TË NUMËROSH SHUPLAKAT

Votat tona janë plumba për armikun, ka pasë tingëlluar një nga klishetë më të përqeshura të propagandës totalitare. Propagandistët e koalicionit në pushtet sot në Tiranë nuk kanë gjetur dot metaforë tjetër, për të përcjellë fitoren numerike në zgjedhjet, por veç i kanë zëvendësuar “plumbat” e Enverit me shuplaka. Shuplaka nga të gjitha anët. Kërkoni në Google për shprehjen “një milion shuplaka”, po të mos më besoni – edhe pse pamja e një turme njerëzish që rreh me shuplaka një turmë tjetër ose edhe një njeri të vetëm nuk është e para që të vjen në mend, kur kërkon të përfytyrosh procesin e zgjedhjeve dhe të legjitimimit të pushtetit në demokraci.

Bëhuni gati të dëgjoni për “shuplaka” të tjera, tani pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Dibër dhe numërimit të votave – a thua se synimi edhe i këtyre zgjedhjeve ishte të rimerrte, këtë herë në skenën lokale, rrahjen masive, prej tifozësh të kategorisë së tretë, që përfaqëson për disa rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri.

Sinjalin e parë për këtë ripërdorim të një metafore të keqe ma jep një editorial i Carlo Bollino-s sot në Tema: “Qytetarët realë, shuplakë qytetarit dixhital.” Artikulli vetë të çudit, meqë e paraqit rezultatin e zgjedhjeve si humbje të PD-së, jo si fitore të së majtës; a thua se, në rrethana normale, PD-ja duhej të kish fituar me çdo kusht. E megjithatë, dhe përtej kësaj paranteze, asgjëkundi në tekstin e Bollino-s nuk e gjeta fjalën “shuplakë”, përveçse në titull; çfarë më bën të dyshoj se titullin e ka vënë redaksia e gazetës, jo autori vetë.

Redaksitë janë të lira që t’i ndryshojnë titujt e shkrimeve; por zakonisht për t’i zëvendësuar titujt origjinalë me parulla të shpëlara, platitudes a klishe që veç rimarrin ose konfirmojnë koncepte dhe metafora të njohura; sepse preokupimi i redaksive me një shkrim zakonisht është që ky të mos shmanget nga pritjet e lexuesit përkatës. Prandaj edhe (ri)shfaqja e shuplakave në titull më bën të mendoj se kjo, ose metaforë e bitch-slapping, po funksionon tashmë si vijë politike e propagandës së palës në pushtet; dhe vetë rrahja me shuplaka e ka përkryer kalimin nga metaforë në simbol.

Çfarë edhe më bëri të shkruaj për këtë “demokraci” (fjalë që duhet përdorur gjithnjë në thonjëza, kur flitet për Shqipërinë, sepse nuk mund të jetë veçse citim i çfarë thonë të tjerët) që këmbëngul ta paraqitë një diferencë numerike relativisht të papërfillshme, si ajo në zgjedhjet e fundit parlamentare por edhe kjo e tanishmja në zgjedhjet lokale në Dibër, si tablo të një rrahjeje epike, mes dy turmash të ndërkryera që qëllohen me shpulla.

Një metaforë, kjo e shuplakës, që i mëshon në mënyrën e vet primitive konceptit se vota “e popullit” është gjithnjë votë kundër, jo pro; dhe kush futet në kutinë e votimit, e bën këtë nga inati që ka për armikun e radhës; dhe nëse është kështu, atëherë titulli i shkrimit të Bollino-s, edhe po të ketë qenë redaksional, e paska ruajtur në fund të fundit frymën e tekstit. E kotë t’i shtoj, këtij arsyetimi gjithnjë spekulativ, argumentin se shqiptari tradicionalisht do të kish preferuar plumbin enverist ndaj shuplakës metroseksuale të sotme; çfarë më sugjeron ky ndërrim metaforash duhet studiuar edhe nga antropologët, të interesuar për të krahasuar pamjet dhe shfaqjet e dhunës, në diskursin politik të sotëm në Shqipëri.

2 Komente

  1. Edhe PD e priste si vote proteste, nje shuplake, fitoren e saj. Kjo vjen nga mungesa e alternativave dhe zhgenjimit me sistemin partiak. Prandaj dhe retorika eshte reduktuar ne lojen e shuplakave, 5 njeri e 5 tjetri.

  2. Në fakt, këto janë shuplaka, por jo për ata që mendon Rama, por për disa të tjerë, si puna ime, që shpresuan se ai dhe ekipi i tij do të kishin dëshirën dhe aftësinë, në mos për punë të tjera, të paktën për një palë zgjedhje për së mbari në Shqipëri. Ëndërra ma sy hapur. Ata as munden, ata as dinë, ata as duan fare!

    [Kush do të shoh se si bëhen “zgjedhjet” në Shqipëri – për ata që janë jashtë, se për ata që janë aty nuk ka nevojë – le të lexoj këtë reportazh të BIRN-it për delirin elektoral të partive në Dibër: http://www.reporter.al/beteja-per-dibren-nxjerr-ne-skene-faktorin-cam/ ]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin