BIJTË E BIJVE TË EMIGRACIONIT

Viti i 16-të i jetës po vinte me vrull atdhetar për Larën. Kish lindur në 2000-ën në Shtetet e Bashkuara, me nënë shqiptare e baba amerikan. Dashuria për gjyshërit dhe familjen në Shqipëri ishin rritur me të që kur s’mbahej mend. Tirana, Himara, Dardha, Shkodra dhe qytetet e fshatrat e tjera shqiptare e kishin shoqëruar thuajse çdo verë kur kalonte 2-3 javë duke bredhur nëpër Shqipëri, dhe çdo dimër nëpër ëndërrimet amerikane. Lodrat e Rrugës së Elbasanit ku gjyshi e çonte bashkë me kushërirën e vet pak më të madhe, Adrin, ishin lodrat më të bukura në botë deri sa u bë 8 vjeç. Petullat e nonës çdo mëngjes, klithmat gazmore të tezes kur e shihte, dispozicioni total i dajës e bënin krenare dhe të ndjeshme ndaj gjithçkaje shqiptare.

E prapë, Lara fliste pak shqip, dhe Shqipëria u rrinte ditëve të saj si një element ekzotik, si një yll që ndriçonte për së largu, jo shumë ndryshe nga sa i rrinte Bashkimi Sovjetik gjyshes së saj që s’kish qenë kurrë atje, por që kish pasur një tufë me profesoresha ruse në universitet. Atyre që e shihnin shqiptarizimin si ngushtësisht të lidhur me gjuhën, Lara u ofronte një model të ri e më të butë analize e interpretimi. Bërja dhe ribërja e identitetit të saj kombëtar është rrënjësisht eklektike e selektive. Ishte e lidhur me një tjetër lloj nostalgjie, me atë “reflektive”, tepër e ngatërruar për t’u vënë kollaj në hartën e nostalgjive të njohura, dhe me potencial zhvillimi më të madh sesa ajo e emigrantit shqiptar larguar i rritur prej Shqipërie.

Por kur u bë 15 vjeç, gjërat nisën të ndryshojnë. Lidhja e saj ekzotike me Shqipërinë ndryshonte dhe bëhej më reale. Identiteti perfekt amerikan nuk e nxinte më; shqiptaria po i rritej aq shpejt sa edhe estrogjeni. Kish pasur një jetë pa asnjë problem, e suksesshme dhe e njohur në shkollë e qytet, e bredhur dhe pa asnjë dëshirë të parealizuar apo zili sociale. Zgjaste dorën të këpuste frutin e shqiptarizmës pa arsye të imagjinueshme, veç prirjes së natyrshme për të gërmuar tek vetja dhe eksploruar horizontet e qenies dhe botës. Propozon që veç mbiemrit Morgan të mbajë edhe atë shqiptarin. Gjyshit në Tiranë që kishte pesë mbesa iu bë zemra mal e sa s’po i pëlciste që një mbesë do i trashëgonte emrin. Tani vërtet e kuptonte se dëshira për një nip paskësh qenë krejt e kotë. Nona praktike kolonjare e krishterë i tha se kështu vetëm taksirate do i krijoheshin nëpër aeroporte ku “Morgan” tingëllon më mirë se mbiemri mysliman që lypte Lara.

Kish studiuar gjermanisht dhe frëngjisht, por zgjedh italishten si gjuhë që duhet ta fusë në listën e domosdoshme të vitit të tretë të gjimnazit sepse në strukturën identitare shqiptare as anglishtja e saj, dhe as gjermanishtja a frëngjishtja nuk kanë peshën e italishtes. Ndaj ndryshon gjithë orarin që të mësojë italisht. Këto janë përfundimet nxjerrë nga analiza empirike të vetat në terren. Askush s’i ka thënë se italishtja të shënjon si shqiptar, dhe ajo nuk e njeh historinë e gjysmë-kolonizimit të viteve 20 e 30. Por Lara gërmon me hundën e mprehtë dhe intuitën e rritur nëpër udhëtime, dhe ndërton një listë të vetën kushtesh shqiptarie, kushte ideologjike e kulturore, kushte politike, gjinore, kushte shijesh e pëlqimesh. Ndërton komunitetin e vet të imagjinuar dhe bëhet gati t’i përkasë duke e ndryshuar atë edhe më tej.

Rindërtimi i identitetit kombëtar të të riut që kërkon e grumbullon copa që i imagjinon si të vetat ose do t’i  bëjë të vetat, nuk është as homogjen, as në vijë të drejtë. Identiteti politik dhe ideologjik është një ndër pjesët e tij vibrante. Po aq i panjëtrajtshëm e fluid është edhe komuniteti imagjinar të cilit i takojnë bijtë e bijve të emigracionit. Lara p.sh. sheh si tipar shqiptarësh ateizmin, tipar të cilin nuk dihet tamam në çfarë marrëdhëniesh e ka vjelë. Dhe si fëmijë e rritur në një familje me prirje të majta, përkrah praktika të majta në jetesë dhe politikë. Por ka vetëdije të qartë për të djathtën, të cilën në ShBA nuk e toleron aspak. Por në Shqipëri, pjesa politike nuk e shqetëson edhe aq. Njeh mirë politikanët kryesorë shqiptarë dhe mendon se njeh edhe korrupsionin politik dhe ekonomik aty, si dhe mungesat në dallimet praktike e majtë-e djathtë. Tamam kjo e bën të tolerojë të djathtët në Shqipëri më shumë se në Amerikë, ndoshta ndonjë edhe ta dojë fort, siç bën ndaj gjyshit të vet anti-komunist.

Është feministe e re proaktive dhe kjo pjesë i ka hapur telashe identitare në identifikimin me Tiranën. Sidomos nuk duron dot fare mënyrën se si burrat shohin gratë kalimtare në rrugë. Thotë se ndjekin me sy krejt instinktivë e të egër. Dhe nuk t’i shqisin sytë edhe po t’i shohësh me inat; madje edhe flasin nga mbrapa e të ndjekin. Askund, thotë Lara, gruaja nuk objektifikohet e trajtohet pa respekt sa në Tiranë. Kjo, deri kur një e njohur i foli për mënyrën se si gratë trajtoheshin ato në Kajro. Një ditë tha se burrat nëpër rrugët e Tiranës i vijnë rrotull kufijve të pedofilisë. Por këtë nuk e bën tipar me peshë të shqiptarizmës, dhe e shmang si problem universal i trajtimit të gjinisë së vet. Dhe megjithatë lufton sa mundet kur vjen në Tiranë, sidomos do të emancipojë “burrat e rinj” që ajo beson se janë të ndryshueshëm dhe madje po ndryshojnë.

Besoj se tiparet e shqiptarisë në lëmin prej të cilit Lara kërkon kallëzat identitare i zgjedh që t’i konfirmojnë drejtimet që ka, më shumë sesa i gjen në gjendje natyrore në Shqipëri. Pa dyshim ka një përbërës themelor që pasqyron familjen e veçantë nga vjen e reja në kërkim të shqiptarisë së vet, ashtu siç ka edhe një faktor të veçantë lidhur me lagjen, qytetin, njerëzit e stilin e jetës në atë Shqipëri që ajo njeh. Gjithsesi një pjesë e mirë e botës shqiptare ndërtohet subjektivisht nga bija a biri i emigrantit. Para vizitës në Shqipëri në verën e 2016-ës i futet historisë së komunizmit shqiptar, të cilin, sado majtiste qoftë, e toleron aq sa toleron seksizmin, pra zero. Ka gjëra që i kupton, të tjera jo. Mora vesh se historinë e Enver Hoxhës e kish lexuar të lidhur me historinë e Trockit dhe Titos (veç nga Wikipedia, ama); më tha edhe se e kish kuptuar mirë se si dhe kur i asgjësonte Enver Hoxha shokët e vet, por nuk e merrte vesh pse nuk e kish vrarë Hysni Kapon, dhe nuk ia gjente dot fillin hasmërisë mes Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Me këto pyetje (të mira) të bën të rimendosh nënvlerësimin për Wikin.

Sa herë shkon në Tiranë i bën një vizitë galerisë sonë të mjerë të arteve. E di rrugën për në katin e dytë ku kalon një orë të mirë duke interpretuar herë me gaz, herë duke rrotulluar sytë, pikturat dhe skulpturat e realizmit socialist. Por qejfin më të madh e ka në oborrin e pasmë të galerisë ku bën poza baleti klasik me Leninin, Stalinin dhe me partizane e partizanë kallëpesh të ndryshëm. Herën e fundit, teksa kërceu në ajër që të mund t’i fotografohej në ajër spakata 200-gradëshe, nën të cilën duhet të ishte koka e Stalinit, desh i kërceu në krahë princit Zog që sapo doli nga një jeep bashkë me të fejuarën, të dy kaplluar nga hareja paqësore paradasmore. Kur e mori vesh më vonë se me kë desh u përfyt, bënte sikur i zihej fryma nga emocioni i përplasjes së rastësishme me një princ. Por Zogu dhe linja e tij, i interesojnë pak. Thotë se në fund të fundit ai ishte vetëzgjedhur mbret në një kohë kur mbretërit po veniteshin nga skena e historisë. Kjo ide është pak problematike sepse tregon që para-ideja e saj është se disa nga mbretërit e Mesjetës “e kishin merituar” ose “trashëguar moralisht” fronin. Fuqia e identitetit të saj me origjinë anglo-saksone këtu i bie në qafë atij shqiptar, dhe ia punon keq këtij të fundit. Por ndoshta do ta ftillojë edhe këtë aspekt me kohë.

Gur prove i veçantë ndaj të cilit Lara mat si ecën Shqipëria janë trajtimi i racave të ndryshme dhe i homoseksualitetit. Është e dukshme që pret pa durim t’i veshë vetes gunën shqiptare të barazisë racore apo atë të respektit për të gjitha zgjedhjet dhe sjelljet gjinore e seksuale. Dhe jo thjesht nga pikëpamja legale, por si kulturë të përditshme. Nuk ia nderojnë shqiptarinë gjendja e romëve nëpër Shqipëri, apo komentet që dëgjon edhe mes të rinjsh për zezakë apo kinezë. Kur gjyshi i vet 80-vjeçar, shpesh patriarkal, mori në mbrojtje një burrë homoseksual si të keqtrajtuar dhe tha “i shkreti, gjithë jetën ka jetuar fshehur”, Lara desh u çmend nga gëzimi. Por kulmi i haresë ishte në një rrugë përgjatë Lanës kur ecte me të ëmën: para tyre ishin dy djem rreth 18-19 vjeç, të pastër, të paqtë, të qethur hijshëm, të shumëngjyrshëm, që ecnin lehtë e përkundshëm dhe bënin muhabet për shtatë palë qejfe.  Lara i bën shenjë të ëmës me sy gjithë gaz që thoshin “e shikon, homoseksualë të lumtur e krejt të lirë në Shqipëri!”, dhe me një gjest shtesë i tregon se e ëma ekzagjeron kur thotë se Shqipëria është vite drite larg trajtimit dinjitoz të homoseksualitetit. E ëma i thotë se vë bast që janë të huaj. Atëherë nxitojnë hapin të dëgjojnë gjuhën e dy djemve. Kur ecin sikur të ishin katër, njëri nga djemtë duke u parë ne vitrinat e dyqanit në ijë, i thotë mikut të vet në shqip “duhet të bie nja dy kg. Ka filluar të më duket pak barku.” Tjetri i përgjigjet “dukesh mirë fare, por po deshe të biesh akoma, bëj një dietë njëjavore.” Këtu Lara nis dihat me entuziazëm, dhe po i plaste fytyra nga qejfi. Sapo u distancuan dy hapa i këndoi së ëmës në vesh me shpoti: “Shqipëria po ndryshon”.

Është interesante të shohësh se si, teksa Lara shqiptarizohet, i kërkon faqet e pafund identitare duke rrëmuar jetën, librat, filmat, gjuhën, pamjet; pastaj i përzien siç bëhet me letrat e bixhozit, e pastaj i sodit nga lart e nga poshtë, i përtyp, i përzgjedh në mënyrë jorastësore dhe i rikonstrukton rrjedhshëm në një strukturë shqiptarie origjinale dhe kritike, në një identitet shqiptar të sajin, ku asocime jo edhe aq tradicionale bëmash dhe karakteresh nacionale bëhen simbolike. E gjitha kjo nuk është rastësi, as përpjekje e prindërve apo e motrës së saj (gjithashtu në kërkim grupesh imagjinare që bashkohen nga shkallë identiteti shqiptar), që ta konvertojnë, as përpjekje organizmash apo e shtetit që të prozelitojë mbështetje nga ana e grupeve farefisnore (kin groups) ndër diasporat shqiptare. Është thjesht kërkim dhe nevojë e asaj vetë.

Mbështjellja e trupit me flamur, marria pas festave kombëtare historinë e të cilave pak e dinë mirë, gishtat thurur shqiponjë në kraharor, turrja me vrull për t’u lëvduar si kombi me gjuhën më të vjetër e vetitë më sipërore, të gjitha lidhen me idenë e të përkiturit në një kombësi, por janë sipërfaqësore, qesharake dhe pa thellësi racionale, e sidomos janë poza gënjeshtare që nuk i takojnë pjesëve themelore të qenies. Identiteti kombëtar nuk është ky. Na duket i pranishëm dhe i rëndësishëm sepse na e këndojnë pa pushim nga lart. Është një imitim dhe trushpëlarje e thjeshtë me të cilën jemi mësuar (dhe jo vetëm ne).

Identiteti kombëtar në fakt është si një filtër në të cilin kalojnë duke marrë ngjyrë e aromë të veçantë të gjitha pjesët tona të qenësishme, idetë themelore, gjinia, tendencat politike, kultura që kemi, feja me të cilën identifikohemi. Ai që ne quajmë identitet kombëtar ose të qenët shqiptar është një kryqëzim i gjithë tipareve tona themelore ndriçuar nga gjuha, historia dhe kultura tradicionale dhe në bërje e sipër e shqiptarëve. Ndaj edhe secili nga ne e jeton shqiptarinë e vet ndryshe, dhe dy të njëjta nuk ka, sado që e konsiderojmë veten pjesë e komunitetit me të cilin ndajmë shqiptarinë. Por kjo s’do të thotë që nuk na duhet ose që mund të jetojmë pa të, edhe kur na pëlqen edhe kur jo. Në Shqipëri, dhe tani edhe në Kosovë, merret lehtë për arsye të natyrshme, merret si ajri. Por për të riun prindët e të cilit emigruan, është një proces i vështirë, i ngatërruar dhe plot hone (ndoshta, jo vetëm për të). Është e vështirë që familja private ta drejtojë procesin si duhet – zakonisht ajo është e papërgatitur ta kryejë këtë.

Por shqiptaria është para së gjithash angazhim në të mirë të këtij komuniteti pjesë e të cilit mendojmë se jemi. Komuniteti i imagjinuar të cilit i takojnë bijtë e bijve të emigracionit shqiptar, është pa dyshim i idealizuar pa qenë detyrimisht utopik, i ndjekur nga një vetëdije e fortë kritike e përmirësuese. Kjo është edhe pika ku ata ndryshojnë nga moshatarët e vet brenda Shqipërisë. Të dy palët, kur janë kureshtarë e kërkues, e njohin mirë ç’bëhet e ç’nuk bëhet nëpër botë, gjuhët, kulturën, muzikën, shkencën. Ndoshta fjalorin urban mund t’u mësojnë vërsnikëve të vet përkatës brenda Shqipërisë të rinjtë e emigracionit, dhe jo më shumë se aq. Por nga ana psikologjike dhe nga shinat emocionale të dijes dhe sjelljes, ata të emigracionit janë më konstruktivë, kritikë me pritshmëri të lartë ndreqjeje, më pak të lakueshëm nga kompromisi e korrupsioni, më të sigurtë e më të pavarur.

Kjo pjesë e angazhuar pro-shqiptare në mos shqiptare jashtë, nuk mund dhe nuk duhet injoruar. Bijtë e emigracionit nuk janë biznesmenë potencialë që do hapin xhepat për të shpëtuar “mëmën në rrezik”. Këtyre konceptimeve foshnjore, mekanike e njëkahëshe u ka ikur koha, sido që shtete me nacionalizma demodé si Greqia vazhdojnë t’i aplikojnë, dhe sipas tyre me sukses. Dhe, edhe sikur të donim, ne nuk kemi shtet që asiston me ndihma  këtë grup të madh shqiptarësh shpresëdhënës. Ata zor t’i fusësh në llogore politike, dhe çdo nxitje fushatash formale mund të jetë e rrezikshme. Burokratë të caktuar mund ta konceptojnë ndërhyrjen e shtetit në mënyra fashiste e komuniste, dhe kjo është mënyra më e keqe e afrimit të turmës së bukur të të rinjve me origjinë shqiptare dhe kthimit të tyre në garda nacionaliste. Por shteti mund dhe duhet t’i ndihmojë me gjuhën dhe librin shqip. Personalisht mendoj se kjo është rruga më efikase dhe realiste për momentin duke parë edhe buxhetin e shtetit tonë të tharë. Mundet edhe të krijohen kampe pushimi verore për të rinj me origjinë shqiptare, kampe që presin ndoshta 100.000 të rinj me origjinë shqiptare çdo verë me kurse për shqipen dhe letërsinë shqipe (kam frikë të them historinë se ajo mund të përfundojë kollaj tek pellazgët). Drimadhesi mund të shërbejë si fillim. Të rinj me origjinë shqiptare nën 25 vjeç që paguajnë vetë rrugën për në Shqipëri, por aplikojnë që të mund të rrinë deri në 1 muaj në Shqipëri me fjetje nëpër çadra, ushqim bazë dhe kurse gjuhe të paguara nga shteti. Ata duhen ndihmuar në kërkimin e tyre për gjuhë, lidhje me rrënjët e veta, me gjyshërit dhe historinë e vet. Kjo është më shumë në interes ë Shqipërisë sesa atyre vetë. Dhe jo veç sepse një shtet i arsyeshëm e human e ka detyrë t’i ndihmojë, por sepse ata kontribuojnë fort në ndryshimin e Shqipërisë me prezencën e vet të largët, që shpesh mund të kthehet në prezencë reale, sidomos në sezonin e verës kur ata përbëjnë një model të mirë për rininë brenda Shqipërisë. Pa përmendur vlerën e tyre për imazhin e Shqipërisë nëpër botë.

Bijtë e bijve të emigracionit janë njerëz që janë në kërkim të Shqipërisë, qorrazi, me vullnet që mund të humbasë udhën, të gremiset e të thyejë qafën në çdo qoshe. Lara në këtë kërkim gjeti ateizëm të butë e të moderuar, dikush tjetër në këtë kërkim gjen fanatizëm fetar të tipave të ndryshëm. Dikush i afrohet Shqipërisë të bëhet veteriner dhe të hapë një klinikë për qentë e rrugës, dikush tjetër që të krijojë lidhje kriminale që i duket aty më xhenuine apo kanabiseske sesa në vendin ku jeton. Ky kapacitet njerëzor është kapital social për Shqipërinë, jo i reduktuar në prodhues votash dhe parash, por si popullsi me lidhje kulturore, sentimentale, politike, e me ndjesi të forta përkatësie. Këto janë lidhjet që e bëjnë një vend të madh, të gjallë, të fuqishëm, energjik dhe të hapur. Pra mbështetja e këtyre njerëzve ende të rinj nuk duhet bërë për t’i shfrytëzuar ata në mënyra meskine, por për t’u krijuar kanale kombëtare energjive të tyre njerëzore, simbolike dhe reale. Kryesorja, sidoqoftë, është se një sasi e madhe e shqiptarëve ende të pabërë por që kërkon Shqipërinë, e kërkon sepse ndien një nevojë plotësimi, sepse e vlerëson dhe e konsideron shtëpi, e sheh si origjinë, e ndien si pjesë të vetën. Jeta e këtyre njerëzve pa të, nuk është aq e mirë sa me të. Dhe është detyrë e mision i çdo organizmi institucional që merr përsipër përmirësimin e gjendjes së individit dhe grupit, të ketë një marrëdhënie civile me ta, t’i njohë, t’i përkrahë e t’u hapë rrugë komunikimi.

PS: ndjek së shpejti shkrimi plotësues “Muzika, sporti dhe shqiptarët e rinj të emigracionit”

 

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

14 Komente

  1. Eda, jam kurioz, po ndonje te mete a ka Lara si personazh, pervecse dobesimit te luftes klasore ne atdhe kunder ideve te djathta, gje qe sidoqofte nuk ia lejon vetvehtes ne Amerike? Ose neqoftese nuk ke dashur te besh kompromis ne anen morale, a nuk beson se personazhi mund te behej me i besueshem nese do t’i vinim te pakten nje te mete fizike si p.sh nje kembe proteze druri ose qofte edhe nje miopi te mesme qe do i kerkonte qe te mbante gjyslyke me xhama te trashe? 🙂

    1. O PF, po çfare proteze o derezi, t’u thafte goja! A nuk te shkon mendja se Lara mund te jete person real dhe jo personazh i trilluar?

      1. Jo, per Zotin, thashe se ishte tregim si ai me Din Hyken a me Gjergj Elez Aline. I kerkoj te falur Lares nga zemra,nese po e lexon kete koment.

  2. 🙂
    Une nuk e njoh Laren. Po syzet mund t’i kete edhe me xhama te trashe qe ta bejne syrin si te ciklopit. Mundet edhe te vije ere djerse nga ajo qe shpon hundet. Mund te jete ziliqare dhe e paskrupullt.
    Ku di une…
    Ceshtja eshte qe diaspora e re kerkon Shqiperine me menyrat e veta, dhe kjo eshte sa e bukur aq dhe serioze. Ata duhen njohur e ndihmuar.

    1. Une kam njohur shume femije emigrantesh qe i ngjajne shume kesaj Lares. Ndoshta eshte si thua ti, qe duhen ndihmuar, p.sh. mund t’i ndihmojme te mesojne shqipen. Per te tjerat te jesh e sigurt se jane ata qe duhet te na ndihmojne ne, sepse nuk ka diskutim qe jane me te mire se ne, prinderit e tyre.

  3. Ke te drejte: premtojne. Dhe ate them, qe gjuha, letersia, filmi shqip te mund te cohen drejt tyre. Nuk u duhen prere krahet dhe kufizuar mundesite. Dhe nuk flas per ndihme nga prinderit.

  4. Ky shkrim me beri te mendoj per peshen time si prind ne emigrim ne krijimin e “shqiperidashurise” ne psikene e sime bije, qe rritet ne France. Eshte vetem 3 vjec dhe cuditerisht, Shqiperine e konsideron me teper se Francen si atdheun e saj. Pa e kuptuar, i kam percjelle me siguri ndjesine time te emigrantes perjetesisht te perkohshme. jam larguar nga Shqiperia qe ne 1991-shin, dhe ende mendoj se shtepia ime eshte atje, mgjs ajo dhe lagjia qe e rrethon kane ndryshuar rrenjesisht.
    Ky fenomen me kujton gjithashtu percjelljen nga prinderit e mi te nje vuajtje si me prokure, te telasheve dhe persekutimeve te pafundme qe kishin gjate diktatures. Ende vuaj faktin qe prinderit e mi s’lexonin, s’vishnin e s’degjonin dot cfare te donin. Aq sa gjate moshes se Lares, beja cmos t’i coja neper koncerte, me bashkemoshataret e mi, t’u propozoja lexime etj. Po permend ketu vetem dukuri te perditshme, pasi ato me specifiket, te lidhura me persekutimin per se, jane shume me te veshtira per t’u perballuar.
    Ndaj, mendoj se eshte shume e bukur te ushqesh, apo te ndjekesh tek rritet nje atdhedashuri e tille (kush eshte atdheu ne kete rast?) ne brezat e dyte te emigrimit. Por ky proces, mendoj se duhet zhveshur nga cdo pergjegjesi shoqerore qe duam t’u ngarkojme ketyre te rinjve, te cilet, sic thote me shume kujdes dhe ky shkrim, ne shumicen derrmuese, e ndertojne kete atdhedashuri gjate procesit te krijimit te nje identiteti, pra te dickaje teper personale, qe duhet ruajtur e tille si nje thesar, pavaresisht potencialit te saj per te kontribuar ne ceshtjet e perbashketa.

  5. Nje menyre jo konvencionale per t’ju qasur nje çeshtjeje qe nuk e di sa i shqeteson vendet e tjera. Ka mundesi pak. Degjoj nje radio frenge qe lidhet me nje bashkepatriot ne Honolulu vetem sa per te thene se ka edhe nje degjues ne ate ishullin e larget. Gjermania dhe diaspora e saj? Suedia dhe suedezet jashte? Roli i diaspores amerikane? Dini gje ju çfare presin keto vende nga diaspora e tyre?

    Po kjo nuk do te thote asgje. Emigracioni per Shqiperine mbetet i rendesishem. Per shume kohe më perfaqesues per Shqiperine ishte migracioni se sa Shqiperia vete, matrica e tij. Madje mund te thuhet se Shqiperia eshte krijese e emigracionit te saj. Ketu u sollen deshmi prekese te dashurise se femijeve te diaspores per Shqiperine, por ne e dime te gjithe se rinia e vendit atje brenda, jo per fajin e saj, nuk ushqen ndonje dashuri fort mallengjyese per vendin e saj, qe politika ia neverit dita dites.

    Nese pas shpalljes se Pavarsise u verejten disa disnivele te rendesishme kulturore, te menyres e te kultures se jeteses eshte pranuar pa shume kundershtime se ketu kishte luajtur rol emigracioni i atyre pjeseve. Nuk di te them se ndodhi e njejta gje me Italine, f.v.j.

    Vetem se sot ka paqartesi se çfare pret Shqiperia prej emigracionit (formulohen plane biznesi qe eshte gjeja me e çuditeshme) dhe çfare pret emigracioni prej Shqiperise. Per mendimin tim, jemi ende ne nje periudhe kur Shqiperia pret ende shume nga emigracioni, por fatkeqesish politika e redukton emigracionin ne burim fondesh. Dhe kjo nuk eshte gje e mire, por keshtu eshte.

    Lexoja diku nje kronike kur dikush merr kallaçin e niset te vrase dike ne nje plazh te Vlores, ne mes te dites. Nderkohe qe i zbraz karikatoren te gjithe ikin duke ulerire dhe e lene viktimen duke u zbrazur nga gjaku saj. Te gjithe, me perjashtim te nje vajze. Ishte e vetmja qe nuk u largua. Ishte ajo qe ia mori koken ne gjunje dhe u kujdes per te, per ato pak minuta jete qe i kishin mbetur. Gazetari i kronikes ishte interesuar dhe kishte mesuar se vajza ne fjele ishte nje femije emigrantesh qe kishte ardhur per pushime ne ate vend nga ku ishte larguar fare kerthinje.

    Ky rast eshte shume simbolik per ate se çfare ka nevoje se pari Shiperia, gje qe fatkeqesisht ajo vete nuk e di. Natyrisht (nga frika e ndonje interpretimi po shtoj) jo per t’i ndenjur te koka nderkohe qe jep shpirt, por per t’i treguar se ka edhe nje menyre tjeter per t’iu qasur krimit endemik , urrejtjes…

    Nganjehere bejme humor ketu ne bllog e themi se “kjo urrejtje na mban gjalle”. Shoh njerzit ketu rrotull meje dhe pyes veten: a e dine keta valle se ekziston edhe urrejtja?
    Se nuk i degjoj ndonjehere te flasin keq per njeri.

    Por mbase edhe une nuk e kuptoj me Shqiperine, mbase ajo ka nevoje per urrejtjen si nje lloj çimentoje e kohezionit…

    1. Lyss, ne, si gjithmonë, jemi rast i veçantë. Çështja që ngre autorja është shumë interesante, veçse unë do t’i përmbysja termat. Në vend të pyetjes që shtron autorja se ç’mund të bëjë Shqipëria që të ndihmojë brezin e dytë të emigrantëve që ta njohin më mirë atë, unë do të pyesja se ç’mund të bëjnë bijtë e emigrantëve që ta ndihmojnë Shqipërinë të njohë veten.
      Ti dyshon se mos nuk e njeh më Shqipërinë, ndërsa unë sa më shumë largohem në kohë aq më shumë ftillohem mbi Shqipërinë e vërtetë, atë që mund ta shquash vetëm nga njëfarë distance.

      1. Eda, si gjithmonë mu ne pikë. Pak a shume edhe Irsa edhe David mund të identifikojne veten ne shkrimin tend. Do të thoja, emeruesi i perbashkët eshte dashuria qe ne si prinder me apo pa vetedije inspirojme mbi to me mallin dhe mungesen dhe krenarine e jashtezakonshme qe ndiejme per identitetin tone. Them eshte nji thesar qe I leme trashegimi duke e ditur nga vijnë të gjejne të ardhmen krenarë aty ku perkasin. Të fala, shihemi shpejt uroj, ketu apo atje.

      2. Relapso, nuk besoj qe do mund ta perkufizonim dot Shqiperine ne nje menyre te tille qe te na lejonte qe ne fund o ta pranonim o ta hidhnim tutje, larg apo afer qofshim. Por njohja e saj duke jetuar aty apo ne distance eshte e tille qe na ben te gjitheve t’ia dime problemet, pjeset e kalbura dhe vlerat qe ka. Ajo qe ne te gjitheve na ben te ndihemi keq eshte se per ne qe jemi jashte shpresat per ndryshim pozitiv ne kuptimin e pastrimit nga krimi i kudogjendshem, jane thuajse joekzistuese per jetegjatesine njerezore, ndersa per ata qe jane brenda, ato jane aq te vogla, sa njerezit marin arratine sapo munden e shohin nje drite gjekundi. Pavaresisht nga kjo, kerkimi i Shqiperise si pjese e identitetit te vet prej atyre qe s’kane lindur aty apo qe kane lidhje te pjesshme e te dobeta me te perditshmen atje, jo vetem qe do vazhdoje, por do jete edhe me masiv. Pa gjuhe dhe pa mundesi afrimi fizik me Shqiperine ky afrim behet i parealizueshem dhe shnderrohet ne enderr romantike qe me shume prish pune se ndihmon. Mua me vjen keq kur shoh te rinj me origjine shqiptare qe i turren konceptit Shqiperi pa mundesi reale lidhjeje, ndaj dhe ndertojne nje pjese te identitetit te vet si permbajtje e rreme dhe ndoshta demtuese. Gjeja me e mire qe ata mund t’i japin Shqiperise mendoj eshte modeli dhe normalizimi i imazhit qe permend ne shkrim (shume me pak ajo qe pritet me biznese etj), por kjo ka nevoje per hapa paraprake institucionale, dhe une ato i konsideroj si te domosdoshem. Sido qofte, me shume shkrimi do te sjelle nje dritare per te pare cfare ndodh me te rinjte e ketij tipi dhe ne c’menyra identifikohen.

  6. Lara është shumë i besueshëm si personazh, por qeveria e sotme përveç hashashit nuk ka ç’i ofron. Këtë gjë e kupton edhe Lara. Për të largësia e bën deri diku më të shëndetshme lidhjen. Kujtimet ajo i krijoi në fëmijëri dhe ato janë thesari i saj shqiptar. Larg fëmijët nga shteti shqiptar.

    1. Gjuha eshte pa cmim. Kerkimi ne histori dhe latimi identitar mbeten siperfaqesore dhe te deformuar pa gjuhe. Por e di mire se cfare do te thuash dhe kujt me te drejte i ruhesh.

Lini një Përgjigje te presjaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin