PAMJE TË FESTËS

Pas fitores historike në futboll, turma prej dhjetëra mijëra tifozësh të ndërkryer u derdh rrugëve, duke brohoritur kundër qeverisë dhe rendit publik dhe paqes e qetësisë dhe duke rimodeluar gjithçka i dilte përpara: palma, monumente kulture, ujësjellësa ornamentalë, parqe lojërash për fëmijë e të rritur, pllaka trotuaresh të saposhtruara, parcela të mbjella me hashash, instalacione me famë planetare, objekte të kthyera në identitet, kulla të mbetura përgjysmë, shkronja të shtrembëra nga parulla të veç një dite më parë.

Le ta rrëzojmë këtë qeveri firaune, tha dikush që nuk u mor vesh kurrë se kush ishte pikërisht dhe as kush e nxiste a kush e paguante; le t’i shporrim këta pleshta dhe horra nga kolltuqet që kanë uzurpuar. Boll na rropën lëkurën dhe na nxorën ujët e zi dhe na shuan me rrena dhe na mbytën me buzëqeshjet prej kuajsh. Ky vend nuk duron më, i ka ardhur shpirti në majë të hundës: rroftë populli!

Le ta rrëzojmë, le ta rrëzojmë! – ulëritën mileti. Poshtë qeveria, poshtë uzurpatorët e kolltuqeve dhe tapicerët e tyre, poshtë të shiturit dhe të blerët, poshtë fondacionet! Poshtë tradhtarët dhe shërbëtorët e të huajve! Duam drejtësi, liri dhe barazi!

Dhe ashtu u nisën, me vrrull të pandalshëm biblik, drejt institucioneve të larta të shtetit, dhe pasi hodhën tutje si purteka a dordolecë ata pak ushtarë që guxuan t’u zënë rrugën, shpërthyen e depërtuan në hapësirat e ftohta dhe të heshtura të ndërtesave qeveritare, ku asgjë nuk pipëtinte, veç Twitter-it.

Por kur nuk gjetën atje askënd për ta kapur për kravate dhe për ta rrahur dhe për ta poshtëruar dhe për ta dëbuar me shkelma, turma tashmë më shumë e habitur se e zemëruar pyeti: ku janë pushtetarët?

Vetëm jehona iu përgjigj nga xhang-xhingu kësaj pyetjeje të mbetur përndryshe jetime.

Ku janë futur e ku janë fshehur këta minj gjirizi? Kujtojnë se do t’i shpëtojnë kaq lehtë zemërimit popullor? Kujtojnë se do të dalin pa lagur? Kapini dhe sillini këtu për zhelesh, që të japin llogari, para se të fillojmë t’i shpojmë me shtizat e flamurëve!

Se nga gjetën një sekretare të lehtë bjonde minifundëse ende të nxirë nga dielli i Jalit me kyçe të shtrembëruara nga takat dhe belin copë-copë nga palestra dhe sy të fyrë nga përkushtimi total dhe gatishmëria ndaj rrjeteve sociale.

Se nga gjetën një sekretare çfarëdo stazhiere super-kozmetike stereotipike dhe, pa i lënë kohë as që të rregullohej, e tërhoqën për flokësh dhe e hodhën përdhé para kryengritësve, që tashmë e kishin marrë Bastijën përkatëse dhe nuk po dinin se ç’të bënin me të, aq më tepër që nuk po gjenin as karrige për t’u ulur dhe ndezur një të shkretë cigare.

Ku i ke shefat? – i ulëritën.

Nuk janë këtu, tha sekretare-stazhierja e lemerisur. Nuk janë kthyer ende nga stadiumi. Do të jenë vonuar me futbollistët, në dhomat e zhveshjes. Do të kenë ngecur në përqafime, në selfie, në deklarata para mikrofonave – do t’i kenë vonuar fotografët, biografët, topografët.

Nuk janë këtu? Epo atëherë le të festojmë edhe ne fitoren, tha turma, se nuk jemi budallenj; dhe pushtetin e marrim një ditë tjetër, se se institucionet këtu janë, nuk kanë këmbë që të ngrihen dhe të ikin.

Dhe ashtu bënë, para se të fikeshin dritat.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: