GRUAJA TE ‘’MJEGULLAT E TIRANËS’’

Mjegullat e Tiranës është një libër ndryshe i Kadaresë, ndofta disi më naiv, sidomos në përfytyrimin për qytetin, të cilin e portretizon si goxha modern dhe gati me një mendjelehtësi të paqenë për kohën. Të rinjtë janë të veshur plot stil, i jepen tundimeve me guxim dhe kërshëri, siç të rinjtë thuhet se e kanë përgjithësisht zakon; ata fishkëllejnë këngë perëndimore rrugëve dhe me njëri-tjetrin përshëndeten po me frazat cool të italishtes apo anglishtes; argëtohen në salla “dansi’’ duke dëgjuar jazz dhe u pëlqen të shpenzojnë para. Tirana shfaqet e ngrohtë, ftuese, plot vezullim dhe bollëk. Tirana (ngjarjet zhvillohen në fund të viteve ’50) ofrohet pothuajse e shkëputur nga konteksti i diktaturës.

Autori megjithatë nuk e fsheh shpotinë ndaj këtij shkëlqimi të rremë, përqeshjen ndaj hipokrizisë kryeqytetase dhe rebelimin ndaj antivlerave të shitura si vlera. Heroi ynë nuk është heroi pozitiv që realizmi socialist kërkonte dhe nxiste. Përkundrazi, ai është një sharlatan, një rebel që rreket pas lirisë me çdo kusht dhe liria në këtë shoqëri të dhunës përbuzet porsi ëndërrimet dhe veprimet e fshehta e pasionante të protagonistëve tanë, Bardhylit dhe Emës. Ballafaqimi i shoqërisë në atë se si ajo është dhe për atë se si ajo dëshiron që të jetë apo ta shohë veten, vjen mjaft kollaj, njëlloj si tentativa e autorit në raport me emancipimin që rreket të shfaqë dhe mungesën e këtij emancipimi ku pashmangshëm përplaset.

Ekziston një dyzim interesant te personazhet në këtë libër: ata janë të guximshëm dhe frikacakë njëkohësisht; ata janë të mprehtë dhe naivë gjithashtu; ata janë racionalë po aq sa emotivë. Kanalizimi i këtyre karakteristikave ama, është ajo ҫka e ngacmon një lexuese si puna ime për të cilën dinjiteti njerëzor nuk vjen ndarazi dinjitetit gjinor dhe trajtimit e respektimit të njëllojtë të njerëzve (edhe në qofshin veҫ personazhe imagjinare) pavarësisht sekseve të tyre (apo orientimeve).

Romani provon të godasë prapambetjen e përgjithshme shoqërore në Tiranën e këtyre viteve, në Tiranën kryeqytet, në Tiranën relativisht të zhvilluar për stadin historik të cilit i përkiste, krahasimisht qyteteve të tjera në Shqipëri (Kadare madje, për këtë i mëshon edhe dallimit midis qytetit dhe provincës në kushte të zhvillimit dhe hapjes ndaj botës, nëse do mund të shprehesha vërtetë për një hapje ndaj botës). Nën vellon e modernizmit ai shquan shtypjen sistematike të gruas dhe familjen patriarkale: familjen që e dërgon vajzën në shkollë, e nxit të studiojë dhe të arrijë pikën më të lartë të suksesit krahasimisht kolegëve por në fund nuk ia pranon as zhvillimin, as shkollimin, as dijen, as edukatën. Kjo familje dhe në tërësi kjo shoqëri, ia kanë paracaktuar vajzës rolin social: t’i shërbejë interesave të burrit. ‘’E ҫ’mund të kërkojë më shumë në jetë një vajzë?’’, pyet personazhi ynë, Ema. Identiteti i gruas në komunizmin e fundviteve ’50 në Shqipëri, sipas kësaj vepre, përmblidhet te seksi i saj; vlera e saj qëndron në organin seksual të saj (në ruajtjen e virgjërisë, po ashtu edhe në mundësinë për t’u riprodhuar). Nderi i saj është virgjëria e saj: vajza “ mirë” e ruan virgjërinë; vajzat e rritura dhe gratë nuk kryejnë marrëdhënie seksuale, ato u jepen burrave; këto vajza dhe gra nuk i shfaqin dhe as i manifestojnë dëshirat e tyre por i ndrydhin ato. Aventurat erotike dhe sentimentale janë qesëndisëse për djemtë dhe burrat ndërsa për vajzat dhe gratë dashuria vetëm dhe është turp e ndyrësi. Në rast përdhunimi, madje edhe në hamendësimin mbi një përdhunim, shoqëria kryqëzon me neveri gruan –  e dënon, e poshtëron, e vret atë; ndërsa agresorin e justifikon, e fal, e kupton, e nxit pse fundja, siҫ na thuhet nëpërmjet vëllait 12-vjeҫar të Emës: djemve dhe burrave u lejohet ҫdo gjë, kudo, në ҫdo kohë ndërsa për vajzat ka rregulla dhe disiplinë, gjëra të lejueshme dhe gjëra të palejueshme; për vajzat ka një…moral (pavarësisht se ky s’është veҫse imoraliteti më i madh historik dhe shoqëror që drejtohet kundër të gjithë qenies së tyre). Evidentimin e këtyre problematikave autori e realizon mjaft qartë.

Josef Kote, Gracefully Divine

Raporti që ai krijon me to, nga ana tjetër, lë për të dëshiruar. Ndonëse duket sikur romani u del në krah grave, ai vetëm sa i mëshiron ato. Marrëdhënia e narrativës së romanit me personazhet vajza/gra është paternaliste dhe mizogjine. Figurat femërore (ҫupëlina të brishta, naive, të bindura e të dobëta) sikurse figurat mashkullore (racionale, gjakftohta, të forta, me dobësitë tipike prej burri), përligjen prej tij vetë si të këtilla. Pavarësisht se autori i këtij romani përpiqet të ofrojë një perspektivë të re dhe mendjehapur mbi rolet gjinore dhe marrëdhëniet midis burrave dhe grave, ai sërish bie pre e konstrukteve psiko-sociale të shoqërisë patriarkale nga e cila vjen dhe së cilës i përket. Mëshirën ai e shet si mbështetje morale, duke rënë ironikisht në hipokrizinë të cilën tenton ta godasë në libër. Po, heroi ynë nuk është heroi pozitiv që realizmi socialist kërkonte dhe nxiste. Po, ai është sharlatani dhe rebeli që rreket pas lirisë me çdo kusht dhe betohet për lirinë si gjënë më të shtrenjtë në jetë e për lirinë si vlerën më të lartë, ndërkohë që heroina nuk gëzon të njëjtat të drejta mbi lirinë. Nëse Bardhyli është guximtar e ndoshta edhe fisnik, Ema jonë mbetet veҫse e përdala mendjelehtë që të paktën mundohet t’i vërë mend kokës dhe të gjejë një shpëtim nga manifestimi i lirisë së saj që tek ajo s’është tjetër veҫse paudhësi, shpëtim që romani ia ofron fatalisht, duke e martuar me një burrë që ajo nuk e do (ç’ironi).

Shumëkush mund të përpiqet ta justifikojë këtu frymën e romanit duke sjellë si argument se Mjegullat e Tiranës është shkruar jo vetëm gjatë kohës kur autori ishte student, për pasojë ende i pazhvilluar mirëfilli në letërsinë dhe botëkuptimin e tij por gjithashtu se ky roman është pjellë e një periudhe ku vërtet trumbetohej barazia dhe liria e gruas, por pas posterave ku kjo e fundit shfaqej e ҫliruar nga patriarkati pse e kalonte ditën duke punuar në minierë apo fabrikë njëlloj me burrat, në darkë ajo kthehej të bënte punët e gjellën, t’i shërbente bashkëshortit e të përgatiste fëmijët e vetme për në shkollë të nesërmen. Ndoshta pikërisht për këto arsye (le t’i quajmë kështu) s’mund të presim gjë nga ky Kadare i ri në lidhje me trajtimin e grave; pse fundja, edhe artistët s’mund të dalin përtej kufizimeve të kohës së tyre. Por kjo do të vlente vetëm nëse libri do të ishte botuar në kohën kur u shkrua, çka do ta bënte të analizohej sot i tëri brenda kornizës historike, politike dhe sociale së cilës do t’i përkiste. Problemi është që Mjegullat e Tiranës është një libër i redaktuar dhe i botuar në 2014; një libër që i ofrohet shoqërisë SOT dhe brezave të sotshëm; që nuk mban asnjë qëndrim korrekt, të drejtë dhe moral në raport me evidentimet që përcjell nëpërmjet tekstit dhe për shoqërinë tonë sot nuk ka MË vend për një tjetër libër ku abuzohet me gratë, sidomos sa kohë që të gjitha problemet sociale e gjinore që romani kthjellët i evidenton për kohën e vet dhe me lehtësinë karakterizuese artistike i shpalos, janë të ulura ENDE këmbëkryq në Shqipëri, pa i shkëputur rrënjët nga e shkuara e dhunshme dhe arkaike; duke na e vështirësuar jetën dhe shpesh, kaq frikshëm, duke na e marrë atë.

SOT në shekullin e XXI (‘‘Në shekullin e XX të tilla skena!‘‘, tallej me prapambetjen në roman Bardhyli), në Shqipëri, një përqindje dërrmuese e grave nuk janë në marrëdhënie pune; sipas statistikave të pesë viteve të fundit, më shumë se gjysma e grave në Shqipëri provojnë dhunë gjinore në jetën e tyre që varion nga dhuna fizike, tek ajo psikologjike, emocionale, seksuale dhe ekonomike. Një numër goxha i lartë vajzash nuk lejohen të shkojnë në shkollë. Në Shqipërinë e 2016-ës pedofilia dhe abuzimet me fëmijët vajza arrijnë shifra llahtar dhe rëndom nuk dënohen. SOT për çdo dy javë (nëse jemi me fat pse qëllon të vijnë edhe radhazi brenda javës), media informon mbi përdhunimin, vrasjen dhe masakrimin e një gruaje të re nga babai, vëllai, bashkëshorti, i dashuri, të afërmit e saj, etj. SOT ende vajzat detyrohen të martohen me dhunë në moshë të hershme apo të flaken në rrugë prej familjes nëse guxojnë të zgjedhin vetë partnerin e jetës. SOT nëse vajzat dhe gratë shfaqin haptazi seksualitetin e tyre, qoftë në formën e orientimit seksual, qoftë në formën e të shprehurit të dëshirave apo kuriozitetit seksual, persekutohen. SOT të gjitha evidentimet që Kadareja i bën te Mjegullat e Tiranës, zënë vend më fort dhe më ashpër në këtë shoqëri.

Ҫfarë i ofron kjo vepër SIDOMOS lexueses shqiptare dhe publikut shqiptar në tërësi? Dhimbje koke! Bezdisje, gjithashtu. Cili është qëllimi i këtij romani? T’i tulatë më shumë vajzat dhe gratë? T’i mësojë si të binden më bukur? T’i bëjë të shqetësohen për llojin e vellos që duhet të vendosin në dasmë? T’i udhëzojë si të pranojnë dhunën e shtypjen? T’u shtojë shpresën se ndonjë princ i kaltër do të vijë t’i shpëtojë, duke u martuar me to? T’i bindë të kuptojnë (anti)vlerat e familjes tradicionale? Apo, duke i shtyrë këto mënjanë, t’i argëtojë me një histori dashurie që nuk është në fakt histori dashurie, por manifestim emotiv tipik i nxitur nga ndrydhja e sistemit-burg të kohës?

Mjegullat e Tiranës është një libër i lehtë e ndryshe i Kadaresë, një libër i cili, nëse të ndihmon për diҫka, e bën pikërisht duke të rikujtuar kushtet (sot e kësaj dite të pandryshuara) socio-ekonomike të gruas shqiptare.

 

1 Koment

  1. Analize dhe kendveshtrim tipik I realizmit socialist!Sesi kalohet nga fiction ne aktualitetin sociologjik, vetem shkruesja e di.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin