ALBANA, NJË GRUA PA BURRË

Ky është një shkrim për Albanën, një karakter të imagjinuar, dhe për bashkëkohës të saj tipikë. Por tek Albana shumë gra shqiptare që ndajnë premisa të ngjashme, do gjenin kollaj pjesë të vetes sot.

Është periudha e tranzicionit. Lëmsh i madh e pasiguri e frikshme. Ajo është grua rreth të dyzetave me tre fëmijë; vajzën e madhe 15 vjeç, një vajzë tjetër e një djalë, të voglin, të gjithë nëpër shkolla. Do ndahet nga i shoqi pas 16 vjetësh martese. Ish martuar sapo mbaroi universitetin. Nuk do të ndahet, por i shoqi është shumë i vendosur. Gruaja ka frikë. Nuk e di se si rriten fëmijët vetëm. Di vetëm që të tre fëmijët do që t’i ketë në shtëpi, dhe po kështu duan edhe fëmijët. Pa burrin e saj, sado të rënda vitet e fundit me të, me pije, xhelozi e zënka, ajo nuk e imagjinon dot jetën. Është e dëshpëruar, por i shoqi nuk komunikon me të. Për të historia ka mbaruar. Gruaja fajëson veten sa mundet. Nuk e di më se i kujt është faji. Ndoshta, i saji. Me siguri, i saji.

Ka jetuar për gjashtë muaj si e çmendur. I shoqi i thotë të dalë nga shtëpia. Kuptohet për të fëmijët mund të rrinë aty, por ajo jo. Në mënyrën e vet ai i do fëmijët. Por gruaja nuk i lë fëmijët aty, dhe kjo është në fund të fundit shtëpia e saj; pse duhet të dalë nga shtëpia? Ka jetuar aty për 16 vjet. Qan, nuk fle, nervozohet për gjithçka, por vazhdon të shkojë në punë. Shyqyr që është puna. Ka punë shumë të mirë, por të paguar pak, si gjithë punët shtetërore. Jeta i duket çdo ditë më e padrejtë. Fëmijët nuk sillen normalisht. Pesha e atmosferës së keqe rëndon mbi çatinë dhe muret e shtëpisë tiranase prej qerpiçi, shtrirë në një rrugicë të Tiranës së vjetër.

Kur erdhi ajo nuse e re, kopshti ishte i bukur e plot lule, por shtëpia ishte për ibret, shtëpi tipike e socializmit dhe shtëpi tiranase njerëzish me të ardhura modeste, me hajate të çuditshme, me dysheme e mure të vjetra me gunga e të çara, me fare pak hapësira jete normale, me mobilim të papërshtatshëm, me kuzhinë e dhoma gjumi të sajuara. Nusja e re iu fut punës: ishte e re, e bukur, me shumë miq, me punë të mirë, me një burrë që ende e dëgjonte dhe e mbështeste për të ndryshuar e përmirësuar çfarë mundeshin. Merrte më shumë se i shoqi, por aq i bënte: futi djersën nga mëngjesi deri pas mesnate pa pushim, dhe paratë e çdo rroge a shpërblimi, ndihmën materiale të prindërve të vet, gjithë fuqitë e miqësitë e veta, dhe shtëpia mori formë: pas 15 vjetësh ishin shtuar një banjë brenda, veç asaj të oborrit, u ndërtua një kuzhinë me tavan, u shtuan dy dhoma gjumi për fëmijët, dhe hajati u bë dhomë ndenjjeje, u blenë mobilje, u ribënë mure e dysheme. Shtëpia kish duk, jo më si dikur.

Albana nuk kish dashur kurrë të rrinte me prindërit e burrit. Por nuk kishte pasur mundësi tjetër. Nuk kishin asgjë të veçantë a të keqe pleqtë, por kjo s’kish shumë rëndësi. Veç faktit që në ato vite çifti s’kish ku shkonte veçse tek shtëpia e prindërve, i shoqi nuk pranonte kurrsesi as ta çonte nëpër mend atë mundësi. Ai nuk i linte kurrë prindërit. Fëmijët rriteshin, gruaja e re mpakej e trishtohej. Dikur ishte ndër lulet joshëse të Tiranës gjimnaziste e universitare, por tani e kish lënë veten pas dore. Së paku vazhdonte të punonte, dhe hidhërimet e vogla të ditëve pas pune, i derdhte në më shumë punë për shtëpinë dhe fëmijët.

Pra shtëpia ishte në fakt e saja! Si të ikte? Pastaj, ku të shkonte? I shoqi i tha të kthehej tek prindërit. Nuk do ikte kurrë nga shtëpia e vet. E kish bërë ajo dhe e kish bërë me lotë. Por jetesa bëhej e pamundur dhe fëmijët vuanin. Albana bindte veten se ajo nuk lëvizte që aty, sikur nami të bëhej. Vjehërri dhe vjehërra u zhvendosën për pak kohë në shtëpinë e njërës prej vajzave. Pas pak u largua edhe i shoqi. Por askush nuk do t’ia linte shtëpinë asaj. Që të largohej, i prenë dritat dhe nuk ngrohte dot më shtëpinë në dimër. U egërsua shumë. Nuk flitej më me Albanën dikur lozonjare.

I vijnë letrat që të paraqitet në gjyq. I shoqi kërkonte ndarjen. Albana donte shtëpinë, të paktën gjysmën, të paktën një dhomë, të paktën… Shtëpinë e humbi, dhe humbi edhe gjyqin për të se ishte në emër të prindërve të të shoqit. Gjithë ndryshimet dhe shpenzimet që kish bërë Albana, ishin të padokumentuara e të paverifikueshme. Humbi edhe një tufë të madhe me para duke ndjekur avokatët. Nga e gjitha, në fund fëmijët fituan një mbështetje të vogël financiare prej të atit. Kohët e para jetonte ende në errësirë dhe të ftohtë në shtëpinë që s’ish më e saja. Natën e fundit para se të ikte mori si e çmendur gjithçka që mundi, gjithë mobiljet që kish sjellë ajo. Muret nuk i merrte dot. Mund edhe t’i thyente ose t’i digjte, qoftë edhe t’i falte mobiljet. Por aty nuk do t’i linte. Dhe shtëpinë që e kish larë e fshirë me dashuri për mbi 15 vjet, e la në një derexhe të mjeruar. Dukej sikur kish rënë bomba. Albana kishte vetëm një motër më të vogël, ndaj mori edhe një kushëri për çdo rast.

Ata që e panë kur iku, dhe e dëgjuan ç’kish ndodhur e interpretuan në mënyra të ndryshme atë që ndodhi. Iku nga mendja, thanë shoqet e së vjehrrës… se grua pa burrë hesapi. Kot nuk u prishën ata. Gjynah, thanë ata që e donin, se grua pa burrë e mjera. Ku do shkojë, thanë ca më realistë, se është grua pa burrë. Mjerë kalamajtë, thanë shumica, si do t’i rrisë një grua pa burrë.

Që këtu e që prej këtij çasti, refreni “grua pa burrë” shoqëron gjithçka që thuhet për Albanën, e mirë apo e keqe. Shqiptarët e gjykojnë, e shajnë dhe e mbrojnë për çdo hap që bën, si grua pa burrë. Albana vetë, është e lumtur që ka dalë nga terrori i përditshëm i jetesës pa dashuri, me xhelozi, e ku trajtohej me përçmim pasiv. Është ribërë fizikisht, dhe gati nuk njihet: e hijshme, e mbajtur me shijë, dhe me një duk krenar. Por të gjitha këto bashkë nuk barazpeshojnë dot renë e rëndë që i rri mbi krye në shi e në diell: grua pa burrë.

Ndërrohen qeveritë, dhe Albanën e kap vazhdimisht fshesa, se grua pa burrë, helbete, kush ta mbrojë. As me ndonjë parti s’u bë, që të kish të sigurtë të paktën vendin e punës në gjysmat e rasteve, dhe as u martua! Kush të merr me tre kalamaj! As pa kalamaj s’të merr kush në Shqipëri! Kur s’ka punë, bredh zyrave të kërkojë, e u thotë gjithë atyre që njeh ta ndihmojnë. Vitet e fundit ka qenë me punë, po aq sa edhe pa punë. Nuk di kë të besojë e prej kujt të mbrohet, se, që nga marangozi që i duhet për të rregulluar derën, bojaxhiu, shitësi i peshkut, gjinekologu, qeradhënësi i apartamentit, pediatri, agjenti i udhëtimeve, dhe pa dyshim miku që duhet futur për t’i gjetur punë, qëllon edhe që edhe ia lypin. Grua pa burrë në fund të fundit; more, po bën vaki që kështu edhe i bëjnë nder. Jo më pastaj që e ka edhe për detyrë! Se para për të paguar nderin ajo s’ka ku gjen, apo jo.

Fëmijët rriten. I vogli ka nisur të jetë problematik tani që ka hyrë në adoleshencë. S’ka faj komshia tiranase përballë kur i thotë: hall i modh të ka zon, mi Albana; ti je gru pa burr, po çuni do babë që të rritet! Vajzat shkojnë mirë, por edhe ato janë në moshë kur provohet gjithçka, me dije e pa dije të mjaftueshme. Albana i ndjek sa mundet, sa lodhet e fut kokën nën çarçaf gjatë ditës, se e lodhin si njerëzit që ia lëvdojnë kalamajtë, si ata që ia përflasin se kanë marrë kot nga që s’e kanë të atin në shtëpi.

Sapo bleu një apartament Albana. Belara plot pati për kredinë duke qenë kryefamiljare, por pa burrë, pa prona, pa kursime dhe me tre fëmijë. Tani i janë hapur telashe me atë që ia shiti: i ka dalë fjale, dhe disa nga mobiljet themelore që kish thënë se do t’ia linte, ia ka marrë nga apartamenti natën para se t’i dorëzonte çelësat. Desh iku nga mendja Albana kur nuk gjeti asgjë, se s’ka ku fut kalamajtë pa krevat, bufe a tryezë në shtëpi. Dhe pastaj kur e bleu patën rënë dakord, dreqi e mori! Por ajo kishte qenë thjesht fjalë mes një burri e një gruaje, jo fjalë burrash!

Avokati që Albana pyeti në mirëbesim i tha se në kontratë s’qe shkruar asgjë për mobiljet. Dhe ti s’ke ç’bën fare, Albana, që ai është treguar maskara. Albana i tha së paku t’i dërgonte njeri që ta frikësonte, ndonjë burrë nga familjarët e vet (atë kushëririn bojë-madh, që e ndihmon me prezencën e vet në të tilla raste), që ai të mos e merrte më nëpër këmbë kështu. Avokati që ishte edhe gjysmë i njohur (dhe bisedën po e bënte për miqësi e pa pagesë), e këshilloi as të mos u futej kot gjyqeve se do ta nxirrnin me këpucë të kuqe dhe i kishte të humbura. Por sidomos e këshilloi të mos ngatërrohej me një rrugaç si ish-pronari që i doli llafit. Ai është racë plehrash e ka lloj-lloj njerëzish që mund të përdorë. Ti s’e di ç’të bën! Në fund të fundit, mund ta ndiqte, ta kërcënonte, t’i bëntë keq; ajo ishte edhe vetëm. Ia kurseu pjesën grua pa burrë avokati Albanës. Se nuk ia lejonte arsimimi dhe as emancipimi.

Albanës i rëndohen ditët e i shkurtohet gjumi natën. Shkollat e fëmijëve, qejfet, veshja, sikletet e shtëpisë dhe parave e ndjekin. Për tani ka punë, por deri kur? Nuk i vjen më për mbarë të kalojë në sektor privat e të shohë për punë të pavarura e që paguajnë më mirë. I ka ikur edhe mosha tani. Pastaj, ku t’i lerë kalamajtë që të rrijë në punë orar pa orar?! Dhe ku t’i gjesh ato lloj punësh njëherë?! Një llaf goje është, lëviz nga administrata publike!

Po ngeli prapë pa punë, e ka vendosur. Burrë nuk ka për të gjetur e as do kërkojë, por do nisë të merret me politikë. Do militojë për LSI-në.

ps: sepse, në Shqipëri një grua pa burrë nuk është si peshku pa biçikletë, por si thoi pa mish.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

6 Komente

  1. C’d.m.th grua pa burre? Ka grua, ka edhe burre. Ose me sakte, ka gra, kishte (sic na kane thene) edhe burra.

    Pse e para fiton status sigurie me burre? Se kete mendim e kam hasur edhe me femra qe kane te ardhura, madje edhe kur jane tape ate punen e burrit mendojne.

    Albana eshte nje grua me jo shume fat ne jete, me dilemat e te gjitheve, me pergjegjesine e femijeve dhe me pasojat e nje zgjedhjeje qe do te duhet ta kishte pjekur tashme ne marrjen e nje vendimi. Pse duhet te kete kaq zymtesi dhe pasiguri kur e pa c’ishte burri?

    Dhe ajo e avokatit eshte kot se tani cdo pasuri ne martese eshte e perbashket. D.m.th mire Albana qe punon te pakten e perpiqet e i heq kapelen, por ke edhe keto tatuazheiret me nje gisht breke qe rrine kot e vetem kur nje dite ulerasin per te drejta. E s’ke c’u ben hic.

    Sa per ato ja lypi ai, ja kerkoi marangozi e hidrauliku, keto pastaj nuk besohen. C’a kuptimi ka fjala Lypje? Jo po e shikon nje taksixhi sa here del nga pallati. Se s’ka as karar kjo pune! Vjen nje dite e femren e kap ne koke ajo ideja: ore s’me shikon me njeri, nuk ma lyp me njeri. Po kesaj c’a t’i bejme, apo te prishim divanin kastile te vije marangozi.

    Dhe refrenin Grua pa burre e mbajne gjalle Grate, ato qe kane burre e qe i paskan zgjidhur te gjitha. Ato hanemet e lagjeve qe t’i shikosh si qeshin e c’a thone, si kuisin per rinine qe u iku nga shalet, ato jane gjyqtaret e kesaj Madamme Arnoux qe mbahet e nuk jepet.

    E thene troc: Nje rast bardh e zi qe nuk mund te jete i pergjithshem. Dhe per rrjedhoje nje paraqitje acaruese, gati si prej elegjie femrash per nje drame te shpikur dhe dramatizuar po nga nje perceptim fatalist femeror.

    Po te hedhe llotarine amerikane Albana se mbase sheh Zoti.

    1. Ti ndoshta nuk jeton ne Shqiperi. Po sa eshte shkruar me siper, edhe me keq, shume me keq, ndodh perdite ne Shqiperi. Dhe ne rrefim nuk permendet dhuna fizike, dhuna e perditshme nga ish-bashkeshorti, familjaret e tij, nga ata qe mendojne se “gruaja pa burre” eshte kurve, e lire per cdo punedhenes, koleg pune etj. Per dreq edhe mua me duket sikur ato jane ne gjueti, libertariane etj. pa me shkuar ne mendje se tjetra ka 3 femije, nje kredi shtepie pa mobilje dhe sikletin e punes apo te shefit qe e ngacmon keshtu si une. Ndersa akrobacira me avokate per te lene grate ne rruge ka sa te duash, sidomos ne kete fare shteti ku cdo gje falsifikohet.

      1. Jetoj ne Shqiperi qekur kam lindur dhe keto gra pa burre i kam edhe te aferme. Asgje s’ka ndodhur. Shkojne ne pune, kthehen nga puna, kane femije, i cojne ne shkolle. U flasin pa perbuzje, une nuk i pyes asnjehere: he ca do besh?

        Nuk di c’te them cfare bejne ne jeten personale, se sinqerisht as me hyn ne pune fare. Njeriu lind vetem dhe vdes vetem. Kete sikur te kuptonin edhe grate pa burre, ose ato qe gjykojne kesi grash.

        Ky problem shkon pak me thelle dhe lidhet edhe me nje psikologji te rrenjosur nder shqiptare. Se ne edhe sharjet i kemi te ndermjetesuara me Femren si subjekt dobesie permanente e nje vellai, e nje babai, e nje burri, apo e nje familjeje te tere.
        Po kjo eshte ne fakt dobesia e meshkujve shqiptare qe kaluan nga iliret tek arberit e me vone te Skenderbeu duke fshehur femrat ne kolibe.
        Ndaj edhe kur themi qe “per dreq edhe mua me duket sikur ato jane ne gjueti” lidhet pikerisht me kete. Se mund te pelqesh nje femer thjesht per ate qe sheh, e jo te shoqeruar me statusin e saj. As per faktin se ka kredi, apo ka tre femije. Cfare lidhje kane keto xhanem me pelqimin?

        Ajo qe dua te them eshte qe ketu te gjithe kemi frike lirine qe na erdhi per shkak te kaosit kuptohet. Dhe me shume frike e kane femrat qe rrotullohen e nga rrotullohen e prape arritje quajne qe u martuan. Ai rasti i Albanes qe jepet ne shkrim eshte nje rast, por nuk pranoj te jete ky realiteti. Te pakten ne Tirane. Sepse ka edhe te tjera, qe konfirmojne se ne fund Zgjedhjen e ben TI. D.m.th Albana vete, e cila na u rrotulloka e na u rrotulloka e gjithe hallet e saj lidhen me burrin qe e la. Shqetesuese eshte ajo dukuria tjeter, qe femrat, edhe te reja, edhe studente, edhe pa halle te ketilla, shiten lire. Po lire fare.

        Sa per ate se kjo haset vetem ne Shqiperi, nuk besoj. Madje ne Shqiperi edhe kur shfaqet mund te jete inerci e nje kulture te kaluar, e injorances, por jo forme e nje paragjykimi te thelle.

        Ketu: https://aeon.co/essays/why-is-scientific-sexism-so-intractably-resistant-to-reform, mund te lexohet sesa me e strukturar shfaqet ajo. Kuptohet rrefehet nje pervoje personale, asgje me shume. Por vlen sepse na vjen nga nje tjeter kategori, me e ngritur, qe vuan po aq nga e njejta dukuri.

  2. n!:
    te falenderoj qe je angazhuar te komentosh. Shkrimi qellimisht eshte formesuar qe te fshehe subjektivitetin direkt te shkruesit ne formen e qendrimit, interpretimit ose influencave ndaj lexuesit qe vijne prej krijuesit. Formalisht i ngjan nje kamere fotografike qe fsheh cfaredo lloj analize. Sidoqofte, mua me duket se pozicionimi im kunder statusit “grua pa burre” eshte edhe me i fuqishem keshtu. Madje mendoja se lexuesi (ti) dhe albanat keshtu jane ne pozita pozicionimesh individuale qe u japin agjenci. Nuk duhet t’u kohen idete njerezve, mendoj une. Ti e ke interpretuar te gjithen ne menyren tende. Lexuesi eshte i lire te beje si do, edhe kur e lexon me mendje te hapur edhe kur jo, edhe klur komenton edhe kur nuk komenton. Por shkrimi eshte menduar si kritike ndaj nje besimi dhe trajtimi te ngulitur shoqerisht, nje kulture te pamarkuar qe nuk u takon aspak vetem burrave ose vetem “grave me burra”.
    Me pyet nese ka gjera qe s’i kupton nese e rilexon shkrimin. Te pergjigjem pa problem.
    Sic them, Albana nuk eshte nje grua reale. Por te gjitha historite qe pershkruhen ketu, te gjitha nje per nje, jane histori reale grash tiranase qe nuk dua t’i kategorizoj ose fus ne grupe qe krijoj une vete; perfshi ato me gjyqe dhe me avokate. Grupi “grua pa burre” eshte ekzistues, dhe une doja ta dekonstruktoja si konstrukt kulturor nepermjet ketij shkrimi. 🙂
    Ne kete blog e gjetke shkruajme e diskutojme qe albanave te mos u duhet detyrimisht te emigrojne ne Amerike. Dhe sidomos nuk tallemi me to apo me gra te tjera te tipave te ndryshem.
    Te uroj fat e u takofshim ne lexime te tjera.
    autorja

  3. Sigurisht që dhe ambienti social është ndikues në çështje të tilla, të cilat, në fakt, duhet të ishin vetëm “sferë private”. Pa dashur që të relativizoj, por rasti i Albanës (-ve) tregon vetëm njërën anë të medaljes, nëse mund të shprehem kështu. Ka grua pa burrë, por ka dhe burrë pa grua. Burra që i ka ndarë gruaja ose, alla-shqiptarçe: burra që u ka ikur gruaja. Sidomos në emigrim ka ndodhur shpesh, që gruaja kërkon të ndahet nga burri, duke mbajtur (ose jo) dhe fëmijët. Në Shqipëri zakonisht është burri ai që kërkon divorcin. Në emigrim shpesh është gruaja. Di disa raste të tilla nga rrethi i largët fisnor dhe ai shoqëror, ku gratë vendosën për divorc pas largimit në emigrim, edhe pse në Shqipëri kishin shumë vite të martuar. Këtu janë burrat që kanë problemet e Albanës, bashkë me trysninë e rrethit shoqëror, familjar etj. Pa folur pastaj për ata ish-burra që u bëhen rrodhe nga mbrapa ish-grave të tyre… : )

  4. Gjilpera: shume mire qe e solle kete dukuri qe ke vene re ti. Edhe une i kam menduar keto raste. Por, ashtu si e shoh une, ne fakt edhe kjo dukuri qe ne dukje eshte problem i burrave, shpreh ne fakt nje tjeter problem te grave. Pra arsyeja pse grate shqiptare deshmojne nje largim prej burrave te tyre “jo-proporcional e te pritshem” jashte Shqiperie nuk eshte se papritur jashte Shqiperie burrat behen viktima (???), por sepse grate gjejne force te bejne cfare kane dashur e s’kane mundur te bejne per sh vjet atje (pra ne Shqiperi) ku nuk i lejonte kultura tradicionale, ose sic thua ti “ambienti social”. Filozofia e brezit me te ri, kam pershtypjen se eshte ndryshe, por brezat nga 30-40 vjec e lart perfaqesojne po ate kulture qe ishte ende e fuqishme ne vitet e socializmit dhe qe rrenjet i ka sh me pare se aq. Pra mendoj se dukuria nuk deshmon nje problem te burrave, por me shume nje problem te grave edhe ne rastin qe sjell ti, sido qe ato qe per lehtesi quhen probleme te grave nisur nga te qenet viktime, jane ne fakt probleme te gjithe shoqerise.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin