KUNDERA KUNDËR

fjalën e vet mbajtur në ceremoninë e Përurimit të “Murit të Kujtesës” dhe godinës së rikonstruktuar të Ministrisë së Brendshme, Kryeministri Edi Rama iu kthye disa herë një thënieje, sipas tij, të Milan Kunderës – “shkrimtar i madh dhe një disident i njohur çek”:

Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia. Vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes, nga shtypja apo nga mungesa e vëmendjes për të dëgjuar.

Këtë thënie, Rama u shpreh se po ia kushtonte “me dashuri Partisë Demokratike”, e cila sipas tij nuk po mban qëndrim korrekt ndaj policisë së shtetit.

Qëkur e dëgjova këtë thënie, m’u duk pak e çuditshme që të vinte prej Milan Kunderës – edhe pse këtij nuk ia njoh veprën përmendësh. Ky dyshim m’u përforcua, kur pashë edhe që tek exit.al e kishin përjashtuar mundësinë që citati të ishte i autori i “Lehtësisë së papërballueshme të qenies”.

Megjithatë, citati më lart duket të jetë formuluar nga dikush, të cilit i dhimbset arma e policisë dhe që përpiqet të gjejë, duke arsyetuar, se çfarë e fut këtë armë në krizë, për të arritur në përfundimin se një rol të dorës së parë luan mungesa e mbështetjes nga komuniteti, “shtypja” ose mungesa e vëmendjes për të dëgjuar.

Dhe ky dikush, që mendon në këtë mënyrë, mund të jetë një drejtor policie ose një komisioner ose një ministër i Brendshëm; por vështirë se mund të jetë Milan Kundera që njohim.

Ideja në citat përvijohet e pastër: policinë e dëmton izolimi ose veçimi, sepse ajo, si çdo institucion tjetër publik, ka nevojë për mbështetjen e komunitetit që të ketë sukses në misionin e saj. Një mendim i qartë dhe i thjeshtë, që shpreh shqetësimin konkret të një administratori a të një politikani.

Por i shprehur nga Kundera? Prej këtij publiku pret ndriçim dhe urtësi për letërsinë, artin e të shkruarit, përvojën e artistit në mërgim, totalitarizmin, rolin e intelektualit në vendet e Lindjes… por kurrsesi jo për forcat e ruajtjes së rendit. Që ky “shkrimtar i madh dhe disident i njohur çek” të ketë thënë diçka ai vetë (dhe jo ndonjë personazh i tiji) për policinë, kjo është edhe më interesante, në vetvete, se përmbajtja e citatit.

Në fjalën e vet, Rama i rikthehet edhe dy herë të tjera Kunderës, duke e rekrutuar në mbështetje të sulmit të tij ndaj PD-së: nuk e them unë ai, thotë; e ka thënë “një ndër shkrimtarët dhe mendimtarët më të shquar të shekullit XX në çështje të historisë dhe të politikës.”

Kërkimet e mia në Google nuk dhanë rezultat: provova me fjalëkyçe si Kundera, police, solitude/loneliness, enemy, lack of support, oppression, listening; por nuk mora asnjë përgjigje për të qenë; i ktheva fjalëkyçet në frëngjishte dhe në italishte, por as ashtu nuk qosa gjë.

Edhe pse nuk mund ta pohoj me siguri se nuk e ka thënë Kundera këtë gjë, meqë është e vështirë në mos e pamundur të vërtetosh një negative, sërish nuk jam gati ta pranoj. Çfarë ma rëndon edhe më frustrimin, është se nuk gjeta dot as citatin vetë – të shkëputur nga Kundera.

Natyrisht, politikanët kanë qejf t’i spërkatin fjalimet e tyre me citate të mëdhenjsh; nga citatet, duket edhe shoqëria që kanë zgjedhur të kenë, teksa citatet vetë shërbejnë si fortifikata të tezave të parashtruara. Si rregull, këto citate i gjejnë, i organizojnë dhe i sugjerojnë shkruesit e fjalimeve – sepse më duket e pagjasë që Rama ta ketë qëmtuar vetë këtë mendim të Kunderës, në lexim e sipër.

Për shkak të frenezisë me të cilën punohet sot në PR, gabime të tilla edhe ndodhin; vetëm pak muaj më parë shkruam këtu për kryeministrin italian Renzi, që recitoi vargje nga një poemë e rreme e Borges-it. Prandaj në rastin e citatit të tanishëm, çfarë tërheq vëmendjen nuk është gabimi (banal në vetvete), por konflikti midis imazhit që kemi për autorin e citatit dhe citatin vetë – sikurse edhe fakti që ky citat nuk po gjendet gjëkundi në gjuhë të tjera (edhe pse këtu mund ta kem fajin unë, që nuk kam kërkuar mirë).

Me interes është edhe mekanizmi që vihet në veprim, kur dikush sjell një citat praktikisht të panjohur, nga një autor i mirënjohur: kur nuk bëhet fjalë për lajthitje, ky akt tejet erudit ndez një llambë të re në mendjen e lexuesit të kulturuar, meqë në logjikën e komunikimit ky përndryshe pritet që ta njohë citatin që dëgjon, në mos drejtpërdrejt, të paktën nga fryma e përçuar.

Për shembull, nëse dikush përmend Churchill-in që të ketë thënë: “Historia do të jetë zemërgjerë me mua, sepse unë kam ndërmend ta shkruaj,” unë e pranoj këtë në mënyrë praktikisht jo-kritike, sepse kuptimi i citatit më pajtohet me imazhin që kam unë për Churchill-in; por nëse dikush përmend Churchill-in që të ketë thënë se “Vetëflijimi na aftëson të flijojmë të tjerët pa u turpëruar”, atëherë kjo mund edhe të më tingëllojë pak ekstreme, sepse nuk është në sintoni me imazhin që kam për Churchill-in (dhe në fakt, citati i dytë është nga Bernard Shaw). Më në fund, nëse dikush përmend Churchill-in që të ketë thënë se “Kur luftojnë karkalecët, qari është i korbit,” atëherë unë nuk do ta besoja; sepse figuracioni nuk do të më dukej i Churchill-it dhe as premisa figurative se korbat ushqehen me karkalecë; aq më tepër, kjo e fundit tingëllon më shumë si proverb (dhe në të vërtetë ky është proverb afrikan, nga Lesotho).

Me interes për të ngeshmin është edhe që një citat nga Milan Kundera gjen vend në një fjalim të mbajtur në një ceremoni policësh; sepse publiku i drejtpërdrejtë i këtij fjalimi nuk pritet që ta njohë menjëherë Kunderën dhe as t’ia vlerësojë fjalën. Ndoshta një citat nga Rudi Giuliani, Roberto Saviano-ja ose fundja edhe Fouché-ja do të kishin pasur më sukses. Me gjasë, kryeministri Rama zgjodhi të citonte Kunderën, duke menduar një publik tjetër, i cili do t’ia ndiqte fjalimin në televizion; dhe këtu sinqerisht do të doja të marr vesh si kanë reaguar policët, kur u është kërkuar ta pranojnë Kunderën si autoritet.

Po pezulloj çdo përpjekje të mëtejshme për atribuim të këtij citati misterioz, në pritje edhe të kontributeve tuaja, duke sugjeruar ndërkohë disa citate të tjera, përndryshe pak të njohura, nga shkrimtari i madh çek:

Një shoqëri e tregon pjekurinë kur i kërkohet të sakrifikojë diçka për shtetarët e vet.

Besojini atij leader-i që refuzon të jetë konsistent me veten: e ka kuptuar si funksionon politika.

Romanin tim kisha dashur, në krye, ta titulloja Lehtësia e papërballueshme e thënies.

Mos pyet çfarë mund të bëjë policia për ty – pyet çfarë mund të bësh ti për policinë.

Në fakt, tani më duhet të pranoj edhe se ju gënjeva, kur pranova më lart që nuk gjeta gjë, as nga Kundera as nga njeri tjetër që t’i afrohej citatit në fjalë, në përpjekjet e mia në Internet. Sepse, në fakt, ja citati i plotë i Kunderës në anglisht:

The biggest enemy of police is not crime, but loneliness that arise from the lack of support or lack of attention to hear.

Burimi? Albanian Daily News, “The most authoritative Albanian source in English”, që e titullon artikullin e saj kështu: Rama’s Message to Police: DP Worst Enemy than Crime.

8 Komente

  1. Asgje per t’u cuditur, me thane qe Erjon Veliaj duke vizituar nje kopesht femijesh te meremetuar se fundi tha: “Se edhe Napoleon Bonaparti ka thene shpjerini femijet ne kopesht, ata jane e ardhmja e ushtrise”.

  2. Citimi qe i behet Kunderes,na ben me dije se zotni Rama ka kohe qe nuk lexon.Te pakten sic mund te kete lexuar ne fillimvitet nentedhjete.Sepse,bash ne keto vite paskesh qene mode te cituarit e shkrimtaro-filozofo-politikane europianolindore.
    Nje mode qe vazhdon edhe sot e kesaj dite.Per mjerimin e intelektualeve dhe politikaneve intelektuale shqiptare.Si te djathte edhe te majte(per ironi,fill pas Rames,Kunderen e citoi edhe Bregu e PD-se).
    Nuk ka shkrimtare me te merzitshem sesa ky soj europianolindoresh.Shume te merzitshem.Ajo qe t’i ben edhe me te merzitshem e qe ka te beje me dimensionin prej mendimtaresh e filozofesh,eshte pretendimi (i pashprehur) i ketyre shkrimtareve mendimtare te “Europes se Re”,kritike ndaj “Europes se Vjeter”,Perendimit.Padurueshmerisht provinciale kjo.
    E vetmja vlere reale e tyre,eshte ajo njohese.Njohese per popujt dhe shoqerite e tyre,dhe c’katastrofe e mjerim artistik dhe ideor kane trasheguar nga e kaluara sovjetike.
    Por cfare efekti kane pasur keta “mendimtare te medhenj” tek shoqerite e tyre?!Asnje efekt.Zero.
    Perkundrazi,shoqerite europianolindore jane me ksenofobet dhe racistet e Europes.

  3. Tipike tashmë e shumë vite për Vehbiun, t’i bëjë bisht thelbeve të çështjeve dhe problemeve të Shqipërisë, kur këto shkaktohen nga miku i tij Edi Rama, duke u thelluar në sofizma terminologjikë. Një ditë pasi koalicioni qeveritar në Kuvend me Ramën në krye miratoi ligjin e plehrave, duke i dhënë kuptimin tekstual slloganit elektoral të 2013 të plehrave të bashkuara, Vehbiu jo që nuk gjen asnjë fjalë për të përshkruar (të kritikojë është pak si tepër) këtë problem. Të paktën, në 2013 botoi, dukshëm jo nga pena e vet, një shkrim për ligjin e atëhershëm të plehrave me titull “Zini hundët e votoni!”. Por, përtej përheshtjes së plehrave, gjen fjalë e e paraqet çështjen e fjalimit të Ramës përpara Policisë së Shtetit (Policisë së Shtetit!) si problem në sferën e plagjiaturës ose gabimit në citim, sikur Rama të ishte student i letërsisë e Vehbiu mentori i diplomës së tij. Që kritika e një partie politike para Policisë së Shtetit, ose bërja e Policisë së Shtetit palë me qeverinë ose kundër opozitës është thelbi i atij citati të Ramës, nuk duket se përbën problem në këtë rast për Vehbiun.

    Në fakt, citati që e përshkruan më saktë marrëdhënien e Ramës me mbështetësit dhe të mbështeturit e tij të dikurshëm mund të parafrazohet: Vërtet, dikur na dhatë mirëbesimin, por kjo s’do të thotë, se edhe ne ju mirëbesuam. Që na dhatë mirëbesimin fakton vetëm, se sa budallenj jeni!

    Këtu edhe linku i citatit bashkë me autorin, si dhe mundësinë për Vehbiun për t’u ushtruar në sofizma terminologjikë dhe të përkthimit:

    http://gutezitate.com/zitat/159207

    1. Mendimin tim për çështjen e plehrave që hyjnë dhe që dalin nga Shqipëria e kam shprehur më se një herë, aq sa të bëhem monoton.

      Një rast i vonë, që do t’i përshtatej edhe momentit të tanishëm është ky:

      https://peizazhe.com/2015/04/06/kopshtet-e-ndryshkut/

      Ky është qëndrimi im: lexoje, që të mos më biesh më në qafë.

      Përndryshe nuk kam ndonjë detyrim ndaj askujt, që t’u përgjigjem flakë për flakë të gjitha bëmave të qeverisë dhe të pushtetit në Tiranë: shkruaj për atë çfarë më intereson mua, jo çfarë mund të të interesojë ty, Alpinist – dhe sidomos, jo për çfarë mund të dëshiroje të përdorje ti.

      Për ligjin e tanishëm të plehrave janë shprehur të tjerët shumë dhe mirë; është një ligj që do të kundërshtohet me mobilizim të komuniteteve dhe të shoqërisë civile, jo me argumente morale; sikur të flisja edhe unë tani, ose do të përsëritja veten, ose do t’i bashkohesha korit – por nuk e gjej veten as ashtu, as kështu.

      Që ta kuptosh pozitën time (nëse do të dëshiroje), shih ç’më kanë bërë sot te Lapsi.al:

      Përfytyro ç’titull do të kishin vënë, sikur të kisha shkruar diçka për plehrat.

      Si edhe herë të tjera, mediat në Tiranë nuk e humbin rastin, për të provuar se janë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.

      1. Interesant:
        1. “që të mos më biesh më (sic!) në qafë”. Nuk të kam rënë asnjëherë në qafë. (Ose, kjo është hera e parë, meqë e konsideron si qafërënie.) E anasjellta nuk është e vërtetë. Sapo e konfirmova edhe njëherë në Peizazhe.com. Nëse rastësia e do të takohemi ndonjëherë personalisht, do të ta bëj të ditur.
        2. E ç’të paskan bërë?! I paskan mbivënë shkrimit tënd një titull, i cili fare mirë mund të ishte prej teje? Në sensin që Edi Rama paska mashtruar me Milan Kunderën, ashtu si ti i pranon publikut tënd një gënjeshtër pa zarar? Ndërkohë që abuzimi me citatin qëndron krejt diku tjetër, tek monopolizimi i pushtetit, i cili ty nuk të intereson. E vetmja padrejtësi, ose nder, që të bën Lapsi.al është, që e përcjell lehtësisht të pakomentuar dhe të pakuptuar publicitetin e padurueshëm, që ti i bën shokut tënd Ramës.
        3. “… mediat në Tiranë … janë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.” Dhe ti e konsideron veten jashtë, përtej, përmbi to? Ti je pjesë e atij problemi të mediave të Tiranës. Në 2013 shërbeje të njejtin diskurs të mediave, gjithnjë në mbështetje të shokut tënd Edi Rama, si Tema.al dhe, me nder, komentuesit e saj, Shqiptarja.com dhe komentuesit e saj, Shekulli.al dhe komentuesit e tij.

        1. Po kërkon ta shndërrosh këtë diskutim në një gjyq kundër meje. Jo, nuk e luaj këtë lojë, s’më ka lënë akoma mendja. Meqë paske kalori për të djegur, provoje të debatosh drejtpërdrejt me Edi Ramën, se më kanë thënë që këto ditë po u përgjigjet personalisht komentuesve në FB.

  4. Duket si gabim, nga ato që ndodhin me citate që i ke dëgjuar apo lexuar diku por që nuk i kontrollon, nëse autori është vërtet ai. Një ditë, një shprehje që unë e dija si me orgjinë kineze, zbulova që ishte, në fakt, një citat nga Eleanor Roosevelt… : )

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin