KËSHTU FOLËN, KËSHTU THANË

Në qoftë se ka një tipar të përbashkët të mediave të sotme shqip online, ky është funksionimi i tyre si instrumente të censurës – edhe drejtpërdrejt, ose me format tradicionale të refuzimit të botimit të një shkrimi të gjykuar si të papërshtatshëm ose të injorimit të një lajmi me natyrë delikate, edhe tërthorazi, nëpërmjet “fshehjes” së një lajmi ose një artikulli kritik përndryshe të botuar, për shembull duke e hequr nga faqja e parë; ose duke bërë aq shumë zhurmë për çështje të dorës së dytë, sa publiku të hutohet dhe të mos e dallojë më “elefantin” në dhomë e kështu me radhë. Aq e vërtetë është kjo, sa gati-gati do të thoja që misioni më fisnik i një medie alternative është t’i shpjegojë publikut që mass mediat krijojnë realitetin e tyre, i cili synon ta zëvendësojë realitetin jashtë tyre; por ky mision, i formuluar kështu, e sjell paradoksin me vete, sa kohë e vetmja mënyrë për ta përcjellë është nëpërmjet mediave. Gjithsesi, denoncimi hap pas hapi i censurës mund të ndihmojë, edhe kur është e pamundur të formulosh parime me natyrë të përgjithshme. Dhe në këtë kontekst, po dua të shtoj se një nga format e tanishme të censurës, shumë efikase edhe pse edhe më e tërthortë se të tjerat, ka të bëjë me shtrembërimin e një citati, një mendimi, një gjykimi, një pohimi, një deklarate publike, për ta sjellë materialin kështu të referuar më afër skandalit, ose për ta zëvendësuar përmbajtjen e tij me tronditjen prej një skandali. Për shembull, një portal e kish marrë shkrimin tim ku diskutoja një citim të gabuar të kryeministrit Rama dhe e kish ribotuar me një titull ku unë citohesha të kisha thënë se “Rama mashtron”.

Citimi i shtrembëruar zakonisht ndodh në kontekstin e qarkullimit të lirë të artikujve dhe të eseve dhe të shkrimeve të tjera nga një media në tjetrën, shpesh pa i marrë leje autorit dhe, natyrisht, pa i paguar këtij asnjë kacidhe; pra në rrethanat kur të drejtat e autorit nuk vlejnë as sa letra mbi të cilën janë shkruar – ndërkohë që buja që u bë një vit më parë për këto drejta edhe ajo është censuruar tashmë (por këtë do ta diskutoj gjetiu). Veç kësaj, citimi i shtrembëruar vepron në kontekstin diskursiv të ligjëratës së zhdrejtë, në kuptimin që media që e sjell fjalën e një pale të tretë, përfiton nga presupozimi që përcjellja dhe riprodhimi i fjalës së tjetrit gjithnjë mbështeten në kriterin e besnikërisë, e cila sot mund të përkufizohet edhe si forma sublime e një gjesti copy & paste.

E megjithatë, të shumtë janë ata që ankohen se fjalët u janë cituar dhe riprodhuar të shkëputura nga konteksti, çfarë ndodh shpesh, nga budallallëku i cituesit, por edhe nga dëshira e këtij për t’i përdorur fjalët e tjetrit, duke i rekrutuar; ankimi gjithnjë duhet dëgjuar, pa çka se shumë politikanë abuzojnë me të, duke iu referuar gjithnjë një konteksti hipotetik, i cili rregullisht do t’u jepte fjalëve të tyre atë kuptim që u intereson atyre, por edhe do të përjashtonte kuptimin tjetër, që u intereson të tjerëve; dhe le të mos harrojmë, më në fund, se konteksti mund të përligjë gjithçka, deri edhe mungesën e kontekstit. Por çdo abuzim që bëhet me kritikën ndaj citimit abuziv nuk mund t’i çlirojë fajtorët nga përgjegjësia, madje edhe kur këta nuk dinë si të citojnë – ka edhe të tillë – dhe ngatërrojnë, herë pa dashje dhe herë me dashje, fjalët e dikujt me interpretimin që u kanë dhënë ata vetë këtyre fjalëve.

Karakteristikë e interpretimeve të tilla, edhe kur nuk bëhen prej kokëtrashëve ose analfabetëve funksionalë, është thjeshtimi i mendimit të tjetrit, ose lufta e pamëshirshme ndaj nuancës, në një përpjekje për t’i reduktuar ngjyrat e realitetit, por edhe të imazhit tonë për këtë realitet, në bardhezi. Për këtë ankohej publicisti Veton Surroi, në një shkrim në Dritare.net (Budallallëku si përçuesi më i mirë), duke përshkruar mënyrën si ia kishin shtrembëruar mediat fjalën dhe mendimin, duke ia thjeshtuar deri në banalitet dhe duke i vënë në gojë fjalë që nuk i kishte thënë. Më lart këtë e quajta si formë të censurës – por jo ngaqë ashtu censurohen fjalët dhe mendimet e dikujt; tek e fundit, kushdo mund të gjejë materialin burimor dhe ta verifikojë vetë shtrembërimin, nëse ka pasur të tillë.

Prandaj censura, në raste të tilla, ka të bëjë me shkurajimin që i bëhet autorit; i cili, përballë indiferencës së përgjithshme të opinionit publik dhe pandëshkueshmërisë së medias që shtrembëron, mund të vendosë që të mos u qaset më temave të tilla delikate, ku edhe një presje e lënë jashtë mund të revoltojë një krahinë të tërë ose t’u prishë gjumin të fortëve; dhe ta bëjë këtë me argumentin se “nuk ia vlen barra qiranë”, i cili nuk është doemos filistin, sidomos kur sillet përballë një publiku që s’e ka për gjë të sillet ai vetë si filistin. Tek e fundit, ka disa norma elementare të funksionimit të komunikimit publik që nuk mund të rregullohen me ligj dhe as të imponohen me ligj; me keqcitimet nuk mund të merret policia, as prokuroria; në kuptimin që një media teorikisht e orientuar ndaj së vërtetës, do ta respektojë këtë edhe kur vjen puna për ligjëratën e zhdrejtë; çfarë natyrisht nuk ka asnjë kuptim, për një media e cila është e orientuar ndaj censurimit të tjetrit, nëpërmjet përçudnimit dhe karikaturës së mendimit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin