DY LIRITË

Kam ndjekur me interes, ditët e fundit, një debat në faqet e gazetës “Dita”, që u përqendrua më parë në natyrën e Luftës Na-Çl, por pastaj u degëzua edhe drejt një analize krahasimtare të lirisë së individit me lirinë e kombit; në këtë të fundit u përfshinë Andrea Stefani, Bedri Islami dhe Viktor Malaj.

Çështja e debatuar mund të përmblidhet kështu: midis lirisë së kombit dhe asaj individuale, cila ka përparësi?

Duke argumentuar se Lufta Nacional-Çlirimtare e çliroi Shqipërinë nga pushtuesi i huaj, por për të instaluar një regjim që erdhi duke ia mohuar liritë dhe të drejtat elementare qytetarëve të vet, Stefani nxjerr përfundimin se pikërisht për këtë shtypje që ia bëri më pas individit, ai regjim e ka humbur të drejtën për t’u quajtur “çlirimtar.”

Më tej akoma, duke u zhvendosur drejt së sotmes, Stefani gjykon se “në Ballkan këmbëngulet që kombi të prevalojë mbi njeriun” dhe atje “Liria kombëtare është përdorur për të justifikuar shtypjen e njeriut”; qëndrimi i autorit është se “Liria kombëtare është një përrallë pa lirinë e njeriut” dhe “kombet janë bërë të lira vetëm duke i bërë njerëzit e tyre të lirë.”

Bedri Islami i kundërvihet haptazi këtij qëndrimi, duke pohuar se “nëse një komb është i palirë, askush nuk mund të jetë i lirë” dhe se “Liria e kombit është domosdoshmëria e parë për të pasur lirinë e njeriut.”

I shtjelluar kështu, ky debat prek drejtpërdrejt lirinë, si koncept themelor të filozofisë politike; dhe mua më kujtoi menjëherë esenë – përndryshe besoj të mirënjohur – të Isaiah Berlin-it, “Dy konceptet e lirisë”; ku parashtrohen dallimet dhe kundërtitë mes atyre që ky autor, dhe shumë të tjerë pas tij, i quajnë liri negative dhe liri pozitive.[1]

Liria negative, sipas Berlin-it, është liria e dikujt nga pengesat a shtrëngimet që vijnë nga njerëz të tjerë, përfshi këtu edhe grupet, kolektivat dhe institucionet sociale dhe politike; çfarë lidhet menjëherë me të drejtat individuale. Berlin-i vëren, mes të tjerash, se nuk ka ndonjë lidhje, megjithatë, midis lirisë individuale negative dhe rendit demokratik – sepse përgjigjja që i jep pyetjes “Kush më qeveris mua?” është logjikisht e ndryshme nga përgjigjja që i jepet pyetjes “Sa më ndërhyn pushteti në punët e mia?”

Liria pozitive, vazhdon Berlin-i, ka të bëjë me dëshirën e individit për të qenë zot i vetes (liria për). Megjithë ngjashmërinë sipërfaqësore me lirinë negative, liria pozitive priret të marrë zhvillim, si koncept, në një drejtim tjetër – për shkak se kjo “vete” me lehtësi mund të përfytyrohet si diçka më e gjerë si individi: një fis, një racë, një besim fetar a një shtet; dhe ky entitet supra-individual ua imponon vullnetin individëve që e përbëjnë, “për të mirën e tyre”.

Liria është njohja e domosdoshmërisë – ky përkufizim i Fichte-s, më pas i adoptuar nga Hegel-i dhe veçanërisht nga Marksi – nuk mund të mos përdorej, siç edhe u përdor për të përligjur regjimet totalitare, majtas dhe djathtas, gjatë shekullit XX; të cilat gjithnjë pretenduan se po vepronin në mënyrë racionale, në mos shkencore.

E Fichte-s është e thënia tjetër, se “askush nuk ka të drejta… ndaj arsyes”, të cilën e citon Berlin-i, në esenë e lartpërmendur; një mendim të cilit i bën August Comte-i, i cituar po aty, kur thotë se “nëse nuk e lejojmë mendimin e lirë në kimi a në biologji, pse duhet ta lejojmë në moral a në politikë?” Ky argument, që mbështetet tërësisht në kërkimin e së vërtetës, nuk lë shumë vend për lirinë negative; meqë “vetëm e vërteta të çliron.”

Por kujdes, vëren Berlin-i; ajo çfarë kërkojnë klasat a kombet e shtypura, kur ngrihen të luftojnë “për liri”, nuk është veçse njohja (recognition) ose statusi, nëpërmjet emancipimit – dhe kjo shpjegon pse individët shpesh preferojnë të abuzohen dhe të keq-qeverisen nga dikush i kombit a i klasës së tyre, pavarësisht se këta “nuk më sigurojnë ndonjë liri negative.” Thotë Berlin-i: “Kjo dëshirë për njohje të ndërsjelltë bën që shumë demokraci autoritare të preferohen, nga qytetarët e tyre, ndaj oligarkive më të ndriçuara.”

Shkruan Berlin-i: “Ata njerëz që kanë luftuar për liri, kanë luftuar së bashku për të drejtën që të vetëqeverisen, ose të qeverisen nga përfaqësuesit e tyre – madje edhe sikur kjo të çojë në një qeverisje të rreptë, si ajo e spartanëve, me liri individuale të paktë, por ama në një mënyrë të tillë që t’i lejojë të marrin pjesë ose të kujtojnë se po marrin pjesë në ligjvënien dhe administrimin e jetës së tyre kolektive.”

Vetëm se kjo ka më shumë të bëjë me dëshirën për barazi dhe vëllazëri; dhe gjithsesi, thotë Berlin-i, i largohet shumë konceptit të Mill-it për lirinë si të kufizuar vetëm nga rreziku për lëndim të tjetrit.

Në formën e vet jakobine, vëren Berlin-i, Revolucioni Frëng ishte një triumf i “lirisë pozitive”; madje Russeau-i pat thënë edhe që “ligjet e lirisë mund të rezultojnë më të rrepta se zgjedha e tiranisë”; dhe ky filozof, me liri kish parasysh pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në pushtetin publik, i cili ka gjithsesi të drejtë të ndërhyjë në çdo aspekt të jetës së tyre.

Filozofët liberalë të shekullit XIX do ta kuptonin, herët a vonë, se ky ‘sovranitet i popullit’ do ta kish shumë të lehtë të shkatërronte ‘sovranitetin e individit’; madje Mill-i pat shkruar se vetë-qeverisja demokratike nuk është qeverisja e ‘gjithkujt nga ai vetë’, por ‘e gjithkujt nga të tjerët’ (each by the rest); çfarë ai do ta quante edhe ‘tirani të shumicës.’

Përballë kësaj dileme, Berlin-i duket se parapëlqen qëndrimin e Benjamin Constant-it, i cili pat vënë në dukje se transferimi, nëpërmjet një kryengritjeje të suksesshme, i autoritetit të pakufizuar, të quajtur ndryshe edhe sovranitet, nga një palë duar në një palë tjetër, nuk e shton lirinë, por vetëm sa zhvendos barrën e robërisë… Constant-i e pat kuptuar drejt, thotë Berlin-i, se problemi kryesor për ata që dëshirojnë liri individuale negative nuk është se “kush e ushtron autoritetin” por “sa autoritet i duhet besuar këtij apo atij.”

Diçka të ngjashme do të thoshte, një shekull e kusur më pas, Karl Popper-i, kur na fton që pyetjen Kush duhet të sundojë? ta zëvendësojmë me pyetjen tjetër: Si mund t’i organizojmë institucionet politike në mënyrë të tillë, që sundimtarët e këqij ose inkompetentë të mos lejohen të bëjnë shumë dëme?[2]

Si orientohet ndaj parashtresës më lart debati i tanishëm në gazetën “Dita”? Unë jam nga ata që besojnë se liria e individit, si liri edhe negative edhe pozitive, është diçka cilësisht e ndryshme nga liria e një komuniteti, dhe aq më tepër e një komuniteti të imagjinuar si kombi (në kuptimin e Anderson-it); dhe se kjo e dyta mund të përkufizohej më mirë si një kombinim i dëshirës për status dhe i konceptit të sovranitetit shtetëror, ndërsa e para lidhet më shumë me të drejtat e njeriut, në raport me ligjin dhe veçanërisht me Kushtetutën.

Për këtë arsye, mendoj jo vetëm se Stefani ka të drejtë në përparësinë që i jep lirisë negative – të cilën ai e formulon megjithatë në mënyrën e vet dhe disi ndryshe nga Berlin-i; sikurse ka të drejtë edhe kur thotë se lufta anti-fashiste nacional-çlirimtare, në vetvete e drejtë, nuk ia dha gjë vetvetiu regjimit që pasoi autoritetin politik, as të drejtën morale, që të kufizonte deri në asgjësim liritë individuale të qytetarëve; sa kohë që të drejtat dhe liritë individuale një shtet modern nuk t’i jep, por vetëm t’i njeh dhe zotohet që të t’i mbrojë.

E kotë të shtoj se debati, me kundërtitë që i nënvendosen, ka aktualitet të spikatur, pavarësisht nga referimi i tanishëm ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare; aq më tepër brenda një kulture si jona, ende të sunduar nga koncepti i lirisë pozitive, siç u provua edhe nga shtjellimi i debatit vetë.


[1] Berlin, Isaiah, Two Concepts of Liberty, në vëllimin Four Essays on Liberty, Oxford University Paperpack, 1969. Një përmbledhje e mirë e problematikës në lidhje me dallimet mes lirisë negative dhe asaj pozitive mund të lexohet këtu.

[2] shih për këtë shkrimin tim Vargonjtë e sovranit.

1 Koment

  1. Sigurisht, debati ne gazeten qe permendni ju, nuk eshte per tu marre shume seriozisht mendoj, sepse ata qe mbrojne te ashtuquajturen liri te kombit, e bejne kete, vetem per te zevendesuar konceptin e lirise reale me ate te nje lirie virtuale. Jane thjesht haxhiqamile. Disa gjera fare bazike, nuk mund te debatohen. Nje demokraci e arsyeshme (John Rawls) nuk eshte sferike, por kuazi sferike.

    Une mendoj se liria, pasi e ke fituar lirine, nuk mund te sherbeje me si argument. Ne kete kuptim, ajo eshte thjesht nje faktor higjene. Qofte kjo liria e kombit, qofte liria individuale. Liria si argument, perdoret sot keq si nga haxhiqamilet e komunizmit, ashtu dhe nga libertarianet tane te viteve te fundit.

    Ne te dyja rastet, kjo vetem con ne paradoksin e lirise dhe, ne fund te fundit, e demton konceptin e lirise.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin