VIZITË TOKSIKE

Me siguri do të ketë qytetarë të Republikës së Shqipërisë që shqetësohen kur shohin ish-kryeministrin britanik Tony Blair në shoqëri të kryeministrit të tyre Edi Rama; dhe mes këtyre që shqetësohen, edhe nga ata që dyshojnë se Tony Blair është kriminel lufte, siç është akuzuar nga shumë anë, edhe pse ende jo provuar nga ndonjë gjykatë. Këtu bëhet pikërisht fjalë për rolin që luajti Blair-i kryemnistër, kur vendosi që Britania e Madhe t’u bashkohej operacioneve ushtarake në Irak; dhe dihet tashmë se raporti Chilcot arriti, mes të tjerash, në përfundimin se Blair e ekzagjeroi me qëllim kërcënimin që përfaqësonte Saddam Hussein-i në atë kohë; se informacioni në mbështetje të atij vendimi ishte në masë të madhe i rremë ose i fabrikuar (p.sh. “provat” se Hussein-i zotëronte armë të shkatërrimit në masë); dhe se Blair e keq-orientoi edhe qeverinë e vet edhe Parlamentin. Gjithnjë sipas raportit Chilcot, Blair-i nuk e kish dhe as u kujdes që ta kishte bazën e duhur ligjore, për të filluar luftën në Irak.

Lideri i tanishëm i laburistëve të Blair-it, Jeremy Corbyn, u ka kërkuar falje qytetarëve të Irakut, ushtarëve britanikë dhe milionave në Britaninë e Madhe për mënyrën si u mor vendimi për sulmuar ushtarakisht Irakun. Ndërkohë, grupe të tjera të shoqërisë civile vazhdojnë përpjekjet për ta çuar Blair-in para gjykatës ndërkombëtare të krimeve (ICC) ose edhe thjesht arrestimin e tij.

Akuzat kundër Blair-it janë serioze, po të kemi parasysh se lufta në Irak ka shkaktuar midis 150 mijë dhe 1 milion viktima, shumica dërrmuese të cilave irakenë, pa llogaritur rrënimin e atij vendi dhe dëme të tjera sociale dhe psikologjike në masë. Sadam Hussein-it nuk iu gjetën armë të shkatërrimit në masë; dhe i vetmi shkatërrim në masë ishte ai që iu bë Irakut nga forcat e koalicionit, nën udhëheqjen e George W. Bushit dhe të Tony Blair-it.

Në këto rrethana, nuk më duket ndonjë habi që të ketë edhe qytetarë, në Shqipëri, që të dyshojnë se mos mikpritja e ngrohtë që i ofrohet Blair-it sot duhet rishikuar, në pritje që pozicioni i tij karshi akuzave që i janë bërë të sqarohet përfundimisht; edhe pse nuk u takon shqiptarëve që të shqiptohen për këtë çështje të parët. Prandaj lexova jo pa interes një opinion të Kastriot Islamit botuar sot në syri.net, ku mysafirit Blair i përmenden ndër të tjera marrëdhëniet e tij me regjime autoritare dhe kleptokratike në Europë dhe gjetiu në botë; dhe atje ngeca te pohimi i autorit se:

Ndërkohë në Britani Toni Bler ballafaqohet po ashtu edhe me kritika shumë të ashpra, që shkojnë deri në kërkesën për heqjen e të drejtës për të pasur poste publike, pas një raporti që mban emrin Chilcot lidhur me qëndrimin e qeverisë së drejtuar prej tij ndaj ngjarjeve në Irak ku gjetën vdekjen shumë ushtarë britanikë, familjet e të cilëve kërkojnë ta çojnë madje deri në Gjykatën e Hagës; por kjo është një çështje e brendshme e britanikëve që mund të ketë vetëm interes informativ për shqiptarët [theksimi është imi, A.V.].

Po a është vërtet kështu? A nuk kanë të drejtë “shqiptarët”, përtej interesit të tyre thjesht “informativ”, të mbajnë edhe një qëndrim moral ndaj dikujt që është akuzuar tashmë dhe nesër mund të shpallet zyrtarisht kriminel lufte? Gjendja sot e kësaj dite në Irak është katastrofike; dhe ndërhyrja e ShBA dhe e Britanisë së Madhe atje, për të larguar nga pushteti diktatorin Saddam Hussein është përgjegjëse jo vetëm për numrin e papërfytyrueshëm të të vrarëve dhe të plagosurve dhe dëmtimet marramendëse në pasuri materiale dhe infrastrukturë, por në masë të madhe edhe për disa nga plagët më të mëdha të politikës globale sot, që nga terrorizmi dhe DAESH-i, te kriza e refugjatëve.

Sado e vogël të jetë Shqipëria dhe sado i papërfillshëm roli i saj në politikën ndërkombëtare, përfshi këtu edhe angazhimin me trupa në Afganistan dhe në Irak, sërish orientimi ndaj së mirës dhe së keqes dhe pozicionimi moral nuk duhet t’i mungojnë asnjë qytetari, pavarësisht nga nevoja për prakticitet e pragmatizëm dhe pavarësisht nga sa preket interesi vetjak. Edhe pse mbetet i pafajshëm sa kohë që nuk i është provuar faji, Tony Blair sot është vetvetiu toksik; dhe vetë roli i tij si këshilltar i kryeministrit Rama mund dhe duhet të merret në pyetje – se ç’mund t’i këshillojë ky një kryeministri “mik”, në rrethanat kur seriozisht akuzohet se ka gënjyer qeverinë e vet, parlamentin dhe qytetarët e vet për një çështje aq serioze sa lufta në Irak? Shqipëria ka krijuar tashmë një reputacion botëror si vend tërheqës për toksicitetin gjithfarësh: ekonomik, financiar, ekologjik, njerëzor; le të shpresojmë se vizitat e Blair-it nuk janë edhe ato efekte anësore ose pasoja të këtij reputacioni të padëshiruar; madje vetë Blair-i, po të jetë vërtet mik i Shqipërisë siç thotë, mund të vendosë të rrijë larg ca kohë: të gjithë do të dilnin të fituar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin