MIKROBIOGRAFI (IV)

Ali Ikberri

Makina e Shenjtërisë së Tij i ra rrotull sheshit për të përshëndetur besimtarët.

Herë pas here makina sa s’ndalej dhe, atëbotë, dikush nga truproja i afrohej turmës, merrte ndonjë fëmijë nga krahët e prindërve dhe ia çonte Shenjtërisë së Tij për një bekim të shpejtë.

Ishte ky momenti që mezi prisnin terroristët derisa, sipas parashikimeve, më në fund, truproja rrëmbeu njërin nga fëmijët-bombë.

Vetëm se i ati, Aliu, s’arriti dot në kohë ta shpërthejë me celular.

E bëri më vonë, në apartamentin e tij me numër 13, teksa zgjidhte i tërbuar shpërgëjtë.

 

Andi Tirana

Shkoi me shërbim në rrafsh kur pjalmi i parë i dimrit sapo kish rënë mbi bjeshkët dinarike.

Toku duart me burrat e kuvendit.

Pyetja e zakonshme: – Ç’kemi nga Tirana?

Përgjigja i erdhi spontane: – Hiç!

 

Arif Shkela

Çdo 10-15 metra ndalonte për të kontrolluar në mënyrë kompulsive herë shollën e majtë e herë shollën e djathtë të këpucëve, thosh, nga frika mos kish shkelur ndonjë nga të pëgërat e shumta (nënkuptonte ato me dy këmbë) që i aviteshin pa ia ditur vetes kutërbimin e rëndë.

 

Bilbil Hallati

Qethte gjenitalet çdo muaj, kurse kokën një herë në tre muaj.

 

Çapajev Arbnori

Tankset e atij garnizoni të përbashkët shqiptaro-sovjetik ishin ndoshta më agresivët e Traktatit.

Mungonte alkooli i frenave: e kishin pirë.

– Spasiba!

 

Çobo Rrapushi

Teshtiu aq fort, sa Baloja e mori për lehje dhe iu hodh me gëzim e shpresë.

I zhgënjyer, i hëngri hundën.

 

Dash Pinari

Pasi lexoi në shpatullën e dashit luftë e kob, i dehur nga rakia e re, u shtri mbi binarët e trenit të linjës Shkodër-Laç.

Nuk kaloi asnjë tren se ndërkaq rebelët kishin kapur peng makinistin.

 

Fan S. Noli

Kryeministri la shoferin (e kish edhe rojë personale) te dera dhe u ul te tryeza e punës.

Ministrat ishin zhdukur pa nam e nishan.

Parlamentit i kishin vënë dryrin.

Kundërshtari i tij ndërkaq marrshonte në krye të ushtrisë të vendit fqinj dhe pritej, çështje orësh, të hynte në kryeqytet.

Lexoi me zë të lartë vargjet në persisht.

Kontrolloi edhe një herë versionet anglisht dhe frengjisht, dhe shkroi, dorëpadridhur:

Dhe posá në tavernën këndoi gjeli,

Besnikët jashtë thirrë: “Portat çeli!

E shkurtër është Jeta, ja, u mplakmë

Dhe mbetmë si kofini pas të vjeli”.

 

Flutura Çanga

Parketi i njërës dhomë ishte gërryer i tëri nga urina e maceve.

Dhoma tjetër kish një mal me rroba të paveshura, ende me etiketa.

Në dhomën e tretë vdiq.

 

Gjelosh Nika

Në periudhën nëntor-dhjetor lodhej shumë. Përgatiste përditë 40-50 shuka tuli buke ngjyer në vaj dhe konte gjelin e detit.

E mbërthente nën sqetull dhe, me gishtat gjithë çikatrica nga çukitjet, i hapte me forcë sqepin, shtynte brenda shukun.

Nganjëherë mbërrinte me vonesë në Bankën e Kursimeve, ku ishte nëndrejtor.

 

Haír Ziu

Golin e tretë nuk e pamë mirë se një mizë bridhte brenda tubit katodik të televizionit me shpejtësinë e një Jairzinho-je.

 

Kanun Tafili

Botoi një version të Kanunit të Lekë Dukagjinit në shqipe standard, që të bënte të mundur, për gjakmarrje, përdorimin me breshëri të kallashnikovit kundër grave dhe fëmijëve.

 

Kastriot Istikami

Megjithë fitoren e ngushtë elektorale dhe numrat e rrëgjuar në Kuvend kalimi i tij nga radhët e pozitës në ato të opozitës u prit me duartrokitje e brohorima nga të dyja palët.

 

Kosta Kostaqi

Nga çanta e rëndë që mbante, plot dorëshkrime studimesh të veta dhe detyra studentësh për korrigjim, shfaqte kur ecte një skoliozë të majtë.

Pas vitesh pune, në pragpension, e hapi rastësisht dhe gjeti që studentët e s’di ç’kursi kishin futur aty një tullë silikate.

 

Linda Mitro

Ndjeu thellë mitrën si u lërua zinxhirëve të kurmit dhe filloi të lëvizë, në fillim ngadalë, pastaj gjithnjë e më shpejt e iracionalisht nëpër bark, duke u përplasur kokëfortë me organet e tjera që i hapnin udhë të trazuar, ata nuk donin të kishin të bënin me të: “Ik, moj e çmendur e na lër rehat në hallet tona!”.

 

Malo Kerri

Për ta çuar në shtëpi lavatriçen e sapoblerë, me kazan tip hoje mjalti, centrifugë 1600 xhiroshe dhe mundësi larjeje të programuar, mënyra e vetme qe karroca me kalë.

Pak pasi hymë në unazë, kali ndalon, i drobitur.

Zbresim; i zoti nis ta tërheqë për frerësh, për gojëze, e qëllon me kamzhik pa pyetur për shkumën që i del nga goja, boritë e Benz-ave (makinë nervoze) ushtojnë.

Frikë mos nga kamzhiku lavatriçja merr ndonjë gërvishtje.

 

Marigo “Shqiponja” Posio

U detyruan të prisnin për ta shpallur pavarësinë sa të mbaronte së qëndisuri Flamurin.

Anash e zbukuroi me thekë dhe fjalët: “Rroftë Shqipëria”.

Numri i kokëve të shkabës ishte një surprizë e këndshme për të gjithë.

 

Marko Marmori

Qëkur furnizimi me mermer nga Carrara u ndërpre brutalisht, mbante dy regjistra të përditësuar, një për heronjtë dhe një për tradhtarët që kish prodhuar në historinë e tij shekullore qyteti ku punonte si varrbërës.

Sapo Bashkia shpallte që, në fakt, filan hero nuk ish veçse një tradhtar i rëndomtë, përpara se t’ia thyenin pllakën aq të çmuar të varrit e hiqte, për ta përdorur për heroin e radhës.

Pastaj rrinte gati, kur me zgjedhjet e reja situata të përmbysej.

 

Naim Frashëri

Si Kryetar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit të Perandorisë, luante rolin e censorit.

Një ditë anëtarë të komisionit i vunë në dorë një libër me vargje në një gjuhë të panjohur për ta, sigurisht subversive.

Lexoi:

Kruj’ o qytet i bekuar!

prite, prite Skënder-Benë,

po vjen si pëllump i shkruar,

të shpëtonjë Mëmëdhenë;

Shqipëtarët t’i shpëtonjë,

nga zgjedh’ e keq’ e Tyrqisë,

edhe ty të të nderonjë,

që je krej i Shqipërisë;

Diçka iu kujtua, ashtu turbull.

Për siguri, e futi librin nën pilën më të lartë që kish mbi tryezë.

 

Poet Zeneli

Nuk më kujtohet numri i saktë, se i pushkatuam shpejt e shpejt, ndaj të gdhirë.

Mbaj mend vetëm që ishte numër ters.

 

Prokop Qiriaqi

Ngriti me punë vullnetare pallatin ku do të merrte një hyrje, ashtu trupimët e delikat si të gjithë gjuhëtarët, mbasditeve, natën, të dielave, lejes së zakonshme.

U improvizua gurëlatues, murator, punëtor shkarkimi, elektriçist, bojaxhi dhe merret me mend pse ishte çdo gjë shtremba-shtremba në atë pallat: asnjëri që kontribuoi aty nuk kish qëlluar i aftë t’i qante qoshet.

Pak pasi mori apartamentin u vetëvra, jo pa nxjerrë më parë në dritë veprën e tij madhore: Fjalor i muratorit dhe i mjeshtrave të ndërtimtarisë, për të cilën u nderua me Urdhërin e Flamurit.

 

Selim Plaku

Tek puthte me afsh të shoqen, i gëlltiti protezën.

Operacioni përfundoi me sukses.

 

Xha Toni

– A e deshe shumë, o xha Toni?

– Edhe thonjtë e këmbës ia prisja vetë.

 

Xheladin Beu

Sa qenë modernizuar kohërat e shihte të sendërgjuar më mirë se kudo në zanatin e tij.

Dikur xhelati i ngjyente përditë duart me gjakun e sopatës, tani veç po t’i pikonte ndonjë pikë bojë stilografi nëpër gishta.

 

Zeqir Lehi

Mbaronte lehja e qenve, fillonte kënga e gjelave.

Në sfond zhurma e makinave të plehrave si një tren i largët, i fshehur nëpër natë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin