AMNISTIA VITI ZERO

Në shembullin e amnistisë fiskale për bizneset e mëdha dhe të pastrimit të pasurive të përftuara nga korrupsioni për gjykatësit apo nga veprimtaritë kriminale të krimit të organizuar, qeveria ka miratuar një projektligj për një amnisti gjithëpërfshirëse.

Arben Ahmetaj, Ministër i Financave, dhe njëkohësisht këshilltari i Kryeministrit për çështjet e etikës, ka propozuar një Amnisti Totale për të gjithë shqiptarët. Propozimi është miratuar nga Këshilli i Fallxhorëve të Tarotit pranë Këshillit të Ministrave. Kryetari, z. Mësim Ndrikulla, ka parashikuar një djalë tjetër për kryeministrin z. Edi Rama, dhe fitore elektorale në Dibër nëse Amnistia Totale miratohet në parlament përpara datës 16 tetor, ora 4:00 e pasdites.

Kjo nismë ka gjetur edhe mirëkuptimin e opozitës. Ish-ministri i financave, z. Ridvan Bode, është shprehur se Amnistia Totale do të rrisë të ardhurat e shtetit pas 50 vjetësh dhe do të pastrojë njëherë e mirë ndërgjegjen e kombit.

Propozimi është pritur mirë nga media dhe populli, edhe pse deri më sot nuk është publikuar asnjë hollësi mbi Amnistinë Totale.

Redaksia jonë ka shtënë në dorë propozimin në rrugë konfidenciale nëpërmjet faqes web së kryeministrisë dhe po ju paraqet vetëm disa pika.

  1. Të gjitha çështjet civile në gjykatat e vendit dhe shkallët e gjyqësorit të përfundojnë në favor të dy palëve. Vendimet të jepen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
  2. Brenda 6 muajsh prokuroritë e vendit të mbyllin të gjitha çështjet në hetim. Hetimet mbi organizatat kriminale dhe korrupsionin e nëpunësve të lartë të shtetit të mbyllen menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Prokuroria nuk do të hetojë asnjë krim për një periudhë prej së paku 5 vjetësh.
  3. Të gjithë të dënuarit me heqje lirie të lirohen menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit. Institucionet e vuajtjes së dënimit të mbyllen për një periudhë 5 vjeçare.
  4. Drejtoria e Tatimeve do të shfuqizojë menjëherë penalitetet administrative. Për 10 vjetët e ardhshme të falen gjobat për të gjitha kompanitë që kanë të punësuar mbi 2 punonjës.
  5. Inspektorati Qendror dhe të gjitha inspektoratet e tjera mbyllen deri në një vendim të dytë për një periudhë prej së paku 5 vjetësh. Të gjitha çështjet mbyllen menjëherë në favor të subjekteve.
  6. Të gjitha ndërtimet pa leje do të legalizohen pa asnjë kosto për qytetarët.
  7. Për një periudhë 5 vjeçare do të de-kriminalizohen këto veprime:
  • rrëmbimi i pronës së shtetit;
  • trafikimi i drogave të lehta dhe të rënda;
  • trafikimi i njerëzve;
  • ushtrim me detyrim i prostitucionit dhe pedofilia;
  • aktet e turpshme në publik;
  • ndëshkimi trupor në familje;
  • vrasjet e të gjitha llojeve për cilindo motiv;
  • mashtrimi për shuma mbi vlerën e 500 000 lekëve;
  • evazioni fiskal;
  • ndërtimi pa leje;
  • vjedhja apo tregtimi i votës;
  • pjesëmarrja në organizata kriminale (përjashtuar organizatat terroriste).
  1. U pastrohet ndërgjegjja të gjithë shqiptarëve që:
  • shajnë bashkëshortet kurva apo u qëllojnë atyre;
  • shpifin për anëtarët e fisit, komshinjtë apo kolegët e punës së tyre;
  • punojnë nëpër redaksi ku vidhet lajmi e qarkullojnë të njëjtët artikuj nëpër gazeta;
  • kryejnë krime brenda familjes;
  • ushtrojnë ndikim të paligjshëm ndaj nëpunësve të shtetit për të përfituar favore apo privilegje pa meritë;
  • pështyjnë apo ndotin mjedisin e përbashkët;
  • u lypin favore seksuale personave të martuar, kolegëve të punës apo kamerierëve.
  • vjedhin, grabisin apo dëmtojnë pronën e shtetit, të familjarëve të tyre apo qytetarëve të tjerë;
  • punojnë si arkitektë, këngëtarë tallavaje dhe opinionistë;
  • përdorin transportin publik e popullojnë zyrat e shtetit pasi kanë ngrënë për mëngjes paçe me shumë hudhra shoqëruar me raki (Këtu redaksia kërkon ndjesë për këtë ves të kryeredaktorit të saj.)
  • shkelin rregullat e qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen apo plagosjen e qytetarëve;
  • komentojnë me sharje e ofendime në portalet e internetit;
  • zotërojnë fjalor prej 200 fjalësh;
  • nuk lajnë sqetullat e kundërmojnë erë përç;
  • nuk respektojnë radhën;

Amnistia Totale do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Popullor më datë 31 gusht 2016.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin