TË VESHËSH MERMERIN

Pak vite më parë, dy parisianë, Léo Caillard (fotograf) e Alexis Persani (photo editor), tërhoqën vëmendjen e mediave me një ide të pazakontë. Zgjodhën disa statuja mermeri të muzeut të Louvre-it, i fotografuan dhe pastaj i përpunuan me Photoshop duke i veshur me rroba moderne.

Efekti ishte befasues. Nuk mund të mohohet. Kur i shikon statujat e famshme klasike të mermerit, që përfaqësojnë perëndi, heronj e perëndesha, madje vetë Krishtin, të veshur sipas modës, me xhinse, syze dielli, t-shirt, këmisha me katrore, atlete, mbetesh me gojë hapur. Sepse nuk e pret. Ka edhe diçka humoristike në këtë projekt. Megjithatë, për mendimin tim, efekti zgjat vetëm pak minuta. Projekti u quajt në atë kohë “Hipster in Stone”. (Në internet, ose në faqen zyrtare të fotografit, mund të konsultohen të gjitha imazhet).

Mediat njoftojnë se pas bujës dhe komenteve të ndryshme, që shkaktoi projekti i fotografit francez, erdhën telefonat e para të muzeve më të rëndësishme të botës, për t’i veshur vërtet, pra jo vetëm me miun e kompjuterit, statujat prej mermeri. Efekti trullosje, thuhet, do të bëhet ekspozitë më vete.

statuje-mermer-me-xhinseZgjidhja më duket e diskutueshme dhe nuk ia kap dot qëllimin deri në fund. Përse muzetë e botës, që kanë fatin të ruajnë kryevepra mermeri, ku është derdhur arti njerëzor, ndjejnë nevojën për t’i veshur me xhinse e atlete? Është çështje marketingu? A thua kanë nevojë? Apo duhet quajtur edhe kjo vepër arti?

Nuk dua t’ia mohoj efektin simpatik idesë së veshjes së skulpturave. Megjithatë, do të kisha preferuar që kjo të mbetej në kuadrin e fotografisë dhe të përpunimit të imazheve, pa kaluar në hapësirat e muzeve, që tregojnë artin klasik.

T’i shohësh trupat e derdhur në mermer dhe linjat e sensualitetit femëror të veshura me rroba të sotme të çorodit disi. Por kjo duhej t’i lihej imagjinatës, ose fotografive të fotoshopuara, por jo hapësirave muzeore.

Kjo ide e fotografit të ri francez të sjell detyrimisht në mendje, për efekt të përshoqërimit, dy histori të së kaluarës: një të hershme dhe një të afërt. Shumë lakuriqësi të “Giudizio universale” në Cappella Sistina, të gjeniut Mikelanxhelo, u mbuluan pasi artisti ndërroi jetë, por jo sa ishin gjallë dy Papët që ia donin shumë veprën. Pas Koncilit të Trentos u vendos që lakuriqësitë e Giudizio universale të mbuloheshin me veshje të ndryshme. Kjo detyrë pa grat dhe e sikletshme iu dha kolegut piktor Daniele da Volterra, i cili u mbiquajt nga ai çast e tutje Braghettone, që në shqip mund të jepej si Brekëtari.

Historia e dytë ka të bëjë me vizitën e Presidentit të Iranit, Hassan Rouhani, në Itali në fillim të këtij viti, gjatë së cilës disa skulptura të Musei Capitolini të Romës u mbuluan me kuti të bardha për të respektuar ndjeshmërinë e të ftuarit iranian (për të dyja kemi folur pak kohë më parë).

Por veshja moderne e skulpturave antike të sjell ndër mend edhe faktin se moda aktuale ka kërkuar gjithnjë ta shfrytëzojë artin klasik, duke i veshur sipas modës skulpturat e njohura. Mund të përmendim rastin e një firme të njohur, që për reklamë u vuri statujave çanta në duar e syze në kokë. Mirëpo, në rastin e fotografit Caillard  nuk kemi të bëjmë me reklama për ndonjë firmë mode.

Për t’iu kthyer projektit origjinal, që tani po duan ta adoptojnë edhe muzetë, duhet të themi se efekti duket jo vetëm i përkohshëm, por edhe sipërfaqësor. E në rast se vijon për shumë kohë e përsëritet, duket sikur merr nuancat e kitsch-it. Madje skulturat me emër vijnë e u ngjasojnë manekinëve, që mbushin vitrinat e hapësirat e brendshme të dyqaneve dhe të supermarketeve. Në këtë pikëpamje, akti në fjalë nuk i jep vlerë veprës klasike, vetëm sa i tërheq vëmendjen spektatorit, në thelb duke ia devijuar, siç mund të bëjë çdo gjë eklatante, por me forcën e zjarrit të kashtës.

Nga ana tjetër, vishet ajo që duhet të qëndrojë e zhveshur, sepse Davidi i Donatellos, ose i Mikelanxhelos, ose skulpturat prej bronzi të Riaçes, ashtu duhet të qëndrojnë, me përsosmërinë e lakuriqësisë së tyre. Përndryshe, kuptimi i tyre, lidhur me forcën e njeriut, bie së bashku me këmishën e modës, që nga pikëpamja artistike mund të perceptohet si këmishë force.

E nuk  mund të bëjmë paralelizma as me vepra provokuese, si ajo e Marcel Duchamp, me titull L.H.O.O.Q., që tregon Gioconda-n e famshme të Leonardo da Vinçit, me mustaqe e mjekër. Vepër që është interpretuar si manifest kundër konformizmit.

Bie në sy, gjithashtu, efekti efemer i projektit. Sepse statujat nuk mund t’i lësh gjithnjë të veshura me stil hip hop, boho chic, apo hippy. Fundja, a nuk është edhe moda vetë e përkohshme që në përkufizim? Kemi të përjetshmen përballë kalimtares.

Ndërsa për modernizimin e nismës nuk mund të thuhet shumë, veçse duhet pranuar, përderisa jetojmë në epokën e efemerit, ku çdo gjë matet me pëlqime e ndjekës në rrjetet sociale, ku hiperstimulimi asgjëson vëmendjen e skleroza neutralizon kujtesën.

Megjithatë, në analizë të fundit, e me pak bujari, ideja e fotografit francez duket pozitive në planin e vlerësimit të artit klasik, edhe pse në mënyrë indirekte. Sepse e vesh, e mbulon, e tjetërson veprën klasike, që ne më pas ta zhveshim, ta (ri)zbulojmë, ta kuptojmë atë më mirë. E akti i zhveshjes përmban shumë gjëra: kuriozitet, erotizëm, emocion… Por edhe gjetjen e vetvetes në raport me tjetrin dhe artin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin