TË SHKRUASH ME GABIME (VIII)

Paragrafi 37 i Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe (Tiranë 1973) përcakton që “shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse”; me përjashtim të atyre emrave që “shkruhen sipas traditës së ngulitur prej kohësh në gjuhën shqipe.” Ky rregull plotësohet me disa sqarime të mëtejshme me natyrë fonetike në paragrafin 36, për shkrimin e fjalëve të huaja librore në përgjithësi; dhe asgjë më tepër se kaq. Nuk është për t’u çuditur, pra, që drejtshkrimi i emrave të përveçëm të huaj sot e kësaj dite përbën një nga sfidat më  të pamundshme të shqipes dhe një nga burimet kryesore të gabimeve dhe të kaosit, sa kohë që rregulla më sipër mbështetet në premisën – tepër problematike – që shkruesit e këtyre emrave të përveçëm të njohin “shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse”; çfarë është, praktikisht, e pamundur. Shto këtu edhe që, në krahasim me 40-50 vjet më parë, numri i emrave të përveçëm të huaj, që dalin në tekstet shqipe të destinuara për përdorim publik, mund të jetë deri edhe njëqindfishuar, për shkak të ndryshimeve dramatike që kanë ndodhur në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe botës.

Gabimi që kanë bërë hartuesit e Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes dëshmon se as ata vetë nuk e kishin të qartë se si do të zbatoheshin këto rregulla – dhe se nuk e patën parë me vend që të dallojnë haptazi, qartë dhe me hollësi, midis rregullave të drejtshkrimit për nxënësit e shkollave dhe shqipshkruesit në përgjithësi nga njëra anë, dhe rregullat e shkrimit të shqipes për tipografët dhe institucionet që përgatitin dhe nxjerrin në qarkullim të gjerë tekste shqip në mënyrë profesionale. Sot është praktikisht e pamundur të gjesh, duke qëmtuar midis rregullave, se cilat prej tyre kanë karakter të përgjithshëm dhe mund të kuptohen nga kushdo; dhe cilat të tjera janë teknike dhe mund të zbatohen vetëm nga profesionistët – korrektorët teknikë, redaktorët dhe të gjithë ata me funksione të ngjashme në tipografitë.

Veç kësaj mangësie metodologjike, që i prek praktikisht të gjitha rregullat, përfshi edhe ato me natyrë gramatikore dhe të pikësimit, rregullat për shkrimin e emrave të përveçëm të huaj nuk ndihmojnë për asgjë, pasi (1) pakkush di si të shqiptojë emrat e huaj të përveçëm dhe (2) edhe ata që dinë t’i shqiptojnë, do ta transkriptojnë shqiptimin në mënyrë përafruese dhe jo-standarde – kështu, njëri do të shkruajë Nju Jork, një tjetër Niu Jork dhe një i tretë mbase Niu Jok; pa folur për raste tepër problematike: si ta shkruash emrin e qytetit hungarez Nyíregyháza?

Siç e kemi cekur hollësisht në këtë faqe vite më parë (Drejtshkrimi i madh sovjetik), rregulla për t’i shkruar emrat e përveçëm të huaj ashtu siç shqiptohen i ka rrënjët, në analizë të fundit, te mënyra si i shkruajnë gjuhët me alfabet jo-latin, dhe pikërisht rusishtja, emrat me prejardhje nga gjuhët e mëdha perëndimore: frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja e kështu me radhë. Vendimi për të vepruar kështu ishte i natyrës politike, meqë ndryshe nga rusishtja, shqipja i kishte shkronjat për ta ruajtur njësinë grafike të shumicës së emrave të huaj, që i duheshin në atë kohë.

Megjithatë, edhe alternativa – ose shkrimi i emrave të huaj ashtu siç shkruhen – nuk është më pak problematike, pa çka se mund të zbatohet relativisht lehtë me gjuhët e mëdha si anglishtja, frëngjishtja dhe italishtja; dhe kjo nuk lidhet aq me atë që shumë prej nesh këta emra nuk do të dinin si t’i shqiptonin (si ta shqiptosh emrin e qytetit gjerman Neckarbischofsheim, po të mos dish gjermanishten?); por edhe me atë tjetrën që disa gjuhë – si polonishtja ose çekishtja – e përdorin vërtet alfabetin latin, por me shkronja të shtuara a të plotësuara me shenja diakritike (p.sh. polonishtja ka ą, ć, ę, ł, ń, ó, ś, ź dhe ż); ndërsa gjuhë të tjera, nga greqishtja te rusishtja dhe armenishtja, pa përmendur arabishten dhe hindin dhe urdun që nuk përdorin alfabetin latin; ndërsa gjuhë të tjera, si kinezishtja dhe japonishtja, nuk përdorin alfabet fare.

Për të zgjidhur probleme të tilla, të paktën për gjuhët alfabetike, përdoren lista ose kode të transliterimit, të cilat tregojnë, shkronjë pas shkronje, se si do të zëvendësohen, në gjuhën marrëse (në rastin tonë, në shqipe), shkronjat e një emri të përveçëm në gjuhën dhënëse – për shembull, emri i shkrimtarit Гoголь do të transliterohet si Gogol, sepse kodi i miratuar na udhëzon si vijon: г > g, o > o dhe ль > l. Këto kode nuk janë natyrisht të destinuara për shqipshkruesit në përgjithësi, por për korrektorët teknikë, redaktorët, tipografët dhe të gjithë ata profesionistë të cilët mbajnë përgjegjësi për cilësinë e një teksti që i jepet publikut për ta përdorur. Rregulla të ngjashme ekzistojnë edhe për kinezçen dhe për japonishten; ekspertët e drejtshkrimit shqip do të bënin mirë t’i merrnin të gatshme nga listat ekzistuese për anglishten ose frëngjishten, të cilat janë shteruese.

Përdorimi i formave të njësuara për shkrimin e emrave të përveçëm të huaj është pjesë e drejtshkrimit dhe nuk mund të shpërfillet thjesht ngaqë rregullat nuk formulohen dot lehtë; aq më tepër që sot njësimi ka edhe rëndësi praktike, për shkak të makinave të kërkimit, si Google, të cilat japin rezultat me kusht që t’u kërkosh atë që duhet – edhe pse këto makina tani janë pëmirësuar aq shumë, sa Google tani ma korrigjoi menjëherë kërkimin për Nekarbishofshajm, duke më sugjeruar të kërkoja për Neckarbischofsheim. Nga ana tjetër, sot është po aq më e lehtë të vendosësh, në linjë, lista të plota të emrave të huaj të transliteruar, që këto të përdoren nga korrektorët dhe redaktorët e teksteve publike.

Mënyra sipërfaqësore dhe shpesh e trashë me të cilën i është dhënë kinse zgjidhje një problemi kritik, sa të përditshëm aq edhe të pazgjidhshëm nga ana e shkruesve të shqipes, siç është ai i emrave të huaj të përveçëm dëshmon papërgjegjësinë e të gjithë atyre që duhej të kujdeseshin për drejtshkrimin e shqipes. Teksa ka akoma njerëz që kërkojnë “rishikim” të këtij drejtshkrimi, dhe më keq akoma, për ta “afruar” këtë me shqipen e folur, ne ende nuk jemi në gjendje të rregullojmë, qoftë edhe në një nivel minimal, shkrimin e shqipes sipas rregullave – sepse na mungon vullneti i mirë ose na mungon kompetenca ose na mungojnë ekspertët teknikë të korrektimit të teksteve, sikurse na mungon edhe aftësia për të kuptuar se asnjë tekst për përdorim publik nuk duhet të lëshohet në qarkullim pa u kontrolluar për drejtshkrimin; por edhe, në rastin që po shqyrtojmë, na mungojnë edhe vetë rregullat. Akademikët, të cilët mblidhen herë pas here dhe diskutojnë bizantinisht për punët e holla të ë-së paratheksore, ndoshta do ta harxhonin më mirë kohën e tyre të çmuar duke përcaktuar kriteret e transliterimit të emrave të huaj në shqipe, në këshillim me të gjitha palët e interesuara – që nga korrektorët teknikë të shtëpive botuese dhe të mediave, te juristët dhe gazetarët dhe shkrimtarët. Madje edhe në qoftë se, pas një debati të gjerë në publik, do të vendosej se emrat e huaj vërtet duhen shkruar ashtu siç “shqiptohen”, atëherë këta akademikë le të organizonin punën titanike për hartimin e listave sa më të plota të emrave të përveçëm të huaj, të drejtshkruar sipas rregullave të shqipes, në mënyrë që të gjithë ta dinë si ta shkruajnë, bie fjala, emra si Worcestershire ose Szczecin në tekstet shqipe; të cilat të viheshin pastaj në dispozicion të së gjithëve në Internet.

Mirëmbajtja e shqipes publike nuk duhet ngatërruar me adhurimin pseudo-fetar të shqipes si “gjuha më e lashtë e botës” dhe të tjera budallallëqe; sikurse nuk duhet ngatërruar me betejat epike ndërkrahinore, për primatin e këtij apo atij varianti letrar (a dialekti) në format e njësuara të standardit; por kërkon punë të vështirë dhe të përditshme, njëlloj si mirëmbajtja e një makinerie çfarëdo a e një hapësire publike. Kriteret sipas të cilave zhvillohet kjo mirëmbajtje kanë lidhje, para së gjithash, me çfarë ia kërcënon integritetin makinerisë përkatëse – për shembull, në qoftë se është dimër, duhet të bëjmë kujdes që motori të mos ngrijë; por nuk do të kishte kuptim që, në mes të dimrit kontinental, ta mbronim makinerinë tonë, bie fjala, nga ekspozimi ndaj diellit.

Sot për sot, përballja me elemente të ndryshme që hyjnë nga gjuhë të tjera, përfshi këtu edhe emrat e përveçëm të huaj, është një nga sfidat kryesore që i dalin shqipes e shkruar të paktën në nivelin libror; dhe është për të ardhur keq që në këtë pikë askush nuk i vjen në ndihmë përdoruesit pasiv të teksteve ose edhe vetë atyre që duhej t’ia ruanin integritetin shqipes duke ia patrulluar portat nga ku tekstet hyjnë në qarkullim – ose korrektorët teknikë. Në fakt, as rregullat ekzistuese të drejtshkrimit nuk ndihmojnë për shumë, madje veç pështjellojnë; as redaktorët dhe korrektorët teknikë të atyre shtëpive botuese dhe mediave që ende kujdesen për drejtshkrimin nuk i kanë instrumentet që do t’u duheshin për t’i shkruar mirë emrat e përveçëm të huaj; dhe, më në fund, autoritetet dhe institucionet publike nuk e çajnë kryet për këtë punë, sepse nuk po shohin dot më tutje se maja e hundës.

[vijon]

4 Komente

    1. Besoj se e kam thënë edhe në shkrim: duke ngritur një komision ekspertësh, pranë Drejtorisë së Standardeve a ndonjë institucioni të ngjashëm, që të hartojë kodet e hollësishme, për përdorim të të gjithë profesionistëve të shkrimit: redaktorët, korrektorët teknikë, tipografët. Janë punë që një shtet serioz duhet t’i bëjë, sepse janë punë që e bëjnë shtetin shtet. Përndryshe, në ShBA janë vetë mediat e mëdha që i përcaktojnë këto rregulla, por ne nuk mund të marrim ShBA si model – është sikur miu ta organizonte rutinën e vet duke kopjuar elefantin. Ose më mirë akoma, lokomotivën.

  1. Po e formuloj ndryshe pyetjen: pse s’e ndërmerrni vetë nismën për ta vënë në lëvizje ngritjen e një komisioni të tillë? Jeni specialist i fushës, e njihni problemin, njihni – besoj – alternativat që hanë hedhur në qarkullim, qoftë si ide, qoftë si rrjedhojë e praktikave të krijuara, njihni po ashtu traditën që është krijuar në gjuhësi në këtë drejtim, para Kongresit e pas tij. Nga ana tjetër, jetoni larg, kështu që s’ka pse trembet kush këtu se po i merrni karrigen. Pse nuk i vini vetë në lëvizje gjërat, është pyetja ime.

  2. Është punë ingrate dhe shkresurinash, punë zyrash dhe shteti, që më shumë se një njeri kërkon një ekip dhe, sidomos, financim të vijueshëm në kohë (se nuk mbarohet dot brenda një jave; duhen marrë gjuhët e botës njëra pas tjetrës). Mua nuk më pëlqen që ta bëj, gjithnjë kam pasur alergji nga këto gjërat kolektive (ndoshta ngaqë më mungon talenti për bashkëpunim) dhe do të duhej të më lutnin shumë, përfshi këtu edhe parapagimin, që ta pranoja si barrë (në rrethana të njëjta, do të parapëlqeja të shkruaja, bie fjala, letërsi). Mendo pastaj që shteti nuk e ka shumë mendjen në projekte të tilla me qitje të largët, ndoshta sepse nuk ua kupton rëndësinë, ndoshta sepse në to është e vështirë të tërheqësh “investues” të huaj ose t’ua prishësh mendjen ambasadave; pa folur pastaj që, me sa kam lexuar, QSA-ja mezi arrin t’u paguajë rrogat punonjësve të vet dhe nuk ka fonde as për të nxjerrë revistën “Studime Filologjike.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin