QËMTUAR NË FACEBOOK

Një kafe me këngëtaren e madhe shqiptare të operës, Doriana Shermashekun, në lounge-in e VIP-ave të aeroportit ndërkombëtar të Lozanës, në Zvicrën e bukur, duke biseduar për të ardhmen dhe perspektivat e recitativit në operistikën e vendeve në zhvillim!

42-PNG-lanczos3

Në ashensorin magjepsës të kullës 12C34G, me starkitektin italian Teo Sciaquagola! Vetëm fjalë të mira dëgjojmë për ashensorin, nga i madhi Teo, i cili veçanërisht vlerëson shpejtësinë, pastërtinë dhe ergonomikën e butonave, por edhe muzakun me motive popullore të iso-polifonisë!

223G-lanczos3

Duke urinuar së bashku me qytetarë të thjeshtë, te WC-ja publike më e fundit, në rrugën Mihal Shyri; një qendër model dhe ultramoderne e shërbimeve të tualetit mu në zemër të lagjes së rinovuar të Tiranës autoktone, të ndërtuar me ndihmën bujare të sheikut mik Al-Jabad Al-Jabadi, në bazë të një projekti të hartuar në konsultim e sipër me gjithë qytetarët! Përqafoni nismën tonë për hapësira urbane të lira nga urina: “Asnjë pretekst, asnjë shfajësim!”, të sponsorizuar nga Birra Korça dhe Birra Peja! Ejani ta bëjmë të gjithë këtu, pas festës sonte!

21-PNG-lanczos3

Me të riun Kutunjo Syli, të cilit sapo ia plasën të thatin në qendrën e re të shërbimeve poli-ambulatore te Bregu i Lanës! Rilindja 1 – Infeksionet 0!

13-PNG-lanczos3

Me art në rrugën e Kavajës/ me art në rrugët e Kavajës! Nisma e bukur e një grupi vajzash që e njohën njëra-tjetrën në Instagram, për t’i pikturuar fasadat e këtyre qyteteve kushërira nga brenda; e gjitha nën patronazhin e lartë të Mbretëreshës Matilde të Belgjikës dhe Sekretarit të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Ndërtesat e Dekomisionuara, zotit Ibrahim Peshtamall Hindustani!

52-PNG-lanczos3

Të gjithë nesër në Sheshin Skënderbej, për ditën e vrapit qytetar kundër mushkonjave, në kuadrin e fushatës së OKB-së për çrrënjosjen e insekteve pickuese në vendet mesdhetare me potencial turistik! I ftuar për të argëtuar vrapuesit e lodhur, reperi i fuqishëm islandez Bastarðurson me të motrën, Bastarðurtottir!

51-PNG-lanczos3

Eja të pikturosh edhe ti me ne, në Ditën e Vizatimit me Gishta, të organizuar nga OJQ-ja “Art për të gjithë”, në mjediset e ish-poligonit të qitjes në Vaqarr, të rehabilituara nga instalacionisti italian Carlo Caneva nga Tiburtina e Romës!

32-PNG-lanczos3

Me djemtë e mrekullueshëm të calcetto-s, gjatë përurimit të fushës së mini-futbollit në mjediset e Muzeut Kombëtar, nën shoqërimin e Orkestrës së Harqeve të Urave të përbërë ekskluzivisht nga muzikantë dhe muzikante rom të pastrehë! Falemnderit zotit Buçim Grushti, që e sponsorizoi këtë event, në emër të partneritetit publik-privat! Dhe anasjelltas!

31-PNG-lanczos3

Ke qenë në opera këtë vit? Nuk është ende vonë: grupi teatror “Domenico Modugno”, nga Lecce, do të vërë në skenë, në mjediset e restorantit “Bellagio”, operën e rrallë “Agrippina” të Haendel-it, me shoqërimin nga grupi i madh i mandolinave, i konviktit femëror të gjimnazit “Mehmed Demek”, Prizren! Hyrja është e lirë!

11-PNG-lanczos3

Kolektivi “Art pa komplekse”, në bashkëpunim me Ministrinë e Vlerave, ia kthen dashamirësve kryeqytetas personazhin e shumëdashur folklorik të Lymit të Tutit, në një spektakël të promovuar nga Spitali Latino-Amerikan në Tiranë dhe Qendra Europiane e Antipsikiatrisë, Debrecen! Së shpejti, për të gjithë fëmijët e familjeve autoktone të Tiranës edhe spektakli filo-zoo-fik “Liza ka morra”, me majmunë të vërtetë, të siguruar nga kopshti zoologjik i Izmirit!

41-PNG-lanczos3

Edhe një nën-urë tjetër e Lanës iu kthye qytetarëve, pas një pastrimi intensiv me pjesëmarrjen e të rinjve të kolektivit kryeqytetas “Rruga-Ura” dhe të artistit alternativ de-graffiti-zues Voc Bukra (Zabërhani), nga Prilepi! Deri dje vend urinimi të kundërligjshëm dhe korrupsioni, hapësira nën urën te kryqëzimi i rrugës Marrëveshja e Mukjes me rrugën Rita Ora tashmë do të përdoret për ekspozita, ekspozime dhe ekzibicionime idesh krijuese nga gjithë Ballkani! Ju presim të gjithëve, në freskinë e rifituar të një mjedisi piktoresk post-filistin!

13-PNG-lanczos3

Duke shijuar një moment relaksi me Kujtimin, Ludmillin, Qirillin, Mirashin dhe Hekuranin, efektivë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, që sapo kanë parandaluar një vrasje në Pukë! Edhe një jetë tjetër e shpëtuar, në këtë vit që, deri më tash, shquhet për numrin rekord të vrasjeve të parandaluara!

51-PNG-lanczos3

Ka vend edhe për një statujë tjetër publike në Tiranë? Natyrisht, po të jetë fjala për një shenjë tjetër të miqësisë që na bashkon me popujt e ShBA-ve! Përurohet sonte, te sheshi Vojo Stafa, kompleksi monumental “Mount Rushmore”, i cili riprodhon, në shkallë të përpjestuar, atë vepër arti të famshme që e ka vendosur South Dakota-n në hartën e itinerareve artistike planetare! Kompleksi është vepër e skulptorit shqiptaro-amerikan Mal Tanbota dhe mbështetet me një donacion bujar të shoqatës “Votra”, me qendër në Pelham Park, NY! Falemnderit, Mal!

32-PNG-lanczos3

Mos humbisni! Me arkivistin e shquar polak prof. Rudyard Kszap, duke zbritur shkallët rishtas të rimëkëmbura, që të shpien në bodrumin sekret të Ministrisë së Punëve Botore, ose vendin ku ruheshin dosjet e plota të Pasurisë së Shtetit dhe projektet e ndërhyrjeve në apartamentet e qytetarëve gjatë viteve të regjimit totalitar; tashmë të restauruara dhe të vëna në dispozicion të publikut për herë të parë! Edhe një tjetër bodrum i nxjerrë nga errësira brenda këtij viti! Bashkohuni me ne, në këtë shëtitje magjepsëse të fiksuar në kamera infrakuqe nga fotografi norvegjez Åsa Pfyhle!

31-PNG-lanczos3

A dini t’i bini cyles? Nuk është kurrë vonë për të mësuar: nesër do të jetë me ne, në qendrën “Hillary Clinton” në Laprakë, mjeshtri i madh popullor i cyles, Mirdash Dobrusha, për t’u dhënë të interesuarve mësimet e para, drejt zotërimit të këtij instrumenti me vlera sa historike, aq edhe për lëvrimin e muzikës bashkëkohore!

21-PNG-lanczos3

Një gur në arën e fshatarit Kuqo, me karakteristika gjeo-morfologjike unike, por edhe dëshmitar i historisë së lashtë të zonës dhe të transformimeve të mëdha gjeografike, hidrografike dhe botanike të Ilirisë së Poshtme, sapo u shpall mbrëmë Monument Kulture, nga ana e artistit konceptual Granit Kanxha; një vepër kjo që meritoi çmimin e madh “Murrlan”, të ofruar nga fondacioni kulturor “Kosova”, në Kosovën e Vogël, Lushnje!

6 Komente

    1. Është tjetër prerje Ahmeti. Sikur gjysmën e përkushtimit për punën dhe dashurinë për Shqipërinë të kishin shqiptarët e lindur këtu, më pak i vojtur do ishe ky vend.

      1. Prerje tjeter por per gjepura pellazgesh na dalin e teprojne keta te lindurit ketu, qe te pakten nuk financohen nga Ministria e Kultures.

        1. Ahmeti ka bere nje dokumentar per kuzhinen tradicionale ne zonen e Beratit. Shkova dhe e pashe. Ma vrane veshin frazat
          “Kuzhine ilire”, “kuzhine e paraardhesve te lashte”, por kishte kaq shume dashuri e pasion, saqe ia fala pasaktesite historike. Nderkohe, po te ndjekesh pjesemarrjen e Ahmetit ne publicistike, kupton se nuk eshte apostull i pellazgjizmit, nuk na e ndot ai vezullimin e gjerdanit kombetar.

        2. Ndjesë, por unë nuk i fal dot pasaktësitë historike në emër të dashurisë e pasionit….”kuzhina ilire” është po aq patetike sa edhe “kuzhina otomane” me receta të vitit 1300 që Z. Dursun u servirte klientëve të tij naivë në restorantin tash të mbyllur prej vitesh “Efendi” në zemër të Tiranës… Po aq patetike ishte edhe shtirja se me demek zotëria nuk e fliste shqipen dhe rrekej të merrej vesh me klientët me një anglishte të çalë….kur ndërkohë e pashë Z Dursun të jepte intervista me shkrim e me zë në stilin gjithollogjist e në një shqipe po aq të artikuluar sa kjo e këtij forumi, kuptova që pasioni ishte thjesht mbulesa e mashtrimit të rëndomtë… ndaj edhe lutem ta shmangim thirrjen për indulgjencë ndaj pasaktësive historike në emër të pasionit e dashurisë…

  1. Nuk arrita t’i ndjek të gjitha, por shkova sot në mëngjes në poligonin e qitjes në Vaqarr për të marrë pjesë në nismën e Ditës së Vizatimit me Gishta. Më së fundi arrita ta takoj instalacionistin e njohur Carlo Caneva nga Tiburtina e Romës. Kisha vite pa e parë. Madje më mësoi ta vizatoj realitetin politik shqiptar me një gisht. Me cilin nuk jua them.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: