TRADITA TË NDËRPRERA

Nga një shkrim i Violeta Muratit, botuar në MAPO, mësoj se ekspozita ndërkombëtare “Onufri” për këtë vit është gati duke dështuar, meqë mungojnë aplikimet në konkursin për kurator.

Tashmë në edicionin e 22-të, Onufri po përballet me sfidën e mbijetesës; dhe kjo sfidë i ka rrënjët, të paktën sipas një studiueseje të artit pamor, Zana Varvaricës, te kriza e besimit për funksionimin e kësaj veprimtarie, krizë që i ka bërë shumë kuratorë dhe artistë pamorë të stepen ose të tërhiqen krejt.

Për këtë paska folur edhe ideatori dhe themeluesi i Onufrit, Gëzim Qendro, i cili ka thënë mes të tjerash:

“Nuk duhen lëshuar sinjale të tilla që një institucion si Onufri të vihet në diskutim, nëse të bëhet apo jo! Tradita nuk prishet, Venecia ka mbi 100 vjet dhe askush nuk ka folur. Ky është një sinjal për gjithë institucionet përgjegjëse të kulturës, të cilat duhet patjetër çfarë janë krijuar tradita, festivale mbi dhjetë vjet, nuk duhen prishur, për asnjë arsye. Onufri është një nga këto organizime artistike.”

Qendro vë gishtin në çfarë duhet t’i shqetësojë të gjitha palët e interesuara për kultivimin e kulturës sot në Shqipëri: nevojën për të konsoliduar tradita.

Që një eventi të rëndësisë dhe shtrirjes së Onufrit, i cili mbahet që prej 22 vjetësh, t’i rrezikohet tani mbijetesa, kjo tregon se, të paktën, ka diçka që nuk shkon në mënyrën si institucionet, dhe veçanërisht Ministria e Kulturës, e konceptojnë traditën kulturore në Shqipëri.

Tradita është vijueshmëri institucionale, më fort dhe më tepër se guri i një kalaje osmane a veneciane.

Dhe ky shqetësim i tanishëm për Onufrin më kujtoi një shqetësim timin më të vjetër, për mënyrën brutale si u trajtuan çmimet letrare që jepte Ministria e Kulturës para se të vinte në fuqi ekzekutivi i tanishëm.

Për një periudhë kohe – nuk e gjej dot se për sa gjatë – kjo Ministri ka pasë dhënë një Çmim të Madh të Letërsisë, Çmimin “Gjergj Fishta” për eseistikë, Çmimin “Faik Konica” për studime letrare, Çmimin “Fan Noli” për përkthimin drejt shqipes, Çmimin “Petro Marko” për romanin, Çmimin “Migjeni” për sprovën letrare, Çmimin “Lasgush Poradeci” për poezinë, Çmimin “Jusuf Vrioni” për përkthimin drejt gjuhëve të huaja, Çmimin “Mitrush Kuteli” për tregimin dhe Çmimin “At Donat Kurti” për letërsinë për fëmijë.

Me një të rënë të lapsit, ministrja Kumbaro i eliminoi të gjitha këto çmime, për t’i zëvendësuar me dy të tjera: një për letërsinë dhe një për përkthimin.

Nuk e kam të qartë pse ndodhi kjo. Nga pikëpamja financiare, shpenzimet për çmimet kanë qenë triviale, në krahasim me shpenzimet që bëhen rregullisht, për projekte të tjera kulturore, shpesh pa kurrfarë peshe në kulturën kombëtare dhe që kalojnë nën radarin e mediave dhe të publikut.

Arsyeja që kam dëgjuar të sillet aso kohe ishte se “janë shumë çmime.” Nuk më ka bindur; sepse këto “shumë çmime” veç mirë u kanë bërë autorëve, publikut dhe kulturës.

Çmimin “Gjergj Fishta”, për eseistikë, e kam fituar edhe unë në vitin 2009, për veprën “Shqipja Totalitare” (Excipere, Botime Çabej). Ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm për mua atëherë dhe një stimul për të vazhduar atë çfarë bëj, i cili vepron edhe sot e kësaj dite.

Jam i sigurt se njëlloj janë ndier edhe fituesit e tjerë të atyre çmimeve, në vite; në një kohë që shpërblimi financiar që i bashkëlidhej çmimit ishte diçka më pak se të ardhurat minimale që më duhen mua për të kaluar muajin.

Ironikisht, anëtare e jurisë që më dha mua atëherë çmimin ishte edhe Ministrja e tanishme e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Për fat të keq timin dhe të së gjithë atyre që i kanë fituar çmimet e atëhershme letrare, ajo traditë nuk ekziston më; është ndërprerë me vendim burokratik dhe, për mua arbitrar, dhe e ka dëmtuar si kulturën në Shqipëri, ashtu edhe besimin në institucionet. Një çmim në fushën e kulturës nuk ka ndonjë vlerë në vetvete, as e merr vlerën nga ekzekutivi që ka qenë në pushtet kur është akorduar; por fiton peshë dhe prestigj vit pas viti, ose kur shndërrohet në institucion.

Përndryshe, duke i ndërruar çmimet së bashku me qeveritë dhe legjislaturat dhe duke i demoluar institucionet paraprijëse, e shndërrojmë traditën kulturore institucionale në një farë karnavali, ku autorët dhe veprat vishen me petkat e politikës dhe pastaj përfundojnë në kosh të harresës, së bashku me zhelet që s’i duhen më kujt.

Prandaj ndihem i nëpërkëmbur në atë çfarë unë kam më të shtrenjtë, ose dinjitetin prej autori, tani që Çmimi “Gjergj Fishta” nuk ekziston më dhe nesër, kur t’i thuhet lexuesit tim se e kam fituar dikur, lexuesi do të pyesë: po ç’ka qenë ky çmim xhanëm?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin