MIKROBIOGRAFI (V)

Adriatik Dhalla

I fërkoi mirë dhëmbët me urinën e tij përpara si t’i buzëqeshte Presidentit.

 

Dritan Teli

Rryma elektrike ndërpritej dhjetra herë në ditë.

Kontrollonin pajisjet elektroshtëpiake se mos dëmtoheshin.

Ai ishte përgjegjës për televizorin.

 

Dhurata Pema

Nuk e duronte dot rënien e gjetheve vjeshtore.

I shkundte vetë që në shtator, t’ia lehtësonte dhimbjen e humbjes pemëve dhe shpirtit të vet të lënduar.

 

Edi Kama

Ishte aq i zoti në lëmimin e smërçit nga dhëmbët e gomerëve, sa arrinte gjithmonë t’i shiste dyfish nga ç’vlenin.

 

Elisabeta Karabina

Qitëse, Kampione Europe, doli në kopertinën e revistës “Shqiptarja e Re”, botim në gjuhë të huaj.

Mesazh i fuqishëm, po t’i shtoje edhe fotografitë e zboristeve në faqet e brendshme.

 

Ferik Berberi

Tek i qethte, klientëve ku kish besim, u rrëfente barceleta kundër regjimit.

Nuk u habitën kur ra dëshmor.

Korriku qe i nxehtë.

Bënte aq vapë sa dylli i veshëve shkrihej dhe rridhte cërrega faqeve.

Në fakt, thjesht kish ngrënë një plumb qorr kur kish nxjerrë kokën nga dyqani për të dëgjuar se ç’po ndodhte.

Ishte gjak ai që i rrodhi faqeve, jo më dylli i shkrirë

 

Franz Nopcsa

Megjithëse e tërhoqi shpejt kandidaturën e tij për fronin e Shqipërisë, numri i përgjithshëm i kandidatëve nuk ra poshtë duzinës.

 

Guri Thomo

Gjatë seancës gjyqësore e zuri një e tillë kolikë renale saqë, fytyrëprishur, me djersë të ftohta, nuk u la më kohë të mbroheshin të pandehurve: i dënoi menjëherë me vdekje për agjitacion & propagandë.

 

Gjergj Elez Alia

Shpata në dyluftim i rrëzëllinte, kurse për mburojë përdorte djepin.

 

Herolind Mosi

Vdiq.

Se pat lindur!

 

Hito Mako

– Hapja barkun Partisë!

Sapo dëgjoi frazën fatale, zbërtheu këmishën, nxorri nga xhepi thikën.

 

Ideor Zylyfi

Shkroi një projekt mbi rishfrytëzimin e bunkerëve të diktaturës ngritur gjatë bregdetit.

Të gjitha baret dhe lokalet (e bregdetit) duhet të merrnin në ngarkim dy bunkerë: WC burra – WC gra.

Titulli i projektit: “Kthim në identitet”.

 

Isuf Reçi

Gjarpri, i fshehur mazgallave të mureve të trashë të shtëpisë me avlli dhe bahçe, e shpëtoi nga pushkatimi.

 

Karafil Ceno

Normën tonë mujore për ngritje të trasesë, mësuesi i punës prodhuese e realizoi brenda natës me buldozeristin e zonës (kish ditë që e çokisnin gotën).

Betonimin pastaj e morën përsipër të burgosurit politikë, me anë të komandantit të burgut sigurisht, pas një tjetër të pire të fortë me dolli për Partinë.

Tre nga ne u nderuan me Medaljen e Punës nga Kuvendi Popullor.

 

Kasëm Trebeshina

Sa herë që i përmendej emri (për hir të së vërtetës, rrallë) një kritik letrar vdiste.

 

Koli Xoxe

Duke rrëmuar kartave të të ndjerit u zbulua një e vërtetë e madhe: harta e fshehtë e mbi 300 varreve të “armiqve të popullit” vrarë pa gjyq, ose vdekur në birucë.

Vetëm një pjesë e vogël e tyre, gjithsej 9 skelete, ishin zbuluar, rastësisht, pa iu bërë as nderimet e duhura: dy kishin përfunduar të ekspozuar në Muzeun Arkeologjik, pesë ishin marrë për eshtra gjedhi dhe, si pasojë, flakur tej.

Dy qenë identifikuar, saje prangave.

 

Lorena Berhami

Çdo mëngjes shoferi e ndalonte autobuzin përpara zyrës ku ajo punonte si sekretare, ndonëse stacioni i vërtetë qe më tutje.

Stacionin filluan ta quajnë: “Lorena e Bukur”.

Kthyer në vendlindje pas pesëdhjetë vjetësh, zbriti po aty.

I kishin vënë emrin e një heroi, teksa ajo kish qenë vetëm e bukur.

 

Luftar Bajo

– Ju bëftë plumbi kakërdhi miu.

Rrofshin Forcat e Armatosura!

– Më falni, një pyetje: kjo formulë urimi, a nuk është e vjetër?

A s’i përket një kohe tjetër?

– Kjo formulë urimi është universale.

– Ah, e shoh.

Posi jo!

Atëhere më lejoni t’ju pyes përsëri: të bërit kakërdhi miu u referohet vetëm plumbave që komandot tona mund të marrin gjoksit atje ku do të shkojnë (në Afganistan, më duket, kësaj radhe), apo edhe atyre plumbave që ata do t’i zbrazin armikut?

– Provokacija!

Përjashta!

 

Mustafa Kemal Atatürk

Urdhëroi t’ia vinin në naftalinë kapotën e arnuar ushtarake.

 

Omer Nishani

Kur pa sesi mizat qëndronin serbes brenda syrit të lopës, vendosi të studionte veterinari.

 

Pirro Pelisteri

Përpara se të punonte në Sekretariat, prodhonte çarqe për minj.

 

Pushtet Bushi

Për tre muaj u fsheh te një kaçube pranë vijës kufitare dhe lehu si qen.

Kur u arratis, qeni i kufirit e njohu dhe e la të kalojë.

 

Robert Ananasi

Ish gardian burgu në pension, zotëronte një koleksion të hatashëm autografesh.

 

Thoma (Tom) Bala

Laheshim nën shiun gushtak sikur të qe hera e fundit që shihnim detin.

Kridheshim dallgëve të vakta, aq të heshtura përpara shtrëngatës që afronte.

 

Zjarrmor Kosova

E kishte kryer detyrën e tij ndaj planetit në pesëdhjetë vjetët e parë të jetës: pat përdorur për ngrohje materiale të rinovueshme (lata të tëra me dru).

Tani i lejohej pak ndotje.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin