EFEKTI I EMRIT

Ka 15 njësi bashkiake në ShBA – qytete, qyteza dhe fshatra – që quhen Paris, për nder të kryeqytetit frëng; shumë nga këto kanë ndërtuar kopje të kullës Eiffel, në dëshmi të lidhjeve të tyre simbolike me Parisin origjinal.

Ky është veç një nga shembujt e shumtë të emërtimeve në bazë të prestigjit, ose në përgjithësi të fuqisë magjike që ia bashkëlidhim një emri; pa çka se ky perceptim shpesh shfaqet si dëshirë për të ndjekur një modë, ose për të shprehur një qëndrim ideologjik a kulturor të caktuar: kështu, pati një periudhë në historinë e Shqipërisë kur shumë fëmijë u quajtën Spartak, për nder të rivlerësimit që ia bëri gladiatorit trak kultura sovjetike. Për të njëjtën arsye, dikush i quajtur Eusebio për nder të futbollistit të njohur portugez, ka të ngjarë të ketë lindur në vitin 1966 ose 1967.

Natyrisht, edhe faktori thjesht kulturor ose historik, edhe ai fetar, por edhe moda vetë para së gjithash klasifikojnë. Për një fëmijë të quajtur Marie ka më shumë kuptim (bart më shumë informacion) përkatësia e krishterë e emrit, sesa fakti që pikërisht ajo fëmijë quhet Marie; madje edhe sikur prindërit ta kenë quajtur ashtu për të nderuar kujtimin e një gjysheje, ose të këngëtares Marie Kraja ose të shkencëtares Marie Curie.

I ndryshëm është shembulli i emrave të përveçëm që përkojnë mes tyre pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë birësie. Ka një Albania në Kaukaz që nuk e kanë lidhur dot me Albania-n tonë; sikurse ka një Albania në Skoci, që për disa është forma e latinizuar e emrit kelt Alba. Edhe për Albaninë e Kaukazit thonë se është fjala për një ekzonim, ose një emër të zgjedhur arbitrarisht nga romakët. Megjithatë, nuk kanë munguar dhe as mungojnë përpjekjet për të gjetur lidhje “të lashta” mes këtyre toponimeve, në bazë të një përkimi që mund të jetë thjesht rezultat i një aksidenti historik.

Në mënyrë të ngjashme, italianët përdorin të njëjtin emër, Monaco, për principatën e Monakos dhe për Mynihun; ndonjëherë duke e specifikuar këtë të fundit si Monaco di Baviera – Mynihu i Bavarisë. Ky përkim është gjithashtu rezultat i rastësisë: emri i principatës vjen nga lashtësia, dhe mund të lidhet me një epitet që ia vinin grekët Herkulit: Herakles Monoikos,  Herkuli që jeton vetëm. Përkundrazi, emri i Mynihut lidhet me fjalën italishte për murgun: monaco – i cili del si figurë edhe në stemën e qytetit. Ironikisht, edhe kjo fjalë italishte rrjedh, në analizë të fundit, nga greqishtja monoikos.

Nuk di të them nëse italianët gjejnë ndonjë gjë të përbashkët, veç emrit, mes Monakos dhe Mynihut; këtë lloj efekti irracional ose fono-simbolik vetëm një folës vendës mund ta konfirmojë. Por besoj se lidhje të tilla gjithnjë ekzistojnë. Për shembull, e kam të qartë reagimin tim sa herë që më del përpara emri Ardian si i dikujt tjetri; ndiej një lloj refuzimi të lehtë, sepse më duket sikur të pasurit e një emri të përbashkët me dikë tjetër sugjeron edhe përbashkësi të tjera, të cilat njëfarësoj ma cenojnë individualitetin. Ndryshe nga mbiemri, që në kulturën tonë shënjon një përbashkësi familjare ose fisnore, emri pritet të kryejë një funksion tjetër, individualizues dhe identifikues të personit. Për këtë arsye, çdo fëmijë seriozisht shqetësohet kur merr vesh se ka edhe fëmijë të tjerë që mbajnë emrin e tij; në një kohë që mbiemri i përbashkët zakonisht mirëpritet dhe shpesh shërben edhe si pretekst për investigime gjenealogjike.

Natyrisht, kujdesem ta bëj dallimin midis funksionit të emrit në momentin e zgjedhjes së emrit për një fëmijë, dhe funksionit të po atij emri në komunikimin e përditshëm. Ka një arsye pse prindët e mi zgjodhën të më quajnë Ardian – ishte koha e gjallërimit të hipotezës ilire të prejardhjes së shqipes dhe të shqiptarëve në kulturën pop; por edhe e promovimit të ideologjisë kombëtariste si alternativë ndaj asaj fetare. Nëse deri dje emërtimi i fëmijës ishte edhe akt i përkatësimit fetar, breznia e Ardianëve pritej që ta kundërshtonte këtë traditë, duke i mëshuar përkatësimit etnik, me rrënjë në lashtësi. Ishte, doemos, edhe çështje mode – më pas emri Ardian filloi të përdorej shumë më rrallë, duke pësuar fatin e Lekës dhe të Pirros dhe të Teutës.

Sado të lirë të ndihen prindërit, në momentin e zgjedhjes së emrit për fëmijën, me kalimin e kohës kjo liri nuk perceptohet më; dhe brezat e mëpasmë do të perceptojnë, tek emri, faktorin shtrëngues, jo atë zgjedhës. Ata prindër që e quajtën djalin e tyre dikur Çapajev do të kenë besuar se po bënin një zgjedhje kulturore dhe intelektuale; por kushdo që është kurioz të hetojë sot për emrin, do të ndeshet herët a vonë në ndikimin sovjetik në kulturën e Shqipërisë së Pasluftës, dhe Çapajev do të përfundojë i klasifikuar në të njëjtin grup me Vladimir, Timoshenko, Zhukov, Leontiev, Maksim, e të tjerë si këta.

Disa tradita janë aq të vjetra, sa ia arrijnë të dalin jashtë kohës; kështu, për një person të quajtur John mund të themi veç që i përket në vija të trasha botës anglo-saksone të krishterë dhe se është mashkull; por jo më tepër se kaq, çka do të thotë se forca klasifikuese e ka mposhtur efektin identifikues unik; në një kohë që Ardianëve u gjenden më lehtë koordinatat në kalendar. Kjo bën që mes këtyre të fundit të ketë diçka të përbashkët, përtej emrit; një frymë të kohës, që njëfarësoj i ngjan fatalitetit astrologjik, ose tipareve që “ndajnë” mes tyre të lindurit nën një shenjë të caktuar. E megjithatë, vështirë se do të lexojmë ndonjë ditë për horoskopin e Ardianëve, sikurse nuk do të lexojmë për horoskopin e Spartakëve dhe të Flamurëve dhe të Elvisëve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin