LIGJI I GJUHËS

Dëgjova fjalën e ministres Nikolla në seancën plenare të javës së shkuar në Kuvend për arsimin e lartë. Ndërkohë që ajo fliste, në ekran u shfaqën disa prej deklaratave të saj:

FILLOJME VITIN E RI AKADEMIK ME 120 MIJE STUDENT

NE MBYLLJE TE PROCESIT, DO JEPEN TREGUESIT POZITIV

PROCESI REGJISTRIMEVE ESHTE TRANSPARENTE

Shkronja ë nuk gjendet në asnjë titull, sepse është zëvendësuar me shkronjën e, ose mungon si mbaresë kur fjala kalon në trajtën e shumësit (një student [njëjës] – 120 mijë studentë [shumës]; një tregues pozitiv, disa tregues pozitivë.) Titulli i dytë është në kohën e ardhme, por nuk është shkruar saktë, sepse mungon pjesëza do të. Në titullin e fundit, procesi regjistrimit do të duhej të shkruhej saktë procesi i regjistrimit, sepse në rasën gjinore emrat shkruhen me nyjën e përparme i, dhe duke qenë në gjininë mashkullore, mbiemri për procesin do të duhej të ndiqte gjininë e tij, pra të shkruhej transparent. Pasaktësi gjuhësore hasen shpesh në media, por çfarë ndodh me to?

Transmetimi mediatik, për nga natyra, është shërbim publik, por dallon nga shtypi sepse ka kufij të natyrshëm: radioja dhe televizioni kanë nevojë për valë transmetuese, frekuencat e të cilave kontrollohen nga shteti. Veprimtaria mbikëqyret nga Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, si edhe Autoriteti i Medias Audiovizive, posaçërisht, me anë të ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Në nenet e tij shpjegohen detaje të funksionimit të radiotelevizionit, midis të cilave edhe parimet bazë, që kanë të bëjnë me lirinë e medias, të drejtat e njeriut, etj. Parimi i fundit i dispozitës kërkon që media të respektojë standardin letrar të gjuhës shqipe.

Ky togfjalësh është polemik, pasi emërtimi i gjuhës shqipe si “letrare” thuajse ka dalë nga përdorimi, për shkak të papërshtatshmërisë, kurse gjuha standarde është ajo që Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 synoi të arrinte për përcaktimin e normave drejtshkrimore sa më të plota, sa më të njësuara dhe të qëndrueshme, duke bërë që ajo sot të përdoret nga një grup i caktuar njerëzish, kryesisht ata që merren me shkresa zyrtare dhe diskutime publike, si politikanë, diplomatë e biznesmenë. Kjo gjuhë, në pjesën dërrmuese, është mbidialektore, duke qenë se forma e duhur e fjalës në gjuhën standarde të shkruar është produkt zhvillimesh të brendshme dhe konvencionesh. Ndërsa gjuha letrare, që përdoret në fushën e letërsisë, nuk është gjithnjë e njëjtë me gjuhën zyrtare, ose gjuhën që Kushtetuta kërkon për aktet shtetërore, sepse ka larmi fonetike, leksikore, gramatikore e dialektore, të cilat e largojnë nga modeli i kërkuar nga ligji.

Ligji e vendos këtë dispozitë në kategorinë e parimeve, duke mos i dhënë forcë detyruese, megjithatë gjuha është mjeti parësor, me anë të të cilit funksionon gjithë industria mediatike, prandaj përcaktimi nga ligjvënësi se si duhet të jetë, rrezikon shumë mirëfunksionimin e saj. Prej kësaj politike gjuhësore, media mbetet potencialisht e prekshme ndaj sanksioneve në rastet kur Autoriteti i Mediave Audiovizive do të konstatojë shkelje ligjore të moszbatimit të gjuhës “standarde letrare”. Ligji u ndryshua para pak muajsh, në mënyrë që të kryhej përafrimi me legjislacionin europian, por direktiva[1] ku u bazua ndryshimi shprehet se korniza ligjore duhet të sigurojë respektimin e ndryshimeve kulturore e gjuhësore. Qartazi, ligji në fuqi, jo vetëm që nuk po e respekton këtë kërkesë, por bën të kundërtën, duke kërkuar njësim të gjithë gjuhës që përdoret në media.

Pavarësisht pasaktësisë kuptimore, dispozita është pjesë e përpjekjes së përgjithshme për ta mbrojtur gjuhën shqipe në çdo fushë, duke dhënë një model se si duhet të paraqitet ajo në media, por sjell si pasojë kufizimin e lirisë së saj, pasi kërkon që gjuha të jetë vetëm ajo “standarde letrare”. Por gjuha shqipe është e larmishme. Dialektet gjeografike, por edhe ato sociale, bëjnë që përveç gjuhës standarde, të kemi variacion brendagjuhësor. Pjesa më e madhe e popullsisë flet shqip, por nuk mund të harrojmë që shqipja bashkekziston me gjuhët e pakicave kombëtare (grekët, maqedonasit, vllehët, etj.) që jetojnë këtu, dhe media është e rëndësishme edhe për këto pakica. Media transmeton shfaqje humoristike me dialekte të krahinave të ndryshme, programe të grupeve të pakicave kombëtare, por edhe filma e muzikë në gjuhë të huaj, apo emisione për mësimin e gjuhëve të huaja; të gjitha këto duket se nuk mbrohen nga ky ligj, madje, diskriminohen.

Për italishten, që është relativisht e afërt me shqipen nga ana gramatikore, nuk ka parashikime detyruese, sepse ligji italian parashikon vetëm që shërbimi publik radioteleviziv të prodhojë vepra audiovizuale për promovimin e gjuhës italiane dhe kulturës, duke i lënë dorë të lirë medias. Francezët, nga ana tjetër, të njohur për krenarinë që ndiejnë për gjuhën e tyre, janë shembulli më i fortë i dorës së shtetit mbi gjuhën: më 1994, hyri në fuqi ai që njihet si ligji Toubon, për shkak të ministrit të kohës, Jacques Toubon. Ligji synon mbrojtjen e gjuhës frënge duke detyruar përdorimin e saj në gjithë sferën e punëve publike. Ai nuk prek privatët, por kërkon frëngjishten si gjuhë të transmetimeve në median audiovizuale. Mosrespektimi i këtij detyrimi, në disa raste, ka sjellë dëme mbi 500 mijë euro për subjektet.

Duke mirëkuptuar shqetësimin e ligjvënësit tonë për të ruajtur shqipen, detyrimi mund të vendosej për radiotelevizionin publik, por ndërhyrja shtetërore në median private është kundërvepruese për lirinë e saj. Një prej televizioneve private ka në programin e tij emisionin 3jat, që nënkupton T’rejat, pra lajmet e fundit dhe komente gazmore mbi to. Emisioni argëtues i një televizioni kushtuar tërësisht të rinjve mban emër të pangjashëm me të tjerë. Media që transmeton këtë program nuk e respekton gjuhën standarde shqipe, apo ligji që kërkon një formë të caktuar nuk respekton lirinë e medias për shumëllojshmëri gjuhësore?

Përdorimi jostandard i gjuhës mund të jetë shkelje e rregullave gjuhësore, por nga ana ligjore është manifestim i lirisë së fjalës, sepse u jep radios dhe televizionit mundësinë të shprehen sipas dëshirës dhe nevojës. Shërbimi publik që ofron media duhet të ketë garancinë shtetërore të pavarësisë, përndryshe liria e shprehjes do të mbetet në dorën e institucioneve politike. Problemet e përdorimit të gjuhës shqipe mund të zgjidhen duke i afruar njerëzit me librin, duke e vendosur lëndën e gjuhës shqipe në çdo nivel arsimor (sot për sot, fatkeqësisht, është kthyer në lëndë dytësore). Është më e efektshme të kujdesemi për gjuhën që në bankat e shkollës, sesa të përpiqemi të bëjmë zap përdoruesit e shqipes.

Një dispozitë ligjore, që kufizon median, na vendos përpara dy zgjidhjeve: media të ketë më tepër kujdes në gjuhën e përdorur, për të respektuar gjuhën standarde që të parandalojë gjobat e kushtueshme të “policisë” gjuhësore; ose ligjvënësi ta rishikojë, në mënyrë që të mos vendosë masa kufizuese ndaj lirisë së medias për të zgjedhur gjuhën me të cilën zgjedh t’i drejtohet publikut. Cilado qoftë zgjidhja, ligji në fuqi reflekton nxitimin e politikëbërësve për të miratuar ligje të papeshuara, që mund të cenojnë lirinë mediatike.

[1] Direktiva 2010/13/BE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 10 mars 2010 “Për koordinimin e disa dispozitave të parashikuara me ligj, rregullore apo akte administrative në shtetet anëtare, lidhur me ofrimin e shërbimit të transmetimeve me zë dhe figurë” (Direktiva për Shërbimin Mediatik me Zë dhe Figurë, versioni i kodifikuar), Numri CELEX: 32010L0013, Fletore Zyrtare e BE-së, Seria L 95, datë 15. 4. 2010.

2 Komente

  1. Nje pyetje per autoren:

    Thuhet ne shkrim se “media te kete kujdes ne gjuhen e perdorur … qe te parandaloje gjobat e kushtueshme te “policise” gjuhesore…”

    As ne kete ligj, as ne ndonje ligj tjeter nuk parashikohen gjoba per kundervajtje gjuhesore apo masa kufizuese ndaj lirise se gjuhes, nuk parashikohet as krijimi i ndonje policie gjuhesore. Atehere ku i gjeti autorja policine gjuhesore, masat kufizuese dhe gjobat e kushtueshme?

  2. Shkrim mjaft informativ! Do shtoja edhe faktin jo aq me qejft te permendur neper shkrime, per t’mos thene te papermendur fare, zbritjen ne qytete te shume fshatarve, ardhjen ne Tirane te shume kosovarve, maqedonasve, turqve, boshnjakeve, etj. te huaj, nje pjese e te gjithe ketyre te sistemuar ne punera mediale (televizione), gje kjo qe ndikon sado pak ne katandisjen e shqipes kokoshi nje thele dhe shtremberimin e saj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin