TEMPERATURA E SHPATULLAVE

Lexoja para pak ditësh Moikom Zeqon të thoshte, në një intervistë dhënë Dhurata Hamzait te shqiptarja.com, për brezin e ri të autorëve të viteve 1990:

Ka[m] qenë entuziast shumë në vitet 92 dhe mendoja që këta mbas 5 vjetësh e 10 vjetësh do të bënin vepra të shquara. Disa poetë që kishin një emër për t’u bërë dikush besoj që nuk arritën dot. As Mimoza Ahmeti nuk arriti, as Ervin Hatibi ose poetët më të rinj që kemi sot që disa janë funksionalë por nuk kanë libra të shquar, imitojnë librat e mëparshëm.

Këtë “stanjacion” të vlerave letrare bashkëkohore ai ia faturon klasës së sotme politike.

As ministrat e kulturës as kryeministrat, dhe kur hiqen sikur kanë ndonjë lidhje më kulturën janë akoma më keq, janë akoma më zi sepse imponojnë shijet e tyre gjysmake që kanë për kulturën i bëjnë si gjeneralizuese për të gjithë.

Pa u zgjatur për fajtorët e identifikuar, do të doja të shtjelloj më tej shqetësimin e Zeqos për poetët, dhe autorët bashkëkohorë shqip në përgjithësi, që nuk arrijnë të “maturohen”, ose “për t’u bërë dikush”, siç shprehet ai.

Ndryshe prej tij, unë mendoj se poetët që i kanë pasur krijimet e tyre më të mira në periudhën post-totalitare, si Ervin Hatibi dhe Luljeta Lleshanaku – të paktën këta kam lexuar unë, me siguri ka edhe të tjerë – nuk u lënë asgjë mangut poetëve të shquar kombëtarë të viteve 1960-1980, të cilët i njihte i madh dhe i vogël dhe ua recitonin vargjet deri edhe në mbrëmjet “tematiko-dëfrimi” në shkolla dhe qendra pune.

Madje jo vetëm nuk i lënë asgjë mangut para-ardhësve të tyre, por edhe kanë arritur ta çlirojnë krijimin letrar nga diktati i pushtetit dhe i politikës, duke e lëvruar muzën e tyre poetike në liri; si poetë, jo si propagandistë të regjimit.

Çmimi që kanë paguar, për këtë distancim nga megafoni politik, është edhe ky “obskuritet” relativ; ose iluzioni, e përsëris iluzioni, se “poetë si ata të tjerët” nuk vijnë më.

Dhe këtu nuk është fjala vetëm për një batutë të Zeqos, e cila përcjell një përshtypje që e kanë edhe shumë të tjerë; por për një ndërrim paradigmatik në mënyrën si funksionon poezia bashkëkohore, dhe që gabimisht interpretohet si rënie vlerash ose “stanjacion.”

Poetët e Realizmit Socialist – e kam fjalën për Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Vehbi Skënderin, Xhevahir Spahiun, Agim Shehun, Natasha Lakon, Bardhyl London, vetë Moikom Zeqon dhe të tjerë të këtij brezi; ose poetët pak më të vonë, si Ndoc Gjetjen, Rudolf Markun, Preç Zogajn, Ilirjan Zhupën, Ndoc Paplekën – shkëlqyen gjatë një periudhe historike kur regjimi e përdori rregullisht vargun e tyre për të indoktrinuar masat e lexuesve (kjo ishte edhe e vetmja mënyrë për t’u afirmuar si poet në atë kohë).

Ishin përkrahja dhe sponsorizimi politik sistematik që i ngjiti këta në tribunën e vlerave duke i shndërruar në protagonistë të jetës kulturore në Shqipëri; dhe duke bërë që vëllimet me poezi të shiteshin me nga dhjetëra mijëra kopje secili.

Këta ishin poetë shumë të mirë, mjeshtër të fjalës dhe të muzikalitetit gjuhësor; por nuk shkëlqyen dhe as u popullarizuan për këtë arsye, ose për vlerat e kulluara të artit të tyre. Përkundrazi: ata u përzgjodhën nga regjimi për të qenë “të mëdhenj”, në bazë të talentit që kishin; dhe regjimi nga njëra anë i përdori për synimet e veta indoktrinuese, nga ana tjetër i ndihmoi dhe i mbështeti për ta kultivuar dhe përsosur talentin.

Në fakt regjimi totalitar u vuri atyre në dispozicion krejt makinën propagandistike që zotëronte – që nga shtëpitë botuese dhe shtypshkronjat dhe rrjetin kapilar të librarive dhe të bibliotekave dhe të rretheve letrare, te kritikët që t’ua analizonin dhe lëvdonin veprat, te tekstet shkollore ku do të përfshiheshin krijimet e tyre, te një gazetë kulturore e përjavshme, “Drita”, ku do të përpunohej hap pas hapi hierarkia e vendosur në zyrat e propagandës së regjimit teksa vetë krijimet e këtyre gjenin një platformë të qëndrueshme, për të mbetur në kontakt me lexuesin; dhe më në fund, te çmimet letrare dhe format e tjera të njohjes kombëtare të vlerave të tyre. Ky proces ndihmoi për t’i shndërruar poetët më të njohur në kryefjalë të diskursit letrar të atyre viteve.

Në planin praktik, le të kujtojmë edhe që regjimi shumë nga këta poetë i mbante me rroga të mira dhe u siguronte gjithfarë privilegjesh të vogla por domethënëse, sepse besonte që krijimtaria e tyre i shërbente “edukimit komunist të masave.”

Një efekt i tërthortë i kësaj vëmendjeje të pushtetit për poezinë ishte edhe kultivimi i imazhit “cool” të poetit; në kuptimin që shumë të rinj, të apasionuar pas vargjeve të poetëve të tyre të zemrës, fillonin të besonin se mund të bëheshin edhe ata poetë; jo thjesht duke shkruar vargje dhe duke i botuar, por duke synuar statusin e lartë social të poetit, ashtu siç e kishin pompuar politikisht.

Ky përdorim politik i poetit, nga ana e regjimit totalitar, ishte edhe materializimi në mos logjik së paku i logjikshëm i një prirjeje të filluar që me Rilindjen Kombëtare, që i shihte poetët si profetë dhe priftërinj të rimëkëmbjes kombëtare të shqiptarit; ose si përçues të “shpirtit të kombit”; të cilët ishin të vetmit që arrin të artikulonin shqipen liturgjike më parë të kombit vetë, dhe më pas edhe të rendit totalitar, që hiqej si mishërim i kësaj lëvizjeje disa-shekullore të shqiptarëve nga errësira drejt dritës, nga robëria drejt lirisë, nga e keqja drejt së mirës.

Ky rol që i atribuohej politikisht poetit trashëgonte sa konceptet romantike, veçanërisht gjermane, për poetin si sacer vates, ose artikulues të idiomës shpirtërore të popullit (Volk), aq edhe misionin e intelektualit në edukimin politik të masave, si mësues dhe si agjitator; mision të përpunuar në laboratorët e partishmërisë sovjetike.

Nuk është e rastit, që ky brez poetësh të shquar, i afirmuar në vitet 1960, në kundërvënie të hapur letrare dhe ideologjike me brezin e poetëve më tradicionalë dhe me bekimin e Enver Hoxhës, patën si model të tyrin Majakovskin; ose fjalën e zjarrtë që, për të parafrazuar Migjenin tonë, “shkatërron për të ndërtuar sërish.”

Bëhej fjalë për transformime sociale dhe kulturore rrënjësore, që e kërkonin vrullin dhe pasionin e fjalës poetike siç e kërkon marshimi daullen; dhe regjimi totalitar, që këto zhvillime i nxiste, u kujdes që t’ua plotësonte këtë kërkesë.

Ky ishte modeli i atëhershëm, produkt i rrethanave politike, ideologjike dhe kulturore të atëhershme, dhe që sot nuk ekzistojnë më.

Dhe ky model nuk kufizohej vetëm me Shqipërinë; por shtrihej në botën mbarë – dhe ashtu Kadareja, Agolli, Arapi dhe Spahiu nga Shqipëria mund të komunikonin, në nivelin letrar, me Yiannis Ritsos[1], Odhiseas Elitis dhe Tassos Livadhitis sërish nga Greqia, Louis Aragon-in dhe Jacques Prevert-in dhe Paul Eluard-in nga Franca, Pablo Neruda-n nga Kili, Nazim Hikmet-in nga Turqia, Rafael Alberti-n nga Spanja, Bertold Brecht-in nga Gjermania, Jevgeni Jevtushenko-n nga Rusia dhe të tjerë poetë të mëdhenj të Volksgeist-it të kohës[2], të cilët ishin kapur, dashur pa dashur dhe me modalitete të ndryshme, në fushën gravitacionale të komunizmit.

Kështu do të shpjegohet, të paktën pjesërisht, edhe pse të gjithë e kemi të lehtë të themi se kush ishte poeti më i madh në Shqipërinë e viteve 1970, por nuk e bëjmë dot këtë për Shqipërinë e sotme (i fundit që ndoshta e pretendoi me të drejtë këtë titull tashmë të arkaizuar ishte Frederik Reshpja); dhe jo ngaqë së sotmes “i mungojnë” të mëdhenjtë e fjalës poetike, as ngaqë ne sot nuk lexojmë shumë poezi; por ngaqë sistemi i komunikimit letrar, në Shqipërinë e periudhës totalitare, ishte organizuar rreth pak emrave “të mëdhenj”, të cilët jo vetëm e lehtësonin, por edhe në thelb e bënin të mundur sistemin vetë.

Edhe më të pandreqshmit e naivëve nuk mund të përfytyrojnë, sot, që dikush të ngrihet dhe të shkruajë poema megafonike, të llojit “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Nënë Shqipëri”, ku t’u këndohet me entuziazëm dhe bindje zhvillimeve politike në Shqipërinë e pas-viteve 1990.

Dhe ky zhvillim, pavarësisht nga banaliteti, është për t’u përshëndetur; sepse ka krijuar kushtet për poezinë që të kthehet në rolin e saj më të natyrshëm, si artikuluese e enigmave të shpirtit, që na tregon mënyra befasuese dhe pasuruese për ta parë botën, për ta përfytyruar botën dhe për ta menduar botën; gjithë duke e çliruar mjedisin ku komunikohet letrarisht nga dinosaurët.

Për ta realizuar këtë transformim, poezia bashkëkohore shqipe është ripërmasuar, duke u tërhequr nga qendër-skena dhe duke gjetur strehë në komunikimin më intim me lexuesin; çfarë ka ndodhur edhe gjetiu në ato hapësira kulturore globale, të cilat ende na shërbejnë si pika referimi.

Dhe sot nuk do të ndodhë më, që një i ri a e re të vijë nga ana e anës në Tiranë, për t’u regjistruar në degën gjuhë-letërsi, me një bllok shënimesh me vete, ku të hedhë çdo natë vargjet që i vijnë dhe të shpresojë, sërish çdo natë, për momentin kur do t’i botohet “vëllimi.”

Çmim i lirisë individuale janë, edhe këtë herë, shpatullat e ftohta.

[1] Fitues i Çmimit Lenin në 1975.

[2] Me gjasë, vepra e të gjithë këtyre mbërrinte në Shqipëri e përkthyer në rusisht; dhe nuk është e rastit që dy autorët më të rëndësishëm të poezisë shqipe të Realizmit Socialist, Dritëro Agolli dhe Ismail Kadareja, ishin formuar të dy kulturorisht në Bashkimin Sovjetik (Fatos Arapi kish studiuar në Bullgari).

8 Komente

  1. Gjithnjë kam besuar se ia ka vlejtur qē poetë të kalibrit të Agollit apo Spahiut kanë bërë mirë që flirtuan me regjimin. Përndryshe do të kishim patur ca heronj demokracie mē shumë ( a thua nuk kemi mjaftueshëm) e plot vargje te bukura më pak….

  2. 1. Vërehet se mënyra më e mirë për të shprehur patos e partishmëri në vitet ’60, ishte fryma e poezive të Majakovskit (ne te vertete ajo ishte me komplekse se sa na eshte paraqitur). Në Shqipëri ai u imitua deri në majmunëri, por askush nuk i bëri pyetjen vetes: përse e vrau veten Majakovski. Dëshpërimi dhe zhgënjimi ishte opsion i përjashtuar në domenin e poezisë zyrtare shqipe.

    2. Me kohë kam përshtypjen se u kristalizuan dy pole « megafonikë » ai i poetëve lezhianë (tip Zogaj etj) dhe ai i atyre tropojanë (tip Mustafaj). Po t’i vëresh me kujdes krijimet e tyre (për shkak të formimin lokal kulturor), dhe presionit të madh politik pas viteve 60-70 për “tabanin” kombëtar në letërsi dhe arte”, ata kanë për tendencë që t’i kalojnë anash frymës së Majakovskit dhe të zbresin në një « terren kombëtar » duke martuar një formë të poezisë epike shqiptare me ideologjinë staliniste. Ideja ishte që të paraqiteshin arritjen e komunizmit shqiptar si të një përmase epike dhe protagonistët e saj, respektivisht ata që ishin në krye të vendit, si personazh epikë, mbinjerzorë qw “s’i ban ma nona”. Ishte përdhosja më e madhe që iu bë trashëgimisë poetike.

    3. Së jashtmi duket si një kërkim në formë dhe sikur autorë të tillë nuk janë të vetëdijshëm për shërbimin deri në krim që i bënin regjimit. Veçse kur mendon, se ata bënin theror dinjitetin e tyre, ndërkohë që bashkëkohësit e tyre poetë, pushkatoheshin (Blloshmi, Leka, Nela, Xhagjika etj), që kur ata trokisnin dyerve të redaksive me papiruset me erë kufomash poetike te balsamosura në duar, censura fuste në indeks edhe vetë poetët latinë, që poezia e Mao Ce Dunin nisi të jepej si lëndë më vete, atëherë është e vështirë të flasësh për padituri dhe naivitet. Është bjerrje e plotë e dinjitetit poetik dhe atij njerëzor. Që nga koha e Homerit, poezia nuk ishte përdhosur ndonjëherë aq shumë. Në fakt ishte përdhosur, por jo nga vetë poetët.

    4. Nuk them se këta poetë besonin në atë që shkruanin, nuk i akuzoj per verberi (edhe pse ndonjëri nga ata që përmenden në postin e Vehbiut shpreh devotshmëri dhe shkruan në mbrojtje të asaj ideologjie kriminale edhe gjashtë muaj para se të binte regjimi), prape nuk them që ishin të sinqertë në vargjet e tyre, apo qe besonin ne ate qe thonin. Por kjo ishte më e rëndë. Ndërkohë që regjimi i përdorte si letër higjenike e cilësisë së lartë (ne fakt ata ofroheshin vete si te tille), poetët në fjalë investonin politikisht për t’ju afruar zemrës (anusit) të pushtetit, sikundër mundën.
    Nuk mund të mos ndjesh edhe keqardhje për ta.

    4. Mund të gënjesh kudo, por jo në art. Ndryshe nga Vehbiu une mendoj se poezia e tyre mbeti përjetësisht si një monedhë kallpe, që konvencialisht e pranonte vetëm regjimi. (te bejme nje prove: mbyllni syte dhe perpiquni te kujtoni jo nje varg te tyre, por nje titull libri. Hiç). Ne rastin me te mire, ajo mbeti periferike dhe unë jam i sigurt se sot edhe ata vetë do të donin ta zhduknin nga arkivat.

    5. Një poezi politiko-fshatare. Poezia e atyre viteve kurrë nuk mundi të tërheqë vëmendjen e rinisë së kulturuar të qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Kurre nuk zgjoi interesin e tyre. Ata ndenjen idiferent ndaj saj. Poetët e vërtetë e mbyllën gojën dhe u mbyllën në vetvete, te deprimuar. Heshtja ishte çmimi me i madh i dinjitetit te tyre. Madje, kjo duhet pare si veçansi e disidences shqiptare: ajo nuk u shpreh e nuk kishte si te shprehej duke shkruar kunder regjimit, por duke heshtur, duke mos u kthyer ne ushtar letre.

  3. Shumë i egër ky koment. Duhet një kurajë delirante të hedhësh poshtë me një faqe A4 gjithë letërsinë e një epoke gjysmëshekullore.

  4. Kam pershtypjen se komenti nuk eshte perqendruar te e gjithe letersia se sa te ndonje shembull poetik, qe ne ate kohe na habiste te gjitheve. Politizimi i thelle i disave vazhdonte edhe nderkohe qe B. Londo apo ndonje tjeter, publikisht me vargjet e tyre shtronin pyetje, qe te tjeret as qe guxonin t’i mendonin, per me teper vazhdonin te jepnin prova devotshmerie ndaj regjimit.
    Por nese nuk donin te angazhoheshin ne nje rruge te tille, le te gravitonin rreth nje poezie me natyre intelektuale si ajo e B. Muçes apo e ndonje tjetri.
    Kur i mendoj, them se demokracia shqiptare me te vertete qe ne fillimet e saj ka qene tolerante ne nje mase te mire. Pas lufte De Gaulle-i i fali te gjthe ata qe kishin bashkepunuar me regjimin e Vichy-se, edhe vete spiunet, por jo shkrimtaret qe e mbeshteten politikisht ate regjim se e njihte permasen e se keqes qe shkaktonin.

    Juve, edhe mbas nje çerek shekulli ju habit e ju duket delirante shfaqja e nje mendimi mosperputhes me to.

    Puna juaj. Nga ana ime nuk e di nese ia vlente t’ju thoja te gjitha keto, por mbase ketu ka edhe nga ata per te cilet ia vlen.

  5. Scripta manent ! E zezë mbi të bardhë. Rilexoje dhe ke për të kuptuar se ke shkruar për “që nga vitet ’60 deri 6 muaj para” dhe për të gjithë, minimumi për listën e AV, e duke shkërbyer tonin e një ‘dekani’ të letërsisë. Nëse doje të sillje ndonjë shembëll duhej të sillje emra, përndryshe kështu është një insinuatë. Dhe mbi të gjitha, të gjithë autorët e talentuar të asaj periudhe ashtu siç kishin poezi të politizuar ,kishin edhe poezi të mirë dhe shumë të mirë. Dhe ti nuk ke tagër për të qenë absolutist në injorimin e veprës së tyre. E përsëris, flas për autorët e talentuar sepse ata janë letërsia, pjesa tjetër , vulgu kulturor, është irelevante dhe nuk mund të shërbejë si shembëll ilustrues. Analiza jote është bardhë-e-zi sikur të jesh akoma në mitingjet e ’91-ës.

    Në lidhje me “poetët e vërtetë që heshtën” , më faltë zoti, por duket si një përpjekje për t’u kooptuar në disidencën e shkuar.

    Mua nuk habit fare ‘shfaqja e mendimeve mos përputhëse me to’ por vazhdon të më habisë mungesa e argumentit, lehtësia me të cilën nxirren përfudime si simite nga furra. Dhe,në konfindencë,sa për ju nuk habitem më që nga koha e Dyseljesë.

    1. Fatma,

      Përse ju nuk sillni shembuj të veprave të shquara nga “autorë të talentuar”, që edhe të mund t’i ballafaqojmë. Përndryshe name-calling nuk është argument, sepse ju s’keni si ta dini nëse bashkbiseduesi juaj është apo jo ‘dekan’ letërsie përsa kohë që pozicionin e ‘ultimo decanus’ nuk e keni okupuar ju vetë.
      Kurse ai problemi me kontrastin ‘bardh e zi’ nuk ka lidhje me mitingjet e 91-ishit, sepse ata që e shkruan historinë të zezë mbi të bardhë në kohën e Moikomit, po duan ta shkruajnë edhe tani, po ashtu të zezë mbi të bardhë.
      As indoktrinimi nuk ka lidhje me ndonjë ideologji të caktuar, sepse iu referohet instinkteve. Këtej nga banoj unë thonë ‘you can’t teach the old dog new habits’.

  6. O LA,
    tani mua s’më mbetet gjë tjetër veç te pyes ty se pse nuk i sjell ti ‘autorë të shquar’ apo ‘të pa shquar’, se ti nuk ke si ta dish që unë jam ‘ultimo decanus’ nëse ti nuk je ‘de ultimo ultimi’ , e të tjera e të tjera….

    Unë them të mos e harxhoç kohën kot këtyre hënave po t’i japç dum asaj cështjes së indoktrinimit të instikteve.

    Të mirë e paskeni atë thënien në anglisht, po ne këtej në shqip e kemi kështu – ‘mos dil si kërriçi para gomares’.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin