THIRRJE PËR SHTATË LIGJET

Ka bërë bujë apeli për miratimin e shtatë ligjeve, që është bërë nga rreth tridhjetë qytetarë shqiptarë në drejtim të institucioneve dhe parlamentarëve të Shqipërisë. Meqë teksti po qarkullon në mënyrë të fshehtë nga e-maili në e-mail e në rrjetet sociale, po e zbardhim më poshtë këtë thirrje publike me interes mbarëkombëtar:

Të nderuar deputetë të Shqipërisë dhe njerëz që jeni pas tyre!

Shtatë ligjet e reformës duhet të miratohen me çdo kusht, sepse janë vendimtare për atdheun dhe integrimin e Shqipërisë në familjen botërore. Populli po pret me padurim, sikurse priti me gjak të ngrirë miratimin e reformës prej dy vjetësh, duke e njohur dhe ndjekur me imtësi, nen për nen, rresht për rresht, fjalë për fjalë. Tani u ka ardhur koha shtatë ligjeve. Pa këto ligje nuk mund të pastrohet korrupsioni dhe drejtësia. Shqipëria, pa këto shtatë ligje, nuk mund të ecë përpara e nuk mund të bëhet fanar ndriçues në botë. Këto ligje janë jetike për të ardhmen tonë. Me to Shqipëria do të bëhet vend i lumtur.

Vullneti i hekurt i popullit edhe kësaj here do t’ua tregojë vendin armiqve të reformës, të brendshëm e të jashtëm, falë edhe miqve të Shqipërisë. Faktori i mirënjohur ndërkombëtar i mbështet ligjet e reformës, pa i ndarë nga reforma, prandaj lërini pushimet e gushtit dhe miratoni ligjet. Më mirë t’i ngrini duart për votimin e ligjeve të reformës, se sa duke luajtur volejboll në rërën e plazhit. Ky është moment historik, pushimet luksoze nëpër botë mund të presin.

Megjithatë, ne kemi besim tek ju, pa dallim partie. Siç bëjnë psikanalistët, që para se të psikanalizojnë duhet të psikanalizohen nga të tjerë psikanalistë, edhe ju bëtë fillimisht dekriminalizimin e politikës dhe pasi e pastruat atë, vijuat me drejtësinë. Kjo është fitorja e politikës.

Po përse duhet të votohen këto shtatë ligje? Së pari sepse janë shtatë. A nuk është shtata numër magjik dhe i mistershëm? Perëndia e bëri botën në shtatë ditë. Shtatë janë mëkatet kryesore, sikundër shtatë janë virtytet e mëdha. Shtatë janë notat muzikore, shtatë janë xhuxhmaxhuxhët, shtatë janë mrekullitë e botës. Po shtatë janë edhe ditët e javës dhe ngjyrat e ylberit. Pastaj, shtata është numri që vjen pas gjashtës dhe gjendet para tetës. Ju duket më pak domethënëse?

Le ta themi shqip. Juve po ju shkojnë shtatë në qase, se keni shumë frikë nga reforma. Por ata që kanë shtatë zemra, që janë trima, nuk i tremben reformës, duhet ta votojnë pa hezitim ngaqë populli shqiptar ju ka votëbesuar për të bërë reforma. Deri pak kohë më parë, të vrisje shtatë vetë dhe ishte e pamundur të gjenit dakordësi. Tani të gjithë jeni dakord, por disa prej jush janë ulur për shtatë palë qejfe në kolltukët e parlamentit e nuk duan ta dëgjojnë zërin e qytetarëve të thjeshtë.

Shtata simbolizon, sikurse peshorja, ekuilibrin e përkryer në drejtësi. Ne kemi qëndrim të palëkundur në favor të shtatë ligjeve, që do ta shërojnë demokracinë shqiptare nga e keqja. E drejta është me ne (dhe anasjelltas), se ne jemi populli, ndaj jemi ne pa jeni ju (dhe anasjelltas). I bëjmë thirrje ndërgjegjes suaj të pastër, që t’i votoni ligjet sa më shpejt.

Me respekte

Lista e nënshkruesve të apelit

Ujbardh Shëllira, shitës bulmeti

Qofte Tedaja, qoftexhi

Kurbet Muhabet, bejtexhi

Partizan Uzina, ish-tornitor

Filloreta Dhaskali, mësuese fillore

Lekuran Sholla, këpucar

Nderim Vigjilenti, doganier

Pena Stilografi, ish-artikuj shkruese

Dora Lani, seksere

Durim Qeni, punonjës shteti

Dashuri Shtrati, sekretare shefi

Fjalon Llapani, llafollog

Boja Shkrimi, grafologe

Mik Futi, nëpunës shteti

Marr Haku, studiues i Kanunit modern

Balsam Lulashi, mjek popullor

Vaje Talla, këngëtare tallavaje

Rrap Daullja, rapist

Kalem Mprehu, disenjator

Art Isti, kurues ekspozitash

Drita Ngjyra, reklamuese

Din Veta, youtuber

Zanat Çiu, dizajn uebi

Ngazëllim Dëftesa, nxënës

Kon Viktori, student

Pajtim Gjoba, ish-i ndershëm

Dituri Qitapi, nxënëse

Kat Undi, katundar

Plepan Pishtari, pylltar

Ilir Patenta, shofer furgoni

Premtim Hajni, ish-ligjvënës

Dukuran Grimi, operator TV

Dafina Fjeta, koleksionuese diplomash

Fitim Barna, ndihmës mjek

Pundrit Lokali, i papunë

4 Komente

  1. Ishte njeri me emrin Premtim ne nje vend ku punoja dhe nje shofer nuk e di pse e therriste perhere Perfitim. Ky qeshte tere kohes pa te keq. E takova pas dy vjetesh, ishte shendoshur goxha. S’dipse mu kujtua nga kjo lista.

    Dhe me duket se ke harruar te vesh ne liste: Paro Ajfonin, votues i LSI-se.

    1. Në fakt krisjet i kanë filluar prej kohësh, tani edhe shtyma e fundit duhet. Ato shtatë ligjet janë fija e perit ku mbahet Europa. Prandaj edhe duhen miratuar “en bloc”, ose “derr në thes” siç i thonë francezët.

  2. Duke parë listën e nënshkruesëve vihet re se, me përjashtim të z.LLapani, mungojnë intelektualët e vërttettë , që do të thotë se sipas pikpamjes së autorit, këta , intelektualët pra, në mos qofshin hapur e ballëlartë kundër shtatë ligjeve siç ua do sëra, të paktën nuk e bëjnë qejfin qeder ,as humbin kohën e tyre të çmuar kushtuar totalisht veprave atdhetare, që do u kujtohen brez pas brezi.
    Këtu mund të përjashtohet ndonjë intelektual i viteve ’60, si Kadare psh, po këto janë vogëlsira, që s’ngrenë peshë.

    Mirëpo , duke patur parasysh se eseja është sarkastike, me plot të drejtë sigurisht(!), i bie që situata të përmbyset, dmth,sipas pikpamjes së nënkuptuar mes rreshtave të autorit, janë intelektualët ata që bëjnë ttthirrje për shtatë ligjet , duke përjashtue z.LLapani doemos, dhe rezultojnë kundër apo indiferentë gjithe jointelektualët.

    Kjo provon edhe një herë tjetër se asgjë nuk është ashtu siç duket. E thenë më shkoqur, ai që të shan , ai të do, ose , përditësuar me situatën, sa më shumë të tallesh me gjënë, aq më shumë e ke për zemër.

    Po sikur të mos jetë eseja sarkastike, por të jetë shkruar gjasme si e tillë ? Në këtë pikë dorezohemi dhe e vetmja gjë që mund të bejmë është t’i drejtohemi historisë e cila na mëson se disidenca e sotme është provë e disidencës se djeshme. Nuk thonë kot se ‘Selanik e tatëpjetë, sic ka qënur do të jetë’.

    ps- Sidoqoftë përgëzime autorit se nënshkruesit nuk janë “nja tridhjetë’ , siç e thotë me modesti, por saktësisht 35 që rezulton një numër i plotpjestueshem me 7. Kjo është më e rëndësishmja. Do ishte më mirë akoma që ndonjë nga nënshkruesit të quhej Elisabeth sepse do t’i jepte një sfond më të spikatur panegjirikut të shtatës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin