INDIGNADOS NË BALLKAN

Vitet e fundit, valët e protestës kanë marrë trajta të ndryshme politike, në vartësi të vendeve dhe konteksteve sociale. Kështu, në Europë janë shfaqur politikisht formacione si ajo Podemos (Spanjë), Front National (Francë), Movimento 5 Stelle (Itali), Syriza (Greqi), etj. Një pjesë e këtyre lëvizjeve/partive kanë ekzistuar më parë, një pjesë janë formuar së fundi. Karakteristika përgjithësuese është se kanë katalizuar protestën dhe zemëratën e bashkëqytetarëve.

Së bashku me to marshojnë edhe dukuri si euroskepticizmi, përkatësia përtej të djathtës e të majtës, frika ndaj imigrantëve, antiislamizmi, protesta ndaj pabarazive e kështu me radhë. Frustrimi i miliona qytetarëve, që ka burime të ndryshme, po thithet nga disa formacione të caktuara politike, që dinë ta kanalizojnë protestën. Disa analistë i kanë quajtur si shfaqje të populizmit, pa arritur të shpjegojnë deri në fund kufijtë që e ndajnë populizmin nga protesta e mirëfilltë dhe pa shpjeguar shkaqet që çuan në përhapjen e indinjatës popullore. Shpeshherë elitat dhe establishmenti nuk janë të sintonizuar me qytetarët e vet.

Në shkrimin me titull “Gli indignados dei Balcani” (Indignados-it e Ballkanit), botuar në Voxeurop, thuhet se ka plot të rinj kosovarë që janë kundër qeverisë aktuale të Kosovës. E bekuar nga komuniteti ndërkombëtar, kjo qeveri ripropozon gjithnjë të njëjtat fytyra. Midis të tjerash, shkrimi citon një vajzë kosovare, e cila simpatizon lëvizjen Vetëvendosje, sepse  e konsideron, pa qenë aspak nacionaliste dhe pa besuar tek metodat populiste, si të vetmen alternativë ndaj një klase të korruptuar, duke shprehur mosbesim tek politika institucionale si motor i mundshëm për ndryshim. Autori bën një paralelizëm të gjuhës së përdorur nga e reja kosovare me atë të Syriza-s greke ose të Podemos në Spanjë.

Vëmendja e shkrimit zhvendoset më pas në Mal të Zi ku, sipas dëshmive vendase, protestat kundër qeverisë së Dukanoviçit lindën nga kriza demokratike e këtij vendi, që dëshiron të futet si në Nato ashtu edhe në BE. Sikundër në vende të tjera të Ballkanit, edhe në Mal të Zi në plan të parë mbetet korrupsioni.

Protesta ka pasur edhe në Maqedoni për skandalet e politikës, ndërsa në Bosnjë vetëm dy vjet më parë janë verifikuar akte dhunë kundër mbledhjeve të qytetarëve, që kërkonin demokraci e luftë kundër varfërisë.

Për autorin Francisco de Borja Lasheras, “sot është e pamundur të rrish në këtë krahinë e të mos hasësh në indignados ballkanikë, këtë realitet të ri”, që ia shtojnë kompleksitetin Ballkanit, duke vënë përballë BE-së dilemën midis sigurisë dhe pluralizmit të vërtetë. Përshtypja është se Europa, e cila ka halle të tjera në Siri e gjetiu, nuk ka dëshirë ta komplikojë jetën e vet me Ballkanin. “Panorama e protestave – vijon autori – është e ndryshme dhe zakonisht evoluon me shpejtësi”. Shkrimi “Gli indignados dei Balcani“, që nuk mbyllet aspak me optimizëm, përmend midis të tjerash edhe protagonizmin e Turqisë dhe të Rusisë në Ballkan.

Shkrimi i porsacituar nuk e përmend Shqipërinë, megjithatë pyetja mbetet në ajër për sa kohë po flasim për situatën politike në Ballkan. Tek e fundit, nuk mund të mohojmë krizën ekonomike dhe problemet e rënda sociale që ekzistojnë në Shqipëri. Problemi i fundit, ai i emigracionit masiv drejt vendeve perëndimore nuk është gjë tjetër veçse simptomë e një lëngate të vështirë. Pa përmendur çështjet e korrupsionit endemik dhe të kriminalitetit të organizuar.

Kjo situatë e rënduar me siguri ka krijuar edhe të indinjuar shqiptarë. Deri më sot kjo mund të shtrohet në trajtë hipoteze për sa kohë nuk ngurtësohet në forma të dukshme publike, për të mos thënë në formacione politike. Fakti është se Aleanca Kuqezi, gjatë fushatës zgjedhore e më parë, u përpoq ta kondensonte frustrimin e shumë qytetarëve, pa ia arritur qëllimit. Në këtë pikë mund të flasim për tentativë të dështuar politike.

Në rast se kjo pakënaqësi qytetare ekziston, pra në rast se në Shqipëri ka plot indignados, si edhe në vende të tjera europiane e ballkanike, përse nuk kanalizohet në lëvizje politike? Mendja të shkon tek paradoksi i Fermit, dhe pyetjen e famshme “Where are they?“, që në fakt kishte të bënte me alienët. Arsyet e mosshfaqjes në skenën publike mund të jenë të ndryshme, por nuk mund të hulumtohen pa kaluar nga sistemi partitokratik i krijuar në Shqipëri, që e kushtëzon detyrimisht kondensimin e formacioneve të reja politike.

Gjithsesi, po të dëgjosh bisedat e të rinjve shqiptarë, që e ndjejnë veten jashtë përfaqësimit tradicional, e kupton menjëherë se nebuloza e pakënaqësisë, e frustrimit  dhe e pafuqisë është aty, pavarësisht se nuk duket me shikim të parë. Po sikur të jetë vetëm çështje kohe?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin