REFORMË DHE DËSHPËRIM

Gjendja shpirtërore e promotorëve të reformës në drejtësi është diçka midis panikut dhe dëshpërimit: palët nuk po gjejnë dot gjuhë të përbashkët dhe rreziku po bëhet real, që reforma të mos kalojë në Parlament, me gjithë sponsorizimet e fuqishme ndërkombëtare. Vërehet edhe një pakënaqësi difuze, nga ana e ekipit drejtues të PS-së, se shoqëria civile dhe mediat nuk kanë treguar entuziazmin e duhur për këtë reformë dhe as kanë ushtruar trysni ndaj kundërshtarëve të saj, për t’i bindur që të ndërrojnë mendje. Kjo mund të jetë e vërtetë, por jo ngaqë ata që po rrinë pa folur janë pa tjetër skeptikë ndaj përmbajtjes së reformës në vetvete; arsyeja është tjetër. Publiku duket se nuk po u zë besë deri në fund atyre që po duan ta kalojnë reformën me çdo kusht, që nga krerët e PS-së te ndërkombëtarët; sidomos ngaqë nuk e kuptojnë dot nxitimin që i ka përfshirë këta të fundit; dhe as argumentin se kjo reformë do ta shpëtojë jo vetëm drejtësinë në Shqipëri nga korrupsioni, por edhe sistemin në tërësi (sepse kushedi njerëzit gjykojnë edhe që korrupsioni nuk është sëmundje që prek vetëm gjyqësorin). Ndoshta publiku, me aq dhe si e kanë informuar, nuk entuziazmohet as që ndërkombëtarëve po u dorëzohet haptazi ajo lloj përgjegjësie që, përndryshe, duhej mbajtur nga institucionet sovrane të shtetit shqiptar, të cilat përgjigjen dhe japin llogari para zgjedhësve. Prandaj reforma në drejtësi është një gjë, dhe nevoja urgjente e ekipit drejtues të PS-së, për ta përdorur këtë reformë si provë legjitimimi është një gjë tjetër; dhe kam frikë se këtë e kanë kuptuar shumë; sikurse kanë kuptuar se disa prej promotorëve të reformës, në Shqipëri, po përfitojnë nga natyra e saj dhe teknikalitetet (si funksioni që u jepet zyrtarëve të huaj në procedurat e vetting-ut) për t’u pozicionuar me forcë, në mos me arrogancë, si interlokutorët e vetëm të Shqipërisë dhe me Europën dhe me ShBA, pa çka se kjo vjen me kosto politike të lartë, sa kohë që një pjesë e zgjedhësve mund të mos bëjë dot dallim mes roleve të interlokutorit dhe të mëkëmbësit. Nëse është kështu, atëherë miratimi i reformës në Parlament nuk ka më lidhje me përmbajtjen e reformës dhe as me luftën kundër “korrupsionit”; dhe kjo mund ta shpjegojë shqetësimin deri në panik të propagandistëve. Çuditërisht, opozita ka përfituar nga kjo katrahurë për t’u rehabilituar disi në sytë e njerëzve, meqë luftën kundër palës në pushtet po e bën me argumente, jo me pështyma dhe jargë: ja një efekt pozitiv krejt i papritur i ngërçit.

6 Komente

  1. Shumë voluntarizëm në këtë shkrim. Por kjo fraza e fundit s’ka të paguar : medemek argumentat e Saliut, se Saliu është PD-ja, pa jargë e pështyma….(?!)

    E ke shkruar sikur të ishe antar i kryesisë së Pd-së ose sikur të ishe prishur me miqtë e vjetër.

  2. Po ç’hyjnë miqësitë këtu. (Të ketë vallë miqësi në politikë? Apo e ke fjalën për çiftin Rama-Meta?) Më jep të paktën aq kredi, sa të besosh se po përpiqem të gjykoj pa pasion. Po edhe nëse nuk ma jep ti kredinë… më lër të paktën të ta jap unë ty, si komentuese në mirëbesim. Se nuk ta kam ngenë, si armike.

    1. Shkruan : “Se nuk ta kam ngenë si armike” dhe pastaj më thua :”Po ç’hyjnë miqësitë ketu?” Miqësitë apo armiqësitë, se njësoj janë.
      Po të ishte për armiqësi nuk do të shkruaja “voluntarizëm” por ” budallallëqe”, ashtu si ti.
      E ke zakon të keq që sa herë të kundërshtoj e personalizon. Po mua s’më intereson fare kush shkruan por çfarë shkruan dhe ti e di këtë fare mirë.

      Flasim për reformën në drejtësi , as për ty e as për mua.

      E unë s’mund t’i marr gjithë ç’thua për fakte. Se psh nga e ditke ti se “..publiku nuk po u ze besë ..atyre që duan ta kalojnë reformën me çdo kusht..” S’ke bërë ndonjë sondazh, as i referohesh kujt. Veç ne i besofsh Blushit po edhe ky s’ka bërë sondazhe, atij ja do puna pa e thotë si politikan që luan me populizëm. E megjithë që flet si Zeus përmbi palët nuk ka bërë ndonjë prokopi akoma se vetëm atë astronomen ka nga pas…

      Ose nga e ditkeni ju se Rama nuk e dashka Reformën, atë Reformë që e ka iniciuar vetë dhe që është investuar i tëri ?!
      Ku janë analizat, provat për të ngritur një teori si kjo , që vetëm mjegull hedh për mendjet e pandriçuara dhe që çon në më të neveritshmen pikpamje se palet, Rama e Berisha ,qenkan njësoj. Njësoj, ruajna zot ! Këte mund ta thotë apo besojë një i pamend ose ai me mend që kërkon të djegë edhe të njomin bashkë me të thatin, se ashtu ja do interesi.

      Reforma nuk është as për Ramën e as për Berishën, është për të gjithë, në interes të të gjithëve. Në këtë fazë finale që është Reforma ka vetëm një qëndrim dinjitoz, pro ose kundra. Të merresh me çikërrima periferike,me akademizma e sofizma, është të kërkosh sebepe e alibira njësoj si Berisha, që haptazi nuk e do,dhe ka arsye ekzistenciale të mos e dojë. Mund të mos e doni,(nuk të drejtohem vetëm ty), është e drejta e kujtdo, por thuajeni hapur dhe po të keni dëshirë, thoni dhe ndonjë argument përse.

      Nuk mendoj se gjykon me pasion. Kemi një njohje të gjatë bashkë dhe ti e di se kuptoj shumë më tepër se sa shkruaj këtu.

  3. Rama i ka votat per ta derguar minimalisht ne kuvend per votim. Por meqe po i jepet rasti i keput edhe ca retorike qe edhe nese humb te dale serish i fituar.

    Kuptohet qe reformen ne drejtesi nuk e do asnje pale politike, te pakten jo ne ate forme qe do te demtonte njeren apo tjetren pale. Prandaj nxtiojne te zoterojne procesin, por ti largohen cdo pasoje nese ajo nuk votohet. Dhe ne fund te perfitojne nga fajesimi i njeres apo tjetres pale.

    Eshte nje rast interesant, se partite politike dalin te fituara nese votimi deshton. Status quo eshte mire per te gjitha palet.

    E shpifur ka qene loja e PD-se qe kerkoi perfshirjen e faktorit nderkombetar ne procesin e veting-ut, dhe tani e do vetem vezhgues. Kuptohet qe Berisha ka bere gjithe kohen lojen e Metes, per ta futur serish ne shtrat ate. Por PD-ja nga deshtimi i reformes del e humbur ne planin afatgjate. Ajo e ka humbur besimin tek zgjedhesit gjithsesi, dhe sidoqe te shkonte votimi i reformes ajo nuk do te mundte te krijonte kapital politik. Besoj se e ka kuptuar qe edhe Rama eshte i pasinqerte ne lidhje me suksesin e reformes, e ka vendosur ta demtoje ate ne cdo menyre, duke ruajtur minimalisht elementet e saj ne sistemin gjyqesor dhe derguar sinjalin se njerezit e saj gjithmone i mbron.

  4. Më habit naiviteti i ndërkombëtarëve në Tiranë. Të presësh që klasa politike shqiptare të votoj për një reformë të vërtetë në drejtësi, është si të presësh që gjeli i detit të votoj për Vitin e Ri.

    Problemin unë e shoh tjetërkund. Që klasa politike është e korruptuar deri në qelizë – bashkë me sistemin e drejtësisë, bashkë me administratën – këtë qytetarët aty e shohin dhe e jetojnë çdo ditë. Atëherë përse ata e zgjedhin dhe e rizgjedhin në pushtet këtë klasë politike, afati i skadimit të cilës i ka kaluar që prej eh… ’97-’98-ës? Përse mungon protesta civile ndaj korrupsionit, ndaj nëpërkëmbjes nga politikanët dhe oligarkët, ndaj kapjes së drejtësisë nga krimi, apo thjesht ndaj varfërisë?

    A nuk ka ardhur koha, pas kaq vitesh tranzicion, për të kërkuar arsyen te rraskapitja, madje më tutje, te degradimi social i publikut të atyshëm?

    Pjesa më ambicioze dhe ajo më e pakënaqur e shoqërisë me realitetin i ra shkurt dhe u largua nga vendi (dhe vazhdon të largohet), ndërsa shumica e ngelur – me ndonjë përjashtim që veç se vërteton normën – ose është bërë pjesë e sistemit të korruptuar, ose është tërhequr në jetën private apo atë profesionale, ose është debilosur deri në atë pikë nga tranzicioni i stërzgjatur, nga përpjekjet për mbijetesë dhe nga bombardimi i vazhdueshëm mediatik, sa pranon dhe gëlltit çdo m*t që i vënë përpara politikanët dhe mediat e tyre.

    Publiku është, për mendimin tim, edhe problemi, edhe (mos)zgjidhja e ngërçit 25-vjeçar shqiptar.

  5. Interesant do të jetë reagimi i ndërkombëtarëve nëse dështon miratimi i reformës, në javët që vijnë. Pas ekspozimit maksimal dhe në nivele të larta të SHBA dhe të EU për reformën në Tiranë, dështimi i saj vështirë se mund të kaloj pa pasoja – masa shtrënguese apo sanksione – ndaj politikanëve të veçantë, shtetit shqiptar dhe ndoshta më pas edhe ndaj qytetarëve shqiptarë në përgjithësi (psh. lëvizja e lirë).

    Po sikur Departamenti i Drejtësisë së SHBA të përdor të njëjtën metodë që ndoqi dhe për akuzimin dhe arrestimin e fuknsionarëve të korruptuar të FIFAs? Përdorimi i sistemit financiar të dollarit për transferta bankare ilegale nga korrupsioni apo veprimtari të tjera të paligjshme është i dënueshëm sipas ligjit amerikan, pavarësisht shtetësisë apo vendbanimit të përdoruesit. Mjafton nje transfertë e vetme ilegale e bërë në dollar nga ana e politikanëve shqiptarë ose e të afërmve të tyre në të shkuarën, që ata të jenë përgjegjës para ligjeve amerikane. Urdhër-arresti nga U.S. DOJ për ndonjë apo disa politikanë kalibri të Tiranës apo për njerëz të afërt me ta pas dështimit të reformës?…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin