GUERILJE ME GOJË

Kush i lexon këto radhë, do të ketë dëgjuar tashmë për Lolitën, një nga llogaritë më të vizituara, në mos edhe më të lexuara, në Facebook-un shqip.

Kampione e moskorrektësisë “politike” dhe e ad hominem-it, Lolita po përqesh prej muajsh Pushtetin me P të madhe.

Javën që shkoi, një e përditshme online shkoi deri aty sa të zbulonte “identitetin” e vërtetë të grupit që qëndron pas asaj llogarie – duke i sjellë lexuesish dy-tre emra që shumëkujt nuk i thanë asgjë.

lolitaDitët e fundit, Lolita ia ka vulosur gojën me shirit të zi imazhit të vet në faqe – pas përpjekjeve që do të jenë bërë për t’ia mbyllur llogarinë.

Po çfarë është tamam Lolita? E quajmë dot guerilase të publikes virtuale, ose të periudhës kur edhe pushteti vetë riprodhohet nëpërmjet statuseve?

Ata që u rropatën t’ia zbulojnë identitetin, e bënë këtë me bindjen se po ia çjerrin maskën një pseudonimi veçanërisht të bezdisshëm.

Por Lolita nuk është pseudonim, as pen name, madje as nom de guerre – por më tepër personazh. Madje edhe suksesi i saj i detyrohet personazhit vetë.

Më pak e ngjashme me një Bansky, a me aktivistët dhe hacktivistët e Anonymous, Lolita – siç e sugjeron pavetëdijshëm edhe emri vetë – rrjedh prej lolos, figurë dhe personazh i domosdoshëm i oborrit.

Çfarë e ka shquar lolon, jo vetëm në art por edhe në jetë, ka qenë leja madje detyrimi për të thënë atë çfarë të tjerëve nuk u lejohet.

Më shumë se përçues i së vërtetës, Loloja e imunizonte oborrin ndaj kësaj së vërtete, duke e sjellë me doza të vogla, gati homeopatike.

Çfarë edhe e bënte Lolon të paprekshëm, si simulatorin universal të botës përjashta.

Pa çka se kjo botë përjashta tani po e ndjek personazhin, ia përshëndet statuset me mijëra e mijëra thumbs up dhe përnjëmend beson se Lolita po flet në emër të saj.

Në kuptimin që “populli”, i zhgënjyer tashmë nga ata që e përfaqësojnë në Parlament dhe nga ata që qeverisin në emrin e tij, e ka gjetur tashmë një tribun për hapësirën publike.

Ndryshe nga loloja i skenës shekspiriane, Lolitës fjalën ia dëgjojnë të gjithë, edhe ata përjashta; dhe duke ia pëlqyer dhe duartrokitur, besojnë se po marrin pjesë edhe ata në diçka subversive, duke iu ekspozuar edhe ata sado pak rrezikut për censurë.

Pa çka se për nga popullariteti dhe efektet, batutat e Lolitës nuk u lënë gjë mangut filmave të Realizmit Socialist ose periudhës së artë të estradës dhe të komedisë shqip.

Ashtu edhe plotësojnë një nevojë aq jetike për masat, sa edhe buka dhe uji, duke i dhënë dukshmëri dhe artikulim pakënaqësisë, frustrimit dhe deri edhe dëshpërimit të përgjithshëm.

Ka edhe një të mirë tjetër, Lolita: duke u specializuar në një lloj të caktuar fshikullimi, që nuk i respekton rregullat tradicionale të komunikimit publik, personazhi ua lehtëson punën madje ua hap rrugën të tjerëve, ose të gjithë atyre që kritikën regjimit duan t’ia bëjnë ndryshe.

Pa folur për ata të tjerët, të cilëve s’ua dëgjojmë as ua lexojmë dot fjalën, sepse janë censuruar tashmë.

3 Komente

  1. Vehbiu merret me Loliten ne nje vend ku rroga eshte 400 mije leke kurse karburanti kushton 600 leke me shume se ne Japoni. Nje shtet qe vjedh pafytyresisht duke u justifikuar me nje fjali dhe pa laps e leter. Nje shtet qe te vjedh po qe te fut ne burg po ta vjedhesh! Kryeministri i njerezve qe rrojne me remitanca nga emigrantet bashke me shokun Gramoz bredhin me makina 50 mije euro. Vehbiu ka kohe te merret me Loliten se po merr shume klikime..

Lini një Përgjigje te MendojAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin