GËNJESHTRA QË PËRFTON KOMPLOT

Shqipëria ka qenë, dhe kushedi për sa kohë akoma do të mbetet truall i pjellshëm për teoritë e komplotit – para 1990-ës ngaqë mediat nuk informonin, pas 1990-ës për shkak të inflacionit në informacion. Një teori komploti ofron shpjegim të gatshëm atje ku ka ngutshëm nevojë për shpjegim, ose përballë së pakuptueshmes kërcënuese. Për shembull, kur sjelljet e një lideri politik në publik nuk pajtohen me modelin tonë për sjelljet e liderit politik, ja ku ia beh edhe shpjegimi konspiracist: e ka nga KOKAINA. Kjo teori komploti nuk është e tillë ngaqë është e pavërtetë, por thjesht ngaqë pranohet pa vërtetim – ose ngaqë e ka gjetur rrugën deri te premisat e muhabeteve, pa kaluar më parë nëpër filtrin e verifikimit.

Ironikisht, shumë teori komploti që i gjen me bollëk në komentet e lexuesve në mediat online vijnë si efekte anësore të gënjeshtrave në mediat zyrtare dhe propagandës nga zyrat e pushtetit: kur qeveria ia jep një tender shumë-milionësh një kompanie të sapokrijuar, për më tepër nga një ish-shitës bulmetrash, atëherë menjëherë hapet vend për dyshimin se kjo kompani do t’ua xhirojë financimet dhe fitimet atyre që e kanë mbështetur me paratë publike. Dyshimi është natyrisht konspiracist, sepse i pambështetur në fakte; por nuk është gjithsesi më i pambështetur se vendimi qeveritar. Dhe nëse është kështu, atëherë së paku disa teori komploti duhen kuptuar si një lloj terapie kolektive, përballë fytyrës absurde që ia tregon pushteti dhe në përgjithësi politika publikut.

Përndryshe, forma që merr ky apo ai shpjegim konspirativ është gjithnjë klishé – prapa gjithçkaje që ndodh në politikë ose në ekonomi, është gishti i një të fuqishmi, që sipas rastit ose paguan, ose jep urdhrin, ose edhe paguan edhe jep urdhrin. Ky i fuqishëm, që funksionon si një version lite i Perëndisë në vetëdijen kolektive tradicionale, ka meritën e madhe që të vendosë rregull në kaosin e së përditshmes, duke u dhënë një kuptim deri edhe budallallëqeve më të mëdha të klasës politike: sa e lehtë dhe e volitshme që t’ia atribuosh çdo vendim Amerikës, Sorosit ose Erdoganit, sidomos para një filxhani kafe!

“Për shumë nga ne, bota është një vend pështjellues, mbytës madje i frikshëm, që duket si kaotik dhe rastësor,” thotë David Schmid, teoricien i kulturës pop në Universitetin e Buffalo-s. “Teoritë e komplotit, pavarësisht sa të çuditshme mund të duken, u japin njerëzve ndjesinë se universi është i strukturuar, i sistemuar dhe i parashikueshëm, që u bindet rregullave të caktuara.” Philips Stevens, profesor i antropologjisë në atë universitet, e çon këtë hipotezë drejt përfundimit të duhur: “Besimi në komplotet… promovon unitet social mes atyre që u besojnë.”

Me fjalë të tjera, teoritë e komploteve u shërbejnë individëve si mjet për t’u organizuar në grupe solidariteti – dhe pikërisht, më parë duke mos i besuar shpjegimit ose versionit zyrtar, dhe më pas duke adoptuar shpjegimin alternativ. Vendimi për të mos besuar është akt rebelimi; adoptimi i shpjegimit alternativ, nga ana tjetër, ka funksion qetësues, sa kohë që nuk shoqërohet me ndonjë përpjekje për verifikim.

Nga pikëpamja psikologjike, rebelimin e ushqen uni, ndërsa pranimi i teorisë së komplotit i ka rrënjët në pavetëdije, ose atje ku dyshimi nuk ekziston. Kështu mund të shpjegohet pse i njëjti person, skeptik nga natyra dhe që refuzon të besojë arsyet e sjella nga propaganda zyrtare, është sakaq i gatshëm të besojë arsyet e sjella nga një teori komploti, sado absurde. Kështu mund të shpjegohet edhe suksesi i atyre tabloidëve dhe faqeve në ueb, të cilat tërheqin lexues duke u ofruar material të gatshëm për teoritë e komplotit: cilësia ose integriteti i këtij materiali nuk ngrenë peshë, sa kohë që këto ofrohen në alternativë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin