NË KRAH TË KRITIKUT

Kritikët janë shkrimtarë të dështuar, të thonë.

Mundet, xhanëm – shkrimtari është më glamorous se kritiku, n’est-ce pas?

Madje, ngaqë kritiku merret, mes të tjerash, edhe me veprën tënde, ty autorit të duket sikur kritiku ekziston për të të shërbyer ty, ose për të të lustruar këpucët.

Por në fakt nuk është kështu, dhe për disa arsye.

E para, kritikët mund të jenë vërtet shkrimtarë të dështuar, por kjo nuk i bën ata të dështuar edhe si kritikë.

Edhe unë, kur isha fëmijë, ëndërroja të bëhesha zjarrfikës, ose polic, ose shofer autobusi; por kjo nuk më bën gjë sot zjarrfikës të dështuar, etj.

Thjesht interesi për letërsinë shfaqet në krye si interes për të shkruarit, dhe më pas degëzohet.

E dyta, po të ishin bërë edhe kritikët shkrimtarë ose të mos kishin “dështuar”, atëherë të gjithë shkrimtarët do të dështonin, sepse do të mungonte mekanizmi i nevojshëm për identifikimin dhe promovimin e vlerave.

Ose më mirë, Nobeli letrar do t’i shkonte Dan Brown-it.

Kritikët, në fakt, janë nga ato profesione të kulturës që mezi kuptohen në fillim – meqë kërkojnë një farë artikulimi paraprak të ligjërimit kulturor, para se të shfaqen në rolet e tyre.

Për ta thënë ndryshe: kulturat e mëdha, kanë kritikë të mëdhenj – kam në mendje botën anglo-saksone, Francën, Italinë, Gjermaninë…

Kulturat e vogla dhe në shpërgënj, e shumta kanë shkrimtarë të mëdhenj. Ose nga ata që i quajnë koLLosë.

Madje këta të fundit, që rrethanat i detyrojnë ndonjëherë të katandisen në egomaniakë, bëjnë të pamundurën për t’ua shtypur kokën kritikëve, për t’i poshtëruar, për t’i nxjerrë nga qarkullimi.

Të jesh shkrimtar i madh nuk do të thotë se i kupton më mirë se të tjerët nevojat e veprës sate.

Kjo kërkon një lloj inteligjence që disave, për fat të keq, u mungon.

Sepse shkrimtari i mirë, që ka diçka për t’i thënë publikut, e ka të qartë se ka nevojë për ndërmjetësimin e kritikës, për t’i dalë vepra në pah.

Tek e fundit, më mirë të ta vlerësojë veprën kritika, se një politikan çfarëdo, që thjesht kërkon ta përdorë për synimet e veta; ose një prezantues televiziv ose një mega-prostitutë.

Në teatrin e kukullave të imagjinatës letrare, shkrimtari është gjithnjë i miri, ndërsa kritiku i ligu, ai që gjithnjë komploton dhe intrigon dhe bën gati thikën pas shpine.

Në teatrin e kukullave të imagjinatës letrare, kritiku është smirëziu, Jagoja që nuk ia fal kurrë shkrimtarit suksesin, sepse e ka ëndërruar edhe vetë.

Por ky lloj leximi bardhezi, i skenës letrare, nuk mund të tolerohet më; sikurse nuk mund të tolerohet më kulti irracional i shkrimtarit auteur, përballë përdhosjes së të gjithë atyre të tjerëve, që ia mundësojnë shkrimtarit kontaktin e lumtur me publikun: recenzentët, redaktorët, kritikët letrarë, përkthyesit.

Është njëlloj sikur në muzikë të flitej vetëm për kompozitorët, dhe qëllimisht të harroheshin a të nënvlerësoheshin drejtuesit e orkestrës (dirigjentët) dhe soloistët – pa folur pastaj për kritikët e muzikës.

Atyre që vazhdojnë të përsëritin, jo pa një farë keqdashjeje që u vjen natyrshëm, se kritikët janë shkrimtarë të dështuar, do t’u kujtoja se shpesh edhe shkrimtarët mund të dështojnë si kritikë… veçanërisht kur merren me këtë punë.

Madje shkrimtarët janë kritikë të dobët edhe të veprës së tyre.

Kur duam të marrim vesh çfarë ndodh në komunikimin letrar, ne ende u falemi mitologjive të periudhës romantike. Sëmundje foshnjore, por që mund të bëhet e bezdisur kur u shfaqet edhe të rriturve – si puna e lisë së dhenve.

Nuk po them të zëmë të flasim edhe ne, për mort de l’auteur; por të paktën le t’i mbajmë me të mira e t’i nderojmë ata pak kritikë që i kanë mbijetuar tëmthit të deritashëm.

1 Koment

  1. Ndoshta kjo puna e gjykimit mbi kritikët duhet parë me tjetër sy. Në këndvështrim të përgjithshëm, njeriu gjykohet për çfarë bën, jo për çfarë do të dëshironte të bënte. Janë apo jo shkrimtarë të dështuar kritikët, kjo është vështirë të thuhet në përgjithësi, pasi, po në përgjithësi, kritikët nuk kanë qenë shkrimtarë. Shkrimi (i letërsisë) është një zeje tejet e veçantë që ha një jetë të tërë dhe fakti që një pjesë kritikësh (ashtu si dhe plot të tjerë, të fushave nga më të ndryshmet në profesion) mund të kenë provuar dorën dhe botuar dy-tre poezi apo tregime, apo qoftë edhe ndonjë roman, nuk i bën automatikisht shkrimtarë, thjesht tregon që kanë tentuar t’i hyjnë asaj pune dhe më pas e kanë braktisur.
    Nga ana praktike, unë nuk shoh ndonjë dëm t’i vijë shoqërisë shqiptare nga kjo gjë, përkundrazi, kritikët e letërsisë më rezultojnë shumë më pozitivë sesa një kategori tjetër, ta zemë opinionistët apo drejtuesit e sotëm të mediave shqiptare (këta në rolin e kritikut të përgjithshëm të shoqërisë) – një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, po ashtu, rezultojnë se dikur kanë tentuar rrugën e letrave dhe e kanë braktisur. As këta nuk ke si i fut te kategoria e shkrimtarëve të dështuar, sepse nuk janë shkrimtarë njëherë. Ama ky grup i dytë më rezulton shumë herë më i dëmshëm për çfarë produkti i ka ofruar shoqërisë shqiptare me punën e vet në këtë periudhën e quajtur të tranzicionit.
    Kritikët? Njerëzia do bënte më mirë të gjykonte produktin e tyre. Por as kjo s’është e lehtë, se kërkon goxha përgatitje. Ndërsa të sulmosh dëshirat e ndokujt është shumë më e lehtë. Kush e ka jetuar ’97-ën në Shqipëri, e di fare mirë sa kollaj është të shtiesh në ajër.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin