PISTA HOMO E XHIHADIT

Shpjegimet e ministrit të brendshëm francez për « radikalizimin ekspres » të terroristit tunizian Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, që masakroi për vdekje 84 vetë në Nice e gjymtoi rëndë qindra të tjerë, për të përligjur mos diktimin e tij nga radarët e policisë e të shërbimeve sekrete, nuk është se qe fort bindës, veçanërisht për kërkuesit në fushën e psikologjisë së thellë.

Nëse pothuaj në të gjitha rastet e tjera emrat e autorëve të vrasjeve masive ishin të pranishëm në listat e policisë, si individë potencialisht të rrezikshëm e në survejim, rasti i të riut tunizian nuk futet në të njëjtën kategori. Dëshmitarët e paraqesin si dikë që nuk falej, që nuk mbante ramazan, që nuk frekuentonte xhamitë, që pinte alkool e frekuentonte vajza të ndryshme. (Armën që iu gjet në kabinën e kamionit ia kishte blerë një çifti shqiptarësh, sipas policisë).

Por nëse policia ka vështirësi të dukshme për të shpjeguar bindshëm atë që ndodhi, psikiatrët e psikanalistët shqyrtojnë elementë të tjerë për të ofruar analiza e shpjegime paralele. Kështu, midis të tjerash, vemëndja përqendrohet në faktin se Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, ndërkohë që ishte i martuar, sipas shumë dëshmive, kishte mardhënie seksuale edhe me burra.

Një gazetare e re e Slate, A. Lorrauix e ka ndjekur këtë piste, duke konsultuar faktet e ekspozuara nga dëshmitarët me një numër emrash të njohur të botës së psikologjisë dhe psikanalizës.

Mendimi i tyre është se marrëdhëniet homoseksuale « non assumées », pra që personi që i kryen i kundërshton, nuk i pranon ( nuk e njeh veten për të tillë), jetohen me brengë e vështirësi të madhe dhe në disa raste mund të shpien në turbullira psikike.

Në rastin e vrasësit të Nice-s, të paktën deri tani është identifikuar një burrë 73 vjeç që ishte i dashuri i tij. Të tjerë, pranojnë marrëdhëniet homoseksuale me të, por nuk duan të identifikohen.

Specialistët shtrojnë pyetjen nëse mund të ndërtohet një profil bindës xhihadistësh homoseksualë, që refuzojnë ta pranojnë vetën si të tillë, dhe që kryejnë vrasje masive për të larë një fajësi që e vuajnë mjaft dhimbshëm ?

Natyrisht, shqyrtimi i kësaj piste në Francë nuk do të merrte përmasat që po merr nëse nuk do të sillej edhe rasti i Omar Mateen, vrasësit të Orlandos, që paraqet me tendenca të tilla nga dëshmitarë të ndryshëm. Këtu vërehet se edhe një nga autorët e atentatit të 13 nëntorit në Paris, Salah Abdeslam, zbulohet të ketë qenë një frekuentues i rregull i bareve homo në Bruksel, siç thotë revista Match.

Rrugët që i shpien individë të ndryshëm të aderojnë në idetë a rradhët e Daesh-it janë të panumërta, thonë specialistët dhe nuk është se ka një profil tip. Seksualiteti i mospranuar, që edhe pse i parealizuar shkallmon trurin e individit, ose homoseksualiteti i turpshëm, që është kryer, por që personin nuk e pranon, nuk i del zot publikisht, gjeneron një vuajtje të tillë të brendshme, sa mund shihet edhe si një itinerar analize me interes.

Në vendet ku homoseksualizmi është i dënueshëm si Tunizia, atdheu i origjinës ku është rritur dhe edukuar Mohamed Lahouaiej-Bouhlel-i, mënyra e vështirë se si përjetohet një gjendje e tillë (në të dy format e saj) mund të shndërrohet në vektor deliri. Individi i prekur e jeton atë si një krim dhe vuan një gjendje vetëfajësimi tepër të madh, thotë B. Benslama autor i librit Një dëshirë e çmendur pë sakrificë. Mbimyslymani. Kjo, shpjegon edhe psikiatri Serge Hefez, i intervistuar nga Lorrauix , sepse «homoseksualizmi të çon në imazhin e burri të femërzuar, të një burri të nënshtruar, të një burri të penetruar, të një burri të brishtë e të pazotë të mbrojë rrethin e tij ». 

Pra, burri si i tillë nuk është më burrë, nuk e siguron më rolin e një luftëtari mbrojtës e penetrues…

Megjitahtë, dallon Thierry Vincent (autor i librit Zoti pa fenë), deliri është më i komplikuar se mospranimi a refuzimi i një individi të homoseksualitetit të tij, ndërsa S. Hefez thotë se fakti se shumë xhihadistë paraqesin skemën e homoseksualitetit të mospranuar, nuk do të thotë se të gjithë homot janë terroristë të mundshëm (kjo besoj qetëson shume vetë), por deliri paranojak i terroristëve projektohet në dritë të qartë.

Në këtë pikëvështrim psikanalitik, lidhja midis homoseksualitetit të refuzuar (apo edhe të pranuar) dhe xhihadizmit mund të shprehet në idenë e « blerjes » së statusit të luftëtarit duke marrë armët në dorë për të bërë xhihad.

Duke analizuar idetë e specialistëve të sipërpërmendur, A. Lorrauix, konstaton se vrasësi i Nice-s si pasojë e « homoseksualitetit të tij të turpshëm » paraqitet me një profil të caktuar paranoiak a psikotik (si term përgjithësues i paranojës). Dhe shton se në këtë kuptim deliri paranojak shprehet duke projektuar te tjetri tërësinë e ndjesive negative që kemi për veten. Dhe profili i xhihadistit që vepron fill i vetëm në thelb është ai i një paranojaku që ka përshtypjen se është vetëm kundër të gjithëve.

Gerard Haddad në librin « Në dorën e djathtë të Zotit. Psikanaliza e fanatizmit », thotë se pjesa më e madhe e këtyre xhihadistëve duan që (me aktet e tyre), të shlyejnë “gabimet” e tyre dhe të familjeve të tyre »

(Në të vërtetë, në thirrjet e Shtetit islamik përsëritet shpesh ideja se ata që bien shehit për xhihad e duke vrarë kouffar (shumësi i kafir, qafir) kanë të drejtë që në të fusin në parajsë edhe një numër njerëzish nga të vetët)

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin