POSHTË EMRIT, ASGJË

I këtyre ditëve ishte lajmi se një gazetar “investigativ”, në bashkëpunim me një numër mediash të njohura të sektorit të editorisë dhe jo vetëm, arriti të zbulojë se kush fshihej pas pseudonimit letrar Elena Ferrante, autore italiane e një serie romanesh shumë të suksesshëm.

Gazetari e hetoi këtë punë si të ish fjala për të gjetur fajtorin e ndonjë krimi; a thua se një shkrimtare që kërkon ta mbajë të fshehur emrin e vet, e bën këtë sepse “ka diçka për të fshehur.”

Histori të tilla gjithnjë më kujtojnë atë fëmijën kryeneç dhe tekanjoz, që i përplas lodrat e veta përdhé derisa t’i shkatërrojë, për të gjetur se çfarë kanë brenda – pa çka se ashtu veç do të gjejnë se lodrat nuk kanë asgjë “brenda”; dhe se sekreti i lodrës, që e bënte atë tërheqëse madje magjike, ishte pikërisht çfarë e mbante bashkë, ose të mbërthyer.

Duke komentuar për këtë ngjarje te “La Repubblica”, Michele Serra vërente se kjo shkelje ditën për diell e së drejtës për të shkruar me pseudonim, tradhton edhe një herë frymën e sotme të komunikimit publik të kolonizuar nga thashethemet dhe polemikat. Edhe një herë tjetër, shkruan Serra, teksti u tregua më pak i rëndësishëm se konteksti.

Miliona lexues, anembanë botës, kanë shijuar romanet e Elena Ferrante-s, duke ndërtuar në mendje jo vetëm botën narrative të përcjellë prej tyre, por edhe imazhin e kësaj autoreje vetë. Ky imazh i autorit është pjesë e librit të lexuar dhe e eksperiencës së lexuesit – dhe nuk është e thënë të ketë lidhje me personin privat të shkrimtarit që e nënshkruan librin. Edhe vetë emri, Elena Ferrante, i lajmëruar që në krye si pseudonim, nuk ka mëtuar veçse të shërbejë si etiketë për këtë imazh të autorit-në-tekst.

Për më të shumtën e këtyre lexuesve, Elena Ferrante mbetet kështu autori i romaneve që ata kanë shijuar, në kuptimin e një roli semiotik; dhe kësaj marrëdhënieje që ata kanë vendosur me tekstin nuk kanë ç’t’i ndryshojnë emri i saj “i vërtetë” (shprehje pa kuptim, jashtë hapësirave ku identiteti përcaktohet dhe duhet deklaruar sepse ashtu e kërkon ligji), sikurse biografia dhe pamja e jashtme e shkrimtares dhe ndonjë selfie që ajo mund të ketë shkrepur, me identitetin “tjetër”.

Por ka edhe nga ata që informacionin e saposhfaqur për personin real të “maskuar” si Elena Ferrante e kanë shfrytëzuar sakaq për ta rrethuar veprën e saj me një kënetë duhmash paratekstuale – në përpjekje herë të dëshpëruar, herë sadiste dhe herë thjesht ziliqare për të gjetur lidhje, bashkëlidhje dhe shpjegime midis suksesit të romaneve dhe hollësive biografike të autores.

Zbulimi i identitetit lëshoi në qarkullim edhe një konflikt midis imazhit të autores së romaneve, të deduktuar nga eksperienca e leximit, dhe imazhit të gruas reale që i ka shkruar dhe nënshkruar ato tekste. Vetë Michele Serra, në artikullin e cituar, shpreh keqardhjen që tash e tutje nuk do të mundet më të bëjë supozime poetike për “identitetin e vërtetë” të Elena Ferrantes, duke e përfytyruar edhe ai si floktare a murgeshë a rrobaqepëse. Kësaj keqardhjeje, një komentues ironik i përgjigjet duke u rrëfyer se atij vetë i kish pëlqyer ta përfytyronte autoren enigmatike si Balotelli-n.

Përtej batutave, kur autori i një serie veprash fiksionale, aq më tepër të suksesshme, parapëlqen të rrijë në hije dhe në heshtje, ose të mos i paraqitë “dokumentet” në pikën kufitare midis tekstit dhe lexuesit, atëherë edhe ky pashmangshëm bëhet pjesë e tekstit, si të ishte një lloj personazhi, edhe pse i një niveli të ndryshëm nga ai i personazheve të tjera. Dhe kjo ndodh sepse vetë fakti që autori nuk e tregon fytyrën përfton vetvetiu një narrativë që e shoqëron narrativën kryesore të romanit – narrativën e autorit të fshehur.

Zelli investigativ i mediave, për motive jo thjesht kurioziteti, ndërhyri brutalisht në këtë lojë delikate, midis autores, personazheve të saj dhe autores-personazh, duke e shkatërruar. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për të drejtën e dikujt, qoftë ky edhe autor veprash letrare, që ta mbajë anonimitetin nëse dëshiron; por edhe për të drejtën e lexuesve, aq më tepër kur miliona, për t’i lexuar romanet në fjalë në atë formë dhe në atë kontekst pragmatik që ka dashur t’ua japë autori.

1 Koment

  1. “Zelli investigativ i mediave,per motive jo thjeshte kurioziteti,nderhyri brutalisht ne kete loje…”
    Por,mund te jete edhe e kunderta,zoti Vehbiu.
    Dhe kam nje argument per kete: pamundesia per te mbetur anonim!
    Nga kendveshtrimi im,anonimati i kerkuar,eshte shprehje e nje kompleksi te madh per fame.Te tillet e deshirojne poaq famen,sa ata qe e lypin duke bertitur me te madhe.
    Eshte nje loje plot adrenaline.Ti qe don te mbetesh anonim, te tjeret qe duan te dine se kush je.E vetedijshme se heret a vone do ta njohin,autorja,patjeter qe e ka shijuar kete anonimitet.E ka shijuar shume.
    Eshte nga ato raste,te pakten per mua,pashmangshmerisht i paragjykueshem.Une nuk besoj,asnje argument ne bote nuk mund te me beje qe te besoje,se autorja ka dashur me te vertete te mbetet anonim…sepse eshte e pamundur.
    Kur je i vetedijshem,se eshte e pamundur te mbetesh anonim,atehere pse e kerkon me ngulm kete?!
    Une mendoj qe, per fame.Vec per fame.Dhe per ta shijuar ate ne maksimum.”Anonimet” e shijojne me shume famen se “publiket”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin