MBETJA

I mbetur vetëm në tavolinë, mblodhi thërrimet e bukës dhe i hodhi në gojë. E përfundonte kështu ritualin e ngrënies qyshkur i kishin thënë se shoku Enver i mblidhte thërrimet e mbetura në tavolinë dhe i hante.

Në lajmet e mbetura nga dreka dëgjoi në darkë se kishte filluar një aksion për mbledhjen e hekurave dhe të tjerave mbetjeve industriale për të zhvilluar industrinë e riciklimit në vend. Gjithkush duhet të sillte 300 kg mbetje në qendrën e grumbullimit. Kush nuk sillte sasinë e kërkuar të mbetjeve kërcënohej me 6 muaj punë të detyruar. Qeveria e shokut Eduard Shalësi gjithashtu kishte ndaluar përdorimin e fjalës “plehra”, tanimë quheshin mbetje gjithçka ngelej e nuk shërbente për konsum apo përdorim për një periudhë 6 mujore.

I hodhi një vështrim shtëpisë për të gjetur ndonjë mbetje, nuk gjeti gjë. Pa nëpër sirtarë, nëpër qeset plastike që i kishte koleksion prej disa vjetësh, e nuk i zuri syri asnjë mbetje që mund t’i shërbente qendrës së grumbullimit. Zbriti poshtë në bodrumin e zbukuruar me shishe bosh të gjithfarëlloj pijesh, asnjërën prej të cilave e kishte provuar, dhe as aty nuk mundi të gjente gjë. Nga dritarja pa në oborr ku ishin mbledhur disa vegla pune të gjyshit dhe një rrjetë që shërbente për të situr çimenton, por as aty kishte mbetje. Kur hodhi vështrimin për nga koleksioni i kanoçeve të djathit pa se përbri ishte një rrotë e madhe treni, kujtim nga një shoku i tij i fëmijërisë në kohën kur stërviteshin për olimpiadën. Pa poshtë saj, por mbetje s’gjeti. U ul i dorëzuar mbi një stivë të madhe gazetash që kishte filluar t’i mblidhte kur kishte hyrë për herë të parë në punë dhe i shkoi mendja se mund t’i merrte gjëkundi tjetër këto mbetje.

Në shkollë e kishin mësuar të kursente e të mos linte mbetje. Në punë e kishin edukuar përdhunshëm të mos harxhonte materialin, shiriti i makinës së shkrimit ishte zbardhur aq shumë sa i shkruante letrat me fletë karboni ose u shkonte shkronjave sipër me stilolaps. Në shtëpi gruaja nuk e kishte lënë të shpenzonte më shumë se të mbanin frymën gjallë. Tani i kërkonin edhe mbetjet. Për fat të keq gruaja i kish vdekur.

Kishte tre ditë kohë përpara se të vinte kontrolli i këshillit të lagjes që inventarizonte materialet e grumbulluara dhe i regjistronte këto në dosjen e emulacionit. Jashtë njerëzit kishin filluar të vidhnin njëri-tjetrin për të realizuar planin e mbledhjes së mbetjeve. Dikush rrëmbente një zorrë llastiku për plastikë, një tjetër hekurin e rrobave të familjarëve apo edhe biçikletën, për të cilën dikush ishte vrarë në ikje e sipër. Duhej të kishe kujdes edhe natën, komshiut përbri i kishin vjedhur portën e hekurit. Hekuri çmohej më së shumti, një kilogram hekur vlente sa për 10 kg të planit. Me 30 kg hekur edhe e tejkaloje.

Herën e kaluar, gjatë aksionit për mbledhjen e drurit, kishte siguruar një metër kub dërrasë, nga arkivoli i gruas. Ndoshta po të shkonte prapë mund të mblidhte dorezat dhe një kile gozhdë. Do ta hiqte qafe këshillin për disa ditë, sa të mblidhte mendjen nëse duhet ta bënte këtë edhe me arkivolin e prindërve të tij, në qoftë se nuk kishin shkuar familjarë të tjerë përpara tij. Kishte një fis të poshtër.

Rrugës për në varreza i doli përpara një bandë prej tre vetash. Qeveria po atë ditë kishte deklaruar si mbetje për riciklim edhe gjallesat, njerëz a kafshë që mund të digjeshin për të prodhuar rrymë elektrike. I ngjeshën një sëpatë në kokë dhe lakuriq e tërhoqën zvarrë deri në këshillin e lagjes, pasi e inventarizuan për 60 kg. mbetje organike; grumbulluesit u shpërblyen me nga një tallon nafte. Rrobat ia ruajtën për aksionin e radhës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin