SAZET AUTOKTONE TË ARBRIT

Më qëlloi të dëgjoja një intervistë të një Joe Boyd, producent muzikor nga Londra, dhënë programit World Update të BBC-së, rreth asaj muzike popullore shqiptare, të cilën në intervistë e quajnë “Saze folk music”.

Pas gjase, Boyd synon të regjistrojë një album me këtë muzikë, çfarë premton veç të mirë.

Ai gjithashtu thotë se shpreson që kjo lloj muzike të tërheqë vëmendjen e të gjithë atyre që konsumojnë zhanrin e “world music”, ngaqë është origjinale, e freskët dhe e pasur në vetvete.

Pse është kaq e veçantë kjo muzikë? Për shkak edhe të rrethanave historike, thotë Boyd – përfshi këtu edhe izolimin e madh të trojeve shqiptare në rrjedhë të historisë.

Dhe këtu sillet në vështrim argumenti gjuhësor: gjuha shqipe, i shpjegon Boyd intervistuesit të BBC-së, krahas baskishtes dhe gjeorgjishtes është nga gjuhët më të vjetra dhe më të painfluencuara në Europë (“Albanian, along with the Basque and the Georgian are among the oldest, uninfluenced languages in Europe”) dhe vetë vendi është “i lashtë” (“an ancient country”).

Nuk e them dot me siguri se ku i ka dëgjuar a lexuar Boyd këto gjepura. Që shqipja është gjuhë indo-europiane, kjo pak a shumë është provuar që gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe tashmë merret si po aq e mirëqenë, sa edhe fakti që italishtja është gjuhë neolatine, ose që bullgarishtja është gjuhë sllave.

Si gjuhë indo-europiane, shqipja nuk ka lidhje të veçanta as me baskishten dhe as me gjeorgjishten; e para, baskishtja, është gjuhë jo-indoeuropiane vërtet e izoluar, që nuk i përket asnjë familjeje gjuhësore ekzistuese; përkundrazi, gjeorgjishtja i përket familjes gjuhësore kartveliane, e cila është familje më vete, pa ndonjë lidhje me indo-europianishten.

Më tej akoma, nuk ka ndonjë bazë pohimi i Boyd-it se shqipja është nga gjuhët “më të vjetra dhe më të painfluencuara në Europë”; sepse shqipja si gjuhë është dokumentuar relativisht vonë dhe struktura e saj, edhe fonetike edhe gramatikore edhe leksikore, rezulton të jetë kombinim tiparesh të trashëguara nga indo-europianishtja “mëmë” dhe risish të rëndësishme që kanë ndodhur në rrjedhë të shekujve.

Veçanërisht e çuditshme është ta quash të painfluencuar një gjuhë, leksiku i së cilës praktikisht e pasqyron dhe e ilustron gjithë historinë e kontakteve të shqiptarëve dhe të para-ardhësve të tyre, me popuj të tjerë gjatë 2500 vjetëve të fundit – që nga grekët e lashtë e latinët, e deri vonë në mesjetë me turqit osmanë.

Këto janë gjëra që dihen, dhe që kanë dalë tashmë nga veprat studimore, për të zënë vend në enciklopedi dhe në tekste universitare. Sikur Boyd-i të kish marrë mundimin dhe të shfletonte literaturë për historinë e kulturës, së cilës dëshiron t’ia regjistrojë muzikën, do të kish gjetur të dhëna pak a shumë të respektueshme pa vështirësi.

Prandaj, më mbetet të besoj se producentit tonë nga Londra këto gjepura do t’ia kenë thënë shoqëruesit e tij në Shqipëri.

Kam shkruar edhe herë të tjera për disa mite tërësisht të kapërcyera, në mos të diskredituara, që i kanë larguar në mos dëbuar tashmë nga tryezat e dijes serioze dhe tashmë kanë gjetur në strehë në trotuaret dhe në pazaret e Shqipërisë turistike, ose for sale: që shqiptarët janë nga popujt më të vjetër të botës, që shqipja nuk ngjan me asnjë gjuhë tjetër ose është një nga gjuhët “kryesore” të Europës, që ne ua kemi dhënë perënditë grekëve të vjetër, e kështu me radhë.

I dëgjon këto mite të “ngjizjes së papërlyeme” të shqipes të thuhen në biseda, përndryshe serioze, midis përfaqësuesve të kulturës dhe të diplomacisë nga Tirana dhe të huajve të interesuar për Shqipërinë; madje edhe në evente zyrtare, ku niveli i lartë i pjesëmarrësve bie ndesh në mënyrë flagrante me nivelin e ulët të diskursit historik paraqitës.

Edhe pse dija albanologjike edhe në Shqipëri edhe në Kosovë tashmë i ka bërë të vetat bazat e hipotezës indo-europiane të prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të vetë shqiptarëve, madje ka dhënë kontributet e veta të shquara në këtë fushë, sërish ka një rezistencë, në qarqe të caktuara, ndaj të gjitha tezave që e bëjnë të pambrojtshëm “ekscepsionalizmin shqiptar” – të cilat përndryshe ende vlejnë, si valutë e njohur dhe e pranuar, në kursin e shkëmbimeve të kurioziteteve turistike dhe të njohurive të tipit “fast food.”

Gjuhësia historike, ndryshe nga degë të tjera të dijes historike, i ka mundësitë të jetë më e saktë në hipotezat dhe në përfundimet e veta; kështu, është më bindës argumenti se shqipja kërkoj ka ardhur nga latinishtja circo, circare sesa argumenti që një teknikë të caktuar të lërimit të arës e kanë sjellë në Ballkan sllavët.

Për këtë arsye, hipotezat gjuhësore u hapin rrugën hipotezave në degët e tjera, më pak “të sakta”; dhe një distancë e vogël e ndan pohimin a besimin (e gabuar) se “shqipja është gjuhë e izoluar, pa lidhje me ndonjë gjuhë tjetër” nga pohimi a besimi tjetër (sërish i gabuar, por tashmë i themeluar mbi të parin) se muzika popullore shqiptare nuk i ngjan asnjë muzike popullore tjetër në Europë.

Në fakt, muzika popullore në Ballkan është shembull i gjallë elementesh dhe vlerash që janë ruajtur në simbiozë dhe kombinim me elemente dhe vlera që kanë qarkulluar lirisht nga një popull në tjetrin; madje në muzikë shkëmbime motivesh, rregullsish dhe strukturash ndodhin edhe më lehtë se në gjuhë; pa folur pastaj për faktin tjetër, që muzikantët profesionistë gjithnjë kanë shëtitur, pa pyetur shumë për kufijtë mes fiseve, kombeve dhe shteteve.

Ironike është edhe që vetë fjala saze, në emërtimin “saze folk music,” është me prejardhje nga persishtja dhe ka hyrë në Shqipëri gjatë sundimit osman; dhe vetë “muzika me saze” nuk është më e vjetër se 150-200 vjet. Kaq gjë Boyd-i duhej ta kish ditur.

Vetë pasuria e jashtëzakonshme e muzikës popullore shqiptare e dëshmon këtë lloj polenizimi të kryqëzuar, që nuk ka ndalur kurrë, madje as në kohët moderne të izolimit politik autarkik.

Boyd-it mbase ia kanë thënë këto muzikologë dhe të tjerë njerëz që e njohin historinë e muzikës popullore shqiptare shumë më mirë se unë dhe që m’i kanë mësuar edhe mua këto dy gjëra që shkrova këtu; e megjithatë, të rrokësh dinamikën e transformimeve dhe të ruajtjeve, brenda sistemeve abstrakte si muzika, është ndoshta pak më e mërzitshme sesa të përsëritësh kuriozitete të diskredituara për shqipen, baskishten dhe gjeorgjishten – si triumvirat të arkaizimit mitologjik të Europës.

16 Komente

  1. Lëre, aman, mos e tremb producentin, se mirë që e kafshoi grepin! Kush e di sa do t’ia zënë kokën e sazexhiut, ata/ato që i kanë treguar të tilla përralla me alienë!

    1. Nuk eshte pune kaq e thjeshte, Sokol. Unë e shoh ketë si fillim i nje procesi marketingu. Shitja e këtyre regjistrimeve do te orientohet kryesisht te melomanë te cilet kane vështirësi te gjejnë edhe sot e gjithë diten pozicionimin gjeografik te vete Shqipërisë. Dhe Boyd e di mire kete.

      Kështu ca terma barbare, pak salce baske te piperizuar me litanira gjeorgjiane, pak pluhur shekujsh, një fresk mistik gjuhësor qe lë të nënkuptosh se është fjala për nota të padëgjuara (si vetë historia e tyre e çuditshme e gjuhës së tyre “të papërlyer”) premtojnë të kompozojnë një lloj karremi ekzotik për blerësit e ardhshëm.

      Mikut tonë kombëtar, jo vetëm që nuk i intereson historia e vërtetë e shqiptarve dhe gjuhës së tyre, por jam i sigurt se do nervozohet dhe do ta marrë për keq po ta korrigjosh dhe t’i rrëfesh perpelitjet e nje gjuhe te vogel si ajo e shqiponjave dhe të shpendëve të tjera anekse.

  2. Nje shkrim i mire.Veçanerisht me pelqeu pjesa per gershetimet edhe ndikimet e huaja ne muziken tone.M’u kujtua nje ese e Cvetan Todorovit, ku thote se kultura asnjehere nuk eshte monoetnike e paster, por eshte nderthurje e kulturave fqinje.Per ta ilustruar me nje shembull, gjate fushates per pranimin e Kosoves ne UNESCO, me te madhe qe promovuar Nusja e Telejisun, nje zakon ne Dragash te Prizrenit,ku nuseve te reja u ngjyroset teresisht fytyra me ç’rast u vendosen rruzare te imta per te shkelqyer.Te gjithe e promovonin si nje tradite te lashte ilire, nderkohe qe hanedan , kjo qe kultivuar nga boshjakët e Dragashit.
    Ndersa per gjuhen kur Boyd thote se eshte e painfluencuar, ndoshta mund te supozoj se e ka pasur llafin se shqipja eshte gjuhe e izoluar, qe nuk ka afri me asnje familje gjuhesh indoevropiane.

  3. Natyrisht, te gjitha gazetat kryesore e kishin percjell intervisten e Boyd ne BBC si lajm ne seksionin e kultures pa ngritur asnje dyshim a pyetje per lexuesin shqiptar, i cili trajtohet me po te njejten cektesi qe kane Boyd & Co.

  4. Shume mire ja ke bere ketij fare Joe Boyd, ja numerove tek e tek e tek. Po ku pare ndonje here pampor ai injorant. Tani je qe je futju e beje per nje leke edhe ate fare Lord Byron, dhe Edit Durham se keta anglezet sikur skane pune tjeter dhe merren me ne. Turp sju vjen qe sna pyesin edhe ne cunave te lagjes sone.

    1. Nuk e ke lexuar shkrimin tim, veç të kanë thënë që ka dalë dhe ke ardhur të qesësh pushkë.

      Këtë ta them ngaqë nuk dua të dyshoj që je analfabet funksional dhe nuk arrin të kuptosh tekste të thjeshta.

      Qortimi im kryesor për Boyd-in në shkrim është vetëm që nuk i ka verifikuar ato që thotë për vjetërsinë dhe për origjinën.

      Përkundrazi, fajin për ato gjepura e kanë “çunat e lagjes”, siç i quan ti, të cilët i kanë përrallisur Boyd-it muhabete për baskët dhe për gjeorgjianët.

      Prandaj problemi, siç e shoh unë, është pikërisht te “çunat e lagjes”, që ose po merren me një punë ku u mungon deri edhe kompetenca elementare, ose duan të manipulojnë me gënjeshtra.

  5. Zoti Xha Xhai, e kam lexuar shkrimin tend fjale per fjale. Nuk e ve aspak ne dyshim qe njohurite tuaja jane me te thella se te zotit Boyd, por ajo qe ju nuk keni kuptuar aspak tek PodCast i Boyd eshte vlera qe mbart ne promovimin e Turizmit Kulturor Shqiptar, te tjeret jane detaje te parendesishme. Ju ose ngaterroni Tezen e Doktoratures me nje podcast promovues te turizmit kulturor ose e kuptoni mjaft mire dhe keni ndonje hall tjeter qe nuk e dime ne. (qe eshte edhe e kuptueshme). Po ja psh na thuaj cfare duhej te bejne ky Anglezi, I cili ne vetvete eshte nje artist biznesmen qe nuk eshte se ka shume kohe ta marr vesh kush eshte burri me i zgjuar i ketij vendi qe te konsultohej me te per kete ceshtje. Jo per gje por sja ka dale ndonje I huaj ta zgjidhe kete dileme shqiptare te pakten 100 vitet e fundit. Pastaj te kishte kaq burra te zgjuar dhe dashamires nuk do prisnim nga ai ta bente l kete promovimin, apo mos duhej te konsultohej me pseudo intektuale megallomane qe masturbohen gjithe diten pellgun e njohurite te tyre. Gjithsesi akoma nuk e kuptoj nevojen tende qe te jesh cinik ne shkrimin dhe pergjigjen tende, nderkohe do te nderonte nje ironi e zgjuar

    1. Nuk di çfarë duhej të bënte Boyd-i. Di që Boyd-i ka thënë gjepura në një intervistë për BBC-në. Edhe sikur këto t’i shërbenin “turizmit kulturor”, prapë gjepura mbeten – dhe kjo nuk do të më pengojë që të shkruaj për to. Shumë bashkatdhetarë të tutë dhe të mitë kujtojnë se mund t’i gënjejnë të huajt duke u përrallisur, sidomos kur i gjejnë dashamirës – por asgjë me vlerë nuk del nga këto gënjeshtra. Tani, se nga vijnë këto gjepura, unë veç mund të spekuloj: ma merr mendja se vijnë prej atyre që kanë shoqëruar Boyd-in. Këtij mbase do t’i mjaftonte pak bonsens, për të mos thënë ato që tha.

      P.S. Të ka bezdisur toni im, shpresoj po aq sa ç’më bezdisi mua yti.

      P.P.S. Për mua, të thuhej që sazet janë të bukura do të mjaftonte. Garnitura “historike” më duket sa e kotë, aq edhe e pasaktë.

    2. Zoti Labi, si shkruhet “PodCast”, e paske mësuar. Mëso, ndërkohë, edhe të shkruash e të lexosh drejt shqipen, që të mos marrësh flakë andej nga s’ndez. Gjithçka ke tënden mund ta shesësh për pesë pare spec. Atë që identifikon më shumë se ahengun e dasmës tënde, pranoje se është objekt debati publik dhe cilido shprehet me kutin e tij. Kuti yt kishte qëllim vetëm të justifikonte producentin e sipërpërmendur. Problematika e ngritur nga A.V. është matanë personales. Unë mbeta i habitur, si nga podcast-i, si nga projekti në kickstarter, ku nuk përmendej asnjë emër instrumentisti dhe interpretuesi të cilët, për më tepër, shfaqen edhe me figurë. Janë persona realë, artistë të larë në art, të cilët kanë identitet! Kjo më parathotë moralin e brishtë të këtij projekti, i cili nuk respekton deondologjinë elementare të promovimit të kulturës kombëtare shqiptare, nga njëra anë, dhe të trashëgimisë kulturore botërore, të mbrojtur nga UNESCO, nga ana tejtër. (Dhe tani, voila, le të ndryshojë përshkrimi i projektit në kickstarter!)

      1. Bravo Z. Cunga, je nje provokator profesionist, dhe ja arrite qellimit, tani do kesh mundesi te shohesh sesi marr flake. Zakonisht nuk u pergjigjem tipave si puna jote, por kur vishen me petkun e intelektualit dhe artisit moralist do ishte e pafalshme qe te mos e merrje nje pergjigje. Thone qe te luash me derrat eshte rrezik i madh, sepse ndersa mund te behesh me balte, derrat kenaqen se me balten jetojne. Gjithsesi une do e ndermarr kete rrezik sepse ky pyll eshte mbushur tashme vetem me derra.

        Mediokriteti ne vetevete eshte shume me i rrezikshem se injoranca, se fundja injorantet nuk kane fuqi te imponojne opinionet e tyre. Mediokriteti eshte nje virus i rrezikshem qe ndryshon forme dhe mbijeton ne cdo ambjenti. Nje medioker eshte natyrshem edhe hipokrit sepse jeton me dy realitete, eshte edhe nihilist sepse do te justifikoje vetveten, eshte intrigant sepse i duhet te mbijetoje, eshte si parazit qe jeton me punen e te tjereve.

        [dy paragrafë janë hequr – ad hominem]

        Shko gjej ndonje pune, krijo ndonje vlere dhe mos u merr me perbaltjen e puneve te tjereve. Meru me Turbo-Folk nese e ke perzemer ceshtjen e Trashegimise Kulturore Shqiptare. Mos u merr me nderrimin e pershkrimit e ketij projektit ne KickStarter, por hap nje projekt tjeter ne KickStarter dhe merri te gjithe artistet qe jane aty nese te dhimbsen me te vertete.

        Githsesi kaq do merrem me ty se nuk e meriton me teper, se qeni te kafshon ne kembe por une sdo ulem ta kafshoj qenin ne kembe.

  6. Nuk ve doren ne zjarr per ‘sazet’, e sa ‘perlyer’ eshte gjuha. Une aborigjeneve te ishullit ku jetoj, kur me pyesin u them “une mor vlla nuk mor vesh i llaf qe me thone fqinjet” ndersa ta kuptojne njoni-tjerin qe nga Dobrovniku deri ne Kamchatka.

  7. Ne adrese te Labit ose Labes: Per te nisur nje produksion te kesaj natyre, eshte me interes te dihet, a ka producenti ne “To do” listen e tij, kritere produksioni dhe nje sfond informacionesh te mirefillta ne terrenin e folkut tone? Force zakoni, tek cdo producent qofte ai egzekutiv, dhe ai artistik, eshte te ngrej nje histori peshtjelluese, nje binar te ri konceptual per degjuesin e huaj (se, sikunder po e trompetoni, po pretendohet t´u vihen kellqe te reja, “Turizmit Kulturor” shqiptar, nepermjet muzikes tradicionale; Kabase, valleve e kengeve) t´i terheq atij vemendjen muzikale, per t´a naviguar ne “Atebalten” tone. Nuk shoh dhe s´mund te quhet rivitalizim tingulli, nuk eshte asgje novative te riregjistrosh repertor qe tashme zyrtarisht gjendet ne katalogun e shtepive diskografike me reputacion nderkombetar, permend ketu: Label Bleu / Indigo, Putumayo World Music, Harmonia Mundi, Schott Music etj, perfaqesuar denjesisht nga grupe e ansamble artistike tradicionale vendase (veshtrim ky qe shtrihet prej viti1992), te cilet kane patur turne koncertesh neper glob, per hir te jehones se ketyre albumeve dinjitoze, regjistruar ne studio profesionale, pa sforce kostosh apo ne kurriz te artisteve. Keto projekte kane qene jo thjeshte nje iniciative e vobegte e nje individi ( qofte ai dhe nje producent si ky ne fjale, apo ndonje dikushi me deshire te mire per te realizuar nje album folku, per t´i manifestuar serisht te shtrenjtes se shpirtit te tij, se sa e madhe eshte dashuria qe ka per te) por nga kompani dhe producente te cilet u kane ndenjur artistit shqiptar ne gadishmeri, jo vetem financiarisht por edhe duke degjuar mbi baza kolegiale sugjerime autentike te artistive dhe interpretimeve te tyre unike pergjate procesit te regjistrimeve. Besoj se keni degjuar per “Fair Trade”! Projekti ne fjale as nuk flirton apo ofron te pakten, ne aspektin studimor, fenomene interesante muzikale te zonave kryesore qe mbartin tharmi e kesaj muzike. Larmia e veglave nga krahina ne krahine. Ku eshte Mokra, Devolli, Skrapari, Kolonja, Lunxheria, Kurveleshi, Dukati, Cameria etj? C´ka te re ne kete repertor qe shohim ne videon promovuese? Ku eshte kryefjala e kesaj muzike; Ritmika? C´repertore te motceme po sillni, apo “uauu efekte” per veshin e te huajit si psh. repertori dhe teknika e kengeve “Majekrahu”, Eposi i Kreshnikeve, apo format polifonike-instrumentale, strukturat tonale – modale, prozodine e kengeve dhe valleve, e lista vazhdon? C´fare tabakje muzikale u ofroni nje turisti me specifik, psh. per muzikologet e rinj te huaj, studente, hobby koreografe, etnologe te pavaruar, individe eksplorues, instrumentberes amatore etj? cili eshte grupi i turistit ne pikesynimet tuaja? Nje anglez i nje niveli te caktuar, apo nje gjerman nga ai soji qe as vete nuk e njeh folkun e tij, pervecse ndonje Jodel ( = melodi pa tekst, nje forme tradicionale e te kenduarit, ku regjistri i zerit leviz midis falcetit, zerit te gjoksit, nepermjet tingellimit te fjales Jodel, dhe kapercime te forta intrevalesh) qe i kujtohet nga ndonje film? Ai / ajo nuk ka kurrefare interesi kur vjen ne mamadheun tone te bej turizem kulturor, po aq sa eshte i/e interesuar i njejti “Aleman” te perjetoj kulture kur shkon ne Mallorka, apo hollandez ne Filipine! Nese po realizoni nje projekt per nje te ashtuquajtur “target group” si ky lart permendur, ky synim eshte mjeran! Ju sugjeroj te ngreni ne “Arken tuaj te Noas”, konceptin e denje e te mirekopsitur nga duar profesionistesh, producenti ne fjale te kete miresine, te ndjeki zakonin e ritualit te vetefinancimit, te mbaje parasysh te drejtat interpretative te artisteve, kreditet e tyre si dhe repertorin qe artistet perzgjedhin, duke menjanuar sharlatanizmin e ketij projekti, si dhe mos perdhosni punen jo vetem te ustallareve te kesaj muzike, por dhe eksplorimet, perkushtimin dhe dedikimin e shume muzikologeve, etnologeve te huaj te cileve u kane rene lesht e kokes keto dy dekada, duke i rene terthor e kryq Shqiperise, per te marre esencen e virgjerise se folkut amtar. E fundit, tregoni ca me fort respekt per artistin vendas, dhe mjaft me mbirespekte per producente te cileve u ka perenduar dielli kah kohe!

    1. Nje koment shume interesant dhe i sic duket nga nje person qe e ka perzemer dhe e njeh mire kete fushe. Se pari, qe te mos krijosh ide te gabuara konspirative, une as nuk e njoh producentin dhe as nuk kam asnje lidhje me kete projekt. Thjesht mu be zemra mal kur e ndoqa podcast-in Z. Boyd ne nje media prestigjoze si BBC, nje rreklame fantastike per Turizmin Shqiptar dhe jo rreklame e paguar si ajo tek ‘The Economist”. Une kam 15 vite qe jetoj ne Londer dhe rralle te bie te degjosh lajme te mira. Kaq eshte lidhja ime me kete histori. Nderkohe qe u bezdisa shume te them te drejten kur lexova sesi sulmohet ne menyre te padrejte nje iniciative e tille. Padyshim qe mbase mund te kishte ndonje pasaktesi historike ne kendveshtrimin akademik tek l ajo qe tha Boyd, por fundja kjo nuk eshte se ka shume rendesi ne mesazhin marketing. Asnje turist nuk udheton me libra historie ne canten e tij.
      Sic mund ta kuptosh nuk eshte se impresionohem aspak nga te huajt dhe biles shpesh bezdisem nga respekti I tepert qe kane shqiptaret per te huajt, po gjithashtu me bezdis dhe vesi qe keni qe duam ta bejme me balte cdo iniciative dhe rremojme te krijojme histori konspirative per cdo gje. Shume mire qe ka edhe rregjistrimi te tjera cilesore, le te marketojne vetveten, se indirekt do marketojne edhe Shqiperine. Edhe ju, nese jeni profesionist i fushes nuk ju pengon askush qe te jeni inovativ dhe te shfrytezoni mundesite qe te jep globalizmi te krijoni iniciativa te tilla. Nuk eshte qe Boyd vodhi gjithe arin e Shqiperise dhe tani ngelem pa gje, aty jane akoma muzikantet, instrumentistet.

      1. Labi, në fakt ju u bezdisët që pa e sulmuar kush iniciativën – sepse shkrimi im nuk kish të bënte me iniciativën fare, por vetëm merrte shkas nga një intervistë e një personi të panjohur për mua dhënë një një medie globale si BBC-ja, për të kritikuar mënyrën si duam “t’i habitim” të huajt me Shqipërinë. Ajo intervistë në shkrimin tim ishte përdorur si shembull ilustrues i një dukurie që i tejkalon caqet e muzikës popullore dhe të folklorit shqiptar; dhe kini parasysh që unë kam shkruar disa herë më parë për këtë temë.

  8. Z. Vehbiu. Sic e shikon te gjithe bezdisemi nga keto veset ekstreme te ne shqipetareve, saqe shpeshhere behemi edhe paragjykues duke ju rene ne qafe personave te gabuara.

    Te kerkoj ndjese per komentin tim ironik, mbase ishte i tepert per ate cfare ju ne te vertete nenkuptonit me artikullin tuaj, por ama kishte doza te qarta paragjykimi. Boyd foli edhe per rrezikun e TurboFolk-ut, ndermjet shume problematikave te tjera qe has trashegimia kulturore nder te tjera. Krahasimi me Basket dhe Georgjianet per ishte nje nje kontekst komplet tjeter dhe nuk shoh asnje arsye per tu shqetesuar.

    Pastaj edhe ky paragjykimi qe keta te huajt nuk dine asgje dhe ne jemi me te zgjuar me duket paksa i tepruar. Nuk besoj qe nje English man si Boyd, u ngrit nje dite ne mengjes i hipi avionit dhe erdhi ne Tirane, e aty e “kapi” njeri qe po e mashton.

    Ne Angli e ka Boyd albanologun Noel Malcolm apo studiuesin Bejtullah Destani, edhe me Robert Elsie nuk e ka te veshtire te konsultohet se cdo gje e publikon ne internet.

    Padyshim qe Boyd mjnd ta gjeje informacionin e duhur, biles shume me te qarte e te painfluencuar se edhe vete shoqeruesit e ti te “zgjuar”. Gjithsesi komunikimi mediatik eshte I ndryshem nga ai akademik, ne media nuk ke kohe te dalesh nga tema vetem per hit te detajeve.

    Ne shqipetareve ne mardheniet me te huajt, kemi nje mangesi te theksuar racionaliteti. Ose i shohim si zot, ose shajme dhe i mendojne si mashtrues, spiune, apo edhe budallejn. Boyd mbase edhe i ka paguar pak ose aspak artistet ne video dhe ky eshte nje tjeter problem, por kjo nuk e ben te pavlere ate rreklame qe ai I beri Shqiperise ne BBC. Le ti japim cezarit ate qe meriton, kaq.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin