KUR KA PROBLEME SINTONIZIMI

Në pasditen e datës 10 tetor 2016, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, zhvilloi në Romë një takim me përfaqësues dhe anëtarë të ndryshëm të komunitetit shqiptar në Itali. Një nismë me synime pozitive dhe me vlerë. Në ftesën përkatëse lexohej se takimi bëhej “për të trajtuar shqetësimet dhe problematikat me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Itali”.

Pas fjalimit të vet, Presidenti i Shqipërisë kërkoi të dinte nëse kishte ndonjë pyetje, kuriozitet ose koment.

Dy ishin ndërhyrjet kryesore që u bënë nga të pranishmit. E para ishte një aktiviste me banim në Romë, e cila hyri menjëherë në temë duke nënvizuar se pa të drejtën e votës për diasporën nuk mund të ketë lidhje me atdheun. “Politika e një vendi demokratik e civil, tha ajo, nuk mund të zhvillohet duke pasur më tepër se gjysmën e elektoratit jashtë vendit. Shqipëria është mbajtur për shumë kohë nga të ardhurat tona. Komuniteti shqiptar është tepër aktiv e tepër cilësor në breza të ndryshëm e në shumë fusha, në ekonomi, biznes, politikë, etj. e duhet të ketë të drejtën e shprehjes së lirë të zgjedhjes politike”.

Më tej ajo shtoi: “Këtë kërkesë ne e kemi shprehur jo sot, jo dje, jo para një viti, por jo më larg se pesë vjet para. Përderisa po e bëjmë përsëri sot këtë kërkesë do të thotë se jemi akoma mbrapa. E përsëris dhe e vë si detyrë ndaj politikës shqiptare, sepse kur bëhet fjalë për të drejtat e qytetarëve e të drejtat e njeriut, nuk ka parti politike që mund të tërhiqet prapa. Duhet të jenë ligje bipartisan. Mbi të drejtat e njerëzve, mbi të drejtat e qytetarëve, nuk bëhet shaka. Kemi nevojë të shprehim mendimin tonë. Dhe mendimi ynë nuk shprehet vetëm duke shkruar shqip apo në dialektet në rrjetet sociale, por shprehet duke dhënë mendimin në zgjedhjet politike. Kjo duhet të jetë një nga detyrat kryesore e politikës dhe e shtetit shqiptar”.

Ndërhyrja e dytë ishte ajo e një pjesëtari të diasporës me banim në Bolonjë, i cili përmendi takimin që Presidenti kishte zhvilluar me një grup përfaqësuesish shoqatash një vit më parë. Në atë rast Presidentit i ishte dorëzuar një platformë me shqetësimet kryesore të emigrantëve shqiptarë me banim në Itali. Pasi iu referua mendimit të parafolëses ai u shpreh: “Ju përmendët disa elemente pozitive dhe kritike që ka komuniteti ynë. Elementet pozitive janë jo vetëm profesionale por edhe ideale […]  Ka plot shqiptarë që i ngrenë lart vlerat e vendit tonë. Sikurse Italia është partner kryesor në integrimin e Shqipërisë, ashtu edhe ne emigrantët duam të jemi partnerë të fuqishëm […] Ky rol duhet ta bashkëndajmë me institucionet shqiptare. Duke filluar nga veprimi sa më aktiv në mirëqeverisjen e vendit”.

“Ne mendojmë – vijoi folësi – se ka ardhur momenti, meqë jemi në prag të një reforme zgjedhore në Shqipëri, që Presidenti t’u drejtohet organeve të ligjvënësit, qoftë edhe me një mesazh, meqë hyn në kompetencat e Presidentit. Në mënyrë që t’u kërkojë atyre të mbajnë mbi shpatullat e tyre përgjegjësinë lidhur qëndrimin ndaj diasporës. Është e kotë që të presim akoma. Ne rolin tonë e kryejmë përditë, mirë a keq. Është shumë e lehtë të premtosh para zgjedhjeve dhe po aq e lehtë ta harrosh sapo kalojnë ato. Mendoj se një mesazh me shkrim i Presidentit, dërguar organeve të ligjvënësit, do të ishte shumë i rëndësishëm”.

Takimi përfundoi në këtë mënyrë, me kërkesat e diasporës për pjesëmarrje e për votime, të cilat mbetën pezull. Në këtë drejtim nuk pati ndonjë risi. Në fakt, tema e votës së emigrantëve nuk u prek fare në fjalimin e Presidentit.

19 Komente

  1. Çështja e votës për emigrantët shqiptarë – edhe pse kërkesë legjitime në vetvete – nuk më duket e menduar mirë apo e menduar deri në fund, nga ata që janë në favor të saj.

    Nuk e kam fjalën këtu për anën administrative të procesit të votimit të diasporës, as për “talentin” organizues, kapacitetet njerëzore apo financiare të shtetit shqiptar për të administruar një proces të tillë, që prek mbi një milionë qytetarë shqiptar të shpërndarë në x shtete të botës, edhe pse këto janë, në fakt, barriera që duhen marrë në konsideratë.

    As nuk e kam fjalën te predispozita e “dëshirës së mirë” të klasës politike të sotshme shqiptare, për t’ua ofruar emigrantëve mundësinë e votimit, dëshirë kjo që, për mendimin tim, nuk ekziston. Ka shumë pak gjasa, që establishmenti politik i Tiranës të aprovoj pjesëmarrjen në zgjedhjet shqiptare të mbi një milionë emigrantëve, në vendet ku ata jetojnë jashtë Shqipërisë, pa patur mundësinë e kontrollit indirekt apo direkt të votës së tyre, siç e ka brenda Shqipërisë, nëpërmjet manipulimit mediatik, punësimit, kërcënimit dhe deri te blerja e votës me para në dorë apo me thasë mielli në krah.

    Shumë vende të tjera ua ofrojnë qytetarëve të tyre mundësinë e votës, kur ata janë në emigracion. Por këto janë zakonisht vende me numër të vogël qytetarësh në emigrim, krahasuar me popullsinë brenda vendit, dhe shumica e këtyre emigrantëve janë të përkohshëm, që janë larguar për pak vite nga vendi i tyre, dhe me synimin apo të paktën dëshirën, që të kthehen prapë në vendin e origjinës.

    Në rastin e Shqipërisë dhe emigrantëve, bëhet fjalë për një numër shumë të konsiderueshëm të shqiptarëve të larguar – deri një e treta e popullsisë – shumica e madhe e të cilëve, edhe pse mund t’i ketë mbajtur lidhjet me njerëzit dhe vendin, nuk ka ndërmend që të kthehet më në Shqipëri, për të punuar dhe jetuar aty.

    Prej këtej, problemi që unë shoh është te ndikimi që votimi i emigrantëve mund të ketë te rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri dhe pasojat që mund të vijnë, nëse votimi i atyre jashtë është aq i ndryshëm dhe aq ndikues te rezultati, sa ta përmbys këtë rezultat:

    P.sh. supozojmë në mënyrë të thjeshtuar, që ka dy milionë votues në Shqipëri dhe një milionë votues jashtë Shqipërie. Nëse 55% e votuesve në Shqipëri (ose 1.1 milionë) votojnë për Partinë A dhe 45% për Partinë B (pra 900 mijë), ndërsa te emigrantët votojnë 35% për Partinë A (pra 350 mijë) dhe 65% për Partinë B (ose 650 mijë). Pra qytetarët që jetojnë në Shqipëri votuan Partinë A, emigrantët votuan Partinë B, por votimi i emigrantëve është i tillë, që përmbys rezultattin në favor të Partisë B (totali: 1.450 milionë për A dhe 1.550 milionë për B). Pra i bie që qytetarët që jetojnë në Shqipëri, të qeverisen nga një parti, të cilën ata në fakt nuk e votuan me shumicë, por që u votua nga shqiptarë, të cilët qendrën e aktivitetit dhe jetës së tyre e kanë jashtë Shqipërisë… A është e moralshme kjo?

    Dhe një herë, kërkesa për të votuar emigrantët është pa diskutim legjitime – çdo qytetar shqiptar duhet të ketë mundësinë e votës – por a është kjo dhe e moralshme, nisur nga numri dhe specifikat e diasporës shqiptare?

    Ndryshimi në Shqipëri, që padyshim do të arrij një ditë, duhet dhe do të të vij nga ata që jetojnë aty, nga vota dhe angazhimi e tyre; ne të larguarit mund të ndihmojmë, të shpresojmë për mirë, por përcaktues mund (dhe duhet) të jenë vetëm qytetarët aty. Thjeshtë mendimi im…

  2. Ke të drejtë Gjilpërë. Çështja bëhet edhe më e mprehtë në rastin e zgjedhjeve vendore. Si mund të zgjedhë dikush që nuk jeton në Shqipëri prej njëzet vitesh administratorin vendor? Çfarë di ky dikushi për gjendjen e kanalizimeve, gjelbërimit, pastrimit të lagjes për të cilën dëshiron të votojë? Në Europën perëndimore ka vende ku zgjedhjet vendore janë të hapura edhe për qytetarët rezidentë në atë vend, që jo domosdoshmërisht kanë shtetësinë e vendit ku banojnë, por që duke qenë se jetojnë në ate vend prej një kohe të caktuar, janë po aq të interesuar sa edhe nënshtetasit që të mbarëshkojë administrimi vendor.

    E po t’i kthehemi zgjedhjeve të përgjithshme, në një kohë kur imazhi është sot mbret i botës (shiko: Trump vs Clinton), qytetari i diasporës do të votojë për atë personazh të cilin më së shumti e ndjek në median dixhitale, përzgjedhjen e së cilës e ka të përcaktuar qysh më parë.
    Çka dua të them është që formësimi i opinionit mbi një kandidat zgjedhor ka më tepër të ngjarë të jetë I paragjykuar (“biased”) për qytetarin nga diaspora se sa për qytetarin që jeton në Shqipëri dhe që ka mundësi të vrojtojë kandidatin në fjalë nëpërmjet një ekspozimi më të gjerë dhe për rrjedhojë potencialisht më neutral.

    1. Komentet e mësipërme më duken të arsyetuara, por mendoj se meritojnë një përgjigje më të artikuluar se sa komenti. Ndaj premtoj se do t’u kthehem me një shkrim të veçantë çështjes së votimit të emigrantëve. Ndërkohë kujtoj se titulli i shkrimit flet për mungesën e sintonizimit të institucioneve dhe politikës shqiptare me qytetarët shqiptarë me banim jashtë shtetit. P.sh. institucionet shqiptare mund të thonë se emigrantëve nuk do t’u krijohen asnjëherë kushtet për të votuar për arsyet e mëposhtme. Dy pika dhe të vijojnë me argumentet e tyre, ku mund të fusin, pse jo, edhe arsyetimet e mësipërme. Por duhet ta thonë, qartë dhe hapur, përderisa kërkesa vazhdon të bëhet rregullisht nga diaspora. Qoftë edhe për të mos krijuar iluzione. Diaspora dhe institucionet shqiptare nuk arrijnë të gjejnë një kanal komunikimi.

      1. E vërtetë Rando, dola nga tema me komentin tim; më “ngacmuan” pyetjet e bëra në takim mbi votimin e emigrantëve çka është, me sa shoh dhe nga diskutimi këtu, një tematikë që kërkon në çdo rast një trajtim më vete!

        Problemi i mungesës e sintonizimit të institucioneve dhe politikës shqiptare me qytetarët shqiptarë jashtë vendit qëndron sigurisht, madje kjo mungesë është, në fakt, rregulli, jo përjashtimi. Kjo vlen si në komunikimin e tyre me qytetarët jashtë ashtu dhe, madje më tepër e më shpesh, me ata brenda Shqipërisë. Një kakofoni e plotë komunikimi, ku nuk e merr vesh nëse politikanët e bëjnë qëllimisht, për t’u bërë bisht përgjigjeve dhe përgjegjësisë, apo e bëjnë thjesht ngaqë “ata vetëm ashtu dinë” të komunikojnë. Dyshoj se është e para… Mjafton të shohim se si u komunikua me publikun mbi ligjin e importit të plehërave, para dhe pas miratimit në parlament: njëri i binte gozhdës, tjetri patkoit, i treti kalit dhe në fund ishin mediat, që i vunë kapakun çështjes pas një jave.

  3. Po, e drejtë, nuk është ndërtuar një kanal i rregullt, sistematik komunikimi dhe ndërshkëmbimi midis diasporës dhe institutcioneve shqiptare. Dhe sigurisht përgjegjësia parësore këtu është e institucioneve të Shqipërisë.

    Do të kujtoja këtu aktivizimin e institucioneve shqiptare (më konkretisht të aparateve elektorale pranë partive politike) të cilat kujtohen për diasporën në prag të zgjedhjeve.

    Jo rastësisht këto aparate mobilizohen me diasporën e vendosur kryesisht në Greqi e cila me pak shpenzime mund të sponsorizohet të hipë nëpër autobusë e të vijë e votojë në shtetin amë. Partitë politike në Shqipëri nuk janë ende aq të pasura sa të paguajnë charter-a për emigrantët në Gjermani për ditë votimi….

    Gjithsesi, pres me kërshëri përsiatje të mëtejshme mbi këtë temë.

  4. Për mendimin tim, problemi i numrit të emigrantëve shqiptarë nëpër botë nuk mund të jetë kurrsesi një pengesë apo pretekst për të drejtën e votës së tyre, as në thelb e as në formë.
    Kujtoj se në Itali, vend demokratik perëndimor, votojnë jo vetëm emigrantët kudo që ndodhen por edhe ata me origjinë italiane të pajisur me dy pashaporta që banojnë në shekuj jashtë territorit italian.
    Për sa i përket zgjedhjeve vendore nuk diskutohet që ato i përkasin vetëm banuesve së territorit përkatës.

  5. Desha te percaktoj me shume ca terma , se sa te hy ne nje diskutim qe me duket pa buke, ose ne rastin me te mire buke bajate. Pikesepari e drejta e votimit eshte e drejte naturale dhe e sanksionuar me ligj e cdo qytetari shqiptar, pavaresisht vendndodhjes se perkoheshme apo vendbanimit te perhershem. Pra askush dhe asgje nuk e ndalon nje qytetar shqiptar qe diten e votimit te shkoje ne qendren ku eshte i regjistruar, dhe te ushtroje te drejten e tij te votes. Nderkohe problemi ketu eshte teknik, i natyres “mali apo Muhameti”, pra i votuesit shqiptar qe kerkon te vendose mbi mbarevajtjen e vendit te tij, megjithese nuk arrin qe te gjeje kohen dhe mundesine edhe qe te shkoje atje per ca dite njehere ne 4 vjet per te ushtruar te drejten e detyren e tij. Une mendoj qe muhabeti eshte i vdekur qe ketu. Nese ti nuk kalon dot as kete test “atdhedashurie”, atehere them se nuk ke te drejten morale t’u ngaterrohesh neper kembe njerezve qe duan te zgjidhin hallet e tyre ne Shqiperi duke nderruar apo mbajtur qeverine. Mend pastaj mund t’u japim falas sa te duam, me shpresen se kalit te falur nuk i shihen dhembet.

    1. Faleminderit që nuk hyre në diskutimin tonë pa bukë, ose në rastin tonë më të mirë “bukë bajate”. Faleminderit edhe për përcaktimin përfundimtar të terminologjisë juridike së të drejtës së votimit.
      Siç e thashë, do t’i kthehemi temës, por nuk më rrihet pa shtuar se përse iu dashka bërë test “atdhedashurie” shqiptarëve me banim jashtë shtetit dhe jo të tjerëve. Kushtetuta nuk e bën këtë dallim.

  6. Faleminderit per falenderimet, por ne fakt nuk e kisha me ju personalisht po me rrahjen e kesaj teme ne vite. Aresyeja se pse iu ktheva percaktimit juridik eshte sepse zakonisht ne tema te tilla njerezit harrojne se perse po flasin dhe zakonisht kerkojne te shkundin kumbulla nga pema e dardhes (ose anasjelltas); megjithate ti mund ta injorosh percaktimin dhe te dalesh tutje, pa problem. Persa i perket pyetjes qe me shtroni desha te them se edhe une jam i te njejtit mendim se kushtetuta jo vetem qe nuk ben dallim duke u bazuar mbi te drejten e votimit te shqipetareve pavaresisht vendndodhjes se tyre diten e votimit, por nuk ben edhe asnje diskriminim. Perkundrazi shteti shqiptar dhe partite kryesore shpesh here vene ne dispozicion mjete transporti (kryesisht nga Greqia e Italia ku dhe numri i shqiptareve eshte me i madh) per ti sjelle keto votues prane qendrave te votimit. Pra pas ketyre argumentave serish i meshoj mendimit se votuesi shqiptar, nese eshte vertet i interesuar per fatet e kombit ame, ben mire t’ia hypi mjeteve te transortit dhe ta tunde voten e tij sipas deshires. Nuk them se shteti gabon po te coje kuti votimi neper ambasada apo lagje te populluara me shqiptare qe nga Amerika deri ne Australi e me tutje, por po ti hysh logjistikes, shpenzimeve si dhe koordinimit me komisionet e numurimit e mundesite korruptive te ketij votimi them se he per he nuk ia vlen barra qerane. Megjithate deri sa ju (si person apo grup pune) t’i ktheheni temes mbase me argumente te reja, une nuk do perpiqem te argumetoj me, sepse mendoj se e ezaurova c’kisha per te thene.

    1. Ke një pasaktësi. Shteti shqiptar NUK ka vënë asnjëherë në dispozicion mjete udhëtimi për emigrantët që duan të votojnë. Partitë PO.

          1. Me fal po une po argumentoj (mbeshtetur mbi procesin e mendimit) te drejten morale per te kerkuar nga shteti ame qe te te pajise me kuti votimi kudo qe ti te jesh ne bote. E theksoj “morale”. Nuk di se cfare faktesh duhet te sjell ketu, pervec faktit qe nuk jam robot gje qe mund ta vertetoj duke shkruar pa gabime nje kod verifikimi qe mund te ma dergosh ne cdo kohe. Nga ana tjeter me pelqen pa mase ciltersia juaj ne ndarjen e partise nga shteti, edhe kur partia eshte ne pushtet, pavaresisht se de facto ke te drejte, nderkohe qe ne fakt nuk ke.

  7. Për ata që kanë interes – tema e votës së emigrantëve është mjaft e debatuar në Irlandë, një shtet që gjithashtu ka një numër të madh emigrantësh, aq sa mund të ndikojnë në rezultatet e përgjithshme të votës.

    PF besoj se ka të drejtë në parim: një qytetar që nuk shkon dot të votojë në atdhe, më mirë të mos votojë. Përndryshe, duke pasur parasysh edhe objeksionet e drejta nga Gjilpëra më lart, mund të ndiqej modeli francez:

    https://en.wikipedia.org/wiki/Constituencies_for_French_residents_overseas

    1. Mua tema e votimit më duket shumë e ndërlikuar për t’ia lënë në dorë kriterit të mundësisë për të vajtur në atdhe. Sipas këtij arsyetimi duhet të votojnë vetëm ata që kanë parà dhe ata që jetojnë në Prevezë. Të tjerët le të ngushëllohen me dërdëllitjet e mia për rëndësinë e migracionit. Për modele nuk fola (megjithëse ka plot të arsyeshme e të mbajtshme), por thjesht regjistrova një kërkesë insistuese të migrantëve. Politika shqiptare e ka për detyrë, pavarësisht nga mendimet e mia për këtë pikë, që t’u flasë hapur migrantëve. P.sh. t’u thotë: “E dashur Diasporë, mos flisni më për këtë punën e votës, se na mërzitët. Po të doni, bujrum! Hipini trenit, makinës, anijes ose avionit, dhe ejani të votoni. Emrat në listë aty i keni. E mbyllim këtë muhabet”. Pikë.
      Mirëpo politika jo vetëm që nuk e thotë, por edhe premton në këtë drejtim. Madje dërdëllit më keq se unë për rëndësinë e emigrantëve shqiptarë në botë.

      1. Rando, unë vetë mendoj se mundësia e emigrantit për të shkuar lehtë në Shqipëri shërben edhe si kriter kualifikimi për votën: kush shkon lehtë, edhe ka shkuar dhe do të shkojë dhe do të marrë pjesë në jetën politike të Shqipërisë mes të tjerash edhe duke votuar.

        Megjithatë, unë kam rezerva të mëdha për votën e emigrantëve sot – sepse imazhi që kanë këta për problematikat në Shqipëri ende përcaktohet nga distanca prej ngjarjeve relevante.

        Një ide do të ishte që të lejoheshin të votonin vetëm emigrantët që paguajnë taksa në Shqipëri – sepse kanë biznese ose prona. Ata që kanë biznese ose prona, vetvetiu shkojnë edhe shpesh në atdhe.

        Një ide tjetër do të ishte që shqiptarët jashtë Shqipërisë të përfaqësoheshin nga 3-4 deputetë vetëm – ose jo aq sa të mund të ndikonin në votën në Kuvend në mënyrë sistematike.

        Dy kërkesat që ia bëjnë shqiptarët e mërguar qeverisë – ajo për votën dhe ajo për shkollën shqipe – mua më duken artificiale, madje të nxitura nga politika në Tiranë, së cilës i pëlqen shumë diskursi patriotik gojëlarës.

        1. Shume i vertete paragrafi juaj i fundit. Kjo figura e emigrantit qe vrapon “si qengji kur degjon zethin e nenes” me duket pak i vjeteruar per te mos thene i ekzagjeruar. Ne boten e sotme te shekullit te XXI ku distanca me e gjate fizike eshte 20 ore fluturim, ndersa ajo e komunikimit pra dhe e cmalljes eshte ne kohe reale me ze e me figure, koncepti i emigrantit mall-kapluar e zemer e xhepashpuar per atdhe, me duket po aq i prapambetur sa dhe figura groteske e emigrantit qe lan pjata ne Amerike, a thua se ne Amerike nuk ka hyre akoma dishwasher. Sot njerezit (dora jone te pakten:) ) levizin kudo, mbarojne shkolla e gjejne pune ne cdo vendd te botes dhe rilokohen kudo qe u pelqen e u vjen me mbare. Atdheu i lindjes po behet gjithnje e me shume nje shprehje gjeografike, interesat e perditeshme na lidhin me njerez gjithnje e me te ndryshem nga cdo ane e globit. Personalisht lidhjet e mia me Shqiperine jane minimale. Nga brezi im nuk kam pothuajse asnje shok pasi te gjithe jetojne jashte shtetit, prinderit kush ka mundur i ka marre me vehte te tjeret hidhen e i takojne cdo vit ose i paguajne biletat ti sjellin per pushime ne vendet ku jetojne. Femijet e brezit te dyte ne Amerike e Kanada vecanerisht jane totalisht te ingranuar ne jeten vendase, punet e menyren e jeteses dhe Shqiperine e shohin ne pjesen me te madhe si nje vend ekzotik ku iu pelqen te kalojne pushimet po ku e kane pothuajse te pamundur te adaptohen me normat dhe sjelljet e shoqerise atje. Pra ne momentin kur i gjithe boshti i jetes dhe i interesave eshte shkeputur nga vendi ku kemi lindur, une nuk shoh gje tjeter pervec nje nostalgjie romantike te ngjashme me nostalgjine per mbremjet e matures qe na mban te lidhur me ate vend. Ndaj dhe kjo deshira e vazhdueshme per te votuar ne nje vend qe politikisht dhe ekonomikisht nuk na afekton me, ose perpjekja e deshperuar e ca prinderve per t’i cuar femijet ne ca klasa shqip me gjashte nxenes e gjysem e per t’u brumosur dashurine per kenget tallava me duket pak e tepruar, per te mos thene gje tjeter. Por mbase jam edhe gabim…

  8. Pf, vej re se ka shume gabime ne fakt, sidomos te komenti i fundit, qe pergjithson pervojen e ndjesite tuaja ne ato te shume emirgrantave. Per vete jam 26 vjeçe, kam ardhur ne Itali kur isha 11, pra 15 vite jashte vendit. Perveçse kam njohur bashkesite shqiptare ne Itali, kam njohur edhe komunitete shqiptare ne Gjermani (qe edhe pse kane lindur atje e flasin dhe e shkruajne shqipen pa ose me pak gabime). Kam miq e te aferm amerikane, te brezit te dyte, qe vijne ne Shqiperi te pakten nje here ne vit, duke lene udhetimet ne Florida e California. Une per vete, vitet e fundit kam shkuar 4 here ne vit (sivjet e kam kaluar kete shifer). Duke udhetuar edhe ne kushte te “varfera”, ne tragete e autobuza qe i kalojne 20 ore udhetim – ja qe na eksiztokan sot e kesaj dite – kam njohur shume shqiptare qe mes sakrificave, kane nje atdhedashuri qe jo vetem Pf nuk e kupton, por as nuk e ka hasur.
    Miq te mire te mi, jane kthyer, megjithe karrieren qe i priste kendej. Se shpejti, edhe une do te kthehem.
    Nuk dua te pergjithsoj, shqiptaret jane shume, jemi te ndryshem edhe ne “cilesi”, ne pasuri, ne vendet ku kemi “zbritur” qe na kane modeluar si individe, po ashtu edhe ne rezultatet e “testit te atdhedashurise” kemi dallimet tona.
    Nuk “na” afekton me” eshte teper subjektive. Akoma nuk kam degjuar nga dikush qe as kthehet ne Shqiperi, as perditesohet me lajmet shqiptare, te kerkoje deshiren e te drejtes se votes, perkundrazi. Jane ata qe veteperjashtohen, siç po ben ti ne rastin konkret.
    Ne qe duam voten, e duam sepse e duam vendin tone, duam nje vendimmarrje ne ate vend ku shkojme 1 muaj, 2 apo 3, duam te kthehemi nje dite e mendojme qe t’i shikosh gjerat me nje fare distance mund te mos jete vetem negative, perkundrazi, eshte pak me super partes. Investimi ojme ne te (jo cdo gje eshte ekonomi), edhe pse nuk kemi mundesi te bejme udhetime 1 ditore. Ideja e te pasurit biznes apo prona si kriter per te drejten e votes eshte antidemokratike.
    Ndersa te mendosh se gjuha shqipe ne femijet e brezave te dyte mund te sherbeje per nje lloj “kulture”, ate te tallavase… eshte harrese e pasurise se shqipes si gjuhe ne vetvete por edhe e pasurimit te nje femije qe rritet si bilingual/dygjuhesh.

    1. Nuk ngul kembe qe te gjithe jane si une, apo si shumica e atyre qe njoh, thjesht po ve ne dukje dicka qe per mua eshte nje realitet. Nga ana tjeter jemi breza krejt te ndryshem dhe per ne ikja nga Shqiperia (vecanerisht ne kontekstin e Amerikes se Veriut) ishte si nje arratisje drejt lirise, ndersa per ju qe u rritet ne Europe ishte vetem nje udhetim nje bahce me tutje. Une per vehte nuk mesohem dot me me Shqiperine dhe po ashtu shume shoke te mijte qe kane bere dekada ketej. Nga ana tjeter ne u rritem si nje brez ku te ishte apolitik ishte krenari dhe ne nje fare menyre kjo na u rrenjos thelle. Une per vehte kam votuar vetem dy here ne Shqiperi: njehere per Berishen ne 1992 dhe njehere per Fatosin ne 1997… megjithese kam jetuar ne Shqiperi deri ne dymijen. Vetem ky fakt besoj tregon se ne cfare lumenjsh politike kemi kaluar. Megjithate iu uroj vertet qe Shqiperia te behet ashtu sic ua do zemra edhe fale votes suaj. Ne si te thuash e hengrem ate kokerr ulliri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin