TË SHKRUASH ME GABIME (IV)

Parimi i ekonomizimit në komunikim mund të formulohet kështu: përpiqu të shpenzosh një minimum energjish për ta përçuar ose shprehur atë çfarë dëshiron. Këto energji mund të jenë mendore, por mund të jenë edhe fizike, sikurse mund të jenë edhe sociale. Dikush mund të flasë me zë të lartë, duke shpenzuar relativisht më shumë energji, në një mjedis të zhurmshëm; sepse po ta ulë zërin, rrezikon që të mos i kuptohet se çfarë po thotë; i njëjti person, nëse vijon të flasë me zë të lartë edhe kur nuk ka zhurmë përreth, ose është i rënduar nga veshët, ose po e përdor zërin e lartë për të kumtuar diçka tjetër (p.sh. pushtet ose emocion). Në të shkruar, nuk do të ishte ekonomike sikur t’i vizatonim shkronjat nga 10 cm secilën, përveçse kur po përgatitim një afishe ose lajmërim që duhet lexuar nga larg. I njëjti parim vepron edhe në lidhje me Tjetrin; prandaj kur hartojmë një letër drejtuar Autoritetit Bashkiak, nuk i përdorim disa shkurtime që për ne janë të qarta, sepse e kuptojmë që Tjetri mund të mos i deshifrojë dot. Meqë gjuha është ndoshta “vegla” që përdorim më tepër kursime të tilla, edhe pse të vogla secila në vetvete, marrin domethënie të madhe me kalimin e kohës. Një lloj tjetër ekonomizimi, ka të bëjë me teknologjinë; kur jemi, për shembull, të detyruar të përdorim një tastierë të anglishtes për të shkruar shqip, atëherë duhet të gjejmë një zgjidhje për shkronjat e shqipes ë dhe ç, të cilat tastierës së anglishtes i mungojnë; dhe shumë prej nesh këtë zgjidhje e gjejnë duke i zëvendësuar këto me shkronjat vizualisht më të ngjashme, e dhe c; edhe pse, me pak mundim, mund të gjenim një mënyrë si t’i përftonim edhe dy shkronjat problematike. Mirëpo kjo mënyrë do të ishte relativisht e kushtueshme për nga energjitë që kërkon; dhe gjithsesi, do të kërkonte nga ne më shumë energji se ç’do t’i duhet lexuesit të tekstit për t’i rindërtuar saktë fjalët përkatëse; ose të paktën kështu na duket ne, sa kohë që lexuesi nuk proteston (për mua, kjo zgjidhje teknike është një lloj free riding në sistemin ekzistues të alfabetizimit të shqipes, që po e streson shumë sistemin; por nuk është këtu vendi për t’u zgjatur). Me nevojën për të ekonomizuar energji mund të shpjegohen shumë shkelje të normës, me shkrim dhe me gojë, për shembull përdorimi i së ardhmes së cunguar, të tipit do shkoj, do punoj, do nisem, pa të-në e lidhores, meqë kjo nuk kryen ndonjë funksion specifik në këto ndërtime dhe mund të hiqet që andej pa ndikuar në modalitetin e thënies. Kështu mund të shpjegohen edhe përdorimet e mbiemrave në njëjës, me emra në shumës, të tilla si shembuj tipik, në krahasim me formën korrekte shembuj tipikë; edhe pse kjo rënie e ë-së fundore përforcohet edhe nga mungesa e saj në regjistrin e folur. Në të njëjtën mënyrë, shumica dërrmuese e folësve sot nuk e shqiptojnë të plotë grupin ue në fjalë të tilla si mësues, i kushtueshëm, por e thjeshtojnë në u, dhe pikërisht mësus, i kushtushëm; ky thjeshtim mbështetet në një zhvillim fonetik të zakonshëm për gegnishten si dialekt, por në standard është ndërmjetësuar edhe ngaqë shqiptimi mësues u kushton më shumë folësve (në përgjithësi, zanoret shpenzojnë më shumë energji fizike se bashkëtingëlloret). Nevoja për ekonomizim vepron gjithnjë, në të gjitha nivelet dhe regjistrat e gjuhës; në kundërvënie me (1) nevojën për të mënjanuar ambiguitetet ose paqartësitë dhe (2) normën, e cila vepron më shumë në disa nivele se në të tjera, për shembull është më e fortë në shqipen e shkruar se në shqipen e folur; dhe më e fortë në regjistrin formal se në regjistrin informal. Kështu, pritet që një spikere e lajmeve në TV ta shqiptojë të plotë grupin ue në fjalën mësues; por e njëjta spikere do të thotë se “takova mësusen e vajzës” në bisedë informale; dhe sikur të thoshte “takova mësuesen e vajzës”, ose duke e shqiptuar grupin ue të plotë edhe në një kontekst joformal, atëherë të tjerët me të drejtë do të pyesnin se pse po flet kështu; ose thjesht do të talleshin me të. Çfarë do të thotë se disa “gabime” janë në fakt normë në ligjërime të caktuara; dhe çfarë është normë mund të përfundojë në “gabim” në ligjërime të caktuara; sikurse do të thotë se nevoja për ekonomizim është vetëm një nga faktorët që veprojnë në ligjërim, duke kërkuar ta modifikojnë – krahas faktorëve të tjerë, si norma, nevoja për qartësi ose edhe shtysa për të përdorur forma gjuhësore identifikuese për grupin. Përdoruesi i gjuhës nuk është i vetëdijshëm për këto zgjedhje; sikurse nuk është i vetëdijshëm kur vendos të ecë në vijë të drejtë dhe jo me zigzagë, kur kapërcen sheshin, në mënyrë që të zgjedhë rrugën më të shkurtër, ose më ekonomizuese. I njëjti parim i nevojës për të kursyer energji në komunikimin gjuhësor vepron edhe në të mësuarin e standardit në shkollë; ndonëse, në vija të trasha, fëmijët e mësojnë diçka edhe për t’u shquar mes fëmijëve të tjerë, ose për t’i bërë qejfin mësueses dhe prindërve, ose fundja edhe thjesht ngaqë u pëlqen, në afat të gjatë ata do të mësojnë aq sa ç’u duhet për të shlyer detyrimin si nxënës dhe për të vazhduar pastaj më tej. Drejtshkrimi, përfshi këtu edhe drejtshkrimin e shqipes, kërkon shumë kohë dhe mund për t’u përvetësuar; edhe pse u duhet ta zotërojnë para së gjithash atyre që shkruajnë në publik ose komunikojnë me të panjohur – çfarë e përjashton vetvetiu një pjesë të madhe të përdoruesve. Situatën këtu e rëndon edhe çfarë, nga pikëpamja thjesht didaktike, do të ishte një avantazh i madh i shqipes: parimi fonologjik, ose teknika e të shkruarit në bazë të shqiptimit, e cila u mësohet fëmijëve sapo nisin të fillojnë të shkruajnë. Kjo do të thotë se, me kalimin e kohës, shqipshkruesi nuk do të ketë asnjë problem për të shkruar fjalë si plak ose lexoj; në një kohë që do të luhatet, kur t’i duhet të shkruajë fjalën shumë, sepse nuk do të dijë nëse ta shtojë apo jo atë ë-në fundore, sa kohë që kjo nuk dëgjohet më në shqiptimin informal të shqipes standard. Në këtë pikë, parimi i ekonomizimit të energjisë mendore do të ndërhyjë: çfarë vjen me kosto më të lartë: të mbash mend a të interiorizosh rregullat e përdorimit të ë-së fundore, apo të rrezikosh të shkruarit me gabime dhe ndëshkimin përkatës prej lexuesit? Për shumë njerëz, zgjidhja e dytë është më pak e kushtueshme dhe parapëlqehet; sidomos për të gjithë ata që nuk do të kenë ose nuk e kanë të nevojshme që, me tekstet që shkruajnë, të komunikojnë edhe njohjen e normës. Të mos harrojmë këtu edhe që një pjesë e mirë e lexuesve të teksteve të shkruara informale – për shembull të SMS-ve ose të një ndërhyrjeje në FB a një forum Interneti – nuk e njohin aq mirë drejtshkrimin, sa të shqetësohen prej gabimeve në shkrim të tekstit që po lexojnë; ose sa të shqetësohen aq sa ky shqetësim ose bezdi t’i pengojë në të lexuar; çfarë do të thotë se i njëjti parim i ekonomizimit vepron edhe në skajin marrës, ose gjatë dekodimit. Të gjithë ata që argumentojnë nevojën për “rishikim” të drejtshkrimit ndoshta do të duhej më parë të ndërmerrnin një studim të niveleve dhe të konteksteve se ku përdoret shqipja sot, me shkrim dhe me gojë, duke mbajtur parasysh dallimet në aksin publike-private dhe ndëshkimin që rrezikon realisht çdo gabues.

[vijon]

1 Koment

  1. Edhe pse trajton nje ligjesi baze te mekanizmit evolutiv te gjuhes, risia e shkrimeve te tilla qendron ne qartesine absolute te shpjegimit. Tek e lexon nuk mund te mos mendosh se edhe nje shkence aq e vecante si gjuhesia, mbase jo me e veshtira , por pa dyshim jo me e lehta, behet e kapeshme dhe domen praktike per te gjithe (ose te pakten per shumicen e njerezve) kur di ta shpjegosh e mbi te gjitha kur vret mendjen per te kuptuar veshtiresite e lexuesit tend.
    Sikur per nje çast te guxojme te mendojme se edhe tekstet shkollore do te aplikonin nje metodologji te tille atehere do te verenim se niveli gjuhesor i blogosferes shqipe do te kishte ndikimin e tij edhe ne cilesine intelektuale te komunikimit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin