e imagjinueshme, remitancat më të shumta nisen nga krahinat e zhvilluara të Italisë, kryesisht në veri. Zënë vend të posaçëm Lombardia, Emilia Romanja, Toskana, Lacio, etj.

Po shqiptarët që jetojnë në Itali sa parà dërgojnë në atdhe? Gjithnjë sipas Dossier, gjatë vitit 2015 në Shqipëri kanë ardhur 128.628.000 euro. Me këtë shifër shqiptarët renditen në vendin e 12-të, që përfaqëson 2,4% të të gjitha remitancave që dërgohen nga të huajt në Itali. Në krahasim me vitin 2014, remitancat e shqiptarëve kanë pasur një rritje të lehtë, megjithatë domethënëse, prej 1,4%[2].

Po cilat kanale përdoren për dërgimin e remitancave nga Italia? Sipas një raporti tjetër për përfshirjen e financiare të migrantëve (Cespi, 2015), 90% e fluksit financiar kalon nga qendrat Money transfer. Vetëm 10% përdor kanalet tradicionale bankare. Mirëpo këto të fundit, të cilat japin shërbime më komplekse, bëjnë operacione me shifra më të konsiderueshme. 6% e të gjithë fluksit për në Shqipëri kalon nga bankat.

Raporti i porsa cituar citon të dhënat e Bankës botërore sipas të cilave remitancat kanë peshë të ndryshme në ekonomitë e vendeve në zhvillim. P.sh. në Taxhikistan remitancat zënë 41% të PBB (GDP), Senegal 11%, Filipine 10%, Shqipëri 9%, Egjipt 7%, etj. Pra janë shifra të konsiderueshme, edhe nga pikëpamja relative. Për këtë arsye ekspertët mundohen të gjejnë rrugë të shfrytëzimit sa më të mirë të këtyre burimeve financiare në ndihmë të vendeve në zhvillim.

Sikurse është thënë herë tjetër, largësia e vogël gjeografike që e ndan Shqipërinë nga Italia, bën që lëvizjet midis dy brigjeve të jenë edhe më të shpeshta, çka e rrit probabilitetin e flukseve informale. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend ku paratë në dorë (cash) përdoren shumë, megjithëse ky lloj përdorimi është në ulje vitet e fundit, falë përhapjes së kartave të ndryshme bankare.

Një studim i Bankës së Italisë[3] ka bërë disa vlerësime interesante për shumën që kalon nga kanalet informale. Sasia mund të jetë rreth 700 milion euro në vit dhe 75% e tyre shkojnë drejt vendeve që janë afër me Italinë: Rumania, Shqipëria, Tunizia dhe Maroku. Paratë që dërgohen me kanale jo zyrtare, përbëjnë rreth 15% deri 45% të të gjitha remitancave formale e të regjistruara, ose nga 10% deri 30% të sasisë së përgjithshme. Megjithatë, pesha e dërgesave informale ka qenë në ulje të ndjeshme (rreth 20%) gjatë viteve të fundit, sipas gjasës për shkak të reduktimit të kostos së dërgimit të tyre dhe procesit të integrimit në vendin pritës.

Siç vërehet, këto flukse financiare hedhin një dritë tjetër në marrëdhëniet e shkëmbimet mes dy vendeve, sikurse vënë përsëri pikëpyetjen për gjetjen e mënyrave sa më të mira për t’u dhënë vlerë remitancave. Këto të fundit, nuk përbëjnë kontributin e vetëm, as më kryesorin, që migrantët japin për familjarët e vet, si rrjedhim për vendin, megjithatë tregojnë një aspekt të rëndësishëm të rolit të tyre.

 

 


[1] Bëhet fjalë për botimin e përvitshëm e prestigjioz Dossier Statistico Immigrazione, realizuar nga IDOS (Centro Studi e Ricerche), këtë vit në partnership me revistën CONFRONTI, me qendër në Romë (Itali). Dossier Statistico immigrazione, nga i cili janë marrë informacionet e mësipërme, u prezantua në datën 27 tetor 2016.

[2] Për ecurinë në vite të remitancave të emigrantëve në Itali shiko shkrimin tim “Lumë parash nga deti”, Peizazhe të fjalës, 3 qershor 2015.

[3] Banca d’Italia, Le rimesse dei lavoratori stranieri in Italia: una stima dei flussi invisibili del “canale informale”, qershor 2016, botimi n. 332.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin